Dukuri që shformojnë demokracinë dhe denigrojnë shqiptarët…

0
890
Ibrahim Kabili

Sistemet demokratike nuk pranojnë dukuri dhe sjellje që bien ndesh me demokracinë liberale dhe shtetin e mirqenjes sociale. Po si është e mundur që pas 32 vjetësh demokraci të ndodhin dukuri të tilla? Përse ky bajraktarizëm në politikë, ky kult individi në vendimmarrje, riciklim i politikanëve të vjetër, dhe gjithë ky indiferentizëm shoqëror? Çfarë është ky pasivitet intelektual? Përse gjithë kjo luftë e pandershme për pushtet? Sa kohë do zgjasë egoja e madhe e pasurimit të pandershëm dhe brenda ditës? Çfarë tregon nënvlerësimi i prolemeve të mëdha kombëtare? Përse boshatisen në mënyra të frikshme territoret tona nga shqiptarët? Ç’është ky largim nga demokracia liberale qeverisëse? Mos po praktikohen e thellohen forma autoritare në qeverisje? Po, revolucioni demkoratik viteve ’90 dhe arritjet madhore të tij kanë ardhur duke u zbehur… Po si është e mundur që bëjmë hapa pas në të gjitha fushat! I kemi provuar gjatë format autoritare qeverisëse në sistemet e shkuara. I provuam edhe gjatë regjjmit të Enver Hoxhës.

Në vitet ’90 i lamë prapa këto, dhe zgjodhëm sistemin demokratik të qeverisjes. Shumë mirë u bë. Kjo qe një arritje e madhe për shqiptarët. Po unë gjithnjë mendoj se elitat politike në Shqipëri dhe mbarë trojet shqiptare po e shpërdorojnë keqas këtë mundësi. Po përse kështu ne shqiptarët? Përse shkatërrojmë shtetin për pushtetin? Boll më, pushteti është i përkohshëm ndërsa shteti i përhershëm. Është koha të forcohet ai. A mund të pranohet e kundërta nga shqiptarët? Jo, dhe vetëm jo. Atëherë e vetmja alternativë për shqiptarët është perëndimi. Është BE-ja, është bashkëpunimi me SHBA-në… Po kush tjetër mund të jetë, Rusia, Kina, apo Serbia?

Asnjëra prej tyre. Kështu mendoj unë dhe shumica e shqiptarëve. Hapja e negociatave të antarësimit midis BE- së dhe Shqipërisë qe një arritje e madhe e cila do ti bëj më të përgjegjshëm politikanët shqiptar. Edhe nëqoftëse nuk duan të ndërmarrin reforma përafruese me BE-në, janë të detyruar. Janë të detyruar dhe pa bërë “gërrvërre” si këto 32 vite radhasi. Kushdo qoftë në pushtet ka sovranitet të kufizuar pasi shumica e kopetencave i delegohen Unionit Evropian. Kjo etapë sado vite të zgjasë është fitore e gjithë shqiptarëve.

Besoj se “Open Ballkanin” nuk do ta lejojë më BE-ja”. Me hapjen e negociatave triumfoj “Nisma e Berlinit”. Ne e provuam si shtet por edhe si komb sistemin lindor totalitar të qeverisjes. Për këtë flet historia. Ne shqiptarët i denoncuam edhe në atë kohë kur prishëm miqësinë me to, megjithëse kishim përfituar shumë ndihma, kredi, makineri, pajisje moderne për industrinë që bënë të mundur ndërtimin e veprave të mëdha industriale. Apo jo? Me vonesë por u denoncuan nga shteti shqiptar. Sot nuk na lejon kush të bëjmë “eksperimente” që kanë dështuar dekada me parë. Politikanët e këtyre 32 viteve të fundit, kush më shumë e kush më pak, shkatërruan, zhdukën, vjedhën dhe çuan për “skrap” gjithë pasurinë kombëtare. I shkatërruan me pretekstin se gjoja na qenkan teknologji e vjetëruar, të ndërtuara nga komunizmi, do i zevendësonin me të reja, duhej ta nisin nga zeroja, rindërtimi do bëhej nga “çeku i bardhë”, etj.

