STUDION TË KALUARËN, DEPËRTON NË TË TASHMEN DHE REFLEKTON PËR TË ARDHMEN

1
202
Stefanaq Pollo

VEPRA HISTORIKE E AKADEMIKUT STEFANAQ POLLO

Vepra e Prof.Stefanaq Pollos “Në gjurmë te historisë shqiptare” vellimi i parë studjon të kaluarën, depërton në të tashmen dhe reflekton për të ardhmen Vepra shtrihet jo vetëm në një hapësirë kohore të gjerë, por ka edhe një larmi më të madhe tematike ,e cila ka vlera të vërteta shkencore

Të shkruash e të botosh për historinë e një populli të lashtë, siç është populli shqiptar, nuk është aq e lehtë,sepse kërkohen njohuri të thella shkencore, aftësi gjurmimi, trajtimi e argumentimi profesional Këtë detyrë e realizoi me kohë dhe me cilësi të lartë shkencore Akademiku prof.Stefanaq Pollo. Njëra nga veprat e tij serioze në këtë fushë, është libri me titull: “Në gjurmë të historisë shqiptare), vëllimi i pare me 400 faqe botuar ne vitin 1990, nga Akademia e Shkencave – Instituti i Historisë, dhe puna teknike për përgatitjen e këtij vëllimi, është kryer nga Vj. Noti.

Prof. Stefanaq Pollo, e ka shkruar këtë vepër, kur ai ishte në kulmin e pjekurisë shkencore dhe të arritjeve të tij në fushën e historisë kur kishte njohur e përvetësuar arritjet më të mira të kësaj shkence, jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Evropë e më gjerë.

Sudimet e tij ” Mbi rilindjen Kombëtare Shqiptare (vështrim i përgjithshëm) kanë marrë vlera mbarëkombëtare, jo vetëm nga masa e madhe e atyre që e studjojnë dhe mësojnë prej saj , brenda vendit tonë, por edhe për interesimin e madh që shfaqet për atë në rajonin ballkanik dhe atë evropian.

Analizat parimore me argumente bindëse i kundërvihen qëndrimeve të ngushta, shoviniste, intolerante, antihumane dhe antidemokratike dhe që hedh poshtë mjetet që lartësojnë superioritetin etnik, nacional dhe nxisin urrejtjen ndaj të tjerëve, si ndaj shteteve ashtu edhe ndaj grupimeve të ndryshme të popullsisë.

Ky botim ka vlera të shumta, me përmbajtje të ngjeshur e trajtim të spikatur profesional, që të shton njohuritë për këtë fushë të dijes njerëzore dhe ngre më lart ndjenjën e atdhedashurisë për vendin tonë dhe popullin e stërlashtë shqiptar, në trojet e tij të sotme stërgjyshore

Në bazë të parimeve të Këshillit të Europës studimi “Historia botërore dhe qytetrimi” ku theksohet e veçanta e historisë është karakteri i saj demisional, si në hapsirë dhe në kohë. edhe vepra e prof. Stefanaq Pollos studjon të kaluarën, depërton në të tashmen dhe reflekton për të ardhmen. Në këtë ndërthurje, është dimesioni aktual i veprës historike të tij, e cila kontribon në prijen e fuqishme drejt proceseve të integrimit dhe krijimit të shoqërive demokratike,me kulturën dhe paqen, të drejtat humane, mirëkuptimeve institucionale dhe po ashtu ajo është nxitëse e vlerave demokratike, të tolerancës, të theksimit të identitetit kombëtar në jetën multietnike duke kundërshtuar paragjykimet e intolerancës të nacionalizmit ekstrem, kundër qëndrimeve të ngushta,shoviniste,antihumane dhe antidemokrati

Këto ide demokratike ilustrohen nga Prof. Stefanaq Pollo në veprën që po analizoj në faqen 329, ai thekson: ”Populli shqiptar ka pasur një fat të përbashkët për shekuj të tërë me popujt fqinjë të ballkanit. Ky fat dhe aspirata e përbashkët për të qenë të lirë e të pavarur i ka bërë ata të vëllazërohen, të vendosin lidhje bashkëpunimi ekonomik e kulturor, të ndihmojnë njëri-tjetrin. Në fillim të shek. XIX, kur shpërtheu revolucioni nacional-çlirimitar serb e më vonë ai grek e rumun, ndjenja e solidaritetit ballkanik i bëri shqiptarët të vraponin si vullentarë në ndihmë të kryengritësve.

