NGULFATJA E KOSOVËS NGA BE DHE SHBA, ME ASOCIACIONIN E STISUR!

0
Escobar - Borrel - Lajçak

IDRIZ ZEQIRAJ

BE-ja dhe ndërkombëtarët tjerë, përballë protestave të dhunshme, vandaliste e kriminale, të cilat kulmuan më 29 maj 2023, të organizuara nga Beogradi, në veriun e Kosovës, u gjunjëzuan dhe u poshtëruan keqas. Qysh në gurin e parë, në stupcin e parë, në plumbin e parë, ushtarakët e KFOR-it, Policia e EULEX-it dhe ajo e Kosovës, duhej ta bënin rrethimin e hekurtë, t`i arrestonin dhe zinxhirosnin, si qentë, jo 3-4 veta, por edhe 100 vandalistë kriminelë.

Identifikimi i tyre ishte lehtësisht i zbulueshëm, sepse më të tërbuarit në sulm, vinin nga Serbia. Kujtoni shoferin e Daçiqit, me stupcin e gjatë, i cili dajakoste ushtarakët e KFOR-it. Hetimi i tyre do të dëshmonte, se hyrja e tyre ilegale në Kosovë dhe sulmi i armatosur kundër forcave të KFOR-it, Policisë të EULEX-it, të Poolicisë të Kosovës, të gazetarëve vendorë, ishte një agresion i Serbisë kundër shtetit të Kosovës.

BE-ja ka mirëpritur vetëm me fjalë, pakësimin e policisë të Kosovës, në masën 25 % dhe disa nisma tjera de-përshkallëzuese, në 4 (katër) komunat veriore. Përndryshe, me deklarimet e fundit të zëdhënësit të BE-së, Petër Stano, demanton atë të ashtuquajtur “mirëpritje”, kur thotë se “Kosova është e paaftë, për ta realizuar mirësjelljen evropiane!”

Dhe, kjo dëshmon se Zotëria në fjalë, edhe nëse nuk e ka këtë mendësi të mykur personale, “ai flet me gojën e shefit të tij Borrell”, siç kanë konstatuar dhe deklaruar, botërisht, eurodeputetët gjermanë, anglezë dhe, të paktën, 56 eurodeputetë të tjerë, duke i penalizuar ndërmjetësuesit dhe BE-në, për sjelljen, tërësisht, të njëanshme dhe skandaloze, në raport me Kosovën viktimë dhe mbështetjen e hapur dhe të turpshme për persekutoren Serbi.

Pas dorëzimit të -Draft-statutit- për Asociacionin nga Komisioni serb, për BE-në në Bruksel, ku, veç tjerash, kërkohet autonomi territoriale dhe referendum, për serbët e Kosovës, Mirosllav Lajçak e aprovon, duke e konsideruar “si nismë të mirë për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi” dhe Josip Borrell, që sot bënë thirrje “të dënohen dhunuesit e protestave të përgjakshme të 29 majit 2023”, të nesërmen, pas arrestimit të 3-4 kriminelëve serbë, “të zënë me pelë për dore”, reagonte në adresë të qeverisë të Kosovës, se “po provokoni serbët”, gjithçka duhej të ndryshonte. Përkundër, “avazi i vjetër” vazhdoi!

Borrell dhe Lajçak duhet të përjashtoheshin, nga kryesimi i dialogut, kinse, ndërmjetësues e pajtues, dhe të penalizoheshin, si abuzues e shpërdorues të vrazhdët, të detyrës së besuar nga BE-ja, qofshin si korruptivë, ideologjikë apo sllavistë. Por, mbi të gjitha, me qëndrimet, deklarimet dhe veprimet e tyre, nxitën Serbinë fashiste, deri në përshkallëzimin e dhunës së përgjakshme, për rrjedhojë plagosjen e tej 30 ushtarakëve të KFOR-it, të policëve të Kosovës, gazetarëve dhe të qytetarëve të tjerë vendorë, në veriun e Kosovës.

