Robert d’Angély – Enigma

0
74
Robert d'Angély - Enigma

nga pellazgët te shqiptarët

Përmblodhi e përktheu:
Xhevat LLOSHI

Botimet TOENA
Tiranë 1998


PARATHËNIE

Tim eti

Së shpejti në Francë do të botohet “Gramatika e krahasuar e gjuhës shqipe” e babait tim, Robert d’ANGÉLY. Një bashkëpërkim ka sjellë që paralelisht të botohet në Shqipëri një libër i përgatitur shqip: “ENIGMA – Nga pellazgët te shqiptarët”, një përmbledhje e 5 vëllimeve të librit “L’ENIGME”, që ka dalë në Francë më 1990 e 1991. Këtë vepër të plotë, të cilën im atë pa dyshim do t’ia kishte kushtuar Shqipërisë, unë sot po ia besoj popullit shqiptar, si një ndihmesë për kërkimet e gjuhëtarëve, historianëve dhe etnologëve, që interesohen për kulturën dhe prejardhjen shqiptare.

Falënderoj zotin Xhevat LLOSHI, zotin Bashkim KUÇUKU dhe zotin Fatmir TOÇI, që e realizuan këtë punë me qëllim që vetë shqiptarët të mund ta njohin këtë vepër, e cila tashmë u përket atyre.

Më duhet ta përfundoj veprën e tij, që ishte jeta e tij, duke botuar njërin vëllim pas tjetrit…” Këto fjalë, që i kam shkruar në parathënien e pesë vëllimeve të para të veprës së tim eti “L’ENIGME” (të dala më 1990 e 1991) po i përsëris edhe sot me rastin e botimit të “Gramatikës”, e cila përbën vëllimin e 6-të dhe të 7-të të “ENIGMËS”.

Më në fund sot, tridhjetë vjet pas vdekjes së tim eti, po del “Grammaire Albanaise Comparée” (Gramatika e krahasuar e gjuhës shqipe) e tij, qëllimi kryesor i jetës së tij, me bindjen e thellë se “gjuha shqipe, ose gjuha pellazgo-etrusko-shqipe, është gjuha më e lashtë e Europës” dhe se “shqipja është paraardhëse e greqishtes së lashtë”.

Duke u nisur nga shënimet e pafund të tim eti (një pjesë e mirë e të cilave ka humbur), më del se ai kërkonte të bënte një vepër për Shqipërinë dhe gjuhën shqipe, plani i përgjithshëm i së cilës ndahej në katër pjesë. Pjesa e parë, që në thelb përfaqësohet nga pesë vëllimet e para të “ENIGMËS” do të ishte ajo, që ai vetë e ka quajtur: “Një studim dhe hulumtime historike, etnologjike, arkeologjike, gjuhësore, sociologjike etj…, ndjekur nga një shtojcë, që do të përfshinte shënime të ndryshme lidhur me tekstin e pjesëve të mëparshme”. A e ka hartuar këtë shtojcë të gatshme për botim?

Ndoshta, por megjithëse unë kam gjetur shumë shënime lidhur me këtë temë, nuk e kam gjetur tekstin e redaktuar, që do t’i përgjigjej kësaj shtojce të përfunduar. Pjesa e dytë, një “Gramatikë e shqipes”, ishte një vepër gjuhësore e shkruar frëngjisht Pjesa e tretë, një “Gramatikë e krahasuar e gjuhës shqipe, sanskritishtes, greqishtes, latinishtes dhe gjuhëve neolatine”, është po ashtu një vepër gjuhësore e shkruar frëngjisht. Por gramatika e paraqitur përfshin vetëm gjuhën shqipe dhe greqishten. Së fundi, pjesa e katërt duhej të ishte një “Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe”. Kam gjetur shumë shënime me fjalë shqipe dhe me etimologjinë e tyre, por nuk kam gjetur asnjë dorëshkrim të ndërtuar, që mund të përbënte këtë fjalor etimologjik të përfunduar.

Im atë asnjëherë nuk ka thënë: “Kam hartuar një vepër, ma botoni”. Vetëm shumë kohë pas vdekjes së tij dhe pasi e kisha zbuluar Shqipërinë, unë rastësisht shfletova dorëshkrimet e tij, kur isha me pushime. Kjo për mua qe një tronditje dhe një zbulim për një varg çështjesh lidhur me Shqipërinë dhe gjuhën shqipe.