Ata mbushën radhët e njësive luftarake, duke nxjerrë nga gjiri i tyre, siç ishte rasti me revolucionin grek dhe atë rumun, edhe komandantë të shquar. Këta vullentarë ishin jo vetëm ortodoksë, por edhe muslymanë e katolikë, gjë që ishte një dukuri e rrallë për kohën e rrethanat e që tregonte se nuk ishte thjesht bashkësia fetare ajo që i shtynte shqiptarët të merrnin pjesë vullentarisht në këto revolucione, por kryesisht aspirata për tu cliruar nga shtypja e shfrytëzimi feudal osman, për të fituar lirinë e pavarësinë, të cilën e konsideronin çështje të përbashkët të popujve të shtypur ballkanikë”

Në parathënien e veprës “Në gjurmë te historisë shqiptare” vëllimi i parë

Akademiku Prof. Kristo Frashëri dhe akademiku Prof Arben Puto vlerësojnë Prof. Stefanaq Pollon duke theksuar : “ Prof. Stefanaq Pollo është ndër përfaqësuesit më të shquar të shkencës sonë historike. Tani prof. Stefanaq Polloi paraqet publikut vëllimin e parë të botimit” “Në gjurmë te historisë shqiptare” Kjo përmbledhje është dyfish e dobishme. Së pari, Rilindja gjen aty vendin që i takon jo vetëm në kuadrin e historisë shqiptare, por edhe të asaj ballkanike. Vëllimi merr kështu edhe një theks aktual të mprehtë, si një përgjigje e kualifikuar kundrejt pasaktësive e shtrëmbërimeve të një pjese të historiografisë së huaj e sidomos të botimeve të dala nga qarqet shoviniste antishqiptare që kanë ndërmarrë kohët e fundit një fushatë denigruese për të mohuar e zhvleftësuar Rilindjen tonë Kombëtare

Së dyti, ajo ka edhe një dobi të madhe praktike sepse, duke i mbledhur në një vëllim të vetëm studimet e shpërndara në vepra ose organe të ndryshme, ato do të bëhen më të arritshme si për masën e gjerë të lexuesve, ashtu edhe për historianët që do të duan të thellohen më tej në këtë fushë të studimeve tona historike”

Duke e studjuar vëllimin e parë të veprës “”Në gjurmë të historisë shqiptare” mësojmë se Prof. Stefanaq Pollo, u është kthyer disa herë temave të rëndësishme të periudhës së Rilindjes Kombëtare, por duket qartë se ai asnjëherë nuk ka përsëritur ato që ka shkruar më parë.. Në çdo faqe të shkruar, ai ka të vargëzuara fjalë dhe shprehje të reja, të pasura me argumente, analiza dhe sinteza të reja.. Interpretimet dhe konkluzionet e tij jepen me një stil të mahnishëm, sikur lexon një poezi historike me vlera shkencore, të cilat çdo lexuesi i pasurojnë arsyetimin logjik Të gjitha këto shkrime të përbledhura në këtë vëllim kanë një vlerë shkencore për të sotmen dhe ndihmonjë çdo historian edhe për të ardhmen.

Në fillim të studimit të vëllimit të parë të veprës “Në gjurmë te historisë shqiptare” , Prof. Stefanaq Pollo e nis librin me Rilindjen Kobëtare Shqiptare, i cili , përpos se zbulon natyrën dhe stukturën e shoqërisë shqiptare, me dimesionet sociale, politike,kulturore, ekonomike e spirituale, përcakton qartë termin “ Rilindje Kombëtare Shqiptare, e cila është Lëvizja Shqiptare për çlirim kombëtar dhe që përbën një epokë të re e të shquar të historisë së popullit tonë.”

