8.5 C
Tirana
E premte, 24 Prill 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Pullat “bogus” dhe kuptimi i tyre në historinë filatelike shqiptare

Pullat “bogus” dhe kuptimi i tyre në historinë filatelike shqiptare

0

Besnik Fishta Besnik Fishta

Në botën e filatelisë, ku çdo pullë përfaqëson një dokument të vogël historie, ekziston një kategori e veçantë që shpesh krijon paqartësi, por edhe interes të madh. Ato jane pullat e rreme apo sikur njihen ne fjalorin filatelik, si pullat “bogus”. Në pamje të parë mund të duken si emetime të zakonshme postare, por në të vërtetë fshehin një realitet tjetër, një hapësirë ku ndërthuren politika, propaganda dhe tregu i koleksionistëve. Në rastin shqiptar, këto pulla përbëjnë një pasazh të veçantë, ku historia e trazuar e vendit reflektohet në objekte të vogla, por me domethënie të madhe.

Për të kuptuar këtë fenomen, është e domosdoshme të bëhet dallimi midis pullave të rreme (bogus) dhe pullave të falsifikuara (forgeries). Pullat e falsifikuara janë kopje të paligjshme të një pulle zyrtare ekzistuese dhe synojnë mashtrimin, qoftë për përdorim postar pa pagesë, qoftë për përfitim ekonomik nga koleksionistët. Ndërsa pullat e rreme janë diçka tjetër, ato janë krijime që nuk kanë ekzistuar kurrë si emisione zyrtare, të prodhuara pa autorizim nga ndonjë administratë postare. Ato nuk kanë vlefshmëri postare dhe nuk figurojnë në katalogët zyrtarë, por shpesh mbartin një funksion simbolik, propagandistik apo tregtar. Pikërisht kjo i bën ato interesante, jo si mjete komunikimi postar, por si dëshmi të një realiteti tjetër.

Në Shqipëri, shfaqja e pullave “bogus” lidhet ngushtë me periudha paqëndrueshmërie politike. Që në vitet e para pas shpalljes së pavarësisë (1913–1920), në një kohë kur shteti shqiptar ishte ende në konsolidim, u shfaqën prodhime të paautorizuara nga individë apo tipografi private. Në mungesë të një administrate të fortë postare, këto tentativa për të krijuar “pulla” tregojnë jo vetëm pasigurinë institucionale, por edhe përpjekjen për të imituar një funksion shtetëror.

Në vitin 1914, u krijua një set pullash “bogus”, që paraqiste imazhin e një luftëtari dhe një pamje të një qyteti, me sa duket Vlora e Shqipërisë.

Megjithatë, rasti më domethënës dhe më i njohur lidhet me pullat e ashtuquajtura te “Komitetit te Qendreses”, te prodhuara gjate dhe pas Luftes se Dyte Boterore nga qarqe politike shqiptare ne mergim Këto pulla mbajnë mbishkrime si “SHQIPNIJA – POSTA E KOMITETIT TË QINDRESËS” dhe paraqesin figura si luftëtarë me armë, shqiponjën dykrenare, flamurin kombëtar, por edhe personalitete ndërkombëtare si Roosevelt dhe Churchill, krahas figurës së Skënderbeut. Nga pikëpamja filatelike, statusi i tyre është i qartë, ato janë pulla të rreme, pasi nuk janë emetuar nga ndonjë autoritet postar i njohur, duke mos patur asnjë vlefshmëri për dërgesa postare dhe duke mos u njohur nga katalogët ndërkombëtarë si emisione zyrtare

