TRUMP U RIKTHYE NË SHTËPINË E BARDHË “ME HU NË KRAHË”!

0
Donald J. Trump

IDRIZ ZEQIRAJ

Mijëra falenderime SHBA-së, Qendrave të Vendosjes dhe Evropës, përfshi botën tjetër demokratike, të cilët, thënë troç, na çliruan, duke e bërë shtetin më të ri botëror, Kosovën tonë. Të gjithë ata që thonë se “na ndihmuan”, “na mbështetën ndërkombëtarët”, dashje apo pa dashje, tregohen mosmirënjohës, ndaj të gjithë atyre shteteve, të cilët u dakorduan për dërgimin e avionëve -Apaç- të NATO-paktit, në bombardimin e Serbisë, Malit të Zi, e deri ambasadën kineze në Beograd. Kjo nuk mohon dhe as nuk cenon gjakun e dëshmorëve, mijëra viktimave, luftëtarëve dhe eksodin e dhunshëm dhe të përgjakshëm masiv. Gjenerali freng, Napoleon Bonaparti thoshte se “më shumë i urrej mosmirënjohësit, se sa tradhtarët!”

Presidenti Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë “me hu në krahë”, siç shprehet populli. Sipas tij, “Amerika nuk është lopë vetëm për ta mjelë”, deri në pakufi. “Amerikanët duhet të punojnë për vete, për mirëqenien e tyre”. Dhe, filloi vënien e tarifave të ashpra, pothuaj se, për të gjithë. Në veçanti goditi Kinën dhe Evropën. Megjithatë, Kosova ishte në kategorinë e privilegjuar, vetëm 10 %. Edhe Kosova u përcaktua për të njëjtën masë tarifore.

Presidentja Vjosë Osmani i propozoi Qeverisë ta heqë fare tarifën për SHBA, madje menjëherë, duke e bërë publik propozimin e saj. Ndërkohë, ministri i Financave, Hakuran Murati, u përgjegjë se “do ta shqyrtojmë propozimin dhe do ta mësoni vendimin tonë”.

Zëdhënësi i Presidencës, Bekim Kupina dhe këshilltarja politike, Donikë Kadaj, reaguan shpejt e thekshëm. Më vonë reagoi edhe Presidentja Vjosë, duke sqaruar dhe motivuar propozim-kërkesën në fjalë: “Donim që Kosova të ishte e parë në heqjen e tarifës ndaj SHBA-së. Sepse donim të tregonim mirënjohjen dhe miqësinë tonë të pacenuar dhe të pa lënduar për Amerikën mike”. Aq më parë sepse dashakëqijtë, të cytur nga Beogradi e Moska, vazhdojnë të trumbetojnë, kinse, thyerjen ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.

Madje bëhet edhe krahasimi habitor, si ka mundësi të favorizohet Serbia me zëro (o) tarifë, ndërsa Amerika, si aleati kryesor, ngarkohet me tarifën 10 %?! Dikur Kosova paguante tarifë të majme në tregtinë me Serbinë. Pastaj Kosova u kundër përgjegjë, deri sa në kuadrin e reciprocitetit, u shuan tarifat dy paleshe. Realisht, Serbia është përfituese në shkëmbimet tregtare në raport me Kosovën. Por edhe partneriteti me Serbinë është i leverdishëm për Kosovën, për arsye të afërsisë gjeografike dhe çmimeve të volitshme. Veç kësaj, vënia e tarifës ngritë çmimin në këmbimin e mallrave.

Sidoqoftë, i gjithë ky zhurmim i panevojshëm, vjen për mungesë të koordinimit Presidencë-Qeveri, të paktën, për çështjen në fjalë.

“Mos bërja dert”, ngatërron Presidencën me Qeverinë!

Mospajtimet Presidente-Qeveri, për çfarëdo arsye qofshin, janë shenjë e përçarjes së brendshme politike dhe, gjithësesi, dëmtojnë interesin kombëtar. Dhe, në veçanti, kur mospajtimet manifestohen për çështje të rëndësishme shtetërore, siç është rasti për të cilin flasim, pra, tarifa për Amerikën, shpëtimtaren tonë, lirinë tonë.