Prof. Stefanaq Pollo ka hedhur themelet e studimeve shqiptare për epokën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, duke përcaktuar dimesionet e hapësirës dhe shtrirjen kohore, dhe ai thotë : “ Ajo shtihet në disa dhjetëvjecarë : fillon në vitet 30-40 të shek. XIX dhe mbaron me Shpalljen e Pavarësisë, më 1912.Është epoka kur jo vetëm Ballkani, por edhe vendet evropiane ziejnë nga lëvizjet popullore kundër shtypësve të huaj”

Në fillim autori bën një analizë, ku shpjegon proçesin e zhvillimit me karakteristika të përbashkëta të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe “lëvizjeve të kësaj natyre të vendeve të tjera e sidomos të vendeve ballkanike, ato zhvillohen në perudhën e shthurjes së marrëdhënieve feudale dhe të lindjes e përhapjes së marrëdhënieve kapitaliste, pra në periudhën e formimit të kombit, synojnë çlirimin e vendit nga zgjedha e huaj dhe bashkimin shtetëror të krahinave me popullsi që flet të njëjtën gjuhë, zhvillimin e kësaj gjuhe dhe fiksimin e saj në letërsi, për çlirimin kombëtar.”

Duke analizuar problemin e formimit të ndërgjegjers kombëtare shqiptare gjatë shekullit XIX. autori thekson: “ Mbi bazën e faktorëve objektivë u formua edhe ndërgjegja kombëtare.Kjo ishte një etapë më e lartë, cilësisht e re, e ndërgjegjes etnike të shqiptarëve. Ajo nuk lindi mbi një truall të zbrazët Vetëdija etnike e shqiptarëve ishte formuar qysh gjatë mesjetës. Shekulli XV me luftën e madhe kundër invazionit osman, i qëndroi edhe islamizmit të pjesës më të madhe të popullit shqiptar”

Ndriçimi i epokës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, nga Prof Stefanaq Pollo, është një ndihmesë e madhe, që ne sot të kuptojmë rrënjët historike, që kanë ushqyer këtë populll, të ndodhur midis perandorive e qytetërimeve më të mëdha të kohërave: helene, romake, bizantine dhe sllave , të cilat nuk mundë ta asimilonin sespse ndërgjegja kombëtare shqiptare “ u formua mbi bazën e ndërgjegjes etnike, duke trashëguar prej saj elementët themelorë dhe i ngriti ato na një shkallë më të lartë duke i pasuruar me një përmbajtje të re më të gjërë e më të plotë, duke u shndërruar në një forcë lëvizëse themelore të Rilindjes“.

Duke analizuar përmbajtjen e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Prof Stefanaq Pollo përcakton se : “Rilindja Shqiptare përbën një lëvizje të gjithanshme kombëtare, me një përmbajtje të re ideologjike, politike, kulturore, ekonomiko-shoqërore dhe organizative. Ajo synonte të zgjidhte detyrat që i takonin revolucionit kombëtar, të çlironte vendin nga sundimtarët e huaj osmanë, të bashkonte trojet shqiptare në një shtet të vetëm e të pavarur, t’u hapte rrugën zhvillimit e përparimit ekonomiko-shoqëror, politik e kulturor të Shqipërisë.”

Autori duke analizuar epokën e Rilindjes Shqiptare , nënvizon se “Rilindja ishte e lidhur me një shkallë më të lartë të zhvillimit të kombit shqiptar, me konsolidimin e tij, që çoi në lindjen e një lëvizjeje të re nga përmbajtja dhe objektivat e saj, të nacionalizmit, që ishte një lëvizje karakteristike për historinë moderne të të gjithë popujve, e cila, si në çdo vend edhe në Shqipëri, kishte si synim të formonte shtetin kombëtar, që do të përmbushte aspiratat politike, shoqërore, ekonomike e kulturore të popullit shqiptar. Ashtu si te popujt e tjerë, edhe te shqiptarët nacionalizmi u karakterizua nga ndjenja e përbashkësisë, e komunitetit ndërmjet shqiptarëve, si pjesëtarë të të njëjtit komb. Kjo lëvizje ishte e lidhur me ndryshimet dhe me përparimet që u bënë në shek. XIX në fushën kulturore, ekonomike, ideore e politike.”

