Mr. sc. Nue Oroshi
(Kjo ligjeratë është mbajtur në Akademinë përkujtimore në Luzern të Zvicrrës më, 16.09.2023)
Të nderuar pjesëmarrës;
Zonja dhe Zotërinj,
Sot e 80 vjet më parë shqiptarët atdhetarë duke parë se kufijtë etnikë shqiptarë po rrezikoheshin nga bashkëpunimi i ngushtë në mes të çetnikëve dhe partizanëve komunistë për ti shfarosur shqiptarët në të gjitha trojet shqiptare ku edhe u dha shenja e parë me Masakrën e Bihorit ku u vranë mbi 4628 shqiptarë. Për këtë atdhetarët shqiptarë që kishin krijuar Shqipërinë Etnike u mobilizuan dhe pikërisht para 80 viteve në Prizrenin e Gjergj Kastriotit dhe të Besëlidhjeve Shqiptare e filluan Kuvendin për themelimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit.
Themelimi i Lidhjes së Dytë të Prizrenit bëhet kryekëput për të mbrojtur tokat e liruara shqiptare e ne veçanti mbrojtjen e kufijve të Shqipërisë Etnike që rrezikoheshin te sulmoheshin nga forcat çetnike dhe partizane që koordinoheshin shumë mirë me njëri- tjetrin. Sipas një studimi të prof. dr. Muhamet Shatri që ka shkruar për Lidhjen e Dytë të Prizrenit me titullë: Përpjekjet e Lidhjes së Dytë të Prizrenit për jetësimin e aspiratave të shqiptarëve, kur bën fjalë për lidhjen e Prizrenit shkruan:
Lidhja e Dytë e Prizrenit ishte oganizata më e rëndësisahme politike-ushtarake në Kosovë dhe në trevat e tjera shqiptare, e krijuar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ajo u organizua sipas shembullit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe u angazhua deri në fund për çlirimin dhe bashkimin e trojeve etnike shqiptare në një shtet të përbashkët. Kjo organizatë i vuri themelet e saj në shtator të vitit 1943 me angazhimin e 45 përfaqësuesve nga Ohri, Struga, Gostivari, Dibra, Shkupi, Tetova, Prizreni, Sharri, Theranda, Kolesjani, Rahoveci, Gjilani, Prishtina, Ferizaj, Mitrovica, Rugova, Peja, Istogu, Drenica, Pazari i Ri, Senica, Rozhaja, Plava, Gucia, Gjakova dhe Malësia e Gjakovës.
Ajo u formua jo rastësisht në qytetin historik të Prizrenit për të jetësuar amanetin e drejtuesve të Lidhjes së Parë Shqiptare të Prizrenit. Ideatorë të kësaj organizate, në themel me aspiratë fisnike kombëtare, ishin Xhafer Deva dhe Asllan Boletini, biri i Isa Boletinit të madh etj. Kuvendi zgjodhi Komitetin Qendror të organizatës me 7 veta: kryetar Rexhep Mitrovicën; nënkryetar Musa Shehzade; Tahir Zajmi, Asllan Boletini, Kolë Margjini, Sheh Hasani, Qazim Bllaca, anëtarë.. Ai miratoi edhe procedurën e zgjedhjes së delegatëve që do të përfaqësonin Kosovën dhe trevat e tjera shqiptare në Asamblenë Kombëtare, që do të thirrej në Tiranë më, 16 tetor 1943 dhe shtroi nevojën e hartimit të Statutit të organizatës.
Kuvendi autorizoi Xhafer Devën, Aqif Blytën dhe Ibrahim Lutfiun për të koordinuar punën e Lidhjes me atë të Qeverisë Shqiptare për çështjen e Kosovës. Ndërkohë që studiuesja prof. dr.Sabile Basha në studimin e saj për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit-Karakteri Kombëtar i Programit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit 1943 na jep edhe statusin e plot të kësaj lidhje shqiptare. Ku kemi shkëputur vetem nenin XI ku shkruhet se Organizata e LIDHJES së II-të të PRIZRENIT ka tagër :
1) Me organizue propogandë intensive me qëllim të pregatisë shpirtnisht, materjalisht edhe fizikisht popullin për mbrojtjen e tokës së vet.
