IDRIZ ZEQIRAJ
Lëvizja Vetëvendosje, për ta zgjidhur ngërçin e stisur nga opozita humbëse, i bëri propozim-kërkesën për koalicion e qeverisje LDK-së. Dhe, kjo ishte e pranueshme nga anëtarësia, elektorati, populli dhe shqiptarët e botës. LDK dhe LVV kanë 68 deputetë, plus të tjerët nga pakicat, janë të mjaftueshëm për një qeverisje të qëndrueshme dhe afatgjatë. Por Lidershipi me disa anëtarë të kryesisë dhe pak deputetë, duan ta kenë edhe PDK-në brenda kësaj qeverie. Ndërsa anëtarësia, elektorati, shumësia absolute e strukturave partiake dhe e shqiptarëve, nuk duan kthimin e subjekteve të PAN-it në pushtet. Alergjia e anëtarësisë është e madhe, sepse për afro dy dekada LDK-ja është zvarritur pas PDK-së, si patericë, për t`i mbajtur në pushtet “komandantët” mujsharë, përgjakës të FARK-ut dhe të LDK-së!
Albin Kurti dhe LVV i dinë “të bëmat” e PAN-it dhe, natyrshëm, e ruajnë nga ndotja pastërtinë e partisë, por edhe të koalicionit të mundshëm. Dhe, kjo është parimore, mençuri dhe vlerë e shtuar, për një subjekt politik, që ka mbështetje të gjerë popullore dhe kombëtare. Ky është edhe një standard i ri, i vendosur nga Albin Kurtit me LVV e tij dhe aleatët në koalicion e bashkëqeverisje fisnike: Guxo dhe Alternativa. Në politikën hallakamë, të rrëmujshme dhe skajmërisht hipokrite në Kosovën tonë, kërkohet syçeltësi, për të zgjedhur partnerë të dinjitetshëm dhe pa cene morale turpëruese. Lexoni listat emërore të kandidatëve për deputetë të PAN-it, dhe të bindeni se “ndër këto troje është përzier gjithfarë ujemi”, – siç shkruan njeriu i letrave, Azem Shkreli, në romanin e mirënjohur “Karvani i Bardhë”.
“Ra ky mort e u pamë”,- thotë një urtësi e jona. Ndryshimin e shumëpritur e nismuan dhe e realizuan dy rugovistet e guximshme dhe dinjitare, Vjosë Osmani e Donikë Gërvalla, me shoqe e shokë, në koordinim me organizatën luftarake, LVV, për t`i shporrur nga pushteti disa “biçim komandantësh”, të zhytur në krime e hajni, por edhe të zbuluar si agjentë të Shërbimeve Informative të shteteve armike të Kosovës dhe të argatëve të tyre brenda LDK-së.
Lidershipi i ri, në krye me Lumir Abdixhikun u mirëprit, pavarësisht stazhit të pakët në LDK. Ndërsa “Rruga e Re” e Kryetarit, ngjalli dyshimet e para dhe, pothuaj se, u refuzua nga anëtarësia, me bindjen se e devijon, përjashton rrugën klasike rugoviane. Habitem pse Lidershipi aktual ende nuk e ka zyrtarizuar harrimin e kësaj rruge pa krye?!
Në përgjigje të letër-kërkesës të Albin Kurtit, për koalicion e bashkëqeverisje, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, dha këtë përgjigje: “Krijimi i një Qeverie Nacionale të Tranzicionit”, si zgjidhje e përkohshme, për të tejkaluar krizën aktuale politike!” Vërtet, kjo është “krizë” e stisur, hiç reale dhe krejt inatçore, nga një koalicion pas zgjedhor i paligjshëm: P (PDK), L (LDK), A (AAK), S (LISTA SERBE), pra, koalicioni pas zgjedhor -PLAS-!
