19.5 C
Tirana
E shtunë, 27 Prill 2024
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)

FAJËSI KOMBËTARE: TË SHANTAZHUARVE NUK DUHET DHËNË PUSHTET!

Shkrime të ndryshme

admin
adminhttps://fjala.info
Publikuar nga: Arben Çokaj - Mësues Fizike & Informatike :: Gazetar & Analist i pavarur :: Autor librash :: Uebdizajner & Grafikdizajner

IDRIZ ZEQIRAJ

Viti 2023 ka lëvizur shumëçka në drejtim të një marrëveshje të mundshme. Kryeministri Albin Kurti, me VV-në e tij, ka kundërshtuar me kohë pazaret e pista të qeverive paraprake halabake. Ai vazhdon të rezistojë edhe sot. Andaj, Vuçiq e Bernabiq nuk e preferojnë si partner në bisedime atë. Përkundër, i kërkojnë ata që kanë nënshkruar marrëveshjet, respektivisht, Hashim Thaçin dhe Isa Mustafën!

Presidenti Rugova ishte në dijeni të rekrutimit të Hashimit në agjenturat e huaja, andaj dha porosinë e qartë: “Hashimi të mos lejohet të ngritet në pushtet, sepse është i rrezikshëm për Kosovën!” Megjithatë, SHIK-u kriminal i PAN-it, në koordinim me Shërbimin e DGSE franceze dhe BIA serbe, e katapultuan në krye të pushtetit dhe të shtetit. Rrjedhojat vazhdon t`i vuajë populli i Kosovës.

Shpresa se Qeveria Kurti do të arrijë të korrigjojë diçka nga “Zajednica” e binomit Hashimi-Isa, së fundi, është vënë në dyshim? Kurti ka befasuar me deklaratën shokuese se “një draft-statut, i paraqitur, së fundi, nga BE-ja, është më i mirë se sa marrëveshja Hashimi-Isa më 2013!” Vetjaksia e tij në vendime, është bërë shqetësuese.

Mendoj se draft-statuti, i proklamuar si i BE-së, por, në fakt, nga përmbajtja bizare, rezulton të jetë “çorbë”, e gatuar në kuzhinën serbo-franceze. Ai nuk përmbanë asgjë të një Asociacioni normal, klasik. Përkundrazi, me elementet dhe emërtesat e frikshme, madje, tmerruese si: president, asamble, kuvend, ministrira, qeveri, tejkalon çdo përmasë të natyrës që ka një Asociacion normal.

Për çudë, Franca e Quintit, duhet t´i kërkonte ndjesë, shqiptarëve, në përgjithësi, dhe të Kosovës, në veçanti, për rekrutimin e Hashim Thaçit, me shantazhimin me dosje faktike kriminale, nga Arnaud Danjean, shef i DGSE,  duke e bërë agjent të saj dhe të Serbisë – njëherësh. Ndërkohë, Franca vazhdon ta thellojë krimin, ndaj Kosovës, duke favorizuar ndarjen e saj, përmes një draft-statuti skandaloz, për llogari të Serbisë!

Këtë draft nuk e paragjykoj vetëm unë, por, pothuaj se, e tërë bota akademike, juristët specialistë, e demantojnë dhe e fajësojnë rëndë Kurtin, për një vlerësim paushall të draft-statutit, duke e konsideruar “më i mirë se sa draftët paraprakë”!? Ai mbrohet se nuk ka nënshkruar dhe çështja mbetet e hapur, me mundësinë e korrigjimeve, pa cënuar kushtetutshmërinë. Zoti Kurti shpreson në vlerësimin korrekt të Gjykatës Kushtetuese, edhe pse në vitin 2016, kjo Gjykatë bëri krimin e madh, me imponimin e Hashim Thaçit, aprovuan dhënien e 27 hektarëve tokë Manastirit të Deçanit. Tani, rrethana ndryshon, Hashimi mungon.

Zëvendës-kryeministri, Besnik Bislimi, në një intervistë dhënë një televizioni të huaj, duke u gjegjur në pyetjen, për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, lidhur me 27 hektarët tokë-park, dhuruar Manastirit të Daçanit, akuzon se vendimi është marrë në kushte imponuese e korruptive. Këlyshi i Baton Haxhiut, i dërguar dhe punësuar enkas ke TV “Dukagjini”, Lirim Mehmeti, reagon, tërbueshëm, ndaj zotit Bislimi, se, kinse, “nuk ka besim në vendimet e Gjykatës Kushtetuese”!

