Dhe shkretëtira do të lulëzojë & Një shembull ideal për të gjithë

0
359
Nikolin Lëmezhi - fëmijë - me priftin

Dhe shkretëtira do të lulëzojë

10 vite nga ndarja nga jeta e Imzot Antonio Sciarra, Mesha përkujtimore në Blinisht dhe promovimi i librit të Brikena Lazrit mbi jetën e veprimtarinë e tij.

Në 10˗vjetorin e kalimit në amshim të Imzot Antonio Sciarra, u zhvillua Mesha e Shenjtë, në Kishën e Martirëve në Blinisht në orën 15.00, e kryesuar nga Shkëlqesia e Tij Ipeshkëvi i Dioqezës së Sapës, Imzot Simon Kulli.

Në ftesën përkujtimore me këtë rast, ndër të tjera, kështu është shkruar:

Ne e kujtojmë me shumë mirënjohje për dashurinë që ka pasur për popullin shqiptar dhe për punën e madhe që ka zhvilluar në Zadrimë.

Qindra besimtarë të moshave të ndryshme, klerikë, intelektualë dhe personalitete vendore, morën pjesë në këtë kremtim. Ishte i pranishëm edhe një delegacion nga Dioqeza e Avezzano˗s prej nga ka ardhur edhe don Antonio si Misionar Fidei Donum (Dhuratë feje).

Menjëherë pas kremtimit eukaristik, të gjithë u spostuam në njërën prej sallave të famullisë ku edhe u zhvilluar promovimi i librit “Dhe shkretëtira do të lulëzojë”, një memuaristikë mbi jetën dhe veprimtarinë e famillitarit më popullor të Zadrimës. Autorja e librit, Brikena Lazri, e ka njohur nga afër don Antonion dhe ka ndier në zemrën e saj nevojën që të shkruajë një libër kujtimesh që vepra e misionarit Italian në mesin e popullit tonë të mos zbehet por të shkojë duke u ripërtëritur në vazhdim. Brikena Lazri, ka lindur më 23. 02. 1976, në fshatin Blinisht të Lezhës. Arsimin bazë dhe të mesëm e ka kryer në fshatin e lindjes dhe më vonë diplomohet në fakultetin ekonomik, dega Administrim Biznes, në Tiranë.

Merret vazhdimisht me shkrime letrare, përkthime, publicistikë, kryesisht me temë fetare.

“Shkretëtira do të lulëzojë ˗ Don Antonio Sciarra”, është vepra e parë që sheh dritën e botimit.

Titulli i librit është frymëzuar nga një slogan i vazhdueshëm i protagonistit të librit, që edhe ai vetë është frymëzuar nga premtimi biblik plot shpresë: “Le të gëzojnë vendet e shkkreta e të papërshkueshme, le të galdojë shkretëtira e të lulëzojë si lili!”. (Is. 35, 1)

Autorja deklaroi se nxjerrja në dritë e këtij libri është një punë kërkimesh dhe studimesh për vite të tëra dhe nuk ka pretendimin të jetë pa mangësi, madje ka guximin t’u kërkojë të gjithëve që nëse gjejnë ndonjë gabim ta shprehin dhe nëse duan të shtojnë ndonjë gjë rruga është e hapur.

Moderator i promovimit ishte vetë redaktori i librit të sipërpërmendur shkrimtari Ernest Marku, i cili e ka njohur protagonistin e librit dhe ka përjetuar përvoja të ndryshme me të.

Përveç Ipeshkvit Imzot Simon Kulli, iu dha fjala në mënyrë spontane të gjithë atyre që donin të jepnin një dëshmi lidhur me njohjen që kanë pasur me don Antonion.

Don Antonio Sciarra, prifti Italian, erdhi në Shqipëri në fundin e viti 1992, ku u mikprit fillimisht nga atë Luigi Amato edhe ai misionar katolik Italian, i cili kishte hapur aktivitetin kishtar në Shënkoll të Lezhës menjëherë pas rënies së regjimit komunist në Shqipëri. Në muajt e parë të vitit 1993, pas një eksplorimi intensive të realitetit shqiptar sidomos në Veri të vendit, don Antonio mori vendim të vendosë “tendën e tij” në mesin e popullit të Zadrimës e pikërisht në fshatin Blinisht të Lezhës. Duke shërbyer si bari shpirtëror i 6 fshatrave, Blinisht, Piraj, Baqel, Krajen, Kodhel dhe Gjadër, don Antonio përjetoi mundime dhe trazira të pafund për 17 vite, duke lehtësuar vuajtjet shpirtërore dhe fizike të këtij populli të plagosur.

Në fillim të vitit 2008, don Antonios i shfaqet sëmundja që do ta çojë në një operacion në kokë e do të kalojë në amshim, më 8 dhjetor 2012 në spitalin e Avezzano˗s. Don Antonio e la me amanet që të varroset në Blinisht, prandaj edhe trupi i tij prehet pikërisht në këtë fshat pranë Kishës së Martirëve të shenjtë shqiptarë.

Kopjet e Librit mbi jetën e don Antonio Sciarra, që është shkruar me shumë dashuri, me dëshirën e autores janë vënë në dispozicion të plotë të famullitarit aktual, don Alberto Galimberti, që pas don Enzo Zago është pasuesi i dytë i protagonistit të librit.

Përfitimet që do të nxirren nga libri do të jepen të gjitha për bamirësi për aktivitetet e Kishës.

Dëshiroj të falënderoj nga zemra Zotin e gjithësisë që na ka dhënë një shembull frymëzues si don Antonio Sciarra, i cili do të kujtohet sigurisht nga brezat e ardhshëm si një bari i mrekullueshëm, si humanisti që me vetëflijimin e tij bëri realisht të lulëzojë shkretëtira në tokën e Zadrimës. Zonjës Brikena Lazri, autores së librit, i urojmë nga zemra suksese të mëtejshme!