Në shkrimet e veta, im atë nderimin më të madh ia bën Konstandin Kristoforidhit. Ai shkruan se ka ndjekur hap pas hapi veprën e tij, të cilën e quan “vepër e madhe për gjithë filologët që interesohen për shqipen”, që mban titullin: “Gramatika e gjuhës shqipe në dialektin toskë”, të botuar më 1882 në Stamboll.

Botimi i gramatikës së krahasuar është një transkriptim besnik i dorëshkrimit, të cilin e kam respektuar tërësisht dhe të cilit nuk i kam bërë asnjë ndryshim. Ky libër u paraqitet shqiptarëve dhe gjithë atyre, që interesohen për gjuhën shqipe, për të gjetur lëndë që të rrahin kërkimet për prejardhjen e gjuhës shqipe.

Duke mos qenë specialiste, nuk më lejohet të jap asnjë gjykim ose të bëj ndonjë kritikë rreth përmbajtjes së kësaj gramatike. Megjithatë do të dëshiroja të citoja, ndërmjet vërejtjeve nga vetë pena e tim eti, diçka lidhur me përdorimin e alfabetit të tij për shqipen.

Ja se çfarë thotë ai: “Shqiptarët në Kongresin e Manastirit në korrik 1908 vendosën të zbatojnë alfabetin latin. Kjo zgjedhje nga pikëpamja e praktikës nuk paraqiste përparësi kundrejt alfabetit që tashmë kishte qenë në përdorim dhe i cili, për hir të tridhjetë e gjashtë shkronjave të thjeshta, i përgjigjej me përsosuri gjithë shumësisë ose pasurisë së tingujve që ka gjuha shqipe. Përkundrazi, alfabeti latin me njëzet e katër shkronjat e tij gjithsej i ka detyruar shqiptarët sot të përdorin bashkimin e dy shkronjave, bashkime që jo gjithnjë janë të goditura, sepse ndodh që nuk i përgjigjen mirë shqiptimit që duhet arritur. Për këtë arsye ne kemi zbatuar një kombinim të shpikur prej nesh, që është me një konceptim më gjuhësor dhe që ka marrë para sysh gjithë mospërputhjet me shqiptimin dhe i ka zgjidhur… me një përdorim më të arsyeshëm të alfabetit latin”.

Veç kësaj, pasi i përshkova shënimet e tim eti, vura re se ai kishte cituar, rikopjuar, komentuar, diskutuar shumë autorë albanologë, gjuhëtarë, historianë. Dhe m’u duk e nevojshme që njëkohësisht me gramatikën origjinale të tim eti, të përfshija gjithashtu citimet, ilustrimet, fotografitë etj., të albanologëve dhe shkencëtarëve shqiptarë.

Por kush ka qenë im atë?

Im atë lindi në Paris më 22 dhjetor 1893 dhe vdiq në Paris më 22 tetor 1966. Ishte biri i një inxhinieri francez, që punonte në shërbim të Perandorisë Osmane si inxhinier për rrugët dhe urat. Ai fliste shumë pak për veten dhe jetën e tij.

Ai ka qenë një dijetar i madh, që jetonte në një univers librash, kureshtar për gjithçka, që interesohej për gjithçka, gjithnjë i gatshëm për të lexuar, për të shkruar ose për të nxjerrë shënime. Por pasioni i tij i veçantë ishte pasioni për gjuhën shqipe dhe ai ishte gjithmonë i gatshëm për të diskutuar një fjalë ose etimologjinë e një fjale.

Ai ishte shumë i rreptë, i pëlqente puna e bërë mirë, ishte kërkues ndaj të tjerëve ashtu si dhe ndaj vetes. Nuk e pranonte mediokritetin, punën shkel e shko, njohjen e keqe të gjuhëve, fjalën e gjymtuar, duke kërkuar gjithmonë përsosurinë. E shquanin një vullnet i madh, një këmbëngulje e madhe dhe një durim i madh, cilësi të cilat e bënë që, pasi humbi dokumentet e veta, shkrimet, librat, elementët bazë të punës së vet, të kishte më pas kurajën që të rifillonte ta shkruante gjithë veprën e vet.