E kush e bëri këtë? Klasa politike dhe politikanët që po riciklohen dita ditës. Ato ashtu qetë qetë, herë herë me shumë ngut i shkatërruan të gjitha degët e industrisë, privatizuan pasurinë kombëtare, shitën vendin tek të huajt, dhe i lanë shqiptarët me gishtin në gojë. U shkatërrua industria e rëndë, mekanike, e lehtë, tekstile, ushqimore, kimike, e material ndërtimit, etj. Nuk mbeti asgjë! Mundi dhe djersa 45 vjeçare e gjithë shqiptarëve shkoi për “dhjam qeni”. Kjo qe e dhimbëshme dhe e papranueshme. Kush u ndëshkua? Askush! Na zuri syri i keq! Që të jem i qetë me veten për këto që po shkruaj, më duhet të pohoj se larg shkatërrimit mbeti vetëm Uzina e Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh, tre veprat e mëdha hidrike mbi lumin Drin, dhe ndonjë vepër tjetër tek tuk në të gjithë vendin. Edhe barbarët dhe pushtuesit nuk i kanë bërë dëme kaq të mëdha vendit dhe popullit shqiptar…

Edhe uzina moderne që përpunonte “arin e zi” u çua për skrap në fund të vitit 2021. Kjo nuk qe “kovaçhanë” por vepër moderne, atëherë përse u shkatërrua! Nga “interesa madhore” antikombëtare. Heshtje, heshtje, dhe vetëm heshtje! Heshtje e dhimbëshme. Përveç ish- punonjësve të kësaj uzine, disa personave të shoqërisë civile, nuk ndihet kush! Edhe këto pasi luftuan shumë dhe nuk u mbështetën si duhet, ranë në “qetësi” tani. Uzina iku dhe na la “shëndenë” thuhet në ato treva. Pasojat janë të parikuperueshme. Sa veprime qesharake! Duke mos analizuar shkaqet për 32 vjet me radhë, radhisim pasojat… Sa keq! Mungesë serioziteti! Mund të quhet edhe tradhëti kombëtare pasi u shkatërruan uzinat ushtarake, hekurudhat, aviacioni, flota detare, të gjithë degët e ekonomisë, fabrikat e plehrave kimike, u privatizuan minierat dhe u shkatërruan fabrikat e pasurimit apo shkrirjes së mineraleve, etj.

Ku shkuan dhe shkojnë bankënotat e arit të cilat i merrnim nga industria e bakrit dhe kromit? Nuk përmenden më! U vjedh floriri, dhe u tha se morën fshatarët me gomar… Sa ironike! Nuk është dorë e fshatarëve kjo, por e jakëbardhëve të pangopur. Këto sot na bëjnë edhe të ndershmin. Kush e ka fajin për këtë? Politikanët në vite që dihen me emër dhe mbiemër dhe këto bëma kanë ndodhur gjatë qeverisjes së tyre. Në këto vite ka mbizotëruar papërgjegjshmëria e disa pushtetarëve, pandershmëria e tyre në qeverisjen e vendit dhe pandëshkueshmëria e asnjërit prej tyre! Pandëshkueshmëria në këto 32 vite është shndërruar në sistem… Kush vinte në pushtet ia vinte fajin tjetrit. Ndëshkim nuk pati për asgjë, as për “Gërdecin”, as për 21 janarin… As, aset nuk kanë të sosur… Sistem vlerash është kjo? Absolutisht JO. Po të kishte mbajtje përgjegjësie dhe ndëshkim kurrë nuk do ndodhte kjo katastrofë e madhe!

Tani pak a shumë nga i gjithë industrializimi i vendit i viteve 1945-90 kanë mbetur pak a shumë vetëm hidroçentralet mbi lumin Drin. Unë mbetem me shpresë, se “do zoti”, nuk po na i privatizojnë dhe këto vepra të mëdha energjitike. Ekziston mundësia që edhe këto të pësojnë fatin e vëllezërve të tyre, të Ulzës, Shkopetit, etj. Po Uzina e Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh vepër “demode” ishte? Jo! Në kohën kur ne ishim mirë dhe keq, ajo krahas derivateve që dilnin nga nafta, na prodhonte edhe produktin e katërmbëdhjetë margarinën, si ushqim yndyror. Margarina e dalë nga kjo uzinë plotësonte mungesën e gjalpit dhe vajit. A ishte e mirë kjo? Natyrisht jo! Por kur mungonte “mishi pulës”, gjalpi dhe vaj; përdorej “sorra”, margarina. Për mos u zgjatur kështu përfunduan pothuajse të gjitha veprat industriale, bujqësore dhe jo vetëm.

