PLEPISHTA E FËMIJËRISË

0
337
Mehmetali Rexhepi

PLEPISHTA E FËMIJËRISË

Meti Rexhepi

ishin plepat që u vezullonin gjethet
vera ua praronte me të bardhën e me të gjelbrën degët

hija e plepave gjeometri e lëvizjes së trekëndëshave
fëshfërimat e gjetheve matnin ritmet e erërave

më ktheu te këta cunga
shtytja fëmijërore t`ua hidhnim gurin tej majave

e nuk e arrinte cakun e paravënë krahu im i butë
dhimbja e krahut pajtohej me disfatën e shpejtë e të shkurtë

pa e diktuar se një krah i fortë tjetër
në dheun nën këmbë frenonte hedhjen

cunga krejt të kalbur dhe të hedhurat e gurit
lartësive të pa-arritshme plepash

ditëlindja ime tejqyrë vegimesh fëmijërie
mëtoi t`ua zgjaste dorën dhe të njomte përvjetorë pleqërie

ca lot babai tatuazh gurësh mbi toponim Ti-varri
tabloja e det kaltrit mes trupash e plisash murin zbardhi

fëshfërima gjethesh melodi e verës
lisat qytetit u rrinin ndesh rrebeshesh

plepat krenari e dukjes së largu
simbol harlisje e florës cak rrufesh gjumë vertikali

terrinave të shfryrjeve dhe dëftimeve të agut
doemos u thyhej ndonjë gjymtyrë dhe i binte fytit të oxhakut

asnjëherë nuk doja t`i shihja të shtrirë
ata luhateshin këndej por nuk frymojnë më për të rrëfyer

ato fërkime dimrash ato vurrata gjymtyrësh
ato çerdhe kanjushash kush e di ku u janë derdhur hiret

në sytë e mi ka pluhur e lot
në qeshjet e asaj kishte enigma plot

një vi dredhake e rrjedhës së zezë të lumit
të vardisej si kundërmim i zi nën këmishë jargavani

shikimet e zhytura të mos i rikthesh
tok me zgjebën përveçëm aty t`i lësh

elegjia e lumit të tretur
më vjen prore më e etur

ishte pranvera që djerrinën e ujit
e mëshironte me hithra e ferra

plepa të prerë dërrasa të kalbura të kulmit të shtëpisë
të atillë vegojnë në një shqisë në arkivin flladitës të fëmijërisë

Gjilan, më 4 korrik 2022

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.