Botim i ri: Ferdane Pllana-Zabërgja “PËR TY, NËNË”, Prishtinë, 2023

0
Ferdane Pllana - Zabërgja - Për ty, nënë

Zymer Mehani

Biblioteka: “Perla poetike”
Redaktor letrar: Zymer Mehani
Recensent: Ymrije Beqiri
Kopertina:Autori
Realizimi kompjuterik: Rilind Mehanja

1.
Për këto poezi mendoj se janë fjalë të zgjedhura poetike për nënën, babanë, vëllezërit e motrat, të cilat burojnë nga zemra e autores Ferdane Pllana dhe depërtojnë thellë në zemrat e lexuesve, që dhurojnë emocione të fuqishme, sa herë që do të lexohen…
(Zymer Mehani)

2.

VËLLIMI POETIK “PËR TY, NËNË” I POETES FERDANE PLLANA-ZABËRGJA

“Nuk është mësuesi ai që edukon njeriun, por nëna”, thotë rilindës ynë, Sami Frashëri. Dhe vërtet kishte të drejtë ky ideolog i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, sepse nëna është edukatorja më e mirë për fëmijët e saj në këtë botë.

Në vëllimin poetik “Për ty, nënë” të poetes së talentuar, Ferdane Pllana-Zabërgja është sintetizuar bukur e saktë portreti i nënave tona hallemëdha. Në çdo varg, në çdo strofë dhe në çdo poezi të kësaj përmbledhjeje, nëna na del prore e gjallë, si burim i jetës dhe i fuqisë, sepse në të vërtetë edhe është e tillë:

Fuqi e saj është e madhe
Dhe qiellin me duar e mban.
Për të mbrojtë fëmijët e saj,
Nëna shpërthen si uragan
”.

(Poezia “DASHURIA E NËNËS“)

Edhe në këto çaste, kur e kemi në duar këtë vëllim poetik, me ç’rast kur po shfletojmë faqet e këtij libri, mendja na shkon te nënat tona, që shumë nga to, pa faj të tyre, nuk u shkolluan, siç do të dëshironin, por, edhe pse vetë pa shkollë, ato bënë të pamundurën që ne të shkolloheshim dhe kjo i ngre ato edhe më lart në sytë tanë, kur kemi parasysh sakrificat e tyre në jetë dhe gjithnjë i patëm udhërrëfyese në jetë:

Asaj që jetën s’e kurseu,
Që edhe kockat e trupit i theu,
Asaj që natën na e bëri dritë
Që kurrë s’i pushoi ai shpirt;
Asaj që s’u ankua kurrë
Që s’i pushonin ato durë;
Asaj që na mbajti në bark,
Që lodhjen s’e shfaqte asnjë çast;
Asaj që tërë natën rrinte zgjuar
Që krahët secilit ia kishte mbuluar;
Asaj që qepte në dritë të llambës
Që korrte me dritë të hënës;
Asaj që mblidhte kokrra gruri
Që çdo ditë po i shkrepte nuri;
Asaj ia kemi borxh një jetë,
Ajo është nëna, është bota vetë!

(Poezia “ASAJ QË MË DHA JETË“)

Dikush e ka krahasuar nënën me një qiri që e djeg veten për të ndriçuar jetën e fëmijëve. Si e tillë, mirënjohja për të është e pamatshme. Ajo ka qenë dhe mbetet burim frymëzimi për tërë krijuesit e gjithë kohërave dhe jo vetëm për ata.

Ajo është DIELL,
Ajo është HËNË,
Ajo tërë mundin
Për ne e ka dhënë.

(Poezia “DIELL PËR SYTË TANË“)

Gëte i madh thotë se në Greqinë e vjetër nënat nderoheshin njëlloj si hyjneshat.

Nëse lexon librin e Andre Ordionit, një kolonel në ushtrinë franceze, që fati ia deshi të jetonte në Shqipëri gjatë viteve 1917-25, do të habitesh se si ai, në librin e tij “Një oficer francez në Ballkan”, ndonëse njeri i luftës, përshkruan me aq dhembshuri fatin e viktimave të saj. Ne po ndalemi vetëm në një paragraf që ka lidhje me temën. “Nënë, është një emër i ëmbël që e kam dëgjuar aq shpesh në luftë nga të plagosurit rëndë kur afronin çastet e tyre të fundit – shkruan ai. – Këndej, në këto vende të largëta, kjo fjalë më është dukur se ka një domethënie me të madhe, më humane. Nënë!… Për shumë nga ushtarët e mi, kjo fjalë është thënë si një frymëmarrje me pëshpërimën e fundit të shpirtit.

