Vetë kam faj që më ka dekë grueja

0
278
Sinan Kastrati

Kush ha me dy lugë, i vdes grueja (pop.)
Pjesë nga libri me mahi e mesele për Turjakën
Nëntë (9) mahi, mesele e tregime
E mora vesh qi je fushë 

Mujë Loshi*) ish kânë smut e familja e qojnë në spitalin e Prishtinës. Mujën shkojshin me e pa shumë njerëz gjithë ditën e deri vonë natën se ishte i ngjofshum*). Ni ditë ni daktorr*) e vet Mujën:
-Kush je ti bre burrë qi pa vin*) me t`pa kaq shumë njerëz?

Muja i kallxon daktorrit se kush âsht. Shkoj napër darsma, deka e maresa*) e daj pleqni. Për qata*) edhe pa vin njerëzit me m`pa se më ngjohin.

-E ti kush je daktorr, se edhe unë pa kum qef me dit?

-Unë jam daktorr Fusha.
E morra vesh kush te koke*). S`ki nevojë mem kallxu ma tepër se përnime fushë koke*).

*) Mujë Loshi (1916 -1994) ishte filozof popullor, mendimtar e pajtimtar i shquar nga Pemishta (Padalishta) e Drenicës.

*) Ishte i ngjofshum, i njohur, burrë i njohur, pleqnar.
*) Daktorr, doktor, mjek
*) maresa, që i pajton familjet e hasmuara

*) Përnime fushë koke, fig. thuhët për një njeri që nuk kupton, që është i trash nga mendja.

Puna marë Asman!

Kadri Cufa*) a kânë fukara, i pamartuem, pa gru, pa fmi e pa familje. Thonë se ka qenë i Zatriqit apo i Radostës, me fis Kastrat. Ai i ruante loptë e kuajt e Turjakës, masi qi pjesa ma e madhe e Turjakës ishin Kastrat. Në Turjakë rrinte e flente nga gjashte muj, Shingjergj e Shmitër*), në odën e Shaban Shaqës*), si në shpinë e vetë.

E njoh mirë sepse ka jetu deri në vitet 1970-ta. Kadria e ka pas ni shprehi, kah shkonte folte vetë me vehte dhe e qitke guhën jashtë*) e ne si fmi i shkonim mas e kqyrshium dhe keshnim me Kadri Cufën. Ai a kânë i urtë e i heshtun. Kur i binte lopët në mramje, ulej në fund të odës e thellohej ne menime. Edhe kur dikush e vetke:

-”Kadri, kah i pate sod kuvalt”, ai përgjigjej shkurt e mâ nuk folte dhe, përsëri futej në botën e vetë.

Njëherë, kur ishin kânë tuj mih kallamoqet, Asman Cufa e Salih Xhemajlia*), arat e tyne, që kurrjani nuk janë kânë puntorë të mirë, janë kânë puntorë të zorit, Kadri Cufa kapërcen anej afer tyne dhe e përshëndet vetëm bacën Asman:

– Puna marë o Asmano!
– Marë paq Kadri!
Salihit nuk i flet e Salihi, i thotë Kadrisë:
– Pse Kadri nuk um tha edhe mu puna e marë?

Ti Salih nuk ki kali

*) Kadri Cufa, një personazh tragjiko- komik. Tërë jetën ka punua si rrogëtar, si bari duke i ruajtur lopët nëpër katunde të ish rrethit të Rahovecit. Nuk kishte familje e as shtëpi. Nê Gjakovë e në Rahovec, flente nëpër xhami dhe aty ku i ruante bagëtinë, flente e ushqehej me një pagë gjashtëmuajshe, sa me ble tesha.

**) Ki, nga folja ”ke”, veta e dytë e foljes ”kam”

*) Shingjergj e Shmitër, është e njohur shprehja ”Shingjergj e Sh`mitër” (6 maj. 8 nëntor), 6 maj kur fillon stina e verës dhe 8 nëntot, fillon dimri, sipas popullit. Në Shëngjergj e deri në Shën Mitër, ruheshin bagëtia dhe paguhej çobani për 6 muaj-

*) Shaban Shaqa-Kastrati, katundar nga Turjaka, bukëdhënës. Oda e Shaban Shaqës ishte e hapur për fukara e të tjerë, jabanxhi që i zinte nata e nuk kishin ku ta bënin natën. Në muajin e Ramazanit, hoxha, tupangjia (magjupi) flenin te Sh. Shaqa.

*) Folte vetë me vehte dhe e qitke guhën jashtë, shprehje a vese te disa njerëz me nevoja të veçanta. Për Kadri Cufën thonin pleqtë se ka qenë engjëll, melaqe, njeri i m`rrin, të cilin e kanë parë haxhinjët edhe në Mekë e Medinë, ani pse ai nuk ka pasur mundësi materiale me i vizitua vendet e shenjëta.