Realisht, përgjigja e zyrtarit të VV-së ishte e saktë, por, jo edhe e plotë. E vërteta është se Hashim Thaçi ishte i shantazhuar nga Serbia, me dosjet e krimit, kryesisht, ekzekutimin e kundërshtarëve politikë shqiptarë. Ujdinë konspirative të Hashimit me Serbinë, e bëri agjenti francez, Arnaud Danjean. I tmerruar nga dosjet faktike të krimit, Hashimi vendosi të plotësojë të gjitha kërkesat e Serbisë, për t`i shpetuar drejtësisë. Një karakter skandaloz, që turpëron Kosovën, shqiptarët!

Dhe, këtë, së fundi, e denoncoi edhe emisari special, Richard Grenell: “Unë me Thaçin, Ramën dhe presidentin Vuçiq, po e realizonim marrëveshjen:

  1. Ndarjen e Kosovës;
  2. mbylljen e Gjykatës Speciale;
  3. largimin e NATO-s nga Kosova.”

Sa larg kishte shkuar Hashim Thaçi, me partitë-banda: PDK, AAK, NISMA, të koalicionuara, natyrshëm në PAN-in kriminal!!! Tashmë, kjo është -një e fshehtë publike-, por, zëvendës-kryeministri Bislimi e thotë shkarazi, tërthorazi.

Ndërkohë, pala serbe nuk ka pranuar nënshkrimin dhe gojarisht ka përsëritur se nuk do ta njohë Kosovën shtet. Dhe, pa këtë njohje reciproke, nuk ka as marrëveshje. Paradoksalisht, Kosova është nën sanksione! Pavarësisht refuzimit të palës serbe, për të filluar nga zbatimi radhazi të pikave, sipas renditjes në marrëveshje, ndërkombëtarët, “nuk hanë arsye” dhe ngulmojnë që Kosova ta jetësojë  Asociacionin, domosdo dhe menjëherë! Dhe, njëherësh, ta bëjë edhe kadastrimin e hektarëve të pretenduar, në llogari të Manastirit të Deçanit!

Mujëshia çmendurake e BE-së  dhe e ndërkombëtarëve, është padrejtësi e madhe, sepse si ndërmjetësues në dialogun Kosovë-Serbi, rrjeshtohen në anën e Serbisë agresore, në favorizimin e saj dhe në dëm të Kosovës, tashmë, e dëshmuar si viktimë, dje dhe sot!

Pa trysninë ndërkombëtare, sidomos të SHBA, Serbia nuk bashkëpunon në drejtim të normalizimit fqinjësor, si dy shtete të barabarta. Ajo në vijimësi përsëritë slloganin bajat se “nuk e njohim kurrë Kosovën”. Asnjë presion serioz nuk është ushtruar ndaj Serbisë agresore, as nga BE-ja dhe as nga SHBA. Kritika, sa të pamatura, aq edhe të padrejta, janë bërë ndaj Kosovës, deri në sanksionimin absurd, për të mos thënë të turpshëm!

Pas agresionit të Serbisë, më 24 shtator 2023, në Banjskë të Zveçanit, vrasjes të rreshterit policor, Afrim Bunjaku, shkelje e sovranitetit të Kosovës, e gjithë bota priste ndëshkimin e Serbisë persekutore. Por, për çudë, ndodhi e kundërta, u ndëshkua, arbitrarisht, Kosova viktimë!

Partitë-banda të PAN-it, duke mbrojtur kriminelët,
përligjin ndarjen e Kosovës!

Opozita PAN-iste, destruktive dhe kundra-kombëtare, në nismë e mbarim, ka sabotuar çdo gjë, që mund të arrihet në dobi të Kosovës. Njëjtë ka vepruar edhe me dialogun Kosovë-Serbi, duke pritur që SHBA ta sanksionojë, personalisht kryeministrin Kurti, dhe të përfitojë ajo, nga kjo goditje.

Dëgjohet të thonë shpesh se edhe Vetëvendosje nuk është pajtuar me asgjë të qeverive të shkuara. Por, kundërshtia e dhunshme e VV-së, ka qenë e motivuar, sepse pushtetarët, duke qenë të shantazhuar, qoftë për krime vrastare apo hajni zyrtare, kanë aprovuar marrëveshje të dëmshme dhe vendime fatale për Kosovën, me të cilat po përballet qeveria e sotme, me rrezikun që të bartët edhe për qeveritë e nesërme. Ndërkohë, kundërshtia dhe bojkoti i opozitës të sotme, nuk ka motiv real, në dobi të Kosovës.

“E thërrasim popullin në protestë, kundër Gjykatës Speciale të Kosovës, me seli në Hagë dhe lirimin e çlirimtarëve nga burgu, sepse ata po mbrojnë atje UÇK-në, Kosovën, por populli nuk përgjigjet, dalin 100 apo 200 veta”, – thotë inatshëm e dëshpërueshëm, potërxhiu i pacipshëm, Faton Klinaku! “Mos e vet, se tregon vet”,- thotë populli.