NACIONALE do të thotë KOMBËTARE. Ndërkohë, LPK-ja e djeshme, PAN-i i sotëm, ka sabotuar financimin për mbijetesën e Kosovës nën pushtim; ka përçarë dhe ka penguar bashkimin e faktorit ushtarak; ka vrarë ministrin e Luftës, në vlugun e luftës: ka vrarë Ushtarakët luftëbërës dhe Veprimtarët kundërshtarë politikë, rrjedhimisht, ka sabotuar luftën! A mund të jetë PAN-i kombëtar, i cili përgjatë qeverisjes 4 vjeçare të LVV, opozita PAN, ka qenë palë me Beogradin zyrtar, rrjedhimisht, edhe me Rusinë, në kundërshtinë dhe luftimin e Albin Kurtit dhe të LVV të tij, për ta rrëzuar nga pushteti!
Arsyeja: Kurti po shtrinte sovranitetin e humbur nga qeveritë paraprake, në veriun e Kosovës, përkatësisht nga Hashim Thaçi, me dostat e tij të PAN-it, të shantazhuar nga Serbia, me dosje voluminoze penalizuese, për krime numerike, gjatë dhe pas luftës, vrasjen e kundërshtarëve politikë shqiptarë. Pra, subjektet e PAN-it nuk janë kombëtare, përkundrazi. Qysh në start, propozimi i kryetar Lumirit, nuk ka as logjikë dhe zero (o) mundësi për të qenë i pranueshëm. E një mendje me Shefin e saj, Lumirin, është nënkryetarja e parë e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, në adresimin e idesë politike “të krijimit të një qeverie tranzicionale kombëtare”, pra, duke përfshirë edhe PDK-në!
Edhe pse kjo ide ka rrjedhur nga disa emra të përveçëm të kryesisë dhe ndoca deputetë, statuti i LDK-së parashikon se koalicionet janë kompetencë të Këshillit të Përgjithshëm. Ndërkohë që ky konsultim nuk ka ndodhur! Pse? Sepse shumësia e strukturave të partisë, anëtarësia dhe elektorati, nuk do ta pranojnë PDK-në, në asnjë kombinaturë koalicionuese.
Përndryshe, është guxim i tepruar i kryetar Lumirit, me ekipin e tij simpatik, ta përsërisë koalicionin me PDK-në, duke e rehabilituar, amnistuar e falur atë, kurrë pa kërkuar falje, për krimet serike e makabre të bëra, përgjakjen e LDK-së dhe të Kosovës. Nënkryetarja Doarsë ngulmon në arsyetime hiç bindëse: “Ne nuk jemi refuzues, por jemi përfaqësues. E dimë saktësisht, se çfarë komunikimi kemi pasur me votuesit tonë”. Megjithatë, asnjë premtim nuk i është dhënë nga Lidershipi, anëtarësisë dhe elektoratit të LDK-së, se “nuk do të bëjmë koalicion me LVV”. Ndërsa dihet, është thënë e përsëritur se “kurrë më me PDK-në, sinonim i krimeve dhe të makro-hajnive zyrtare”. LDK-ja është mburrur, me të drejtë, për korrektësi e sinqeritet. Prandaj, manipulimi, në emër të anëtarësisë, elektoratit dhe popullit, është krim në vete!
Realisht, komunikimi përgjatë fushatës ka qenë kolektiv, me duartrokitje aprovuese aklamative. Populli vetëm ka dëgjuar, por në pamundësi për të debatuar. Debati ka pushuar, kur aklamacioni, votimi i hapur ka fituar qytetarinë. Me shpërbërjen e aktivave, me intrigimet e tandemit Hashimi-Isa, plus SHIK-u, ka filluar çmontimi i rugovizmit në LDK.
Përsëritja e zgjedhjeve, zakonisht, nuk janë zgjidhja më e mirë, sepse kanë edhe kosto të lartë buxhetore. Shkollat, si lokale shtetërore gratis, afria e qendrave të votimeve, pse duhen miliona shpenzime?! Keqardhje e madhe për deputetët, në veçanti, ata rishtarë, të cilët nuk kanë mëkate nga e kaluara e tyre. Dhe, apeloj se në rast të përsëritjes të zgjedhjeve, t`u besohet, serishmi, mandati. Sidoqoftë, kjo gjendje e papërgjegjshme dhe tymnajë, urojmë të marrë zgjidhjen e duhur!