Emigrimi Kosovar

0
586
Kuvendi i Kosovës - iftar

Besim Prishtina

Për emigrimin e disa qytetarëve të Kosovës, lexojmë shumë artikuj që trajtojnë dukurinë e kërkimit të një jete më të mirë. Mediat vijnë në konkludime të ndryshme, pa asnjë fakt, pa asnjë analizë, pa i pyetur asgjë personat që kërkojnë atë jetë më të mirë jashtë Kosovës.

Pyetja më e thjeshtë për një person që dëshiron të emigroj jashtë Kosovës do të ishte: “Pse shkon jashtë Kosovës?”

Përgjigjjet do të jenë nga më të ndryshmet, me arësye të ndryshme; disa do të jenë të sinqerta, disa jo.

Zvicra, Gjermania, Franca,Britania, Amerika, janë shtete më të zhvilluara , dhe shumë Kosovarë dëshirojnë të jetojnë në këto shtete, sepse duan të kenë çasje në standardet e këtyre shteteve.

Në vitet 2016-2019 funksionoi parlamenti mospërfillës ndaj sygjerimeve dhe këshillave Amerikane (ndihma e të cilit shtet është jetike për ekzistencën e Kosovës si shtet me Shqiptar), dhe i kishin të gjitha shenjat dhe përpjekjet e përjashtimit të prezencës ushtarake Amerikane në Kosovë.

Marrëdhenjet me Amerikën janë jetike për Kosovën, ndërsa largimi eventual i ushtrisë Amerikane do të rezultonte në fillimin e menjëhershëm të luftës së Sërbisë dhe Rusisë kundër Kosovës.
Natyrisht njerëzit i kanë kalkulimet e tyre të sakta: Kosova do të ri-okupohej dhe masakrohej me vrazhdësi shumë më të madhe se në vitet 1998-1999. Kjo mënyre e funkcionimi i parlamentit shkaktonte shpërngulje për shkak të pasigurisë.

Ndikim negativ në popullatë kanë edhe administratat komunale që po zhvillojnë një qeverisje jashtzakonisht primitive, e sidomos ajo e Prishtinës, e cila në vitet 2013-2021, të vetmin përmirësim e ka bërë me instalimin e barrierave për ndalimin e parkimit të automjeteve në trotoaret e 3-4 rrugëve të Prishtinës, dhe themeloi një gjelltore publike për qerdhet publike.

Rreziku jetësor dhe kaosi në trafik është një arsye për ikje nga Prishtina dhe qytetet tjera. Qeverisja e re e vitit 2021 në Prishtinë ende nuk është aktivizuar me tërë forcën e saj dhe mbetet për tu vlerësuar pas 12 muajve të parë te qeversisjes.

Promovuesit të mëdhenj të emigrimit janë mediat e korruptuara, që shkruajnë apo emitojnë “ekskluzivisht” lajme dhe analiza negative. Këto media heshtin dhe nuk kritikojnë vetëm kur nënshkruajnë kontrata për reklamim, me kompanitë publike.

Një arsye tjetër e madhe e emigrimit rrjedh nga mosregjistrimi i mbi 350 mijë punëtorëve të cilët punojnë në mënyrë ilegale, që ua humb dinjitetin dhe benefitet që mund të kenë sikur të ishin të regjistruar dhe të ishin taksapagues të rregullt të shtetit.

Arsye tjetër për emigrim është e vetëquajtura shoqëri civile, apo OJQ-të, të cilat për për 23 vite kanë vetëm një strategji në analizat dhe anketat e tyre: të vërtetojnë se në Kosovë është keq, katastrofë! OJQ-të paguhen për këto analiza negative dhe jo-reale.

Mos-privatizimi i PTK-së me 3200 punëtor të punësuar në baza te fuqisë politike , e bëjnë këtë kompani gjenerator të keqpërdorimeve financiare. Njësoj është edhe në RTK, e cila ka 1200 punëtor, e realisht nuk ka nevojë për më shumë se 100-120 punëtor. Këto dy kompani publike i dëmtojnë kompanite e ngajshme private.

Rritja enorme e universiteteve shtetërore dëmton cilësinë në studimet në universitetet publike, dhe dëmton universitetet private, e si rezultat shumë të rinjë studiojnë jasht Kosovës.

Janë ndërtuar dhjetëra shkolla fillore në vendbanime të vogla me kapacitete prej 500-800 nxënës, por asnjëra s’ka më shumë se 50 nxënës, dhe kështu motivojnë emigrimin, sepse shkollat me 10-20-30 nxënësa nuk janë cilësore.

Disa shkaqe të tjera të emigrimit janë:

Qështje shëndetësore, sepse Kosova nuk ka sistem të mirë shëndetësor si shtetet e lartpërmendura.