Duke analizuar gjuhën dhe kulturën materiale e shpirtërore të shqiptarëve, të formuara gjatë shekujve të parë të historisë së tyre e të konsoliduara veçanërisht në shekujt e mesjetës, autori i përcakton ato “ një faktor të rëndësishëm, që shprehte njësinë etnike të popullit shqiptar, që shtrihej në një territor kompakt, dikur më të gjerë, por tashmë i rrudhur gjatë dyndjeve të popujve në Ballkan. “

Autori evidenton se epoka e Rilindjes “solli përparime të mëdha në kulturën e shqiptarëve e në radhë të parë në zhvillimin e gjuhës shqipe, e cila ishte nyja e bashkësisë së shqiptarëve, tipari themelor i kombit shqiptar, ku i bashkonte gjithë shqiptarët, pa dallim krahine e feje.” Në proçesin e konsolidimit të shqiptarëve si komb , bashkësia shqiptare shtronte si domosdoshmëri edhe lëvrimin e mëtejshëm të gjuhës shqipe, dhe nevoja për vendosjen e një alfabeti të njëjtë , me qëllim që të zhvillohej një letërsie e gjerë artistike, e publicistike.

Në analizën e ideve të kombësisë e të sovranitetit të kombeve, Prof. Stefanaq Pollo thekson se “ Ideja e kombit ishte organikisht e lidhur me atë të atdheut. Rilindja i dha këtij përbërësi të rëndësishëm e të domosdoshëm të kombit një përmbajtje të re. Territori i banuar historikisht dhe në mënyrë të vazhdueshme prej shqiptarëve ishte atdheu i tyre, i përbashkët e i patjetërsueshëm; për çlirimin dhe paprekshmërinë e tërësisë së tij duhej të luftonin të gjithë shqiptarët”

Duke shpjeguar saktë konceptin rilindës mbi atdheun e përbashkët e të bashkuar që u kundërviheej të gjitha prirjeve të lokalizmit dhe të separatizmit patriarkal e feudal, autori thekson se : “ Atdheu u vu në qendër të mendimit politik e shoqëor të rilindësve për të ngjallur e forcuar dashurinë ndaj tij dhe lidhur me këtë për të vënë interesat e larta të tij mbi ato vetjake, krahinore apo klasore. Përhapja në masat e gjera popullore të konceptit mbi atdheun si një e të pandarë e përshpejtoi rreziku i copëtimit të tij nga ana e monarkive fqinje . Nocionet e reja të kombit, të atdheut dhe të atdhedashurisë qëndruan në bazë të idesë së madhe të lirisë, pavarësisë dhe sovranitetit kombëtar, që përbënte edhe synimin madhor të Rilindjes”

Një vëmendje të vecantë , autori, i ka kushtuar analizës së përmbajtjes së shtetit të lirë kombëtar, në të cilën evidenton qartë “ përmbajtjen politiko-shoqërore demokratike” që rilindësit i dhanë kësaj përmbajtje në përshtatje

“ me kushtet e vendit, nivelin kulturor të tij dhe me traditat demokratike popullore në organizimin shoqëror” Autori e ilustron këtë përmbajtje me veprën e S. Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhetë”, ku argumentohet në mënyrë të plotë përmbajtja politiko-shoqërore demokratike e shtetit të lirë kombëtar shqiptar.

Duke analizuar karakterin demokratik të ideologjisë së Rilindjes , autori thekson se : “ ai shprehet jo vetëm me kërkesat për përparimin e gjithanshëm të vendit, por edhe në vendosjen e lidhjeve të miqësisë me popujt e tjerë e në mënyrë të veçantë me popujt fqinjë,” Prof. Stefanaq Pollo, këtu u jep mesazhe aktuale proçeseve të integrimit ballkanik drejt familjes së madhe Europiane për të jetuar në një shoqëri multikulturore e multietnike si qytetarë demokratë.