Pra, këto janë protesta të pamotivuara, koti, që populli i injoron me bojkot. Sikur asnjë dëshmitarë të mos dëshmojë, shumë qindra varre të të vrarëve politikë, anekënd Kosovës, akuzojnë vrasësit e tyre. Së pari, asnjëri nga ata që kanë shkuar më parë dhe më vonë në Hagë, nuk kanë qenë çlirimtarë, por vrastarë. UÇK dhe Kosova nuk kanë nevojë për mbrojtjen e tyre. Ata akuzohen për vrasjen e shqiptarëve, kundërshtarë politikë, ushtarakë e veprimtarë, pjesë aktive e luftës.

Kjo opozitë e marrëzishme, ka angazhuar të gjithë aparatin propagandistik, analistë e banalistë të mediave qendrore e lokale, në Kosovë dhe Shqipëri; partiakët e saj dhe specialistët e fushave të ndryshme, pedagogë, juristë, avoketër, të paguar majmë; ka mbledhur mbeturinat e sistemit monist, nga të dy anët e kufirit. Dhe, në stilin hoxhist-stalinist, në dukje e pabesueshme, por është katërcipërisht e vërtetë, se Shqipëria ka qenë supërfuqi  propagandistike botërore, ose “leha-qene”, për disa dekada radhazi!

Dikur në mbrojtje të Jugosllavisë së Titos, pastaj të Rusisë të Stalinit e deri te Kina e Mao Ce Dunit,- kundër imperializmit amerikan. Sot i janë turrur kryeministrit Albin Kurti, partisë së tij, Vetëvendosje. Kjo -lehje në hënë- vazhdon çdo ditë e natë, “sabah e aksham-, me shpifje, denigrime dhe sharje, pa doganë fare!

Zgjedhjet nuk janë zgjidhje. Spastrimi i skenës
politike nga kriminelët, imperativ i kohës!

Me gjithë kërkesën korale të opozitës aktuale, për zgjedhje të parakohshme, siç duken “bathët e priftit”, nuk e besoj që do të kemi zgjedhje së afërmi. Opozita e dobët, e çakorduar, që bartin fajësinë e madhe të rrënimit të gjithçkaje në Kosovën tonë, deri në tjetërsimin e pjesëve të territorit tokësor, që, pamëdyshje, është konsumuar elementi i tradhtisë.

Pikërisht, për këtë arsye ata janë kërkues të mëfshtë, dyshues në fitore, dhe, edhe pse zhurmojnë, nuk duket se e kanë me gjithë mend kërkesën për zgjedhje, sepse nuk besojnë në fitore. Pra, opozita, në këtë çështje është realiste, “ia dinë hallin vetës”, sepse nuk ka bërë asgjë të mirë për Kosovën dhe popullin e saj. PAN-in e përcjellë, madje deri në varr, barra e rëndë e krimeve vrastare politike. Dihet, jo të gjithë janë vrasës, por militimi në një parti të krimit, gjithësesi, të bënë pjesë të krimit.

Partitë-banda, PDK, AAK, NISMA, pjesë e koalicionit PAN, të cilat për një çerek-shekulli, krerët, kryesitë e tyre dhe kuadrot militantë partiakë, vazhdojnë të zvarritën, me dozën bazike të bërjes së krimeve apo të aprovimit të tyre. Një shtet i mirëfilltë ligjor, do të kërkonte ose reformimin e thellë, duke i larguar nga partia të inkriminuarit e saj të bollshëm, ose do ta shpallte subjektin partiak të paligjshëm, duke ia ndaluar, përjetësisht, aktivitetin politik.

Partitë e PAN-it, të cilat “nuk kanë lëvizur nga “istikami”, llumpen-komunist, nuk kanë bërë asnjë reformë dhe asnjë ndryshim kuadrosh drejtues. Kurse “djathtizmin” e kanë reklamë. Por, “idol” e kanë neokomunistin e rreshkur, pinjollin e “Bllokut të Zi” të Tiranës, Edvin Ramën. Ndërsa LDK ka filluar reformat dhe ka bërë ndryshime domëthënëse në strukturë, duke i “pensionuar” disa nga argatët e Isa Mustafës, të cilët u bënë patericë e Hashim Thaçit dhe të PAN-it të tij.

Pavarësisht se dominoi aklamacioni në Kuvendin e 10-të, si kancer i demokracisë, vrojtuesit e vëmendshëm, me disa rezerva, kanë pasur mirëkuptim për kryetarin Lumir Abdixhiku, ngaqë stërkeqja e LDK-së ka qenë bizare, madje e qëllimshme. SHIK-u ishte infiltruar në strukturat vendimmarrëse të partisë. Dhe, kuadri partiak, në qendër dhe bazë, ishte stazhionuar dhe burokratizuar, sepse “peshku qëlbët në kokë”. Megjithatë, reforma konsiderohet gjysmake, sepse pesha e fajësisë, nuk lejon tolerancën pakufi. Përjashtimet nuk janë të shëndetshme, por, spostimet dinamizojnë, sidomos bazën e partisë.

