Autore:
Elife LUZHA
Pas vrasjes makabre të Arlinda Zekajt, gjithnjë e më shumë po vërehen tendenca që kërkesa legjitime për llogaridhënie të shfrytëzohet si mjet për të goditur kundërshtarët politikë.
Nuk ka dyshim se vrasjet e grave në Kosovë kanë marrë përmasa shqetësuese, prandaj zemërimi i shoqërisë dhe kërkesa për përgjegjësi e llogaridhënie janë më se të kuptueshme. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se, për ta qetësuar zemërimin publik, me patjetër duhet të gjendet një “kokë turku”.
Më 26 shtator 2026, Qeveria e Kosovës, në kuadër të reformave në drejtësi, miratoi projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, dhe që nga ajo kohë, kritikat dhe sulmet politike ndaj Ministres së Drejtësisë janë shtuar, sikur ajo të ishte përgjegjëse për çdo veprim apo mosveprim të gjyqtarëve, prokurorëve dhe zyrtarëve policor.
Natyrisht, kjo nuk do të thotë se institucionet përkatëse duhet të përjashtohen nga përgjegjësia dhe llogaridhënia. Përkundrazi, çdo dështim institucional duhet të hetohet, çdo përgjegjësi duhet të sqarohet dhe secili që nuk i ka përmbushur detyrat e veta duhet të mbajë përgjegjësi.
Por, në asnjë rrethanë, nuk duhet të lejojmë që paragjykimet dhe interesat politike të na e mjegullojnë gjykimin, që ai të diktohet nga interesat e ditës, apo që drejtësia të shndërrohet në instrument të përplasjeve politike.
Askush nuk duhet të jetë mbi përgjegjësinë për shkak të pozitës politike apo institucionale, por askush nuk duhet as të shpallet fajtor vetëm pse është vënë në shënjestër të një fushate politike. Drejtësia duhet të jetë e paanshme: as të garantojë pandëshkueshmëri për shkak të pushtetit, as të lejojë që paragjykimet t’i zëvendësojnë provat.
Mbetemi me shpresë që drejtësia për Arlindën të vihet në vend dhe që rasti i saj të mos shndërrohet në një betejë politike, por të shërbej si thirrje e qartë për zbardhjen e së vërtetës, vënien para përgjegjësisë të fajtorëve dhe forcimin e institucioneve që e kanë për detyrë ta mbrojnë jetën dhe sigurinë e qytetarëve.











