A hi e a dalë ramazani e unë nuk jam kânë mu falë

0
188
Shaban Seferi

Shaban Seferi i Turjakës (1912-1982)

Fragmente nga libri në dorëshkrim për Turjakën
Mahi e mesele (11 mahi)
A hi e a dalë ramazani e unë nuk jam kânë mu falë

Syle Sahiti, djali i Sahit Mstafës me ni nejë*) do me nguc*) Bajram Ramadanin, për me ju kallxu të tjerëve kush a kâ mu falë e kush jo në ramazan.
– Mixha Bajrë, kur i falshum taravitë n`ramazan janë hup*) do apânga, dikush pi atyne*) qi janë falë i ka marrë apângat*).
– Vallahi bre Sylë Sahiti, a hi e a dalë ramazani e unë jam kânë mi falë taravitë.

 

A pa ha piten e hallven a pat mshoj n’krye me tapuz e pat mys

Në rrethin e Rahavecit, në shumicën e katuneve e në qytet ka dervishë, të tarigit Shia. Ni hoxhë ish pas shku musafir te ni familje dervishësh*). Atë, natë i qon Zoti musafirë edhe dy shehlerë. I zoti shpisë gzohet shumë e ju bân itibar e muhabet tej ngu*).

Hanë darkë e ushqimi qi met, i zoti i shpisë, e qet mi kaftorr*), mi do druna t`hollë qi i terin teshat e apângat kur lagen dimnit. Dikur natën hoxha ish pas untu*) e qohet dhe i hanë krejt, mish e pasulin e pitën e hallven.

I zoti i shpisë qohet herët, shkon n`odë dhe e kall zjemin e po ju qet kafe musafirëve e pi vetë:

– A kini fjet mirë mara miq?

Shehi*) qi ish ungj ma nelt, te axhaki flet i pari:

– Unë gjithë naten nuk kam fjetë.

– Pseee?

– Jam kânë n’shtatin kat t’qellit*).

– Eeee, pa bâjnë burrat, ky âsht njeri evlia.

Masi foli shehi i parë, me ren pa flet shehi i dytë:

– Edhe unë gjithë natën nuk kam fjetë se jum kânë shtatë pash teposhtë n`tokë*).

Burrat pa kqyren e pe ja bâjnë me shej shoqi shoqit:

– Edhe ky âsht njeri i mrrin*).

Dikur mas mrami i erdh reni hoxhës me folë. I zoti i shpisë pe vetë:

– Hoxhë, e ti a ki fjet, a ka pa naj ânerr*), a t`ka hânger naj plesht a?

Tash t`tanë pa kqyrin*) shka do me thânë hoxha.

– Edhe unë, s’kam shti gjumë n’sy gjithë natën.

– Psee?

– Po k`ta dy shehlertë, ishin shokë t`ligjë*), ikën e m`lanë mu vetë e kur shkuen, qysh thanë, njani shtatë kat n`qill tjetri shtatë pash n`tokë erdh ni njeri i madh me ni tapuz*) n`krah e m`tha:

– A pa ha qata pite e hallvën a t`mshova n`kry e t`myta. Unë e hângra krejt mishin, piten e hallvën, pi zorit e s`pata qare*)

(Tregoi baba, Ukë Imeri, 1920-2002)

 

Falë iu koft Mao Cetuni i dajve e unë trohën s’pe du!

Dajt e babës nga Damaneki, e kanë dashtë shumë, Shipninë*) socialiste e Enver Hoxhën, ma shumë se katunet tjera. Kur Shipnia lidhej herë me Rusin e herë me Kinëm, edhe pleqt e Damanekit, nuk e hiqnin pi goje Stalinin e Mao Cetunin. Baba Ukë thonte:

– Falë iu koft Mao Ceduni e Ču En- laj*) i dajve se trohën e hises unë nuk pe du!

 

Me shku mas dajve t’mi, t’zen sherri

Damaneki, katuni i dajve t`babës, komunizmin, enverizmin, stalinizmin e Maoizmin e kânë pas n`zemër qi vtëm sherr se hajr kurrë s`kimi pa. Edhe ata, Dameneku ia kanë pa sherrin. Baba Ukë, për dajtë e vetë thonte:

– Me shku mas dajve t`mi t`zen sherri.

 

Nxirri do kepë me krye!

Plaki*), i zoti i shpisë i kish pas thânë Miftarit, nga Damaneki, dajë i babës Ukë:

– Miftar, shko n`bashqe e nxirri do kepë*) me krye!

Miftari shkon n`bashqe ku i kanë mjellë keptë e hudrat dhe ja nis mi nxjerrë keptë me krye (t`Miftarit) tuj u munu me i nxjerrë kepët me krye, pi dheut. I kish pas nxjerrë nja dy a tri kepë por ballin e kryet e vetë e kish mush me gjak, sukur mu pas la n`gjak.