2) M’u pregatitë për luftën dipllomatike në Konferencën e Paqës tue organizue mbledhjën e dokumentave provuese të karakterit shqiptar t’atyne visevet.
3) Me organizue aparatin e vet administrativ, si mbas këtij statuti, ndër të githa viset e kompetencës së sajë toksore me organe te çdo Prefekture, komune e Bashki dhe katund.
4) Me organizue stërvitjen paraushtarake të djelmoshave ende të parekrutuem, në konformitët me ligjën rreth organizimit të paraushtarakve qi asht në fuqi.
5) Me iu përveshë organizimit për stërvitjen e të gjithë mashkujvet deri me 60 vjeç, veç atyne nën armë, tue i inkuadrue si mbas organizimit të pershtatshëm. Pjestarët e këtyne grupevet nuk mbahen ne stervitje te vazhdueshme, por rre-gjistrohen, betohen dhe qendronjë ndër shtëpijat e veta dhe thërritën herë pas here për ushtrime ase veprime të tjera.
6) M’u kujdesë për sigurimin e mjeteve të transportit, t’ushqimit dhe të tjera pajime të nevojëshme për veprimin e organizatës.
7) Me kerkue prej autoritetevet shtetnore e parashtetnore ndihmen dhe përkrahjen e tyne, të cilët për sa të jetë e mundun u a akordojnë.
8) Me kërkue dhe me marrë në dispozitë oficerë dhe nënoficerë prej ushtris e Gjindarmeris dhe rrogat e këtyne do të vazhdojnë të paguhen prej arkës së shtetit.
Sipas Statutit, organizimi i Lidhjes përfshinte Kuvendin dhe Komitetin Qendror me seli në Prizren, pastaj komitetet e qarkut, rrethit, komunës dhe katundit. Komiteti Qendror u kryesua së pari nga Rexhep Mitrovica (18-26 shtator 1943) së dyti nga Bedri Pejani, kurse se treti nga Xhafer Deva deri më 19 nëntor 1944.
Duhet përmendur që në Kuvend me propozimin e Tahir Zajmit, Kuvendi Themelues kishte proklamua Bashkimin e Kosovës, Dibrës, Tetovës, Strugës, Ulqinit dhe Tuzit me Shqipërinë, si pjesë integrale të saja dhe kishte kërkuar bashkimin edhe të Qarkut të Mitrovicës që i takonte Zonës gjermane të pushtimit. Ndërsa delegati nga Gjilani avokati Esat Berisha kishte kërkuar nga Kuvendi që të ndërhynte për rishikimin e vijës së demarkacionit me Bullgarinë, gjë që nënkuptonte përfshirjen brenda kufijve të Shqipërisë të trevave shqiptare që ndodheshin nën pushtimin bullgar. Po ashtu edhe delegati nga Rugova, Sali Rama kishte kërkuar që Shqipërisë ti bashkohen edhe tokat shqiptare që kishin mbetur nën Malin e Zi.
