Etja për liri
e çlirim kombëtar
të bëri prijatar
e luftëtar shembullor.
Atyre që kishin ardhur nga Serbia,
për të na nënshtruar e turpëruar,
së bashku me shokë,
më 1993, u dolët pritë
në Tërnavë të Llapit,
si dikur vëllezërit Bajçinovci
e Azem Galica
te Guri i Sokolit.
Ishe i vendosur
e fjalëpak;
në çdo punë
dilje triumfues
e faqebardhë.
Edhe pse u rrite
në skamje e mjerim,
ishe bamirës;
gjithçka që kishe
e ndaje me shokë e miq.
Shpeshherë, me shaka, thoshe:
“Vetëm plumbat
i ruaj për armiq.”
Përherë i etur
për arsim e ardhmëri,
më shumë se dy dekada
me dashuri e dije
i ushqeve fëmijët.
Truallin e bëre dhuratë
për ndërtimin e shkollës
në fshatin Dyz,
ngase të pikonte zemra gjak
kur i shihje vocërrakët
të zhytur në dëborë e baltë,
duke shkuar në shkollat
e fshatrave përreth.
Të bekoftë Perëndia,
se vërtet ishe i vyeshëm
e arsimdashës.
Për shpirtin tënd të çiltër
luten fshatarët,
nxënësit,
mësuesit
dhe arsimtarët.
Gjatë qëndrimit në Shqipëri
e në Gjermani,
me fjalën tënde të ëmbël
kudo ngrite nga një shtëpi.
Kur Atdheu thirri,
u ktheve nga mërgimi
si sokol mali;
nuk kërkove poste,
as grada,
por u bëre ushtar
i rreshtave të parë.
Në çastin kur re
në altarin e lirisë,
fjala jote e fundit ishte:
“Gjaku im
iu bëftë jetë e dritë
Kosovës, Iliridës
dhe Shqipërisë!”
Ishe burrë
e mik i vërtetë;
andaj, kur shokët
për ty i kap malli,
të prirë nga Nue Oroshi,
shpesh vijnë
e të përulen te varri.
Të gjithë lutemi
për shpirtin tënd liridashës,
për virtytet e larta njerëzore,
që me gjakun tënd të derdhur
i ngrite vetes përmendore
dhe hyre në pavdekësi!
ARIF EJUPI
Gjenevë, 22 maj 2026
P.S.
Kjo nuk është vetëm poezi, por një portret i plotë i dëshmorit Jetullah Islami: arsimdashës, bamirës, mërgimtar i vyeshëm, luftëtar i dalluar dhe njeri i sakrificës.
Këto virtyte të larta morale e njerëzore bëjnë që Jetullah Islami të kujtohet me pietet e dashuri në të gjitha trevat shqiptare.
Në shenjë respekti dhe mosharrimi, në Kiel të Gjermanisë është themeluar Shoqata Kulturore “Jetullah Islami”, e cila rreth vetes tubon shqiptarë e gjermanë.











