Asociacioni me kopetenca ekzekutive është antikushtetues. Eshtë antikushtetues për ato nene që foli qartë Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Si e tillë nuk duhet të nënshkruhet kjo marrveshje me Serbinë. Kryeministri Kurti nuk duhet ta pranojë atë pa njohjen e shtetit të Kosovës! Ai nuk duhet të bëhet pre e pushtetit, por duhet të ngrihet në lartësinë e detyrës dhe t’u qëndroj premtimeve të bëra para popullit të Kosovës për mospranimin e asociacionit me kompetenca ekzekutive.
Asociacioni i nënshkruar me marrveshjen e vitit 2013 dhe atë të vitit 2015 u hodh poshtë në disa nene të tij ndaj duhen respektuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për të. Kushti i vetëm që ai mund të pranohet është vetëm njohja reciproke. Nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do jetë serioze Serbia, zoti Kurti.
Vuçiç dhe politikanët e Serbisë kanë deklaruar në vijimësi se nuk do ta njohin kurrë Kosovën si shtet të pavarur e sovran. Atëherë përse duhet bërë lëshime të njëpasnjëshme Serbisë? Mos, zoti Kurti! Pas asociacionit me kopetenca ekzekutive do kërkohet ndarja. Jo ndarjes, zoti kryeministër. Populli i Kosovës, patriotët dhe atdhetarët duhet të ngrihen në mbështetje të Kosovës dhe tërësisë teritoriale të saj.
Asociacionin ashtu siç e nënshkruan Thaçi dhe Mustafa është i papranueshëm. Opinioni i gjerë dhe reagimi popullor duhet ta detyrojnë Albinin të mos e pranojë asociacionin me bazë etnike dhe me kompetenca ekzekutive. Jo “bosnjëzimit” të Kosovës zoti kryeministër.
Planin franko-gjerman për stabilizimin e marrdhënieve me Serbinë është një ide e mirë por duhet të shihet nga ekspertët e fushës dhe të bëhen plotësime në favor të Kosovës bazuar në kushtet e vendosura nga qeveria Kurti. Plani siç është ruan statukuonë, por Kosova do të përballet në vijim me sfida të reja përballë Serbisë. Përkundër këtij presioni të madh mund të pranohej ky plan por edhe brenda tij duhej të ishte, NJOHJA. Vetëm njohja reciproke e sjellë paqen afatgjatë, Kosovë-Serbi.
Pa këtë njohje plani është i diskutueshëm dhe i disfavorshëm për Kosovën. Albini e pranoji planin në parim. Po ku janë institucionet? Edhe ky si paraardhësit e tij vendosi unin. Sindromë e vjetër ky “uni” për politikanët shqiptar! Dorëheqja e tij nuk do të ishte zgjidhja pasi në pushtet do vinin ato që e nënshkruan asociacionin dhe sot “çirren” kundra tij. Sa keq! Në vend të bashkimit të gjithë spektrit politik shfaqet ndarja dhe lufta e pamoraltë për pushtet…
Unë modestisht mendoj:
▪︎ Plani franko-gjerman duhet të diskutohet në parlament dhe të mos nënshkruhet nga Kurti pa ratifikimin prej tij.
▪︎ Të bëhet një diskutim i gjerë me partitë politike dhe shoqërinë civile dhe të merret konsideratë mendimi i tyre.
▪︎ Të merret mendimi i specialistëve dhe ekspertëve të fushës duke shtuar këtu edhe kushtet e vëna nga qeveria Kurti.
▪︎ Ti kërkohet SHBA-së dhe BE-së që planit ti shtohet pika më kryesore; Njohja reciproke.
▪︎ Asociacioni i Komunave me shumicë serbe duhet ti dërgohet sërish Gjykatës Kushtetuese, dhe me amendimin e plotësimin e saj, mund ti kalojë parlamentit për ratifikim. Në të kundërt ai është i papranueshëm.
▪︎ Vetëm pasi të diskutohen në institucione dhe merren vendime prej tyre, atëherë Kurti mund të nënshkruaj marrveshjet me Serbinë për këto dy tema të rëndësishme për Kosovën.