*) Asman Cufa e Salih Xhemajlia. Asmani ka qenë djali i madh i Cufës (Isufit) e Salihi, djali i dytë e Xhemajlisë, nipat e Brahim Agës nga Turjaka.

*) Ti Salih nuk ki kali, Kadriu, i ka vlerësua njerëzit sipas kutit të vetë, ai që s`ka kali, Kadria nuk e ka përshëndtur.

Treni net shkon, unë biletën e kam në gjep

Shaban Shaqa, kish pas shkue n`pazarin e Prishinës e kur don mu kthy, ish pas habit tuj fol*) me ni t’ngjofshum e treni ish pa shku për Pejë.

Kur e vet ai shoqi Shabanin, ku pa shkon, ky i kallxon se pe pret trenin me shku tej n’Ujmirë.

– O Shaban, treni shkoi.

Ani shka, unë biletën e kam n`gjep e treni net shkon*).

*) Ish pas habit tuj fol, është hutuar duke biseduar, ka harruar kohën, orarin e trenit.

*) Me shku tej n`Ujmirë. Turjaka, Bubli, Bubaveci, Damaneku, Kijeva e disa katunde të tjera, për me udhtua me tren, stacionin më të afërt e kishin Ujmirin, te Klina, 3, 4 orë me ecur në këmbë nga katundi më i largët, Maxharra, Maralia, Mllanaviqi.

*) Ani shka, unë biletën e kam n`gjep, treni net shkon. Është një shprehje që perdoret se po pate biletë, edhe treni të pret.

Kah i pate loptë?

– Kah Gropa e Ukit   

Ni nipit të Brahim Agës*) së Turjakës, çaban, uki ja kish hânger ni lopë n`mal. Kur e vet Brahim Aga çabanin:

– Kah i pate loptë bre djali jem?
– Baba Himë, sod lopt i kam pas kah Gropa e Ukit*)
– Bre djali jem po ti ja paske qu lopën ukit n`shpi*).

*) Brahim Aga-Kastrati, ishte djali i dytë i Ali Agës së Zatriqit, pas Avdullah Agës, pasuniku më i madh i kohës. Kishte 70 copa lopë pllea, qumështore. Te Brahim Aga vini burrat e trimat më të njohur të kohës, që nga Shkodra e deri në Shkup, Shaban Polluzha (kusheri), Xhemajl Obria (pleqnar, tri herë mik shtepia), Ramë Bllaca, deputet në Kuvendin e Sërbisë etj.

*) Gropa e Ukit, në Turjakë, siq do ti paraqes edhe në librin tim në proces, ka shumë emra me ”Gropa”, Gropa e Gjemës së Vogël, Gropat Rrumullake, Gropa e Gurit të Madh, Gropa e Hithave, Gropa e Pllumave, Gropa e Gatë,

Q… nânen Salih Bajramit, kqyre ti vehten!

Salih Bajramit i zihej fryma*) e shkaku i frymës shkonte shpesh në spitale. Edhe unë, autori dhe mbledhësi këtyre anekdotave, isha me Anton Çettën në spitalin e Prishtinës në vitin 1986 (87?) me e pa Salihin. Niherë tjetër kur ish pas shku në spitalin e Prizrenit? në dhomën ku e vendosin Salihin, gjithë natën ai kish pas gjimu oh nâne, oh a nânë*) dhe t’smutit e tjerë nuk kishin pas mujt me fjetë.

N’sabah kish pas bâ ma mirë. Njani prej t`smutve e kish pas ni radio të vogël, tranzistor dhe e ngojke Radio Prishtinën. RP gati përditë në emisonet e saja, i nshonte kângët e Salih e Feriz Krasniqi. Kur e nin Salihi ni kângë të moçme, ”Fryni era …”, të kaçakëve të parë, Halilit e Musës, Kastrat që i pret dhârri në Shkodë, nga malli por për të shkuarën, kur e nin Salihi kângen qi e ka knu vetë, kur a kânë i ri, kish pas thânë:

– Aaaa diq Salih Bajrami*).

E ata qi janë kânë n`dhomë, nuk po e e din që i smutmshmit âsht Salihi, i thonë:

– Mara qi… nânen Salih Bajramit, kqyre ti vehten!

(E tregoi: Florim Hoxha i Bellenicës, tash me banim në Suedi)

*) Q… nânen Salih Bajramit, kqyre ti vehten, shprehje banale por që nuk ka për qëllim ta ofendoj dike por ta udhëzoi e mbroj.