Kur shkon n`odë, i zoti sh`pisë pe sheh shka ish bâ e pe vetë:

– Miftar shka ki, shka je bâ kshtu me gjak?

Ai kallxon se i ka nxjerrë keptë me kry qysh i ka thânë ai.

– O Miftar, unë nuk t`kam thanë mi nxjerrë keptë me kry por me dorë, e keptë me kânë me krye.

Daja Miftar, daja i babës Ukë, ish kânë shumë i pasherrë por baba përbehej*) n`dajën Miftar. Kur shkonte baba n`Damanek te daja Lilë e Sadri*), atyne iu thojke

– Unë dajën Miftar e kam dajë.

Daja Miftar ish kânë edhe trim. Kish pas qit pushkë para komunarëve, si Xajë Kosova.

 

Axha Ban, a je ispat qi e mujta turrecin?

Në Turjakë, a kâ adet qi kush e ninte turrecin*) tuj knu mas pari, ate qi e kish me ngat, e thirrte me zâ e i lutej që t`bâhet ispat se e ”ka mujt turrecin”.

Axha Ban, baca Bali, burra e gra ishin kânë tuj punu n`lamë.

Selva, gruja e bacës Bali kur e nin turrecin tuj knu e thirr axhën Ban:

-Axha Ban, a je ispat qi e mujta turrecin?

Axha Ban duhej ti thonte hallës Selvë:

Po, Selvë jam ispat.

Hala pa e marrë Selva përgjigjen pi axhës Ban, Zyma, gruja e bacës Dulë i thotë Selvës:

– Pse a ka qyqe e turrec*) që t`mun ty a?

 

Shapko, shapko, s`kam punë me ty!

Imer Mullamuqa, plak i mahallës së Mullamuqëve nga Turjakë. ish kânë shpijanik. Ai i kish pas ngat 100 copa dhi t`kuqe. Imer Mullamuqa nuk ka lân djalë. Ka jetu me djemtë e vëllait, Sadri Metën derisa ka dekë por edhe me nipat e tjerë: Musli, Ali e Selim Metën, vllaznit e Sadri Metës.

Niherë, n`sabah para se mi n`shu dhitë e me i qit n`bjeshkë mi kullotë, Imer Mullamuqa ish ardhë te baba Imer me nejt. Baba Imer ish kânë tuj pi kafe me axhën Ban në odë. Kur hin mixha Imer e ungjet baba Imer ja qet kutinë e duhanit dhe ja pjek ni kafe. Mixha Imer, kur e sheh axhën Ban tuj pi kafe i thotë babës Imer:

–Imer, edhe Murroja jem pin kafe*).

Axha Ban nuk e merr vesh se shka i tha mixha Imer e kur qohet e shkon mixha Imer mi n`shu dhitë e kuqe, baba Imer e vetë axhën Ban:

– Shaban, a e morre vesh shka na tha mixha Imer?

– Jo, pse shka tha?

– Tha “edhe Murroj jem pin kafe”, kur t`pa ty tuj pi kafe me mue.

– Aaaa?

Axha Ban e dinte që mixha Imer i n`shon dhitë tash e udhën për bjeshkë e ka kah dyrt e tona. I del para dyrve e pe pret. Kur vjen ngat dyrve tona, axha Ban, veç ia kishte zânë pritën*) e pe pret.

-Axha Imer, shka thae parez te na?

Shapko, Shapko*) s`kam punë me ty! Shapko! Parez jam mahit me Imerin. Ta, ta, ta, ai iu iu bëriste, grahte dhive e ngutej me ik sa ma shpejtë pi axhës Ban,

 

Unë boll mirë pa shoh

Prashitshin kallamoq n`Turjakë kusheri e kajshi bashkë. Gjithë ditën, tuj punu argatët kohën e qonin tuj u mahitë. Punonin e mahiteshin. Kishte puntor që ishte i vjetër, rreth 60 vjet e ankohej se nuk pa sheh e nin mirë. Axha Ban që nuk kish mâ shumë se 18 vjet, kur i nin ata qi pa flasin qi s`pa nin e s`pa shohin*), iu thotë:

-Vallahi unë boll mirë pa shoh e pa ni.

 

Kqyre ti shoq, ku t`gjân ma mirë shko e bânum zâ edhe mu!