Tashmë don Antonio nuk është fizikisht në mesin tonë, me aktivitetet e tij të zakonshme që gjallëronin ditët e fshatrave tona, por do të vazhdojë të jetë i pranishëm me shembullin dhe Idealin e tij.

Nikolin Sh. Lëmezhi


 

Një shembull ideal për të gjithë

Më së pari dëshiroj të falënderoj Zotin që bashkëfshatarja jonë Brikena Lazri ka ndërmarrë këtë punë fisnike dhe sigurisht angazhuese për të shkruar një libër mbi personalitetin e don Antonio Sciarra, i cili meriton më shumë se kaq për përkushtimin dhe vuajtjet që përjetoi duke i shërbyer popullit tonë.

Don Antonion pata fatin ta njoh dhe të jetoj me të që në ditët e para që shkeli në tokën shqiptare. Atëherë unë isha nxënës në Shkollën e Mesme të Bashkuar në Shënkoll të Lezhës, ndërsa banoja në Institutin e Etërve Rogacionistë që ishin misionarë në të njëjtin vend. Asokohe, mendoj në dhjetor të vitit 1992, don Antonio kërkoi mikpritje nga Etërit Rogacionistë, që të eksploronte zonën e veriut ku donte të ngulte rrënjët si misionar.

E kujtoj me mall se një ditë më thirri në zyrën e famullisë dhe më pyeti për fshatrat e Zadrimës dhe më kërkoi në cilin fshat do më pëlqente ku ai të vendosej si famullitar i ardhshëm. Duke menduar faktin se Blinishti edhe gjatë regjimit komunist ishte qendër për fshatrat përreth dhashë mendimin tim që të ndalej në këtë fshat. E kështu ndodhi.

Kujtoj me mall faktin se drekën e parë në Blinisht e bëri tek familja ime. Ishte plot zell në çdo lëvizje. Në Institutin ku unë isha ai na mësonte vazhdimisht tema mbi Ungjillin, Kishën, jetën sociale dhe gjithçka e bënte me entuziazëm dhe në një mënyrë që na linte të kënaqur. Luante me fëmijët dhe me të rinjtë dhe krijonte kudo një klimë pozitive dhe të këndshme.

Që në fillim na kërkonte të gjithëve ta quanim vëlla Antonio sepse donte të bëhej një me të gjithë dhe ta konsideronim si një vëlla të thjeshtë në mesin e vëllezërve.

Kam shumë kujtime pozitive dhe përvoja të bukura me të që nuk do të shlyhen kurrë nga kujtesa ime. Dinte t’i përfshinte të gjithë në aktivitetet fetare dhe shoqërore që ai drejtonte duke fituar në shumicën e rasteve simpatinë e besimtarëve.

Më shprehte gjithmonë vuajtjen që kishte kur shqiptarët dilnin jashtë shtetit duke lënë kështu vendlindjen e tyre në kërkim të një jetese më të mirë.

Më ka bërë përshtypje fakti se edhe në mesin e vështirësive dhe të përgjegjësive të shumta ai kishte edhe një sens humori që shtonte gjallërinë e çdo takimi me të.

Ndër përvojat më të forta me don Antonion, kujtoj përfshirjen që kam pasur në shtegtimin e Zojës së Velës nëpër fshatra dhe kampin veror në Krajen në vitin 2008. Atë vit ka qenë një eksperiencë e fortë jete, vit në të cilin kam jetuar bashkë me don Antonion, don Enzon dhe misionaren laike Elsa.

Kam vënë re se ishte i kujdesshëm edhe për hollësirat dhe megjithëse kishte një karakter të fortë në punë dhe ishte i rreptë në kryerjen e përgjegjësive, dinte mjaft mirë të shprehte edhe dashurinë dhe ngrohtësinë shpirtërore, tipike të bariut të mirë të shpirtrave.

Nuk ndalej përpara pengesave dhe vuajtjeve të ndryshme që kishte mësuar t’i përballonte me kthjelltësi. Ndonëse me pak, donte t’i ndihmonte të gjithë. Pasi u sëmur rëndë pas 17 vitesh si misionar në Blinisht dhe në fshatrat e tjera të Zadrimës, shkoi për t’u kuruar në Itali. Pata fatin t’i bëja një vizitë një javore në janar të vitit 2011 në Seminarin e Avezzanos ku ai po qëndronte. Përjetova me të vërtetë ditë të mrekullueshme me të.

Dukej qartë se ishte i dashuruar me Shqipërinë. Që në fillim të ushtrimit të misionit të tij në Zadrimë ai publikoi librin me titullin kaq domethënës: Të kam ëndërruar Shqipëri.

Donte muzikën, liturgjinë, katekezat, rregullin. Don Antonio donte jetën.

Që ditën e parë që e kam njohur, ai është bërë për mua një model frymëzues për jetën. Shembulli i tij heroik, që e dha në mesin e popullit tonë në një periudhë delikate historike, do të jetë frymëzim për të gjithë ata/o që e kanë njohur.

Duke menduar për figurën e don Antonio Sciarra, më bien ndër mend fjalët e Jezusit ndërsa shihte turmën e popullit që ishte e nëpërkëmbur dhe e lënë pasdore si delet pa bari:

“Të korrat janë të mëdha, kurse punëtorë ka pak. Lutjuni, pra Zotërisë së të korrave, të dërgojë korrtarë në të korrat e veta”. (Mt. 9, 37˗38).

Nikolin Sh. Lëmezhi

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.