Artan Lleshi Gjomarkaj

0
161
Kapidan Ndue Gjon Marku

Dedikim familjar kushtuar Kapidanit të Mirditës Ndue Gjon Marku në 109 vjetorin e datëlindjes!.

Kapidan!
Ka dit që e pres këtë datë!.Vitet lindin përvjet, por burrat rrallë!
Hana e Mirditës, çdo vjeshtë sheh veten në atë prehën liqen të Fush Lugjës e shkon gjurmëve tua , drejt e tej detit, mëngjeset e Mirditës ngarkojn në konop të krojeve kujtimet e Breshtës se Oroshit , pasdite , kur asht moti , Gjurma e Shën Llezhdrit zbret prej shkëmbi e fshehtaz, pa e ditun ata , ngjitet nën hap të Abatëve, thëllazat rrotullojn me sqep minutat e ores së dashnisë varun në qiell, por Akrepat e Ores së Mirditës qankën të randë, thue sa shpata e kryezotit Gjergj ndaj kjo Orë na u ndryshk në zemer tu i pritun ardhjen e Moteve ma të lira.

Kapidan!
Kosova ka dy dit u përgjak e në at’ lum lotësh tregtarët vunë digën e dritës verbuese, kan frikë edhe varkat me varkue prej qenve të ujit, Shqipnia u prrall me fat të saj, herë mbas here.

Kapidan!
Oroshi yt u zbraz, varret u mbushën përpos vllaznive tê tu Mark e Llesh, të njatëve tue kushrinj Nikolles se Preng Lleshit e Kolës së Ndue Gjonit, të gjithë mirë e keq, e kan nga nji varr.Të gjallët ranë në fushë me korrë përnat hijet e randa të maleve tona, rinia mësoj gjuhë e zanat mërgimi, ktu ka mbet Konvikti i Oroshit strukun përnan hije të arrës që mbiu veti, mbulue prej ferrës së paditunis.

Kapidan!
Po të shkruej gegnisht sepse as greqisht e as turqisht s’mu dha me mësue e jam krejt krenar për kaq gjuhë sa ti i miri e i dituni dashte .

Kapidan!
Libri i mikut tand të dashtun Mustafa Kruja sapo më mbërriti , do ta lexoj para ardhjes se datlindjes së dashamirit tand të rrallë Ernest Koliqi , po ashtu librat e të rrallit oroshas-abat Zef Oroshi ua kam dhurue të gjith atyne që kurr se besuen se ju ishit bashkëluftëtar. Alush Lleshanakut, Ndoc Mirakës, Ndue Përlleshit, Zef Përnocës, Xhafer Devës, Kolë Bib Mirakës, Gjon Gjinajt, viganëve tuej miq të rrallë bashkëluftëtar të tu për Shqipni të Lirë e deri tek gjaku i freskët i martirëve të Kombit bajn ZA historisë së pushtueme prej rodit komunist, ndaj datën tande të lindjes desha ta kujtoj në nder e lavdi të Trojeve të Mirditës jo vetëm si nji datë gëzimi për Derën e Parë por si nji dhuratë prej vetë Shën Llezhdrit e kujtesë për Mirditën tuj kujtue se bab e bij kapidana u shplakuen prej lufte e mërgimi tu i mbetun gur të artë të themelit të Mirditës.

Përnjimend, burrat e dheut lindin rrallë!
Ti u linde nē Orosh më 29 shtator 1914, u formove ndër bangat më të dëgjueme të Kolegjit Saverian në Shkodër e kaq dije nuk të mjaftoj pa lan gjurmë formimi të rrallë ndër Universitet e Vienës dhe Firences pa heq dore kurrën e kurrës nga dashnia për Mirditën dhe Oroshin.

Së gjalli, sot për sot në Mirditë e në mbarë Shqipnin e trazueme, askush nuk e ka fatin të jet fëmija i nji patrioti kaq të rralle veçse bija jote Bardha e në radhë tuejt rrathë gjaku midis të cillëve renditem edhe unë. Jepna o Zot fuqinë njerzore ti ngjajmë sadopak virtytit tand. Jepna o Zot edhe ne sadopak vullnet nga vullneti yt i artë e jepi Zot Mirditës fatin ta përkund nji vigan si Kapidan Ndue Gjon Marku sepse vetëm nji dorë e tillë i lëviz si duhen Akrepat e Randë të Orës së Mirditës.

Lumnofsh. Lisi me gjith rranjë i fjalës “Mirditë”.

Mirditë, 29 shtator 2023!

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.