BE dhe SHBA të marrin masa kundër destabilizimit të Kosovës

BE-ja, në bashkëpunim me komandën e KFOR-it dhe qeverinë e Kosovës, duke parë qëllimet e Beogradit, në koordinim me Moskën, për ndarjen dhe aneksimin e veriut të Kosovës, përmes të ashtuquajturit -Asociacion-, duhej dhe duhet të marrin këto masa, për ta pamundësuar çfarëdo destabilizimi të Kosovës apo të rajonit të Ballkanit Perëndimor:

a) Heqja nga agjenda e dialogut, të çfarëdo Asociacionit mono-etnik. Ndërkohë, trajtimi dhe të drejtat e minoriteteve, të garantohen nga BE-ja dhe SHBA, përmes monitorimit, me kuadrin që ata kanë në Kosovë. Tashmë, është provuar se Kosova ka ligje të kompletuara, në trajtimin demokratik të pakicave. Populli ynë ka vuajtur, përtej një shekulli, diskriminimin e egër të pushtuesit serbo-sllavë. Andaj, kurrë nuk do ta bëjë atë, që ka provuar në kurrizin e tij. Përkundrazi, minoritetet kanë të drejta, madje edhe privilegje, më shumë se sa çdo minoritet, jo vetëm në Ballkan, por edhe më gjerë në botë.

b) Kosova ka 365 km. linear kufi tokësor me Serbinë. E gjithë kjo hapësirë, është e pamundur të kontrollohet nga forcat e KFOR-it. Prandaj, ajo që nuk është bërë nga dita e parë e çlirimit, të bëhet, të paktën, sot. Pra, ushtria e Kosovës të vihet përgjatë gjithë kufirit me Serbinë, aktualisht, nën monitorimin e KFOR-it.

Kjo prani ushtarake në kufi, do ta parandalonte çfarëdo agresioni, si ai i 29 majit 2023, ose i përmasave më të mëdha; do t`i parandalonte protestat e pamotivuara, të paligjshme; hyrje-daljet e pakontrolluara, ilegale, sikur Kosova të ishte “Hani i Dilit” në Prishtinë apo “Hani i Perisnakës” në Skrapar. Do ta parandalonte kontrabandën me armë, drogë, cigare apo mallra të tjera.

c) Ura e Ibrit, e mbyllur me qëllime të errëta, ndarëse, duhet të hapet pa ceremoni fare, për lëvizjen e lirë të njerëzve, pavarësisht, përkatësisë nacionale. Komunietetet në hapësirat e veriut të Kosovës, nuk kanë armiqësi reciproke. Zjarrit të urrejtjes ndërnacionale, i fryejnë ata që ëndërrojnë aneksimin e asaj pjese, të bllokuar përtej dy dekadave radhazi.

d) Të larguarit me dhunë e përgjakje, shqiptarë, boshnjakë, romë, duhet të kthehen në trojet e tyre, në veriun e Kosovës, duke i ndihmuar në ndërtimin e shtëpive të tyre të djegura, nga vandalët kriminelë serbë. Për ndërtimin e shtëpive, përveç shtetit që e ka për detyrë, mund të ndihmojnë firmat dhe njerëz të tjerë vullnetmirë. E gjithë kjo duhet të monitorohet nga shteti i Kosovës.

Sanksionimi arbitrar i Kosovës, në vend të Serbisë!

Kosova, padrejtësisht dhe arbitrarisht, u sanksionua me masa ndëshkuese politike dhe ekonomike! Ndërsa Serbia “e kaloi lumin pa u lagur!” BE-ja nuk u merakos as për kidnapimin e policëve shqiptarë, nga banda zyrtare serbe, brenda territorit të Kosovës. Dhe, përveç fjalëve, nuk ndërmori asnjë masë kundër Serbisë. Pas reagimit të botës demokratike, BE-ja, ndërkombëtarët, “sa për sy e faqe”, bënë disa vërejtje, më shumë qortuese, se sa kërcënuese ndaj Serbisë!

Edhe pse qeveria e Kosovës bëri disa hapa domëthënës, për de-përshkallëzimin e situatës, BE-ja “po e konsideron se kjo nuk mjafton për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës!” Ajo prsëritë slloganin klishe se “nevojitën hapa të mëtejshëm”, pa emërtuar ndonjë syrësh. Ndërsa amerikanët ngulmojnë në bërjen e Asociacionit, duke e përsëritur mënyrën e bërjes, konformë Kushtetutës të Kosovës. Por, Escobar i referohet edhe Marrëveshjes fatale të vitit 2013, të bërë nga i shantazhuari me dosje faktike të krimeve, ndaj kundërshtarëve politikë shqiptarë, Hashim Thaçi.

Ambasadori Hovenier, fort i merakosur për Asociacionin, ngushëllon shqiptarët me garancitë, se nuk do të përseritet rasti boshnjak i fashistit Dodik. Por, nuk përmend garancinë e shpërfillur të ambasadorit Hill, për krijimin e Asociacionit të 14 komunave me shumicë serbe të Bosnje Hercegovinës dhe as pendesën e tij të madhe, pse e bëri atë, përkatësisht, “Republika Srpska” dhe pasojat fatale të kësaj krijese monstrume, e cila ka paralizuar “shtetin” boshnjak!? Emisarët vijnë e shkojnë, por tragjikja mbetet dhe atë e vuan populli, që kurrë nuk e gëzoi ëndrrën e lirisë të mirëfilltë.

