NËNTORI I KRENARISË KOMBËTARE

0
259
110-vjetori i Pavarësisë - dy Kuvendet - Shqipëri - Kosovë - bashkë

110-VJETORI I PAVARËSISË SË SHQIPËRISË

Shënimi i Ditës së Flamurit – 28 Nëntorit, shpalljës së Pavarësisë së Shqipërisë  të shqiptarët në Mal të Zi ka filluar nga viti 1991, nga partitë politike dhe shoqëria civile ndërsa nga viti 2008 organizohet nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve, duke mbetur festa  që i bashkon shqiptarët  si në vend dhe në diasporë, duke përkujtuar  me pietet e  nderim të  gjithë ata qe kanë luftuar më pushkë e pendë për liri dhe çlirim kombëtar

Zonja dhe zotërinjë,

Të nderuar pjesëmarrës!

Te rrallë janë ata popuj që kanë një datë ne historinë e tyre kombëtare siç janë shqiptarët, datë kjo historike e cila lidhet me identitetin dhe krenarinë kombëtare. Kujtesa historike na shpie ne Krujën legjendare, na kujton 28 nëntorin  e vitit 1443 dhe na ngjallë fuqishëm  epokën e lavdishme të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, i cili për një çerek shekulli mbrojti jo vetëm  lirinë dhe nderin e shqiptarëve, por edhe civilizimin evropian. Prandaj, heroi ynë kombëtar me kohë i ka kaluar përmasat e historisë kombëtare dhe është bërë pjesë e historisë botërore.

Por, pas kësaj periudhe të lavdishme shqiptarët përjetuan  plot vuajtje e sakrifica, me ngritje e zbritje por arritën për të  ruajtur identitetin kombëtar. Ne këto kohëra te robërisë dhe te mbijetesës  edhe flamurin kombëtar e rrembeu vala shkatërrimtare. Kur armiqët tanë menduan se ai treti përjetë, ngjau katarza në zemrat tona. Patrioti, Faik Konica duke hulumtuar në histori, e rizbuloi dhe, pas katërqind e ca vitësh, sërish valoi Flamuri i Skënderbeut.

Pas Nëntorit të Parë, përkulemi me respekt të thellë para emrit  dhe veprës së plakut të mençur të Vlorës, Ismail Qemalit i cili me 28 nëntor 1912, ngriti flamurin dhe shpalli Pavarësinë e Shqipërisë në Vlorë, që ne histori njihet si Nëntori i Dytë.

Festën e Flamurit, që është dita më e rëndësishme e historisë kombëtare, mjerisht nuk e gëzuan të gjitha trojet shqiptare, sepse ne saje të vendimëve të padrejta në  Konferencën e Ambasadorëve në Londër(1913), jashtë shtetit te sapoformuar shqiptarë mbeten më së gjysma e popullsisë dhe e trojeve shqiptare, të cilat u aneksuan nga shtetet fqinje.

Edhe pse  për këto 110-vite  ne periudha te ndryshme shqiptarët jashtë kufinjëve politikë te shtetit amë përjetuan vuajtjet, persekutimet, diskriminimin  dhe ekzodet biblike, ata megjithë reduktimin e vazhdueshem te numrit dhe te territorit të tyre mbijetuan, duke u përpjekur vazhdimisht te konsolidohen dhe te avancojnë te drejtat kombëtare.

Kosova  nga viti 2008 është shtet i pavarur, por ende pa konsilodim të pushtetit në terë territorin e vet.

Shqiptarët ne Maqedoni dhe ne Luginën e Preshevës, pas luftës së  tyre për barazi kombëtare, janë ne pritje te realizimit praktik të barazisë kombëtare.

Shqiptarët në Mal të Zi  angazhohen për avancim te statusit të tyre politik si dhe integrimin e tyre me identitet kombëtarë.

Shqiptarët në Çamëri janë pothuaj të harruar, por ne kërkim të vazhdueshem për njohjen e ligjshme të  tyre mbi pronat dhe trojet e veta kombëtare.

Ndërsa diaspora shqiptare e shpërndarë anë e kend botës paraqet ndërgjegjën tonë kombëtare e cila  ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm duke e ndihmuar çështjen kombëtare shqiptare e sidomos ne vitet 1991-1999, andaj meriton nderim te vazhdueshem.

Shqiptarët  kur kremtojnë Ditën e Flamurit 28 Nëntorin, përkatësisht Pavarësinë e Shqipërisë, paraqiten të bashkuar por të tillë duhet të jenë vazhdimisht sepse çështja kombëtare nuk është çështje private, partiake apo e klanëve të ndryshme, sepse kombi, gjuha e flamuri kombëtar shqiptar mbetën mision i përjetshëm i botës shqiptare.

Të ndëruar pjesëmarrës,

Janë të rrallë ata individ që mund ta kenë ditëlindjen e tyre me datat madhore të historisë së kombit, por më këtë rast kemi një përjashtim sepse Dita e Flamurit-28 Nëntori përkon me ditëlindjen e  Adem Jasharit, Komandantit Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai me aktin madhor të flijimit të tij dhe të tërë familjes, vulosi  fitoren e shqiptarëve me ç’ rast nisi një erë e re për shqiptarët duke i dhënë  kuptim ardhmërisë së lirë të qytetarëve të Kosovës.

Dita e Flamurit-28 Nëntori, është datë historike dhe emblemë e fuqishme e përpjekjeve të pandërprera të popullit tonë për liri, pavarësi dhe bashkim kombëtarë, andaj si e tillë është festa e të gjithë shqiptarëve.

Ne këtë ditë të shenuar, shqiptarët si ne trojet e tyre etnike dhe ne diasporë,  kujtojnë me pietet dhe nderim të thellë të gjithë ata qe kanë luftuar më pushkë e pendë për liri dhe çlirim kombëtar.

Eshtë kjo festa e shenjtë kombëtare qe i bashkon shqiptarët, rreth Flamurit të përbashkuar, si në Himnin Kombëtar.

Ju faleminderit dhe gëzuar festën!

Dr. Nail Draga

(Fjala e mbajtur me rastin e shënimit të Ditës së Flamurit  në Ulqin  me 28 nëntor 2022)  

 

 

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.