Më e keqja është se nuk bëhet përpjekje për reflektim dhe aq më shumë për kthesë e ndreqje gabimesh. Një problem shumë i madh në këto 32 vite është edhe deformimi i votës së sovranit. Ushtrimi i pushtetit sipas votës së sovranit është A-ja e demokracisë. Pak zgjedhje kanë qenë të pamanipuluara. Dikur në vitet ’90 unë kam menduar se pavarësisht “parcelizimit” të ri të aderimit të njerëzve në partitë politike që mbinë si kërpurdhat pas shiut, dhe mirë bënë, duheshin edhe 50 vjet që të ndryshonte psikologjia e njerëzve të formuar në shoqërinë socialiste.

Nuk po them që ishte e mirë apo e keqe ajo psikologji, ai sistem, pasi këtë e vërtetoj koha. Ra sistemi lindor social komunist dhe triumfoj sistemi demokratik. Kjo qe arritja më e madhe për shqiptarët dhe popujt e lindjes. Në mendimin tim ky sistem ra si pasojë e “erërave” që frynë nga perëndimi i largët i Bushit, në drejtim të lindjes së largët të Gorbaçovit, të cilat nuk u penguan dot dhe u pranuan nga ai. Klasa politike shqiptare dhe rinia studentore patën rolin e tyre pozitiv në këtë drejtim por të papërfillshëm krahasuar me gjeopolitikën e madhe. Ky është mendimi im, por secili ka mendimin e tij.

Paradoksi i disa politikanëve shqiptar qëndron tek shkatërrimi, shkatërimi dhe vetëm shkatërrimi. Mendoj se tani nuk kanë çfarë të shkatërrojnë më. Hapja e negociatave me BE-në, dhe funksionimi drejtësisë së re të SPAK-ut do i pengojë në shkatërrimet e mëtejshme. Politikanët përgjegjës të çdo ngjyre politike qofshin, do ti çojë para drejtësisë. Unë besoj fort tek këta faktor. Ndryshe mendoj se vjedhjet, shkatërrimet, korrupsioni, kontrabanda, pandëshkueshmëria, etj. Nuk kanë asgjë të përbashkët me demokracinë. Demokracia është një sistem vlerash që i ka çuar përpara kombet e civilizuara. Mendoj se në Shqipëri kjo do marrë vlerat e saj të vërteta vetëm pas hapjes së negociatave para pak ditësh më parë. Vendosja e flamurit të BE-së në institucionet e shtetit shqiptarë është privilegj i madh por edhe përgjegjësi absolute e lartë… Para se ne të futemi në BE, duhet të zgjidhim disa probleme me rëndësi kombëtare.

Boshti kurrizor i politikës mbarë shqiptare është kombi, çështja kombëtare, politika mbarë shqiptare në interes të tij, ky është thelbi i problemit. Ndaj duhet të bashkohemi dhe të kemi një qëndrim si komb. Janë për tu përshëndetur marrveshjet e nënshkruara midis Qeverisë së Shqipëisë dhe asaj të Kosovës mbi bashkëpunimin midis dy vendeve. Qeveria e Shqipërisë dhe kryeministri Rama duhet ta kushtëzoi Serbinë për njohjen e Kosovës. Nga ana tjetër Qeveria Rama duhet të miratoi në Kuvendin e Shqipërisë një rezolutë për dënimin e gjenocidit serb ndaj Kosovës.

Gjithashtu duhet të loboj fuqishëm edhe për njohje të reja të Kosovës dhe antarësimin e saj në organizmat ndërkombëtare. Përpara disa vitesh të gjitha këto ide, ishin një autopi e skajshme, ndërsa sot duke patur nga prapa Amerikën, janë një realitet i pakthyeshëm. Kjo është thembra e Akilit për Kosovën dhe mbarë kombin shqiptar. Partitë kanë lindur pas kombit. Interesi kombëtar duhet të bashkoj të gjithë politikanët. Partia më ideale për shqiptarët është një e vetme, Atdhedashuria. Ku jemi në këtë aspekt? Ku është sllogani “Një komb, një qëndrim”? Ka humbur si nocion? Ai në këto 30 vjet demokraci ka pësuar luhatje deri në mospërfillje! A është e pranueshme kjo? Unë mendoj, absolutisht jo. A mund të ketë “Open Ballkan”, pa Kosovën? Jo.

