ODA E JUNIKUT – INSTITUCION PLEQNAR NË DUKAGJIN

0
347
Oda pleqnare e Junikut

Në foto: Pjesëmarrësit në takimin në Odën Pleqnare të Junikut, ke shtatorja e heroit, Edmond Hoxha, nip i Avdyl Hoxhës

IDRIZ ZEQIRAJ

Kulla e Hoxhajve të Junikut është ndërtuar në fund të shekullit 17-të. Ajo është kulla më e lashtë në Junik dhe ndër më të lashtat në Rrafshin e Dukagjinit. Ajo është rinovuar nga Fondi Ndërkombëtar, si dëshmi kulturore dhe historike. Kulla e Avdyl Imer Hoxhës (plakut), njihet si Selia e hartimit të 14 vendimeve, të cilat çuan në shpërthimin e kryengritjes shqiptare dhe shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, më 1912. Traditën e pleqërinë të odave e ka vazhduar trashëgimtari, Brahim Avdyl Hoxha. Kulla, brenda së cilës është oda, e njohur si – Oda e Junikut -, vazhdon ta luajë rolin e një gjykate tradicionale, popullore, vendimet e dala prej saj, nuk u vunë në pikëpyetje asnjëherë.

Oda e Junikut, përveç misionit pleqnar, siç është pajtimi i palëve në konflikt dhe ndarjes së drejtësisë, për çështje kontestuese, në mes palëve, që preferojnë gjykim jashtë gjykate, pra, gjykim pleqnar, Oda e Junikut organizon edhe shënimin e datave historike, manifestime kulturore, si orë letrare dhe të tjera.

Në Foto: Pamje e pjesëshme në – Odën e Junikut –

Në kuadrin e 110 vjetorit të Kuvendit të Junikut, rrjedha e jehonës së tij në letërsi, art e kulturë, u mbajt në Kompleksin e Odës Pleqnare të Junikut. Kësaj radhe, Lidhja e Krijuesëve Shqiptarë në Mërgatë, (LKSHM), takimet e veta tradicionale në Atdhe, i mbajti në bashkëpunim dhe koordinim me katër asociacione, në një Trup e Këshill Organizativ të përbashkët:
– LKSHM,
– Komuna e Junikut,
– Oda Pleqnare e Junikut,
– Shoqata e Intelektualëve të Pavarur e Deçanit,
– Shoqata e Krijuesëve të Deçanit,

nën përkujdesjen e Këshillit Organizativ, të përbërë nga:
Mentor Thaqi,
Adem Lushaj,
Murteza Osdautaj,
Naser Hoxha

Bashkëskenaristë dhe moderues të këtij takimi dimëthënës, ishin Mentor Thaqi, Adem Lushaj dhe Murteza Osdautaj. Veprimtari i Mërgatës dhe i Kosovës, poeti dhe aktruesi i talentuar, Mentor Thaqi, hapi takimin, në Kompleksin e Odës së Junikut, duke iu uruar mirëseardhje mysafirëve të nderuar, që nga Amerika e largët, Evropa dhe i gjithë Etnikumi shqiptar.

Kryetari i i komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, si nikoqir komunal i këtij takimi, përshëndeti mysafirët e shumtë dhe vendorët e pranishëm. Ai bëri një përvijim të shkurtër të kësaj Ode, duke mos e fshehur krenarinë e ligjshme, për rolin e saj atdhetar, politik dhe shoqëror, në një kohëzgjatje ndër shekuj. Kryetari Shehu shprehu falenderimin për mysafirët e nderuar pjesëmarrës dhe uroi të ndjehen mirë në Junikun historik.

Shkrimtari dhe kritiku letrar, Prend Buzhala, bëri një vështrim rikujtese të Kuvendit të Junikut në 110 vjetorin e tij, respektivisht, rrjedhat e tij në letërsi, art e kulturë. Ai, si njohës i shkëlqyer i krijimtarisë letrare dhe artistike, përgjatë shekullit të shkruar, angazhimit të brezave dhe plejadave krijuese, kanë gjetur frymëzimin edhe në Odën e Junikut, në rolin e saj historik dhe edukativ, për harmoninë e brezave shqiptarë.

Për temën qëndrore – Oda Pleqnare e Junikut, historia dhe tradita e saj -, foli pronari i Kullës dhe Odës të Junikut, Naser Hoxha, trashëgimtar i ligjshëm i saj:

“Kulla apo Oda shqiptare është njëra nga institucionet më të larta, të traditave dhe trashëgimisë sonë. Pra, i vetmi institucion kulturor e politik në gjuhën kombëtare. Nga këto Kulla apo Oda kanë dalur figura të ndritshme të kombit shqiptar, si: mendimtarë, dijetarë, atdhetarë po ashtu edhe guximtarë të shquar, dmth. ato pasurohen me burra.