Dëshpërues është fakti se ndërkombëtarët i dinë qëllimet ngulmuese të Serbisë, për Asociacionin, arritjen e autonomisë territoriale për serbët e Kosovës, me synimin final, aneksimin e veriut të Kosovës. Dhe, megjithatë e heshtin fatalitetin e pritshëm për Kosovën hallemadhe!?

Vendimi i qeverisë të Kosovës, për vendosjen e kryetarëve të zgjedhur ligjërisht, në zyrat komunale shtetërore, ka qenë imponues. Sepse, -Lista Serbe- përgaditej për pushtimin e këtyre zyrave, edhe pse vullnetarisht e qëllimshëm, me udhër të Beogradit, i kishte braktisur. Trajtimi i njëanshëm, semplist, i thjeshtë, madje i neveritshëm, i ndërkombëtarëve të veprimeve të ligjshme të qeverisë të Kosovës, ishte thikë pas shpinës për Kosovën, sepse trimëroi Listën Serbe dhe bandat e saj.

Kritika e ministrës Gërvalla, e bërë BE-së, ishte e saktë dhe parimore

Kritika e bërë, në adresë të BE-së, nga ministrja e Jashtme dhe e Diasporës, Donikë Gërvalla, në takimin ndërkombëtar në Dubrovnik, edhe pse qortues për etikën diplomatike, është i përligjur, praktikisht, sepse ajo, duke lënë hipokrizinë, për ata që u mungon parimësia e guximi, “vuri pikën mbi -i-“. Evropa, në luftën e saj për çlirim dhe mbrojtje, një herë nga fashizmi hitlerian, 80 vite më parë, dhe, më pastaj, nga komunizmi fashizoid Sovjetik rus, është ndihmuar për fitoren e lirisë dhe mbrojtjen e sovranitetit të saj. Dhe, kjo po ndodhë edhe sot.

Atëherë, pse BE-ja, SHBA, ndërkombëtarët, duan ta godasin Kosovën, me relativizimin e kufinjëve të saj, të njohur ndërkombëtarisht, duke imponuar zbatimin e marrëveshjeve, të nënshkruara, siç është -Asociacioni i komunave me shumicë serbe-, nga individë dhe grupe të shantazhuara, me dosje të krimeve të bollshme, siç ka bërë Hashim Thaçi me bandën e tij pushtetare?!

Ministri Nenad Rashiq është shembull për referim, se si duhet të mendojnë dhe veprojnë komunitetet brenda një shteti. Shqiptarët kanë qenë pjesë e shqetësimeve të tij, kur banditët serbë organizuan goditjen e djalit gjimnazist, në shenjë hakmarrje, pse Rashiq angazhohet për bashkëjetesë të harmonishme të komuniteteve në Kosovë, përfshirë serbët dhe shqiptarët.

Ministri Rashiq është deklaruar se masat sanksionuese për Kosovën, janë të padrejta dhe si të tilla duhet të hiqen. Andaj, plotësimin e çfarëdo kërkese, nga pala shqiptare, për shfuqizimin e masave sanksionuese nga BE-ja dhe të tjerë, do të ishte e tepërtë dhe hiç logjik. Përkundër, për vënien e sanksioneve Kosovës, BE-ja, me aleatët e saj, normalisht, duhet të kërkojnë falje.

Megjithatë, zoti Rashiq është praktik, kur kërkon “heqjen e ndalesës për mallrat serbe, në këmbin të shfuqizimit të masave nga BE-ja.”

Tregtia ndërmjet shteteve fqinjë, është më e levrdishme, se sa me vendet e largëta. Thjeshtë, ulë koston qarkulluese të mallrave. Shtetet, mbi bazën e interesave, mbrojtjen e prodhuesëve të brendshëm, përcaktojnë edhe përmasën e tregtisë, importimin. Dhe, ky është rregull i njohur.

Realisht, në raportin tregtar, Serbia është dukshëm më shumë përfituese dhe kjo dëshmohet me shifrat, të shprehura në miliona euro epërsi. Vërtet, ndalesat për një serë artikujsh nga Serbia, ndikojnë në ngritjen e çmimeve në Kosovë. Por, njëfarë reciprociteti ndërshtetëror, është sa i ligjshëm, aq edhe i nevojshëm.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.