Imazhe ne serine e luftetarve dhe simboleve te rezistences

Por reduktimi i kuptimit te tyre vetëm në këtë përkufizim do të ishte i pamjaftueshëm. Këto pulla duhet parë edhe në kontekstin e tyre historik dhe politik. Ato janë prodhime të një kohe kur mërgata shqiptare përpiqej të afirmonte ekzistencën e një alternative politike ndaj regjimit në Shqipëri. Në këtë kuptim, pulla bëhet një instrument i qellimshem, sepse përmes saj, një grup politik përpiqet të paraqitet si një autoritet me atributet e një shteti, madje edhe me një “postë” të vetën. Një shembull domethënës është ai i pullave të “postës ajrore”, qe përmban tre pulla ajrore shqiptare, të gjitha të mbishkruara “SHQIPNIJA” dhe të lidhura me temën e aviacionit dhe mbrojtjes kombëtare. Në thelb, ky emetim është një deklaratë politike, ne një përpjekje për të treguar se ky “autoritet” emetues nuk është vetëm simbolik, por aspiron të ketë funksione të plota shtetërore. Kjo e bën pullën një formë të propagandës vizuale, ku imazhi shërben për të ndërtuar një realitet të dëshiruar.

Imazhet e serise qe do sherbejne për posten ajrore

Për një vrojtues të zakonshëm, këto pulla mund të duken si kuriozitete, objekte me dizajn interesant, me figura historike dhe ngjyra tërheqëse. Pa njohuritë e duhura, ato mund të perceptohen edhe si pulla “të pranuara shqiptare”, pa u kuptuar statusi i tyre real. Pikërisht këtu qëndron edhe një nga sfidat, e cila eshte nevoja për të dalluar midis asaj që është zyrtare dhe asaj që është prodhim paralel, jo serioz filatelik. Për koleksionistin, megjithese këto pulla nuk kanë vlerë postare, por mund të kenë vlerë historike dhe dokumentare. Ato tregojnë për një moment të caktuar politik, për një përpjekje për te krijuar legjitimitet dhe për mënyrën se si filatelia mund të përdoret si mjet propagande. Në këtë kuptim, ato janë dëshmi të një realiteti, te perpjekjes per nderimin e një “histori alternative” filatelike e shkruar jo në dokumente zyrtare.

Në të njëjtën kohë, koleksionisti duhet të jetë i kujdesshëm, edhe sepse fusha e pullave bogus shpesh ndërthuret me atë të falsifikimeve (forgeries) dhe manipulimeve. Ekzistojnë raste të riprodhimeve, mbishtypjeve të rreme apo ndryshimeve artificiale që synojnë të rrisin vlerën e një objekti. Kjo e bën të domosdoshëm një nivel të caktuar njohjeje dhe, për materialet më të rëndësishme si ne fushen e filatelise, edhe nevojen per ekspertizën profesionale.

Imazhet e series: “Figurat e lirisë” (Roosevelt, Skenderbeu, Churchill)

Në një plan më të gjerë boteror, fenomeni i pullave “bogus” nuk është i izoluar për Shqipërinë. Ai është pjesë e një praktike më të gjerë ndërkombëtare, ku entitete të ndryshme, shpesh të panjohura apo të vetëshpallura, kanë përdorur filatelinë për të afirmuar ekzistencën e tyre.

Nje nga zarfat me pullat “bogus”, i cili realisht nuk ka qarkulluar

Në përfundim, pullat e rreme që lidhen me Shqipërinë përbëjnë një pasazh të veçantë në historinë filatelike dhe politike të vendit. Ato nuk janë pjesë e historisë zyrtare postare, por janë pjesë e historisë së ideve, të propagandës dhe të përpjekjeve për legjitimitet. Përmes tyre, kuptohet se edhe një objekt i vogël si pulla mund të mbajë brenda vetes tensionet e një epoke, aspiratat e një grupi dhe përpjekjen për të ndërtuar një identitet. Pra vlera e tyre nuk qëndron në funksionin postar që nuk e patën kurrë, por në historinë që tregojnë, dhe pikërisht për këtë arsye, ato mbeten një fushë interesante studimi për filatelistin dhe historianin njëkohësisht.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.