Prenk Gruda me të shoqen Ana Gruda
BRENGA
Mikut tim Prenk Gruda
Prenk Grudës i mbeti fryma pezull
bashkë me zemren e lëndume që konturohet
qiejve të Ballkanit pa anë e pa cak
në pesë shtete e në Grudën e vjeter.
Kaq shumë mendime më tundojnë për mikun
që pas na la brengën e iku vetë pa kthim
sa rri e veshtroj qiellin nën një hark metali
që konturon ura e Longfellou
tek ndan e bashkon Bostonin e Kembrixhin
e vehtes i them se njeriu nuk vdes
sa kohë që ka diçka nga shpirti
që endet mbi këtë urë bashkë me njeriun.
Dhe kjo hapësirë që ndan e bashkon qytete moderne
me ngjan si nje urë me emrin e mikut tonë të vjetër
që frymën e la në mes nesh e iku
përtej Atlantikut…
Iku të vendoste trupin e lodhur në nje ograjë
e të mbështeste kokën në një copë shkëmb
të zbritur me rrebeshe nga koha e Mujit
që pinte gjiun e mrekullisë së zanave
e kreshnikët prej legjendash mbinin
Ah Prenk Gruda, ti mësuesi ynë i vjeter,
aq shumë pive nga ky gji sa dhe vetë vdekja
nuk kishte fuqi të të priste udhën
e 87 vjetëve të lodhëshme të kthimit,
sepse fillikat do të ishe në botë të huaj
pa zërat e malësorevë të vegjel që vinë
e me belbëzime shqipesh të flasin tek varri
“Këtu fle mësuesi i parë i Grudës!”
Mungesen tënde aq më shumë e ndjejmë
sa më shumë shkon koha e rutina e përditëshme
na lodh e na raskapit dëshirën e krijimit
me vetminë lodhëse që si patericë e drujtë
na percjellë në monotoninë e ditës tjeter
pa lënë asnjë thërrime poetike në tryezë
për zogjt që sot mërdhijnë nga dimri i eger
e s’do kenë fuqi të cicërojnë të nesermen.
O Prenk Gruda
miku ynë i lashtë sa një shekull
miqtë e tu të kanë në mes si zemrën
që eshtrat e gjoksit brenda vetes mbajnë.
E kemi një hall – ne të gjallët,
e kemi nje mall,
se nuk ka gjoks pa brengë
e nuk ka brengë, që e zë varri.
© Kolec P. Traboini
Boston 1999
Botuar në librin “Mos vdis dashuri” 2002