Niherë ish pas ardhë te na, n`odën tonë, n`Turjakë Vesel Pagarusha me ni shoq t`vetin. Baba Imer nuk ish pas qillu e axha Ban, âsht dasht me nejt n`odë edhe pse, ai ma me qef kish mi kqyr e me nejt n`aher me loptë se me nejt n`odë me musafirë, se nuk folte. Veseli, baba i Nexhmie Pagarushës kish pas shpërnda abetare, libra leximi e këndimi që i merrte ilegalisht nga Shqipnia. Masi hanë bukë, masdarke tuj nejt Veseli pa thotë:

-Oh, um hângri ni plesht, oh, um hângri ni plesht. Kur e tepron tuj thânë disa herë ”oh, um hângri ni plesht”*), axha Ban i k`thehet Veselit e i thotë:

Qyre ti shoq*), n`tu nejt rri e mas tu nejt, ku t`gjân ma mirë shko e bânum zâ edhe mu!

-Eh po mirë ja bâne bre, tha ai shoqi qi ish me Veselin, se e teproi. Veseli ma nuk foli e as nuk tha: ”oh, um hângri ni plesht”.

 

Axha Shaqë e je lodh?

Shaqë Tusha n`sabah dilke n`sakak para dyrve të aborrit. Ungjej në ni pastaqi dhe i kqyrte gjân e katunit kur i n`shojshin çabatë. Axhën Shaqë e dojshin, fmitë, burrat e pleqtë se ai mahitej. Nuk bâjke vaki*) me kapërcy naj çaban e mas mi thânë axhës Shaqë:

-Axha Shaqë, a je qu, axha Shaqë a je lodhë …?

Djamtë e Sylë Ramadanit, Gania e Hamdia, çaban t`ri kur i n`shojnë loptë, n`sabah i thonë axhës Shaqë:

A u lodhe o axha Shaqë?*)

Axha Shaqë, si hajgaregji, qi a kânë iu përgjigjet:

– Po Vallahi, jam lodhë se gjithë natën me Xhylen jemi kap fyt për fyti e dikur e mujta, e rrxova Xhylën, por hoqa shumë keq.

 

Sa lopë i ki o çaban?

Shaqë Tusha, gruen e parë, Ajnishahin e ka pas nga Drenoci, motrën e Selimit dhe Brahimit hallën e Avdyl Grandes, babës së Gjevë Krasniqit- Lladrofcit. Masi i kish pas dekë gruaja e parë, axha Shqë martohet me Xhylën e Patokit, mahallë e vogël e Kaznikit, në Padrime, komuna e Rahavecit. Me gruen e parë, axha Shaqë e ka pas vetëm 1 djalë, Sadrinë. Sadria a kân djali i madh i Shaqë Tushës. Me hallën Xhylë, axha Shaqë i ka pas edhe dy qika e dy djem, Zelfinë, Fatimen, Fazlinë dhe Ganinë.

Baca Sadri a kânë burrë i mirë e i urtë por si fmi jetim, ish kânë i hjekun keq e shpesh e munonin, e tutshin dhe e keqtrajtonin djemt e axhës, Hamid Tushës.

Baca Sadri shkonte me dhi e lopë, qysh kur ish i vogël bashkë me babën Ukë.

Niherë, kur baca Sadri ish në mal tuj ru loptë, ni udhëtar, i thotë bacës Sadri:

– O çaban, a pat hanë?

– Po, hanë kapakë e ti a mujte, a u lodhe a?

– Po kadalë, kadalë.

-Sa lopë i ki o çaban?

– I kam 1 lopë e kusur, i përgjigjet baca Sadria udhëtarit.

Udhëtari nuk e merr vesh dhe e vet apet:

– Po shka âsht ”kusuri” bre çaban se nuk pe di?

– Ti te koke krejt fushë, kusuri*) âsht viqi.

Fjalorth me fjalë e shprehje të Turjakës

*) Nejë, ndejë. Isha në një ndejë

*) Nguc, Ngacmoj diçka a dikë me dorë ose me një send, shpoj. Nguc bletët (zogjtë). Nguc fëmijën. Nguc me dorë.

*) Hup, humb, kanë humbur këpucët

*) Pi atyne, prej atyre

*) Apângat, opinga, këpucë plastike

*) DERVISH m.

Murg i sektit bektashian, që jeton e kryen shërbime fetare në një teqe (në vendet ku vepron feja myslimane; në të kaluarën edhe në Shqipëri). Si xhybja (si mjekra) e dervishit. Është bërë si dervish nuk është rruar e nuk është qethur prej kohësh, i është rritur mjekra shumë.

*) Ju bân itibar e muhabet tej ngu, i nderon, bën llaf, i gostit me ushqimet më të mira

*) kaftorr, stufë drush për nxemje

*) Untu, nga ”u”, te Buzuku, uja, uria

*) SHEH m. fet.