Im atë ishte njeri i hapur, besnik, i drejtë, integral, asnjëherë lajkatar, thoshte kurdoherë atë që mendonte, qoftë dhe kur kjo mund të kthehej kundër tij. Me gjithë dukjen serioze, ai në jetën private ishte njeri shumë i ndjeshëm, gazmor, me një gëzim të vërtetë për të jetuar. I pëlqenin udhëtimet, sidomos kur i lejonin të përdorte kompetencën e tij gjuhësore. Prandaj ka bërë si përkthyes udhëtime në anijet e mëdha të udhëtarëve “Champlain” të Kompanisë së Përgjithshme Transatlantike dhe në “Georgic” të Cunard White Starline, që lundronin ndërmjet Francës, Anglisë, Shteteve të Bashkuara dhe ishujve Bermude.

Kur unë isha fëmijë, babai më merrte gjithandej. Qëllimi i shëtitjeve të tij ishin pothuaj kurdoherë libraritë në Odeon, në bulevardin Saint-Michel, në Quai Saint-Michel dhe bukinistët përgjatë gjithë Senës. Ai qëndronte atje më këmbë me orë të tëra duke lexuar.

Por pjesën më të madhe të kohës e kalonte në bibliotekë, sidomos në Bibliotekën Kombëtare, ku ka kaluar një pjesë të madhe të kohës. E adhuronte kinemanë, ku më ka çuar shpesh për të parë shumë filma… Nga pikëpamja fetare im atë njihte me përsosuri fetë katolike, protestante, ortodokse dhe myslimane. Me të unë kam hyrë në shumë kisha të Parisit të këtyre besimeve.

Më kujtohet kur këndonte tekste liturgjike greke në kishat ortodokse të Parisit si Katedralja ortodokse në rrugën Georges Bizet apo kur i lexonte këto tekste në kishën Saint-Julien-le Pauvre, një kishë e kultit grek katolik të ritit bizantin. I pëlqente të fliste për xhamitë e famshme të Stambollit, si Xhamia Blu, bazilika e lashtë e Shën Sofisë, që u bë më vonë xhami, ose dhe xhamia e mrekullueshme Sulejmanie, e ndërtuar nga arkitekti i famshëm osman Sinani…

Më 1924 im atë u martua me nënën time, një shqiptare nga Përmeti, e bija e doktorit Josif Bënja, i cili kishte qenë në Delegacionin shqiptar në Konferencën e Londrës në korrik 1913 për caktimin e kufijve të Shqipërisë. Nëna ime ishte një grua e gëzuar dhe me kurajë, që mua më shëmbëllente forcën dhe magjepsjen e gruas shqiptare.

Për shkak se i ati lëvizte vazhdimisht nga profesioni, im atë ka përshkuar gjatë fëmijërisë dhe rinisë së tij, së bashku me prindërit Turqinë, Greqinë, Shqipërinë, një pjesë të Rusisë, dhe çdo verë vinte në Francë. Ai e njihte shumë mirë jugun e Shqipërisë, në veçanti krahinën e Përmetit, të Dangëllisë, të Frashërit dhe gjithë Epirin. Ai i njihte zakonet, ritet, këngët popullore, jetën e përditshme të këtij populli të varfër dhe krenarinë e tij legjendare.

Lidhur me arsimin e tij, im atë bëri studimet klasike për greqishten dhe turqishten në Shkollën e Madhe Kombëtare Greke të Fanarit në Stamboll. Ka studiuar në kolegjin frëng Saint-Benoît në Stamboll për latinishten, greqishten, dhe filozofinë. Ka studiuar në fakultetin e filologjisë të Universitetin të Athinës, ku i lindi pasioni për greqishten e vjetër dhe autorët klasikë. Së fundi, u bë bakalaur në drejtësi pranë fakultetit të drejtësisë në Universitetin e Parisit. Më vonë, tërësia e dijeve të tij i bëri të mundur që të merrte pa provime Shkollën Kombëtare të Gjuhëve Lindore në Paris, të cilën e kishte ndjekur vazhdimisht, ku me vendim të ministrisë për dy vjet ka qenë i ngarkuar me kursin e shqipes dhe pastaj për tre vjet kishte vendin e mësuesit të shqipes.

Solange d’ANGELY” video në Facebook:
https://www.facebook.com/UsaAlbanianSocietyNY/videos/1031130917929840

Nga viti 1923 e deri më 1927 ka qenë mësues i shqipes pranë Mario Rokut (Mario Roques), pedagog i rumanishtes në “LANGUES’O” dhe pionier i kërkimeve gjuhësore frënge për albanologjinë. Ky kurs i shqipes financohej nga një dhurim i Mithat Frashërit, i familjes së madhe të luftëtarëve për pavarësinë e Shqipërisë. Më 1928 mori gjithashtu diplomën e turqishtes të Shkollës së Gjuhëve të Lindjes. Më pas u bë profesor i frëngjishtes në licetë turke (Liceu Hajrieh në Fatih) në Stamboll dhe profesor i gjuhëve të huaja (greqishtes, anglishtes, italishtes, gjermanishtes etj.) në shkollat private të Parisit (Shoqata Filoteknike e Parisit, Shoqata Politeknike e Parisit etj.).

