MËSUESIT E MIRË SI FADIL HALITI MBETËN NXËNËS TË PËRJTSHËM!

0
Fadil Haliti

Gjimnazi “Aleksandër Xhuvani” i komunës së Podujevës, i njohur deri në vitin 1991, si Gjimnazi i Përgjithshëm “8 Nëntori” sivjet shënon 60-të, vjetorin e themelimit të tij.

Gjatë viteve 1961-1962, ky gjimnaz veproi si paralele e ndarë e atij “Sami Frashëri” të Prishtinës(dikur Ivo Lola Ribar)
Pas një viti me gjithë kundërshtimin dhe zhurmën e serbëve dhe malazezëve dhe indiferentizmin e disa poltronëve shqiptarë,që veten e konsideronin si jugosllavë, ky gjimnaz do të veprojë i pavarur nga ai i Prishtinës.

Kjo arritje e jashtëzakonshme ishte meritë e disa intelektualëve llapjanë, veçanërisht e zotit, Ramush Rrahim Rama, atëbotë udhëheqës i Arsimit dhe Shëndetësisë në rrethin e Llapit.

Ai me urtësi dhe mençuri u parapriu të gjitha proceseve, derisa hapja e këtij gjimnazi me rëndësi jetike për trevën e Llapit u bë realitet.
Në këtë institucion të Arsimit të Mesëm regjistrohen nxënësit e qytezës së Podujevës, dhe të fshatrave periferike, si dhe ata të viseve malore si; Shalë e Bajgores, Grykë e Mavriçit dhe Orllan.

Kriter për t’u regjistruar në këtë gjimnaz ishte përfundimi i tetëvjeçares,në ndonjërën nga shkollat fillore të Kosovës, si dhe dhënia e provimit pranues.

Sikurse në gjimnazet e tjera të Kosovës, ashtu edhe në atë të Podujevës, programet mësimore zgjatnin 4 vjet.
Në vitin akademik 1980 në emër të njëfarë reforme në Arsim, të gjitha gjimnazet në ish-Jugosllavi, shndërrohen në Qendra të Arsimit të Mesëm të Orientuar.

Ky riorganizim që njihej edhe si sistemi i Stipe Shuvarit, në kushte dhe rrethana çfarë ishte ekonomia e Kosovës, rezulton i pasuksesshëm.
Më 7 shtator të vitit 1990 në Kaçanik, ish- deputetët e Kuvendit të Kosovës, miratojnë kushtetutën, si aktin më të lartë juridik të vendit. Faktikisht nga ky moment edhe fillon vënia e themeleve të shtetësisë së Kosovës.

Serbia duke parë vendosmërinë e shqiptarëve të Kosovës, për shkëputje nga ajo, aplikon gjendje të jashtëzakonshme.

Qyshkur ndodhi suprimimi i Autonomisë së Kosovës, shqiptarët mbeten pa kurrfarë mekanizmi mbrojtës. Ata në çdo kohë bastiseshin, arrestoheshin dhe vriteshin, pa dallim moshe dhe gjinie.

Me gjithë situatën tejet komplekse organet e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Republikës së Kosovë, edhe pse të gjendura jashtë objekteve të tyre të ligjshme, në shtator të vitit 1992, marrin vendim që në mbarë vendin të bëhet rihapja e gjimnazeve të mëhershme.

Gjimnazistët e Podujevës të ndjekur më 13 dhjetor 1990, me kërbaç e tanke nga objektet e tyre shkollore, do të detyrohen që nga 3 shkurti i vitit 1992, mësimin ta vazhdojnë në shtëpitë shkolla.

Qytetarë e mësimdhënës të Llapit,do të mobilizohen dhe do të vihen seriozisht në mbrojtje të këtij mësimi, duke mos kursyer edhe jetët e tyre.

Kuptohet që kushtet e punës ishin të vështira dhe të papërshtatshme. Në dhomat e planifikuara për nevoja të familjes të shumtën e herëve ishin mbi 30 nxënës.

Armikun e pengonte edhe kjo formë organizimi. Ai qëllim kishte gjunjëzimin e shqiptarëve dhe lënien e fëmijëve të tyre jashtë çdo rrjedhe.
Personeli udhëheqës i këtij gjimnazi shpeshherë thirrej në të ashtuquajturat biseda informative, më ç’rast keqtrajtohej psikikisht dhe fizikisht, nga policia serbe.

Me gjithë stuhitë dhe agresivitetin e pandërprerë të shovinistëve serbë gjimnazi “Aleksandër Xhuvani” i Podujevë mbijeton.

Duhet theksuar që gjatë viteve nënokupim si ndër mësimdhënës, ashtu edhe ndër nxënës të këtij gjimnazi, kishte harmoni edhe unitet, si në mendime ashtu edhe në principe.