I pari i një sekti mysliman ose i një teqeje të këtij sekti (me përjashtim të bektashinjve), që predikon dogmat e islamizmit dhe zhvillon ritet fetare (në vendet ku vepron feja myslimane; në të kaluarën edhe në Shqipëri).

*) n`shtatin kat t`qellit, shkojnë në qiell, në parajsë, besimtarët e devotshëm, në qiell

*) Shtatë pash teposhtë n`tokë*), k’etu: me shkua e mi ndihmua …

*) Njeri i mrrin, njeri që fluturon, engjëll

*) Naj ânerr, ndonjë ëndërr

*) Pa kqyrin, pa shikojnë

*) S`kam shti gjumë n`sy gjithë natën, shprehje popullore, kur dikush ka telashe, derte, don me i ndihmua të tjerët etj.

*) Shokë t’ligë, fig. Frikacak

*) Tapuz, topuz, Shkop i trashë prej druri a prej hekuri, me kokë të madhe, të rrumbullakët zakonisht me thumba, që përdorej në kohë të vjetra si armë për të goditur.

*) S`pata qare, isha i detyruar

*) Shipninë, Shqipëria, ish Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë. Shypni, Shipni, Shqipni një pjesë e pleqëve të Kosovës e kanë quajtur Shqipërinë.

*) Mao Zedong, shqipëruar Mao Ce Dun, Máo Zédōng, W.-G. Mao Tsê-tung ose Mao Tse-tung (26 .12.1893 – 9. 9- 1976), politikan, revolucionar komunist kinez, babai e (1949- 1976).

*) Ču En-laj, Zhou Enlai, (5 mars 1898, Huaian, Jiangsu, 8 janar 1976, Peking), politikan, komunist, kryeministër kinez (1949-1976)

Wikipedia

*) Plak, plaku, më i vjetri, i zoti i shtëpisë. Plak i moçëm (i lashtë) plak shumë i vjetër. Plak i mençur (me mend) etj.

*) Kepë, qepë, bimë, barishte me kokë të nëndheshme prej shumë fletësh

*) Përbehej, betohej

*) Daja Lilë e Sadri, Halil e Sadri Hyseni (Hiseni), vëllezërit e nënes.

*) Turrec, shpend (“Pa knon plumi, pa knon turreci, mjeri aj mjeri nuse keqi”, këngë pop.)

*) A je ispat e kam mujt turrecin. Në Turjakë, ai që e dëgjonte duke këndua për herë të parë turrecin, I lutej dikujt që e ka mujt (mundur). Bestytni, nga friga se do të sëmuret, nuk do të ket fat etj.

*) Qyqe (e turrec), sipas një legjende, qyqja është e nemur. I kanë vdekur vëllezërit prandaj ajo qan, vajton vëllezërit “Ku- ku, ku-ku”

*) Murroja jem pin kafe, ka qe, dem, muzat. Kau jem pin kafe, nuk din, nuk merr vesh…

*) Ia kishte zânë pritën, e priste me luftua, me e vra. Këtu: me u sqarua.

*) Shapko, Shabanit, shkurt ”Shapko”

*) S`pa nin e s`pa shohin, nuk po dëgjojnë e nuk po shohin mirë, që gati janë qorrua e verbua, janë plakur.

*) Um hângri ni plesht, më hëngri … Insekt, parazit i njeriut e i kafshëve, me trup shumë të vogël e në ngjyrë kafe të errët, që kërcen shumë, pickon e thith gjak. (”Po don me nxjerrë vjam prej pleshtit”, ”E ndrysdhi si qorri pleshtin”, pop.)

*) Qyre ti shoq, shiko, dëgjo mirë, ki kujdes…!

*) (Nuk) Bâjke vaki, (nuk) ndodhte

*) A u lodhe o axha Shaqë, në mëngjes duhët thënë, mirëmëngjesi, a ke fjetur, a ke pushua e jo a je lodhur prandaj edhe axha Shaqë nëpërmes mahisë “jam rrok me Xhylën…” I porosit të rinjët që ti përdorin fjalët e shprehjet e duhaura.

*) E tutshin, e frikësonin, natën visheshin me çarçaf sikur të ishin lugetër dhe e ndiqnin bacën Sadri

*) Kusuri, Të holla që i kthehen dikujt nga shitësi, kur ky blen diçka, e cila kushton më pak sesa paratë që i jep ai shitësit; mbetja nga një shumë të hollash; mbetje. I ktheu (i dha) kusurin. Mori (kërkoi) kusurin. Këtu “kusur-i” ka kuptimin, i, e vogël, viq (sa gjysma e lopës)

 

Sinan Kastrati, Suedi
Malmö, 21, 22 janar 2024
sinankastrati09@hotmaili.com

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.