Ç’trishtim i pamasë!”
“E gjithë bota, nënë
Përreth teje sillet.
Mes miliona fjalësh
Emri yt hap shtigjet.
Ti ma thyen mallin
Dhe ma shuan etjen.
Krijesë madhështore,
Ma zbukuron jetën.

(Poezia “KRIJESË MADHËSHTORE“)

Poeti i njohur amerikan Uilliam Ross Uallace ka një poemë të mrekullueshme për nënat, ku ndër të tjera thotë: “Dora që tund djepin është dora që sundon botën”. Si zor ta kundërshtojë njeri këtë pohim të tij.

Nënat gjithmonë kanë qenë e mbeten heroina, modele të papërsëritshme për fëmijët e vet, madje edhe më të bukurat në botë, kudo e sado që të ndryshojnë kohërat.

Dashuria për NËNAT është krejt e veçantë, për ato, që na dhanë jetë nga jeta e tyre, për ato që dëgjuan e u mallëngjyen me klithmat tona për ato, që natën e bënë ditë dhe na mekuan me qumësht nga gjiri i tyre.

Ne përulemi me gjithë respekt te figura dhe emri nënë, në prehrin e së cilës dhembjet zbuten, loti thahet, trishtimet largohen.

Nënat na shuajnë etjen,
Na e shuajnë dhe mallin,
Edhe në buzë të vdekjes
Ato na ringjallin…
Nënat janë hyjnore,
Prore janë pranverë,
Dashuria e tyre
S’na ndahet asnjëherë.
Nënat janë ombrellë,
Me krahë na mbulojnë,
Të gjitha stuhitë
Ato na i ndalojnë.

(Poezia “NËNAT“)

Në çdonjërën prej poezive të saj, poetja Ferdane Pllana-Zabërgja, me permendjen e emrit nënë, e ka përmendur kuptimin e vetë jetës, të ardhmërisë, të gjithësisë! Sipas poetes, sa herë që jemi ulur pranë nënës, gjithmonë kemi ndjerë afërsinë, që askund tjetër s’do ta ndjenim në jetë. Loti i saj është plot magji, thotë poetja, sepse edhe shpirtin e një gjakatari e bën që të zbutet. Ka rrëqethje ai lot, ka bukuri, sepse bart mbi vete një univers ndjenjash. Është një lot i kristaltë e i madhërishëm. Është vetëm loti i nënës që ngjall një shpirt.

Në realitet, por edhe sipas vargjeve të poetes Ferdane Pllana, nëna kalon një jetë të tërë duke menduar vetëm për ne. Jeton në këtë botë, por zemra dhe mendja e saj ndodhet pranë nesh. Gjithkush mund të të mohojë në këtë jetë, por nëna s’të mohon kurrë. Është një suvenir që veçantinë dhe vlerën ia njeh vetëm i madhi Zot që e krijoi.

Qoftë i nderuar gjithmonë emri nënë, ajo që jastëk ka merakun për ne, që jorgan ka dashurinë, ajo që frymën dhe zemrën e saj e ndau me ne. Prandaj, lirisht mund të themi se kjo përmbledhje poetike është një monument letrar kushtuar nënave.

Vargje vërtet të bukura janë edhe ato që autorja ua ka dedikuar vëllezërve dhe motrave (në mërgim), që për ta ajo ndjen mall të pashuar.
Për ta, ajo do të shprehet:

Mu sikur ujëvarë,
Malli m’kaplon mua.
Për vëllezër e motra,
Me shpirt që i dua.
Dua të ju them,
O shpirtrat e motrës:
Ju jeni për mua
Krenaria e votrës.
Jeni copëza t’loçkës,
Për ju malli m’shfaqet.
Me vargje ju flas,
Loti m’i lag faqet.

Përgëzime poetes Ferdane Pllana-Zabërgja, ndërsa librit i urojmë rrugëtim të mbarë deri te bibliotekat tona dhe te duart e lexuesve!

Podujevë, më 3 maj 2023

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.