Kjo prirje e përqendruar kryesisht në studimin e popujve të lashtë të pellgut mesdhetar dhe të Ballkanit do të shprehej në hartimin e dorëshkrimit të “ENIGMËS”. Kjo vepër i ka kushtuar gjithë jetën. Ai nuk mundi ta realizonte ëndrrën e vet, që ta botonte veprën dhe kur vdiq la dorëshkrimin, i cili mbeti i fjetur në heshtje të thellë për tridhjetë vjet.

Nga bibliografia e gjerë që gjendet në shënimet e tim eti, shumë nga referimet ende kanë fletëporositë e bibliotekave të ndryshme, ku i ka marrë për t’i konsultuar. Këto referime lidhen jo vetëm me gramatikën, por edhe me pesë vëllimet e “ENIGMËS” dhe janë kaq të shumta, sa nuk ka qenë e mundur të përfshiheshin të gjitha në bibliografinë në fund të botimit. Megjithatë është me interes të vërehet, se ndërmjet bibliografisë rreth 90 referime kanë ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë me Shqipërinë ose me gjuhën shqipe.

Më kujtohen gjithnjë disa nga librat midis librave të parapëlqyer, që kishin lidhje me Shqipërinë. Të tillë kanë qenë librat e F. Pukëvilit (Poucqueville, konsull francez pranë vezirit shqiptar Ali Pashë Tepelena, për Shqipërinë dhe Greqinë; libri i fratit jezuit Dyponse (Duponcet) “Historia e Skënderbeut, mbretit të Shqipërisë”; librat e Ronsard dhe të Lamartine; librat e H. Hekarit (Hecquard) dhe A. Degrandit, konsull i Francës në Shkodër me kujtimet e tyre për Shqipërinë e Epërme; ata të mareshalit Marmont, të E. Legrandit, të udhëtarit G. L. Jaray; dhe mbi të gjitha studimi i Mario Roques për “Fjalorin e shqipes” të vitit 1635 (“Dictionarium Latino-epiroticum” të Frang Bardhit).

Ai e përjetonte të sotmen dhe të shkuarën e Shqipërisë, kulturën e saj të vjetër, rrënjët që te pellazgët, këta “të bardhë primitivë”, që nga lashtësia deri te gegët e toskët e sotëm. Ai ishte i bindur për lashtësinë e gjuhës shqipe, siç e dëshmonte peshkopi frëng G. Adae, që më 1332, i cili ndër të tjera ka thënë: “Dhe unë e di se sado që shqiptarët kanë një gjuhë krejt të ndryshme nga latinishtja, prapëseprapë ata kanë në përdorim dhe në të gjithë librat e tyre shkronjën latine”.

Kohët e fundit kam pasur rastin të vizitoj me emocione qendrën e lashtë të Kaminia-Polióhni në ishullin e Lemnosit të Greqisë, ku është gjetur mbishkrimi pellazgjik, që është komentuar gjatë nga im atë në vëllimin V të “ENIGMËS”. Në këtë peizazh të rrënojave pellazge buzë Detit Egje unë ripashë tim atë dhe mbishkrimet e lashta dhe sërish e ndjeva se ishte detyra ime që të botoja synimin thelbësor të jetës së tij.

Shpresoj se kjo vepër, të cilën, siç e thashë, im atë me siguri do t’ia kishte kushtuar Shqipërisë, do të japë ndihmesë për hulumtimet e albanologëve dhe të gjuhëtarëve shqiptarë, që do të përpiqen për t’u dhënë përgjigje pyetjeve të shumta rreth lindjes e formimit të gjuhës shqipe.

Gjatë gjithë kësaj pune të pasionuar e kam ndier veten shumë afër tij.
Që atje ku është im atë, të cilin e kam dashur aq shumë, duhet të jetë i lumtur, që do ta shihte të botuar fundin e “ENIGMËS”.

Me nderim për kujtimin e tij

Solange d’ANGELY”
Tetor 1998

[ Shkarko librin në PDF ]

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.