Në vazhdim të analizës të karakterit demokratik të ideologjisë së Rilindjes, Prof. Stefanaq Pollo thekson se :“Politika shoviniste e monarkive fqinje ndaj Shqipërisë

u bë një pengesë serioze në vendosjen e këtyre lidhjeve dhe ushqeu urrejtjen kombëtare që u solli aq fatkeqësi popujve të rajonit ballkanik. Por rilindasit më të përparuar ditën të ngrihen mbi këtë armiqësi, të dallojnë qeveritë nga popujt dhe të luftojnë deri në fund për miqësinë e bashkëpunimin “ Këto ide demokratike të rilindësve janë mesazhe për të sotmen ,por edhe për të ardhmen e përbashkët të popupjve ballknik në rrugën e integrimit europian. Shpjegohet vetëm me nivelin më të lartë të saj në krahasim me atë të botës lindore. Prirjet e rilindësve për t’u lidhur me kulturën perëndimore e për ta përvetësuar atë kishin për qëllim edhe të afirmonin përkatësinë evropiane të popullit shqiptar, të cilin sundimtarët osmanë me anë të fesë dhe të gjithë politikës së tyre, përpiqeshin ta lidhnin me botën lindore islamike.

Duke analizuar Rilindjen si një lëvizje të gjerë, që tërhoqi në jetën politike të gjitha forcat shoqërore të popullit shqiptar dhe që kishte rrënjë të thella historike., prof. Stefanaq Pollo përcakton se : “ Ajo u zhvillua në truallin ku kishin shpërthyer kryengritjet popullore, të cilat nuk u ndërprenë gjatë robërisë osmane dhe që drejtoheshin kundër kësaj robërie. Në këtë kohë ishte formuar te shqiptarët ndjenja e kombësisë, e identitetit dhe e individualitetit të tyre të veçantë përballë sundimtarëve të huaj. Të gjitha kryengritjet kishin karakter çlirimtar dhe kështu mbetën prej fillimit deri në fund Këto kryengritje të shtresave të ndryshme të popullsisë ushqyen ndjenjën e bashkësisë së interesave të të gjithë shqiptarëve kundër sundimtarëve osmanë.

Autori vlerëson se Rilindja trashëgoi nga shekujt e mëparshëm një pasuri historiko-kulturore, me vlera morale e politike, të cilën e zhvilloi më tej në një rrafsh të ri, me një platformë të re ideologjike e politike. “Rilindja iu drejtua historisë duke e përdoruri këtë trashëgimi që të afirmonte të drejtën e popullit shqiptar për të jetuar i lirë e i pavarur Rilindësit duke argumentuar e përhapur tezën mbi origjinën pellazgjike ose ilire të popullit shqiptar dëshmuan me këtë se shqiptarët ishin autoktonë dhe zotër të truallit të vet, të trashëguar nga stërgjyshërit e tyre ilirë., dhe me këtë afirmuan të drejtën e popullit shqiptar për të formuar shtetin e vet kombëtar.

Prirjet e fuqishme drejt globalizimit dhe krijimit të shoqërive demokratike, me kulturën dhe paqen, të drejtat humane, kërkojnë, sic theksohet dhe ne dokumentet e këshillit të Europës , : “ pjesëmarrjen aktive të mësuesve dhe veçanërisht të mësuesve të historisë për të qenë nxitës të vlerave demokratike, të tolerancës, si dhe kundërshtarë ndaj të gjithë paragjykimeve dhe intolerancës Duke shfrytëzuar burimet historike, midis tyre edhe vepra historike e prof Stefanaq Pollos, ndihmon të bëhet një rindërtim mendor i së kaluarës, duke mos e mësuar historinë si një gjë “na ishtye dikur”, por si një histori e të sotmes dhe të nesërmes, si një “krijim”, që i kundërvihet qëndrimeve të ngushta , shoviniste, intolerante, antihumane, dhe antidemokratike dhe që hedh poshtë mjetet që lartësojnë ndjenjat e superioritetit etnik, nacional dhe nxisin urrejtjen ndaj të tjerëve, si ndaj shteteve ashtu edhe ndaj grupimeve të ndryshme të popullsisë