Udhëheqjësit kosovare, Kurti, Osmani dhe Gërvalla kanë mbajtur një qëndrim të drejtë duke refuzuar në mënyrë absolute “Ballkanin e Hapur”. Unë duke u nisur nga historia mendoj se, “Ballkani i hapur” për shqiptarët është një; “Jugosllavi e re”, “Serbi e madhe”, është “Rusi”. I bëj thirrje kryeministrit të vendit tim Edi Rama, të cilin e kam votuar edhe nga unë me votë të deleguar, të tërhiqet nga kjo nismë pa krye dhe të përkrahë “Proçesin e Berlinit”. Ky i fundit ka brenda garancinë gjermane. Nuk ka besë te Vuçiçi, dhe “vuçiçet” e tjerë…

Nuk u sakrifikua Adem Jashari dhe 58 antar nga fisi i tij që Kosova të futet përsëri në Serbi! Ku është opinioni i shëndoshë kosovar? Po kush e përfaqëson atë, Enver Hoxha? Si mundet ky politikan tu bëjë thirrje politikanëve të Kosovës që të marrin pjesë në “Open Ballkan”. Zoti Hoxhaj, Serbija dhe Vuçiçi nuk e kanë njohur Kosovën si shtet. Vuçiçi thekson me “megafon” se nuk do ta njohi kurrë atë si shtet. Ju, si politikan se keni marrë vesh akoma? Atëherë ku do të shkojë Kosova, në “vathën” e Vuçiçit? Jo! Nuk u sakrifikuan për këtë rreth 14.000 viktima në luftën e fundit të Kosovës. Nuk u sakrifikua Adem Jashari dhe mijra dhe mijra “Ademë”, të tjerë në histori.

Një mësim nga e kaluara është dëmi i madh i kultit të individit. Shembulli i “disa komandantëve” dhe jo vetëm i tyre në udhëheqjen kosovare, qe modeli më i keq i politikanëve autoritar shqiptar pas lufte në Kosovë. Po kështu edhe në Shqipëri. Edha pas 30 vjeçësh, vazhdojmë të bëjmë eksperimente me “kultin e individit”. Stalini në Rusi, Enveri në Shqipëri u akuzuan dhe u “dënuan” prej këtij kulti. Po si kanë guxim politikanët e sotëm të marrin vendime pa pyetur institucionet? Kjo në demokraci është e pafalshme. Ne e hodhëm poshtë sistemin me bazë njëshin. Demokracia është sistem vlerash ku duhet të vendosin institucionet. A veprohet kështu në praktikë? Absolutisht jo. Të gjithë në radhë në kuvend flasin “si njëshi”, “imitojnë njëshin, dhe votojnë, me përjashtime të vogla, njëshin.

Ku është mendimi i lirë, po ai intelektual, ku është mendimi kritik, ku është alternativa ndryshe? Asgjëkundi, janë të vdekura. Po si ka mundësi një gjë e tillë pas 32 vjet demokracie? Mungon alternativa opozitare këndej dhe andej kufirit! Mungon besimi! Mungesë debati konstruktiv! Mungon vizioni! Mungon bashkimi dhe bashkëpunimi! Përse kjo? Sepse mungojnë politikanët dhe shtetarët idealistë dhe me vizion kombëtar. Mungojnë politikanët e rinj dhe për rrjedhojë riciklohen të vjetrit dhe alternohen midis tyre. Këtë e favorizon edhe mungesa e ndjeshmërisë shoqërore, mungesa apo kalbësimi i sindikatave, mbyllja e gojës për hir të abuzimit të tyre me pronat e sindikalistëve, këtë e favorizon krimi i organizuar, e mbron oligarkia, e fuqizon korrupsioni dhe krimi i organizuar…

Këtë e bën me rrënjë kancerogjene egoja e paskrupullt për pushtet, por e pëson vegjëlia, populli, shtresat e ulta dhe të mesme, varfanjakët. Sa është raporti midis pagave më të ulta dhe atyre më të larta, sot? Çfarë është ky diferencim i madh shoqëror sot? Politikanë të këtyre 32 vjetëve ku e keni shtetin e mirqenjes sociale? Kjo pjesë shoqërore përbën shumicën absolute të shoqërisë. Duke qenë shumicë ajo duhet të kërkojë ndryshime në format e qeverisjes. Ndryshimet po bëhet gjithnjë e më të vështira. Për rrjedhojë zgjidhet mërgimi, zgjidhet braktisja masive e mbarë trojeve shqiptare. Kjo nuk është zgjidhje. Kjo është tkurrje, boshatisje, kjo favorizon sllavët… Këta janë mjeshtra për politikat sllavizuese…Ne si shqiptar nuk duhet të biem viktimë e tyre. Ato nuk mendojnë sot për nesër. E nesërmja për shtetin e tyre vjen pas 100, 1000, e më shumë vitesh. Këtë na e mëson historia. Ndërsa për shumicën e politikanëve të kombit shqiptar vlen pushteti, pasuria, privilegjet…

Ibrahim Kabili
Velipojë më 23.07.2022

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.