Sy më sy me amshimin

0
Memorial of Jashari family
Dea Halimi
Dea Halimi

Dea Halimi

Në vigjilje të Festës së Flamurit, me nënën time, morëm udhë për në Vushtrri. Do të merrnim pjesë në Takimet e Poeteshave Shqiptare. Tërë kohën mendja më ikte te vizita e Memorialit në Prekaz. Do të shkonim atje të bënim homazhe dhe të shikonim eksponatet të ekspozuara në muze. Dita më e ve çantë e historisë i ngjante dritës së kuqërremtë, të derdhur nëpër tingujt e këngës “Gjaku i tij është vetë Liria”!
Këndoja dhe unë me zë të ulët.

28 Nëntori është një histori më vete. Shumë çaste, data, ngjarje në një ditë të historisë së begatë, me plot varra dhe vdekje dhe dritë të amshuar. Dita e Flamurit – 28 Nëntor 1443, me shqiponjën e zezë dykrenore në sfondin bojëgjaku, Dita e Pavarësisë së Shqipërisë, Dita e lindjes së Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe paraqitja e parë publike e UÇK-së.

28 Nëntori, një histori më vete;
Histori e skalitur për jetë e mote në zemrën e popullit shqiptar, në Krujë, në Lezhë, në Vlorë, në Prizren, në Prekaz – në mbarë Arbërinë, në të gjitha trojet etnike.

Adem - Hamzë Jashari

E deshi fati, ndër unazat e kohës, të derdhet det gjaku, e- prapë,në të gjitha pjesët e atdheut, në të gjithë damarët etnik, në të gjitha dritaret e kombit të mos pikturohet liria. E deshi fati, të mbesim vise të shkëputura, degë të prera nga trungu, por pa u pajtuar asnjëherë më këtë, pa e nënshkruar asnjëherë këtë fat. Dhe, kështu, udha e gjakut ikte ndër kohë, në vite… nga një nëntor te tjetri. Gjithnjë, deri në aktin madhështor të së Vërtetës dhe Legjendës sonë, deri në çastin që bën amshimin, kallirin e dritës, degën e lirisë në këtë pjesë të Arbërisë, deri në luftën dhe vetëflijimin me gjithë familje të Heroit, të Komandantit Legjendar, Adem Jashari.

Dhe, tash – ja, me 28 nëntor 2004, Ai prapë kthehet, ai prapë është këtu – mes nesh, në zemrën e secilit që ka lëshuar hije në Sheshin e ndritur të Skenderajt, aty ku Ai kthehet i ngritur në bronz: Burri, Heroi, Komandanti, Biri dhe Prindi, që i dha rrjedhë të re luftës atdhetare, që ia dha rrjedhë të re gjakut për liri dhe pavarësi.

Adem Jashari

Ai në të vërtet gjithnjë qe këtu; në Prekaz (ku u flijua me gjithë familjen), aty ku i pikoi gjaku, aty ku ra që të amshohet në flakën e lirisë, në Drenicë, në Llap, në Dukagjin, në Iliridë, në Luginë të Preshevës, në të gjitha viset etnike shqiptare, në gjithë Ilirinë: në zemrat e luftëtarëve të vet të lirisë, në zemrën e popullit të vet- madhështore, i kthyer në Legjendë, në Obelisk të dritës, në çdo shesh, në çdo prag, në çdo dritare shtëpi.

Ai, në të vërtetë, gjithnjë qe këtu.
Ai, në të vërtetë, gjithnjë është këtu.
Ai, në të vërtetë, gjithnjë do të jetë këtu –

Një histori më vete, një histori e skalitur me gjakun e ndritur, me gjuhën e flakës së gjallë, këtë flakë që buroi dhe buron nga secila zemër, nën flamurin me shqipen dykrenore, flamurin më të vjetër në Ballkan.
“Gjaku i Tij është vet liria”.

Shtëpia e familjes Jashari

Gjaku i Tij është drita e amshuar në ne, në Sheshin, që e mban emrin e Tij në Skenderaj, ku Ai kthehet për të gjithë brezat – i derdhur në bronz, në rojë të paqes dhe lirisë.

Ktheheshim nga kjo vizitë me plot përshtypje. Prisja të takohesha me shoqet e shokët e klasës dhe me mësuesen dhe t`iu rrëfeja për ballafaqimin tim me historinë; sy më sy me amshimin, për ballafaqimin tim me metaforën e lirisë së Kosovës, për më tepër se 100 vjet të mbetur në robëri dhe të ndarë nga trungu amë i atdheut.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.