SHTRATI

0
365
Mehmetali Rexhepi

Meti Rexhepi

vetëm tek ti lajthitesha se më falet qetësia
më shlyhen borxhet e ditës
kundërmimin e saj e ndjenë nënkresa
lukthi mezi bluan të ngrënat e tepërta
mëlmesa e mërisë mëtimet lakmitare
hedhur si një rëndomëni e paarritshme
dita e rrokulliste shtjellën mbi ty
e përciptë ose me më të thellat hulli
diç kishte mbjellë porse çfarë vole ti
universi i ndërdymes në një sirtarë të tavolinës
kishte shënuar caqet tua të fshehura
dhe t`i diktonte në inserte aq të dendura
në të gjitha notat e ndjenjave
pa shkrola në letrën e bardhë
kujtesa harrestare të gjitha ngjyrat e papara i ngjallë
e shfaq një ylber mandej ylberit
në të verdhën e tij një kokë brisk gjarpri i shkëlqen
u fute në kurth e pa shteg diellor nuk ia del
drama e makthit të hedh në shtjellë djersësh të tretjes
kulmimi i saj bie mbi ty këputen insertet
hap sytë dhe shtrati ishte i tharë
gjaku nuk u mpiks ende nuk të lagë
po si ç`e do tavanin dhe kulmin që të bie
Qyteti i Bardhë t`i paragjykon udhët e qefinit
trokasin shirat e vjeshtës në qeramidhe ullukët oshtijnë
ndoshta reshjet e dendura e flladisin makthin
makthin e kuq makthin e zi mbi anatomi

*
mes gjarpërinjsh që hidhnin pështymën helmatisëse
shthurja e dramës i mbante ison paqes lajthitëse
ç`të bënte lukthi për tretjen e ngrënies
syve të gjumit u ikte kujtesa
ajo teshë zhveshura
intimja e fshehjes së teshave të brendshme
harrestarja që i kthente veshjet me lloj-lloj modelesh pashije
ashtu si kishte kalkuluar ndërgjegjja
ndoshta mllefi me elementë gjarpërorë mëtoi të ngjyente
krahasueshëm në të njëjtën gjellë
dhe të villte kafshatën e helmatisur mu në surrat të atij kanibali mjekër zdrale
por nuk bëri asgjë se kokë-urtës i ishte zbehur trazira
qetësinë e shtratit qetësinë pa borxhe e trazuaka
kambanorja e natës ortodokse

*
shtrati t`i mbledhka eshtrat bredharak kruspull nën një mbulesë
me urithët e mendjes e iriqët në nënkresë

*
popi shpif alarme shurdhuese në kishë e
ende nuk pushuaka kambanorja e natës ortodokse

Gjilan, fund tetori 2022

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.