Menagjimi i dobët financiar në familje duke participuar në 10-20 dasma për vit, bixhozi nëpër kasino, bastoret, probleme familijare apo pronësore, diktatura prindërore, hakmarrja, ëndrra të bëhesh Rita Ora, Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Ferid Murad, Dua Lipa, Bebe Rexha, Eliza Dushku… ëndrra te bëhesh hajn në Madrid, ose diller i drogës në Hamburg, ëndrra të bëhesh astronaut si shqiptaro-amerikani William Gregory, dhe shumë ëndrra e mundësi të tjera që ofrojnë shtetet më të zhvilluara se Kosova.

Prandaj nuk duhet t’i fajësojmë për ëndrrat dhe planet e tyre, por duhet t’iu dëshirojmë fat në realizimin e ëndrrave të mira. Çdo ditë në mediat tona flitet në superlativ për sukseset e Shqiptarëve jashtë Kosovës duke u krenuar me arritjet e tyre, që frymëzojnë shumë të rinj për të dëshiruar të arrijnë suksese të ngjajshme.

Dy milion Kosovar në Kosovë dhe 1.3 milion jashtë Kosovës janë popullatë unike, që kanë marrëdhënje fqinjësore, shoqërore, e familiare, të cilat ndikojnë që shumë qytetarë të ndërrojnë vendbanimin duke shkuar jasht Kosove, ose duke ardhë në Kosovë, si rezultat i raporteve fqinjesore, familijare apo martesore.

Në Zvicër secili qytet me mbi 100 mije banore, i ka së paku 10 mijë Shqiptar.

Banori i secilit fshat të Kosovës, kur të emigrojë ne Zvicër, do të ketë mundësi të takohet, komunikoj dhe bashkëjetoj me më shumë Shqiptarë se në Kosovë.

Rrjedhimisht ai emigrues nga fshati do të ngritet intelektualisht dhe kombëtarisht në nivel më të lartë në Zvicër, se në Kosovë.

Të gjithë futbollistët e ekipit shtetror të Kosovës vijnë nga diaspora. Shumë parlamentar dhe qeveritarë në periudhën 1999-2022 janë të kthyer nga diaspora.
Kosova në historinë e saj nuk ka pasë më shumë njerëz të punësuar, më shumë liri kombëtare dhe qytetare, më shume nxënës dhe student, dhe standard më të madh të jetesës.

Afërsisht 3 mijë Kosovar punuan në Afganistan për kompanite Amerikane, për një jetë më të mirë me të ardhura mesatare mbi 5000$, të cilët gjeneruan mbi 160 milion$ në vit, që është profit më i madh se në Trepçë në vitet më të suksesshme.

Mbi 200 mijë Kosovar punojnë në Zvicër, dhe gjenerojnë afro 12 miliard Franka Zvicerane në vit, nëse rroga mesatare e tyre është rreth 6000 franka.

Disa Kosovarë janë shpërngulur dhe jetojnë në Siri, sepse sipas kriteriumeve të tyre kushtet atje janë më të mira se në Kosovë.

Nuk shkojnë vetëm Kosovarët në vende tjera për një jetë më të mirë: në Kosovë jetojnë së paku 30 mijë punëtorë të vendeve të ndryshme të cilët kanë ardhë të jetojnë në Kosovë për një jetë më të mirë.(Këtu nuk llogariten ushtarët Amerikan të cilët kanë mision të mbrojnë lirinë dhe pavarësine e Kosovës).

Emigrimi për jetë më të mirë ndodhë edhe në vendet e zhvilluara :

4-6 milion Amerikan jetojnë jashtë SHBA-së.
3-4 milion Britanez jetojnë jashtë Britanisë.
5 milion Rumun të BE-së jetojnë jashtë Rumunisë.
3 milion Bullgar të BE-së jetojnë jashtë Bullgarisë.
10 milion Turq jetojnë jashtë Turqisë.
1.5 milion Grekë të BE-së jetojnë jashtë Greqisë.
400 mijë Zviceran jetojnë jashtë Zvicrës.
3 milion Gjerman jetojnë jashtë Gjermanisë.
1 milion shtetas të Zelandës së Re jetojnë jashtë Zelandës së Re.
2 milion Kanadez jetojnë jashtë Kanadës.
15 milion Meksikan jetojnë jashtë Meksikos etj.

Natyrisht, një zhvillim më i mirë dhe zbatimi i ligjeve në fuqi do të zvogëlonte emigrimin, por nuk e ndalon krejtësisht, sepse çfarëdo zhvillimi ekonomik të ketë, njerëzit do të ndërrojnë vendin e jetesës. Njeriu gjatë historisë gjithmonë ka lëvizë prej vendi në vend, dhe do të jetojë atje ku mendon se do të jetojë më mirë.

Pas çlirimit që e bëri AMERIKA me 12 Qershor 1999, më shumë se 150 mijë Kosovar (të përjashtuar nga Kosova para luftës gjenocidiale 5 Mars 1998 deri 12 Qershor 1999) janë kthyer në Kosovë, për një jetë më të mirë.

P.S. Gjatë pandemisë numri i atyre që emigruan ka ra në nivelin më të ultë në 15 vitet e fundit.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.