Përpos shumë angazhimeve Kombëtare Lidhja e Dytë e Prizrenit themeloj edhe Divizionin Skënderbeg ku si himn i luftës u kompozua dhe u mor Himni i tekstit të At Gjergj Fishtës.E luftëtarët në përpjekje për të mbrojtur tokat shqiptare e këndonin këtë himn kombëtar: “Porsi Fleta e Ejllit Zotit/Po rreh flamuri shqiptar/I thrret bijt e Kastriotit/Me u mbledh Tok nder qeta mbar/Bini Toskë e Bini Gegë/Si dy rrfe që shkojnë tuj djegë/Bini Lekë Bini Malsor/Trima tmdhej me dorë me dorë/ Në maje te gurit topi vlon e vlon e vlon/Shqiptari ne luftë fiton, fiton, fiton. “
Vlenë të theksohët se një rol të madh qoftë në aspektin politikë qoftë në aspektin ushtarak apo atë organizativë në mbajtjen gjallë të Lidhjes së Dytë te Prizrenit e luajtën Rexhep Mitrovica, Xhafer Deva,Bedri Pejani, Kolë Margjini, Musa Shehzade, Tahir Zajmi,kolonel Qazim Komoni, Qazim Bllaca,Aqif Blyta,Ibrahim Lutfiu, kolonel Fuat Dibra, Bedri Gjinaj, vëllezërit Begolli, Asllan Boletini, Shaqir Curri, mulla Nuredin Haliti, av. Esat Berisha, Faik Okllapi, Shemsi Ferri, Jahja Fusha, Sali Rama, Halim Spahija, Is’han Taniku, Adem (Selimi) Gllavica Sali Vala-Siçani, Luan Gashi, Avdyl Henci, Shahsivar Aliu, Fuat Muharremi, e shumë të tjerë.Shumja e Lidhjes se Dytë të Prizrenit erdhi kur Kosova dhe viset e tjera etnike shqiptare u ripushtuan nga mordja e kuqe komuniste përmes një bashkëpunimi që bënin Komunistët e Beogradit, Tiranës, Prishtines, dhe Moskës ku fatkeqësisht kemi edhe ripushtimin e Kosovës në vitin 1945.
Përkunder ripushtimit të Kosovës dhe viseve tjera etnike shqiptare zëri i Nacionalizmës shqiptare nuk u shua. Me shuarjen e Lidhjes se Dytë te Prizrenit por flaka e luftës kundër komunizmit vazhdoj me udhëhqjen e Luftës që bënte Kapidan Mark Gjon Marku Komandanti i përgjithshem i Forcave të Armatosura Kombëtare i përkrahur nga zvëndës Komandanti i forcave të armatosura Kombëtare Halil Alia, Kapidan Llesh Gjon Marku e Ndoc Mirakaj, e në Kosovë serish si luaj luftonin profesor Ymer Berisha,Ndue Përlleshi, Marie Shllaku, Shaban Polluzha, Mehmet Gradica, Miftar Bajraktari, Ukë Sadiku. Ahmet Selaci, Gjon Sereqi. Ajet Gerguri e shumë e shumë të tjerë.
Ndërkohë që në Maqedoninë shqiptare zjarrin e luftës e ndezën Xhemë Hasa Gostivari, Mifailat e Zajasit e në Malsi qëndronin Prenk Cali e Gjelosh Luli pa e harruar fare luftën e profesor Alush Leshanakut dhe Hamit Matjanit.Të gjithë ata historianë, studiues dhe para historianë që flasin shqip që e pranojnë dhe e arsyetojnë ripushtimin e Kosovës dhe trojeve të tjera shqiptare si çlirim në vitin 1945, nuk janë asgjë tjetër përveç se shpiuna të Beogradit. Ky ripushtim zgjati prej vitit 1945 e deri në vitin 1999 i vrau Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare 47.300 shqiptar atdhetar 95 % janë mbetur pa varre. Për çlirimin e Kosovës u vranë mbi 14.000 shqiptar gjatë viteve 1998 – 1999, prej të cilëve mbi 1.432 fëmijë. Gjatë gjithë kësaj periudhe kohore 1945-1999 shqiptarët atdhetar u masakruan, u vranë, u burgosën,u dhunuan,u dëbuan, u maltretuan dhe ju dogjën shtëpitë.
Edhe sot e kësaj dite shqiptarët në Maqedoni,Mal të Zi dhe Serbi mbetën nën pushtimin e këtyre shteteve.Dhe krejt në fund dua të them se Shoqata “Trojet e Arbrit “ qe tani ka hyrë në fazën e 20 viteve të veprimit është e vetmja Shoqatë në të gjitha trojet shqiptare e cila për njëzet vjet me radhë ka botuar 30 vepra enciklopedike per nacionalizmën shqiptare dhe është në rrugë të mirë që ta ndriçoj komplet historinë shqiptare të pandriçuar apo të përbuzur e të fshehur deri me tani nga historia komuniste. E vërteta e ka mundur gjithmonë të pavërtetën ashtu siç edhe e ka mundur drita- errësiren.
Luzern, 16 shtator 2023
Te lumte.