Duke studjuar literaturë historike nga vepra e prof. Stefanaq Pollos , mësojmë të bëjmë trajtime historike duke u ndërgjegjësuar në interpretime të ndryshme të së njëjtës ngjarje historike dhe njëkohësisht zbulon duke kryer një hetim kritik në kontekstin historik të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare të paraqitur me mjeshtëri nga autori prof. Stefanaq Pollo në veprën “Në gjurmë te historisë shqiptare” . Nëpërmjet analizave dhe konkluzioneve të Prof. Stefanaq Pollos gjejmë elemente të tjera , të krahasueshme, të cilat edhe kur ishin kontrakditore në dëshminë e tyre, vlerësohen në mënyrë kritike duke i parë përmes vështrimit të historisë nga këndvështime të ndryshme

Vepra e Prof. Stefanaq Pollos lexohet me kënaqësi sepse faktet dhe interpretimet e tij janë shkruar me një gjuhë të kuptueshme, pa ngarkesa fjalësh duke theksuar tiparin më thelbësor të koncepteve shkencore dhe libri i tij të fton që sejcili studjues të ballafaqojë mendimet, qëndrimet, bindjet e pozicionet e veta në mënyrë të lirë, duke gjykuar dhe interpretuar faktet e ngjarjet, shkaqet e pasojat.

Hartuesit e teksteve të historisë në përgjithësi kanë paraqitur në botimet e tyre dëndurinë e fakteve historike dhe ngjarjeve, duke i trajtuar qartë prirjet objektive të zhvillimit dhe progresit të shoqërisë humane. Por autorët e rinj të teksteve të historisë duhet të rrisin cilësinë e pasqyrimit të fakteve historike dhe të ndryshimit që pëson shoqëria në të gjitha aspektet e saj, në zhvillimin e jetës në kompleksitetin e vet, në të cilët faktorët politikë, eknomikë, social, shkencor, kulturor e artistik veprojnë ne bashkëveprim reciprok duke përcaktuar sensin e zhvillimit të shoqërisë.

Prof. Stefanaq Pollo kur analizonte ngjarjet historike të epokës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, kishte të projektuar kornizën mendore vetjake të interpretimit të tij dhe ne na udhëzonte : “ Kur të lexoni literaturë historike duhet të pranoni se një mosmarrveshje e dëshmisë historike , nuk do të thotë se njëri ka të drejtë dhe tjetri e ka gabim, por dy dëshmi të ndryshme vetëm zbulojnë dy anë të realitetit historik. Të punuarit me materialet burimore duhet të përforcojë aftësinë për të bërë dallimin midis faktit dhe opinionit dhe midis objektivitetit dhe subjektivitetit. Interpretimi i burimeve është po aq i ndryshëm sa është edhe përceptimi i realitetit, prandaj duhet aftësi për ta trajtuar këtë shumëllojshmëri

Fragment nga libri botuar “Frashërlliu akademik Stefanaq Pollo”

Qatip Mara

1 KOMENT

  1. Me ju lumte sa beni i nderuar Qatip Mara;risjele kete shkrim per te madhin Historian te rale -Stefanaq Pollo- qe ne bijte e Dangelise Naimjane si mbare atdhetaret e vertete,na ben krenar. Ju faleminderit nga une 87 vjecari, bir i asaj krahine me Frasherin dhe Zavalanin,qe ka nxjere atdhetare te VRTETE nga Rilindasit emedhenj tek STEFANAQ POLUA qe na la kete trashegimi te ralle si shkruani Ju; *Frashelliu akademik Stefanaq Pollo* tehsua: *STDUION te KALUAREN,DEPETON te TASHMEN dhe REFLEKTON per te ARDHMEN*!
    Ju prifte e mira Qatip i VERTETE-QATIP! Me ju 87 vjecar *Bir i*Dangelise Naimjane*Guri Naimit D-*(NXENES ne *KJASE MBRETUR). I perjetshem- emri dhe Vepra e *Frasheliut AKADEMIK-Stefanaq Pollo.
    Toronto 02-09 2023-

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.