Kullat e Dukagjinit kanë qenë shembull për rend, (kush e ka vendin e madh dhe vendin e nderit). Dhe, filozofia “ai që flet mirë dhe i ka fjala peshë”. Një prej tyre, Kulla e Brahim Hoxhës, trashëgimtar i së cilës jam unë, Naser Hoxha, është një monument me rëndësi historike dhe institucioni më i lartë i rendit shoqëror. Aty mendohej, trajtohej, bisedohej, kuvendohej, merreshin vendime, këshillime, lindshin ide, shprehej e thuhej krejt çka i duhej një populli, si kritika, lëvdata, pa ofendime, gjithnjë, me qëllime të mira. Gjithnjë u shtrua pyetja: „Çka u fol, e çka u tha?” Me kullën e Junikut janë të lidhura të gjitha traditat e zakonet tona. Ajo është simbol i kulturës kombëtare shqiptare.

Mëqense Oda e Junikut është që nga koha Lekë Dukagjinit, është vendos që përfaqesuesi i kësaj kulle, të jetë edhe kryeplak, i cili pleqnon pleqtë. D.m.th. nuk kanë thënë më Kulla e Imer Hoxhës, Brahim Hoshës apo sot, Kulla e Naser Hoxhës, por kane thënë Oda e Junikut, kurse kryeplak ka qenë plaku i familjes Hoxha, që është marrë me Kanunin e Lekës. Kjo familje është e vetmja në Kosovë, së bashku me familjen e Marka Gjonit të Oroshit në Mirëditë, të cilët janë kryepleqët për trevat shqiptare: I pari për Kosovë, e i dyti për Shqipëri. Kurse, pleq ka.

Kjo kullë dhe shumë kulla tjera, mbetën të shenjta për shqiptarinë. Ato kanë luajtur rol të shumëfishtë: Në të mësohej historia e vërtetë kombëtare, meqë kulla ishte edhe shkollë, edhe xhami, edhe universitet edhe kuvend. Mu në këtë kullë hidhej fara e dashurisë për vendin, për njerëzit. Në të hidhej fara e besnikërisë, bujarisë, trimërisë, guximit, durimit, mikpritjes. Aty flitej edhe për mikun dhe për armikun. Në të pajtoheshin gjaqe, aty përcaktohej fati i shumë familjeve, fiseve, katundeve, madje edhe fati i një rajoni apo edhe i mbarë vendit.

Në këtë godinë-Kullë, i morëm xixat e para të ndjenjës së dashurisë për Kosovën, për nënën Shqipëri, për heronjtë kombëtarë, siç ishin: Skënderbeu, Hasan Prishtina, Isa Boletini e shumë e shumë të tjerë. Edhe sot në këtë përurim librash, janë mbledhur poashtu figura të njohura të letërsisë shqiptare. Nga sot kësaj kulle po i shtohet edhe një epitet i ri, takimi letrar i poetëve shqiptarë. Unë, si nikoqir, iu dëshiroj mirëseardhje dhe uroj që ky takim të mos jetë i fundit”,- pëmbylli fjalën e tij, Naser Hoxha, krypleqnar i Odës të Junikut.

Takimi vazhdoi me prezantim botimesh në periudhën një vjeçare, që nga takimi i vitit të kaluar, në Prishtinë, në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”. Për të vazhduar me – Orën e Madhe Letrare -, e LKSHM dhe të krijuesëve vendorë “Juniku dhe Oda Pleqnare 2022”.
Me krijimet e tyre poetike, letrare dhe aktrimet e monologjeve, u paraqitën , pothuaj se, të gjithë krijuesit e pranishëm.

Nderimi me – Mirënjohje – dhe – Plis –

E veçanta e këtij takimi, ishte nderimi meritor i shumë personaliteteve, me – Mirënjohje – dhe – Plis -. Nga 5 asociacione, në 110 vjetorin, secili nga 11 Mirënjohje me plis, gjithësejt 55 Mirënjohje me 55 plisa, të emërtuara sipas karakterit të veprimtarisë:

Nga e majta: Mentor Thaqi, Nazmi Rrahmani, Musa Jupolli

– Plisi i Nderit (Ramiz Tafilaj) – intelektual dhe biznismen i ardhur nga Amerika. Mori pjesë ne takime kulturore në Kosovë dhe Shqipëri. Bëri deklaratën domëthënëse, premtuese dhe fisnike: “Jam gadi të financoj botimin e librave shkencorë, politikë dhe letrarë, të cilët vlerësohen, për përmbajtjen dhe rëndësinë e tyre kombëtare. Premtimin e mbajti, financoi librin e studjuesit Adem Lushaj…

– Plisi i Miss Edith Durhamit (Dijana Tafilaj), nusja e zotit Tafilaj, intelektuale amerikane, me shqipen e mësuar mirë. Bashkëshorti Tafilaj, të gjithë arritjet e tij në Amerikë, ia dedikonte nuses Dianë.
– Plisi i Dodonës (Nimon Muçaj, Muradije Muriqi, … aktorët e nderuem), miku im artist dhe shkrimtar i talentuar Muçaj, dhe mikesha ime aktore e Teatrit të Gjakovës, Muradije, shkëlqyen me monologjet e tyre të përzgjedhura.