*) I zihej fryma, nuk mund të merrte frymë, Astmë f.mjek. – Sëmundje që shfaqet me zënien e frymës herë pas here, për shkak të çrregullimeve të bronkeve, të zemrës ose për shkaqe të tjera; shpirrë, gulçim. Vuan nga astma. I zihet fryma nga astma. Salihi ka pirë duhanin dhe ka ka këndua disa dhjetëra vite.

*) Gjimu, oh nâne, oh nânë, nga gjamët, vajet kur dikush vdes ose plagoeset, ofshan, rënkon …ose e vajtojnë të tjerët.

*) Diq Salih Bajrami, një nga shprehjet më të shpeshta popullore që përdoret kur dikush dëshiron diçka që duket e parealizueshme. Për Salih Bajramin janë krijua mite, legjenda si këngëtar e dashnor. Kur dikush e shihte një femër të bukur thonte: A dek Salih Bajrami.

Me hânger me dy lugë, t’des gruja

Një rahohovecjanit i kish pas dek gruaja. Kur shkonin me e pa e me i dhanë gajret*) ”Mas u mërzit”, të afërmit ai u thonte:

– Vetë kam faj qi um ka dekë gruja se kam hânger me dy lugë*)

*) Me e pa e me i dhanë gajret, kur vdes dikush, shkojnë me e pa dhe me e ngushëllua

*) Me hânger me dy lugë, t`des gruja, thuhej se e ai që hanë me dy lugë, i vdes gruaja. Rahavecjani ka besua se gruaja i ka vdekur nga shkaku se ka ngrënë me dy lugë dhe e ndien vehten fajtor për vdekjen e gruaes

Ti kurrë s’ki mu bâ njeri!

Një çaban i Rahavecit, një kingj e kish pas ma zaif *), n`krahasim me të tjerët. Ai i thonte kingjit:

– Ti kurrës s’ki mu bâ njeri*)!

*) Ti kurrës s`ki mu bâ njeri, banorëte e Rahovecit, nuk e kanë folur gjuhën shqipe si duhët deri vonë, por kanë këndua, vajtua dhe të gjitha zakonet, veshjen, ushqimin i kanë pasur si qytetarët tjerë, banorë të Kosovës. Kjo nga shkaku se kur e kanë pranua fenë islame, ajo iu ka ndalua përdorimin e alkoolit, ata si prodhues të mirë të rrushit detyrohen të shkojnë në Serbi, burrë e grue për me fëmi me punua rakinë Këtu vie deri te gjuha e përzier që në lingustikë njihet si gjuhë hibride, me fjalë shqipe, turko-arabe e sllave. Gjuha ose e folmja e Rahovecit, shpesh na dukët si gjuhë fëminore

*) Zaif, jo i shëndetshëm, i sëmurë.

Nuk du me shit lopën se nuk e kam dit sa të mirë e paskna pas

Ni tregtar, gjamaz *) i Godishnjakës, katun në Llap në çdo ditë pazari dilte në Podujevë e Prishtinë. Ai e shihke ni kajshi fukara qi e qitke ni lopë me shit e nuk mujke me shit. Ni ditë, ai xhamazi kur e sheh qi s`pa munet me shit e pa del n`pazar, pa hargjon pare e pe hup ditën*), i thotë kajshisë:

Qyre*), ma jep ti mu lopën se unë ta shes por ti mas folë kur t`afrohen të interesumit!

– Ani, thot fukaraja.

Ky xhamazi si e qet n`pazar lopën, kush e vetke:

– Sa e ki lopën?

Ky i thojke:

– Nuk ka ksi lope. Ni herë n`matmot pjellë ka 1 e 2 vjeta e ka 10 killa tamel i qet kur e mjelum. Kur e nin pazrgjitë, tu afrun shumë afër lopës tuj shty, kush pe merr lopën. Kur i sheh i nin fukaraja fjalët e xhamazit e njerëzit që donin me e ble lopën, ia nis me kajtë dhe thotë:

– Jo Vallahi nuk du me shit se nuk e paskna ditë çfarë lope t`mirë paskna pas.

(E tregoi: Xhevat Durmishi, mjek, Stanofci i Ultë, tash me banim në Suedi)

*) Gjamaz, nga xhambaz, tregtar kuajsh, dallaverexhi, mashtrues, batakçi

*) pa hargjon pare e pe hup ditën, për me e qu lopën deri pazarin e gjaâve në Prishtinë, duhej pagua kamionin, transportin dhe në vend se me punua, ai e humbiste ditën

*) Qyre, nga kqyre, shiko, dëgjo me vëmendje

Sinan Kastrati, Suedi
Malmö, 12 janar 2024
siankastrati09@hotmail.com

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.