Në mbrojtje të këtij djepi të dijes që i dha qindra kudro Kosovës, duke filluar nga profesorë universitar e deri në President të vendit,më 5 maj të vitit 1999, nga policia serbe vritet Ejup Halim Shala, nga Konushevci i Podujevës.

Ejupi, përveç funksionit të drejtorit të përgjithshëm të këtij gjimnazi, vite me radhë me dashuri e profesionalizëm kreu edhe detyrën e profesorit të Gjuhës shqipe.

Ai nga armiqtë mbahej në shënjestër, ngase së bashku me kolegët e tij Avdi Gjata e Hamdi Mustafa-Lala, si mësimdhënës të këtij gjimnazi, patën organizuar daljen masive të nxënësve, të kësaj shkolle në protestat e vitit 1981.

Të tre profesorët e apostrofuar patën vuajtur dënime të rënda, me burgim në kazamatet e ish-Jugosllavisë komuniste.

Çdo përshkrim i zhvillimeve brenda gjimnazit “Aleksandër Xhuvani” të Podujevës, do të mbetej i mangët sikur të mos përmendej edhe kontributi i jashtëzakonshëm i z.Fadil Haliti, mësimdhënës i lëndës së kimisë.

Fadili lindi më 15 shkurt të vitit 1965 në Dumnicë të Poshtme të Podujevës. Ai rrjedh nga një familje atdhetare dhe arsimdashëse.
Latif Tahir Haliti,babai i Fadilit në vitin 2000, pronën e tij e fal për ndërtimin e shkollës së re në Llaushë të Podujevës.

Ai përveç këtij gjesti human si teknik ndërtimi, do të bëjë edhe punë vullnetare, deri në hapjen solemne të saj.

Fadili si pinjoll i një familjeje bamirëse dhe atdhetare arsimin e detyrueshëm e kryen në shkollën e vendlindjes “Lasgush Poradeci” të Dumnicës së Poshtme.

Paralele të kësaj shkolle deri në vitet 1992-1993, ishin edhe shkollat e fshatrave Përpellac, Dumnicë e Epërme dhe Llaushë.
Mjerisht, shkolla në Përpellac, ka mbetur pa asnjë nxënës, dhe është rrënuar tërësisht.

Sot, në këtë fshat në kufi me Serbinë, që deri në fund të viteve të 70-ta, numëronte mbi 40 shtëpi s’jeton askush.
Në fakt shkolla në Dumnicë të Poshtme në periudhën kur Fadili,ishte nxënës i saj, me pëlqimin e njëanshëm të serbëve dhe malazezëve, që ishin pakicë dhe kolonë në këtë fshat, ishte emërtuar si shkolla tetëvjeçare “Vuk Karaxhiq.”

Çdo vërejtje apo mospajtim nga ana e shqiptarëve përveç keqtrajtimit dhe burgosjes së tyre do të çonte edhe në mbylljen e saj.

Adem Xheladini- Shala mësues i Fadilit, që nga klasa e parë deri në atë të katërtë, me të vërejtur aftësitë e tij në matematikë, konstaton që bëhet fjalë për një fëmijë me shkallë të lartë të zhvillimit dhe aspiracionit.

Fadili të katër klasat e fillores do t’i përfundojë me rezultate të larta. Këtë sukses e përsërit edhe në katër klasat e tjera, me më shumë edukatorë e lëndë mësimore.

Edhe pse kanë kaluar shumë vite nga ajo kohë arsimtarët e tij si; Baki Mehmeti, Hamit Osmani, Behxhet Islami, Ramadan Maliqi, Fahri e Xhafer Shabani, etj ndihen të nderuar me punën dhe sukseset e ish-nxënësit të tyre Fadil Haliti.

Fadili i vendosur për të arritur rezultate të ngjashme në shtator të vitit 1979, mësimet do t’i vazhdojë në QAMO “8 Nëntori” të Podujevës.
Meqenëse me kohë kishte fituar shprehi pune edhe në mjedisin e ri do të jetë njëri nga nxënësit më të mirë të shkollës.

Ai mënyrat e të mësuarit intelektual dhe me kuptim do t’i përvetësojë nga arsimtari i tij i kimisë z.Selman Hoti, të cilit gjatë gjithë jetës i është mirënjohës.

Haliti i motivuar nga arsimtari Hoti, më 1 tetor të vitit 1984, do t’i fillojë studimet në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore, seksioni-Kimi.

Me punë të palodhshme dhe sistematike më 30 qershor 1988, diplomon me notën 9 (nëntë) te prof.dr.Vuksan Lekë Kalaj, mësimdhënës me përvojë të gjatë i lëndës së Kimisë organike, në Universitetin e Kosovës.