– Plisi i Onufrit (Prof. Nimon Lokaj dhe artistë tjerë), artisti Lokaj, më kujton profesorin tim, Sylejman Lokaj, aktorin e shquar, ndjesë pastë!
– Plisi i Luftëtarit (Prof. Sadri Lokaj, Prof. Hamdi Kurti, Tahir Cukaj, … dhe tjerë), nderim për luftëtarët.
– Plisi i Poetit Luftëtar (Ali Geci, …), nder për Gecin poet dhe luftëtar!
– Plisi i Lajmtarit (Curr Mazrekaj, Rexhep Rifati, Halil Rrustemaj, Jeta Beqiraj,…), krijues të suksesshëm, lajmëtarë të lirisë.

– Plisi i Mërgatës (Musa Jupolli, Idriz Zeqiraj, Sylë Bajrami, …), Jupolli e Bajrami, botues të disa librave poetik e letrarë.
– Plisi i Malësisë (Sokol Ahmetaj, Ali Daci, Bekë Nikçi), krenaria e Sanxhakut, Daci me shokë, veprimtarë të palodhur.
– Plisi i Konstantinit (Ismet Azizi), kryetar i përkushtuar i Shoqatës “Kosova për Sanxhakun”, studjues dhe veprues, për zgjimin kombëtar të vëllezërve tanë, fort të rrezikuar nga asimilimi sllav. Ekspozita, kushtuar heronjëve të Sanxhakut, kryevepër e Ismet Azizit, Ali Dacit me shokë.

– Plisi i Gj. N. Kazazit (Aqif Shehu, Migena Arllati, Fahri Xharra, Arif Haxhija,…), gjetje e duhur emërtesa e Kazazit, për burrat e Gjakovës dhe të tjerët. Njeriu i mirë, Shehu, “Gjakova barometër e politikës”- kanë thënë. I lezetshëm dhe realist, që rrezaton pozitivitet. Xharra – luftë me arabë e sllavë! Pavarësisht përkatësisë fetare, rrjeshtimi i arabëve, është njësh me forcat regresive sllavo-bizantine! Nuk po i pengon feja, si lakej të rusëve!

– Plisi i Rapsodit (Zekë Lushaj, Shaban Krasniqi, Fazli Rashica, …), rapsodët përjetësojnë historinë në këngë. Poetin e ndjerë, Fran Tanushin, Krasniqi e ringjalli në këngë. Një mirënjohje artistike, për Franin tonë të dashur e njerëzor, i cili u amëshua në vitin 2021.

Një mysafir fort i nderuar, Faton Bislimi, ish-praktikant në zyrën e presidentit Biden, ishte i pranishëm. Por, një telefonatë domëthënëse nga Washingtoni, e porositi të kthehet në Prishtinë, për ta pritur një zyrtar të lartë amerikan. Zyrtarët në Prishtinë, duhet ta kenë në konsideratë angazhimin e tij special, për çështje që lidhën me dialogun dhe të tjera.

Oda Pleqnare e Junikut nderoi me – Mirënjohje – të veçantë: Mentor Thaqin, Adem Lushaj, Murteza Osdautaj, Ajete Povataj…

Me poeteshën Ajete u takuam pas plot 60 vitësh. Kemi qenë nxënës në Shkollën 8-vjeçare “Hysni Zajmi”, në Vrellë të Isogut. Vëllain, Rrustem Povataj e kishim arsimtar dhe kishin ardhur nga Stellci familjarisht. Ajo ka qenë një vajzë e zgjuar, me besim dhe integritet. E tillë kishte mbetur. Dhe, unë që nuk e kisha harruar asnjëherë ate, u gëzova shumë. U çmallëm, duke kujtuar Vrellën e atëhershme, me burimin ujëbollshëm, blirët aromatikë, shkollën e re, me klasët e nditshme dhe akustikë të mahnitshme. Pra, fshatin më të bukur të Kosovës. Mendoj se janë bukuritë piktoreske të Vrellës, që i kanë dhënë frymëzimin krijues poetës së ardhshme, Ajete Povataj.

Mentori, sekretar i SHKSHM, i kudondodhur, i cili përshkon rrugët e gjata të Gjermanisë dhe të Evropës, në aktivitetet kulturore, historike dhe politike. Krijues i frymëzuar, aktrues që zotëron skenën, komunikues i natyrshëm, me sharm dhe edukatë.