Paraqitja në Kuvend, në Konventë, por edhe prezenca në intervistimet televizive, të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut, kanë qenë mbushamendëse, mbresëlënëse, jo vetëm për partinë, por edhe për opinionin e  pavendosur. Realisht, nga opozita aktuale, rreth PAN-it, përfshi edhe zhurmaxhiun, ose “teneqen e shpuar”, Dardan Molliqaj, argat i PAN-it dhe i SHIK-ut – njëherësh, Kosova nuk mund të presë asgjë të mirë.

E vetmja forcë politike, që mund të bëhet një konkurrente dinjitoze, për zgjedhjet e ardhshme, mund të jetë LDK-ja. Por, ajo që vazhdon ta penalizojë LDK-në, është pjesëmarrja e klanit Mustafa, në shumë procese të dëmshme për Kosovën, që nga “Zajednica”, Demarkacioni dhe duke kulmuar me bërjen -president- të një agjenti të dyfishtë, Hashim Thaçin! Vërtet, vendimet janë marrë në emër të partisë, pa përfillur asnjë nga strukturat e saj, por mos reagimi i kuadrove, karshi aventurizmit të kryetarit Isa Mustafa, i cili dyshohet të jetë katapultuar nga SHIK-u kriminal, nuk i amneston nga fajësia, qoftë edhe me heshtjen e tyre. Thonë se “e kaluara nuk mund të blihet”.

Kryetar Lumiri duhet ta gëzojë mbështetjen e anëtarësisë dhe e meriton këtë. Por, edhe duhet t`i zgjidhë disa dilema të anëtarësisë. T`i rishikojë disa ngritje artificiale dhe t`i afrojë disa kuadro të anash kaluar, “të harruar”, të cilët ende mund të kontribuajnë dhe ndihmojnë LDK-në. Reforma e nismuar në LDK, duhet të bëjë hapa para dhe jo prapa, ose të stagnojë, të konsideruar si proces i përfunduar?

Sidoqoftë, vazhdimi i mandatit, deri në përmbylljen të tij, i partisë në pushtet, LVV, është shumë më i shëndetshëm, se sa çfarëdo zgjedhjesh të parakohshme, sepse LDK-së i duhet kohë, për t`u konsoliduar. Klani Mustafa, i cili humbi pjesërisht pushtetin, nuk po pajtohet me pozicionin aktual dhe duan rikthimin e sërishëm, qoftë edhe vazhdim i shërbimit si patericë e PDK-së, PAN-it!

Konspiracionet rreth figurës së Kurtit, të stisura dhe të shpifura, nga kriminelë -me patentë-, nuk duhet besuar. Përkundrazi, duhet injoruar dhe numëruar të bëmat kriminale, individuale e grupore, me banda. Nuk mund ta bëjnë më mirë dhe më të sigurtë dialogun me Serbinë, ato subjekte kriminale politike, që ishin në një linjë me Hashimin, Edvin Ramën, Vuçiqin dhe aleatët e tij, qëllimi bazë i të cilëve ishte ndarja e Kosovës.

Vetjakësia në bërjen të Dialogut me Serbinë ka ngjallur dyshime, për mungesë pervoje dhe profesionalizmi. Edhe qasja e mëparshme, me përfaqësues të subjekteve partiake, ishte e gabuar, për të mos thënë idioteske. Dialogun Kosovë-Serbi, duhet ta bëjnë ekspertët-specialistë përkatës, nga bota akademike, pavarësisht anëtarësimeve apo simpative, për subjektet politike të veçanta. Çobanëria e politikanëve të pashkolluar, me diploma fiktive, të blera, të cilët me dajak e plunmb morën pushtetin, e rrënuan Kosovën, e përdhosën edhe gjithë Shqiptarinë.

Drejtësia e kapur në Kosovë, me pronarë PAN-in kriminal. Vettingu i penguar, Këshilli Prokurorial dhe ai Gjyqësor, i koracuar, me mburojë politikanët kriminelë, thirrën, mashtrueshëm, në pavarësinë e gjyqësorit! Por, në fakt, janë mbrojtës të krimit dhe të shefave të tyre kriminelë.

Koha për reflektim të thellë! Populli duhet të ndergjegjësohet dhe kumandarët mujëshorë duhet t’i diciplinojë, t’i bojkotojë, duke kërkuar edhe llogari për krimet e tyre numerike, serike.

Më shumë shkrime

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.

Shkrimet e fundit