Në propozim franko-gjerman për normalizimin e marrdhënjeve Kosovë-Serbi, çuditërisht mungon pika për njohjen e ndërsjelltë! Kjo nuk është rastësi. Mendoj se është dora e fortë e Serbisë që të mos vendosej kjo pikë në këtë plan, ashtu siç ndikoj fuqishëm në heqjen e kësaj pike edhe nga Marrveshja e kaluar e 4 korrikut e nënshkruar në SHBA, prej tyre.
Mendoj se Kosova është përballë një sfide të madhe e cila ka rëndësi vendimtare që ndoshta mund të krahasohet edhe me Rambujen. Përballë këtyre zhvillime ka shumë pikëpyetje e dilema. Përse ky plan u diskutua dhe u miratua me shpejtësi të madhe nga Serbia dhe Parlamenti i saj? A mos është kjo një karrem i radhës i helmatosur i Serbisë?
Përse, Serbia sërish po përkëdhelet nga ndërkombëtarët? Ajo është agresore ndaj Kosovës dhe si e tillë duhet të ndëshkohet nga ato. Në vend që ti bëjnë presion Serbisë merren me Kurtin dhe vejnë nën presion Kosovën. Kjo është e papranueshme për to! Madje shumë e çuditëshme! Kosova është në një moment kritik pas ultimatumit të ndërkombëtarëve për themelimin e asiociacionit të komunave me shumicë serbe. Është në një moment të vështirë pasi duhet të marrë një vendim të rëndësishëm, një vendim që është jetik për ekzistencën e shtetit të saj.
Politikanët dhe vendimmarrësit në Kosovë nuk duhet të shënojnë autogol në portën e tyre. Deputetët e opozitës për hir të vendit duhet të bashkohen me qëndrimin e Qeverisë Kurti, të përkrahin gjashtë kushtet e saj, të shtojnë dhe të heqin të tjera, dhe së bashku të mos e pranojnë Zajednicën me kopetenca ekzekutive. Ky është karremi i helmosur i Serbisë dhe pas tij vinte ndarja.
Asociacioni me kompetenca ekzekutive nuk duhet pranuar. Duhet thënë jo, ndarjes. Ndeshja ka përfunduar me fitoren e luftës së UÇK-s, me mbështetjen e NATO-s. Bile ka shumë kohë që kjo betejë mbi njëshekullore ka përfunduar në anën e Kosovës. Konfrontimi ka qenë i gjatë, ekstremisht i përgjakshmenë në dëm të Kosovës dhe shqiptarëve, dhe me pasoja dramatike për Kosovën.
Në vitin 1999 u fitua liria, dhe më 17 shkurt 2008 u shpall Pavarësia. Kundërshtari tashmë është i mundur. Ai duke qenë shumë dinak dhe ekstremisht i pabesë, kërkon të fitojë atë që humbi në luftë. Jo vetëm kaq, por Serbia duhet të pagujë dëmshpërblimet e luftës dhe të përgjigjet sipas ligjeve ndërkombërare si humbës i luftës së fundit. Ajo nuk mund të sillet si kolonizator me Kosovën kur e ka humbur atë.
Më kot shpreson perëndimi tek Serbia. “Millosheviçi” i ri ka qenë gjithnjë konsistent në qëndrimet e tij duke theksuar se nuk do ta pranojë kurrë pavarësinë e Kosovës. Gjithnjë ai ka luajtur me dy porta, dhe po përkëdhelet e po përfiton shumë prej politikave të perëndimit. Perëndimi duhet të ushtrojnë presion mbi Serbinë që ajo të ndryshojë kushtetutën e saj dhe të njohë Kosovën. Europa duhet të tregohet së fundmi e drejtë me shqiptarët dhe të mbështesë Kosovën.
Shteti i Kosovës u formua edhe falë mbështetjes së Amerikës e NATO-s ndaj ato duhet ta mbështes fuqishëm atë në rrugëtimin e tij. Pavarësinë e Kosovës e solli UÇK-ja dhe e vulosi edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë me vendimin e saj. Ajo që po ndodh tani me miqtë tanë perëndimorë duke e vënë Kosovën përballë faktit të kryer ultimativ, “le ose merr” është e papranueshme! E përsëri unë besoj shumë në mbështetjen e shteteve më të mëdha perëndimore të BE-së, dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Falë edhe mbështetjes së tyre, Kosova do e kalojë me sukses edhe këtë sfidë të vështirë të rrugëtimit të saj.
Ibrahim Kabili
Tiranë, më 14.02.2023