Adem Lushaj, i parë i Shoqatës të Intelektualëve të Deçanit, gazetar, studjues e botues i disa i librave, i vlerësuar edhe nga personaliteti Ramiz Tafilaj, veprimtar i angazhuar, në Amerikën zëmadhe.

E di Kullën konak të Osdautëve të Isniqit, por, me keqardhje, Murtezain pak e njoh. Duke qenë shok i shokëve të mirë, gjithësesi, duhesh të jesh i mirë. Skenari dhe moderimi i këtij festivali artistik, në Kompleksin e Odës të Junikut, nga trinomi në fjalë, ishte profesional dhe mbresëlënës.

LKSHM, si çdo vit, edhe kësaj here ndau çmimet tradicionale për vitin 2022:

Medaljoni “Dielli Dardan” 2022, për Veprimtari Krijuese Jetësore, shkrimtarit Nazmi Rrahmani nga LKSHM, ai ishte rinor, kur botoi romanin “Malësorja”, i rrallë vë vitet `60-a, që frymëzoi dhe edukoi brezat shqiptarë, ndër vite e dekada. Dhe, vazhdoi me krijimtarinë lerare, duke realizuar botimin e disa veprave. Urtak e njerëzor, ai me vëllazër, përbëjnë një ansambël intelektualësh familjar.

Medaljoni “Dielli Dardan” 2022, për Veprimtari Krijuese Jetësore, shkrimtarit Ibrahim Kadriu nga Klubi Letrar “Martin Camaj” Mynih, një krijues, sa sasior, aq edhe cilësor. Një shpërthim talenti për lakmi. Në shoqërim të dy zonjave të nderuara, Flora Brovina, poete dhe aktiviste shoqërore si dhe Shukrije Ramadani, nusja ideale e luftëtarit të lirisë, Agim Ramadani, Hero i Kosovës.

Medaljoni “Liria e Dardanisë 1999- 2022”, për Veprimtari Jetësore, Ak. Ali Aliu nga LKSHM, kritik letrar, studjues serioz, profesor Universiteti, bashkëpunëtor dhe mik i mirë i Presidentit Rugova.

Të gjithë medaljonët (të argjendtë) janë sponzorizim i artistit dhe afaristit Sokol Ahmetaj, sikurse edhe Pena e Artë “Martin Camaj”, që për vitin 2021, iu pat dhënë shkrimtarit Hamza Halabaku.

Në katin e dytë të Kullës, është Oda Pleqnare. Pjesëmarrësit e nderuar me Mirënjohje dhe Plisa, u ngritën në Odë, ulën -këmbëkryq-, duke improvizuar një ndejë të traditës. Aty u bë edhe një bisedë e shkurtër, gjithnjë, në funksion që ka kjo Odë.

Naser Hoxha me nusen Kumrije Daci-Hoxha

Takimi me karakter historik, siç është përvjetori i 110 i Kuvendit të Junikut dhe letrar, me krijues të shquar të Kosovës dhe të Mërgatës, konfirmoi binsdshëm, se – Oda e Junikut -, vazhdon traditën si – Odë Pleqnare -, me trashëgimtarin familjar të Familjes Pleqnare Hoxha, Naser Hoxhën, jurist i diplomuar. Mbështetëse ideale, në veprimtarinë pleqnare, e ka bashkëshortën fisnike, Kumrije Daci-Hoxha, e cila, ashu si herë tjera, edhe kësaj radhe, mirëpriti, zemërhapur, mysafirët e shumtë dhe shërbeu me një koktej të begatë, me gatime të traditës, ashtu siç i ka hije Odës zëmadhe të Junikut. Për habi, pse u harrua pa -Mirënjohje- shkrimore, e reja e kryepleqnarit të djeshëm të Rrafshit të Dukagjinit, Brahim Hoxha, dhe nusja Kumrije e kryepleqnarit të sotëm, Naser Hoxha?!

Në largim nga Kompleksi i Odës të Junikut, pjesëmarrësit bënë një fotografi të përbashkët, para shtatorës, të ngritur në qendër të qytezës, të Heroit të Kombit, Edmond Hoxha, nipi i Avdyl Hoxhës,(plaku).

Prej andej, pjesëmarrësit bënë homazhe dhe vendosën kurora në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Kombit, në Kosharën heroike.

Në fund, në nderim të mysafirëve, kryetari i Komunës të Junikut, Ruzhdi Shehu, shtroi drekë.

Të gjithë gamën e këtij aktiviteti historik dhe artistik, e përcolli RTV -Fontana-, gjegjësisht, drejtori i saj, Zeqir Mehmetaj dhe medie të tjera.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.