25.2 C
Tirana
E premte, 24 Korrik 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Erion Veliaj më ka zhgënjyer

Erion Veliaj më ka zhgënjyer

0
Rexhep Çullhaj

OPINION

nga Rexhep Çullhaj

Për këtë arsye, inkurajoj të gjithë gazetarët, avokatët, studiuesit, politikanët e rinj, profesionistët e fushave të ndryshme, pedagogët dhe mbarë qytetarët shqiptarë që, në këtë situatë që po kalon drejtësia shqiptare, të zgjedhin të vërtetën dhe jo të bëhen avokatë të së keqes. Këta janë njerëzit që e duan vendin e tyre dhe që besojnë se Shqipëria meriton më shumë. Duhet të ndalen sulmet ndaj organeve të drejtësisë. Është e çuditshme të shohësh se kur akuzohen apo arrestohen figura të majta, të djathtët thonë se drejtësia po funksionon; ndërsa kur goditen të djathtët, të majtët nxitojnë të lavdërojnë drejtësinë. Kjo logjikë e dyfishtë nuk i shërben askujt. Vota e qytetarëve nuk jepet për të vjedhur, për të abuzuar apo për të përfituar padrejtësisht. Ajo jepet për të shërbyer. Sa më shumë vota të marrë një politikan, aq më e madhe është përgjegjësia e tij. Kush mendon se vota e mbron nga llogaridhënia gabon rëndë.

Për çdo shkelje do të vijë dita e përgjegjësisë. Nuk ekziston asnjë ligj apo rregullore që i jep të drejtë një zyrtari të vjedhë, të plaçkitë apo të abuzojë me pushtetin. Po aq shqetësues janë rastet e konfliktit të interesit, ku të afërm të zyrtarëve përfitojnë tendera, projekte dhe favore të ndryshme. Kjo nuk quhet aftësi në biznes; kjo quhet korrupsion. Kur një i zgjedhur nga populli mburret me numrin e madh të votave që ka marrë, duhet të kujtojë se ato vota janë besim, jo licencë për abuzim. Besimi i qytetarëve është i shenjtë dhe kur tradhtohet, zhgënjimi shndërrohet shpejt në kundërshtim. Një përgjegjësi jo të vogël mbajnë edhe institucionet që duhet të ushtrojnë kontroll: këshillat bashkiakë, administrata, prefekturat dhe çdo organ tjetër mbikëqyrës. Shpeshherë kontrolli është zëvendësuar nga servilizmi, heshtja, interesat personale dhe frika. Pikërisht kjo klimë ka krijuar terrenin ku abuzimet kanë lulëzuar.

Mendoj gjithashtu se përvoja në administrim është një element i domosdoshëm për drejtimin e institucioneve të rëndësishme. Nuk mjafton karizma apo aftësia për të folur bukur. Përgjegjësitë publike kërkojnë përgatitje, maturi dhe eksperiencë. Kandidatët duhet të provohen dhe të vlerësohen me seriozitet përpara se t’u besohet drejtimi i qyteteve apo institucioneve kryesore. Një shprehje e njohur e Donald Trump thotë se “jeta është biznes”. Por politika nuk duhet të jetë biznes. Fatkeqësisht, gjatë këtyre dekadave tranzicioni, politika shqiptare shpesh është trajtuar si një mjet pasurimi dhe jo si një shërbim ndaj qytetarëve. Pandëshkueshmëria ka qenë një nga plagët më të mëdha të këtij vendi. Megjithatë, veprimet e fundit të drejtësisë tregojnë se askush nuk duhet të ndihet mbi ligjin. Nëse pasuritë janë krijuar përmes korrupsionit, ato duhet të konfiskohen dhe t’i kthehen interesit publik. Përndryshe, dënimi mbetet i paplotë.

Do të ishte e dobishme që mandatet e kryetarëve të bashkive të kufizoheshin në maksimum dy mandate. Qëndrimi i gjatë në pushtet shpesh sjell arrogancë, vetëkënaqësi dhe shkëputje nga realiteti. Asnjë karrige nuk është e përjetshme. Më shqetëson gjithashtu prirja për të mohuar çdo gjë të mirë që kanë bërë paraardhësit. Tirana nuk filloi me një kryetar të vetëm dhe nuk do të mbarojë me të. Ky qytet ka pasur burra dhe gra me vizion që kanë lënë gjurmë të rëndësishme në historinë e tij. Trashëgimia historike dhe kulturore nuk duhet trajtuar si pengesë, por si pasuri e përbashkët. Sot më shumë se kurrë vlerësoj ata qytetarë, intelektualë, gazetarë dhe profesionistë që mbështesin drejtësinë dhe kërkojnë llogaridhënie. Vetëm përmes së vërtetës dhe zbatimit të ligjit mund të ndërtojmë një shtet më të drejtë dhe më dinjitoz.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.