Realisht, më parë se refuzim, në rastin e shkëmbim akuzave, Presidencë-Qeveri, vënien apo heqjen e tarifës për SHBA, kemi të bëjmë për “mos bërje dert”, mospërfillje dhe mungesë respekti për Presidenten. Sot Kosova ka një Presidente për lakmi. Ajo është njëra nga protagonistet, e cila u bë pjesë e ndryshimit të madh, shporrjen nga pushteti të bandës PAN-iste vrasëse dhe hajnore të Kosovës. Sepse pa larguar nga politika njerëzit toksikë, nuk ka ecje përpara, ngaqë ata janë kanceri i Kosovës. Dje kanë vrarë luftëtarët e lirisë dhe kanë sabotuar luftën për çlirim. Sot duan ta vazhdojnë pushtetin e tyre kriminal, pa i vrarë fare ndërgjegjja!

Administrata amerikane, vitin e shkuar, ka deklaruar hapur, se i vetmi komunikim me Kosovën, është Presidentja Vjosë Osmani, e cila, pa mëdyshje, është aset kombëtar. Ajo po e bënë detyrën e Presidentes, më mirë si askush tjetër. Andaj, të gjitha shpifjet tjera janë sa armiqësore, aq edhe rrugaçerore. Ministri Hekuran Murati dhe shefat e tij, duhet të jenë të përgjegjshëm, të kenë mirëkuptim në arsyetimin e mençur dhe bindës të Presidentes. Dhe, ta pezullojnë tarifën 10 për qindëshe, të vënë SHBA-së.

Pas një hatërimi të mëhershëm të Presidentes Vjosë, me kryeministrin Kurti dhe zëvendës-kryeministren dhe ministren e Jashtme, Donikë Gërvalla, për përzieje kompetencash, ajo çështje është tejkaluar dhe vetëm intriguesit mund ta ri sjellin në kujtesën tonë. Koordinimi dhe bashkëpunimi i institucioneve shtetërore dhe pushtetare, është më i nevojshëm se kurrë.

Tarifa duhet parë jo si “çështje fiskale, por si aleancë strategjike”

Tarifa zëro (o) për qind me tregtinë e mallrave për Serbinë dhe 10 për qind për SHBA, e vë Kosovën në pozicion të vështirë, sepse të trajtosh Serbinë më mirë se sa Amerikën në aspektin tregtar, sigurisht se do të interpretohet si “një rrëshqitje nga prioritetet strategjike, drejt një politike të brendshme të mbyllur dhe kontradiktore”. Dhe, kjo marrë parasysh raportet e Kosovës me këto dy shtete: Serbinë armike dhe Amerikën mike.

Prandaj është imperativ, urdhëresë e kohës, që kjo çështje të trajtohet me seriozitetin e duhur, aq më parë se Presidentja e vendit e ka quajtur të turpshme, që armiqtë të jenë të privilegjuar, në raport me miqtë, duke konkretizuar rastin e Serbisë me atë të SHBA-ve.

Është thënë se tarifa e SHBA-së nuk ka ndonjë ndikim domethënës në Kosovë, pasi shkëmbimi i mallrave është i pakët. Megjithatë, ndikimi është i pashmangshëm, sepse eksportet e prodhimeve kosovare shtrenjtohen dhe kërkesa e blerjes së tyre bie. Andaj, Presidentja ka të drejtë pse kërkon pezullimin e tarifës për SHBA, gjë që mund të pritet një veprim edhe nga pala amerikane. Ndikimi është zinxhir edhe tarifa për Evropën 20 për qind, sepse ne importojmë mallra nga BE-ja, të cilat, disa syresh, i marrin nga Amerika. Prandaj, është detyrë e Qeverisë të analizojë situatën e krijuar dhe të veprojë mençurisht, ashtu siç sugjeron edhe Presidentja e vendit.

Presidentja Vjosë Osmani, nuk mohon çështjen ligjore e profesionale të Qeverisë, në vendimin e saj për tarifat. Çështjen e sheh në prizmin politik të aleancës strategjike, duke u shprehur qartazi: “Kjo s`ka të bëjë me çështje fiskale, kjo ka të bëjë me aleancën strategjike”.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.