Diplomimit të Fadilit i gëzohet jo vetëm familja e tij, por e gjithë shoqëria, sepse profesorët e kimisë deri vonë në komunën e Podujevës, ishin kuadër deficitar.

Dy muaj pas diplomimit, saktësisht më 1 shtator të vitit 1988, Haliti krijon marrëdhënie pune në QAMO ”Gjuro Gjakoviq” të Podujevës.(transformuar më 1992 në gjimnaz)

Ai plot 34 vjet me shumë sukses në këtë institucion e kryen punën e mësuesit të kimisë ( Haliti i njohur në modesti preferon të quhet mësues kimie)

Puna e tij e gjatë në Arsim, karakterizohet me përjetime nga më të ndryshmet. Ai e kujton me një emocion të veçantë qershorin e vitit 1992.

Derisa me kolegët e tij; Qazim Nazif Hoxha, Mehdi Çitaku dhe Afrim Shabani, po regjistronin në shkollën fillore të fshatit Obrançë, semimaturantët e 14 shkollave tetëvjeçare të Llapit, kandidatë për të qenë nxënës të gjimnazit “Aleksandër Xhuvani” të Podujevës, arrestohen nga policia serbe.

Materialet me vulën e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Republikës së Kosovës, thotë Fadili “i patën tmerruar policë e inspektorë të dhunshëm, të stacionit të policisë në Podujevë.”

“Ata të dalë nga vetvetja nga zemërimi, që dokumentet ishin me mbishkrimin Republika e Kosovës, përveç keqtrajtimit psikik dhe fizik, na fyenin edhe në baza kombëtare.”

Haliti nga policia serbe do të arrestohet edhe më 21 qershor të vitit 1994, por tani në cilësinë e Kryetarit të LDK-së-Aktivi, Dumnicë e Poshtme.
Ai pa kurrfarë procedure paraprake gjyqësore dërgohet në burgun e Prishtinës, ku mbahet 8(tetë)ditë, nënakuzën se kinse paska rrezikuar rendin dhe qetësinë e qytetarëve të Jugosllavisë.

Këto arrestime arbitrare të shqiptarëve vërtetë ishin tragjiko-komike, sepse në këtë periudhë Jugosllavia, ishte shtet ineksistent.
Mirëpo, Serbia do të jetë ajo, që e veshur me petkun e këtij shëtiti fantazmë, do të kryejë gjenocid mbi shqiptarët e Kosovës.

Me gjithë dhunën dhe terrorin Haliti, në asnjë mënyrë nuk do të heq dorë nga puna me nxënës.

Madje, ai do ta dyfishojë punën me ta. Në mënyrë që të kompensohen orët e humbura ai organizon edhe kurse intensive nga lënda e kimisë.

Meqenëse në kohë okupimi puna në laborator ishte utopi Haliti, matjen e njohurive të nxënësve do ta bëjë nëpërmjet pyetjesh, testesh dhe zgjidhjesh të detyrave të ndryshme.

Me çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës, atij i shtohet edhe më tepër dëshira për punë dhe suksese.

Mirëpo, edhe pse kanë kaluar gati 23 vjet, nga çlirimi i vendit gjimnazi ”Aleksandër Xhuvani”i Podujevës, ende s’ është i pajisur me laborator eksperimentues të Kimisë.

Ky absurditet i llojit të vet duhet të prek në ndërgjegjen e përgjegjësve të Arsimit, të Republikës së Kosovës, të cilët asnjëherë nuk u morën me problemet bazike të shkollave tona.

Haliti, i ambientuar në kushte të rënda pune do të bëjë çmos që këtë boshllëk ta plotësojë, me hapjen e një shkollë të veçantë për studiuesit e kimisë.

Ai për të gjitha ata që pretendojnë studimet në Fakultetin e Kimisë dhe atë të Mjekësisë, ka kohë që organizon leksione private.

Kjo metodë ka dhënë rezultate të kënaqshme dhe konkrete. Sot,të gjithë ish-nxënësit e z. Haliti, studentë të Fakultetit të Mjekësisë dhe atij të Kimisë, kanë arritje të shkëlqyera, dhe janë bursistë të Universitetit të Kosovës.

Punës me rezultate të dukshme të pedagogut Fadil Haliti, i detyrohen jo vetëm organet komunale të Arsimit të Podujevës, por dhe ato të Republikës së Kosovës.

Mosnjohja e meritave atyre që dhanë gjithçka në mbrojtje të shkollës shqipe, çon në demoralizim, dhe mospërfillje të institucioneve tona, të mbrojtura me jetë e gjak.

ARIF EJUPI

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.