SI E PRITI KJO NANË E FORTË VRASJEN E ILIRIT?

0
276
Kulla e Ilir Cakës

Kulla e Ilir Cakés eshtë ngritur né lagjen Cakaj, në katundin Vaté té Kaçanikut.

Ilir Osman Caka
Ilir Osman Caka
– u vra nga forcat serbe, 17 vjeç

Ilir Osman Caka
12.04.1982-13.04.1999

Sa herë që vështroj nënën e Ilirit, i them vetes “o Zot nga e gjen kjo këtë forcë?” Kurrkush nuk ia pa një pikë loti për djalin e saj, që iu vra me datën 13 prill 1999, nga ushtria dhe policia serbe.
– Eh, – thotë, nuk arrita t’ia festoj ditëlindjen ashtu siç kam dashur.
Po, po shtëpia, oborri dhe mali ishte i stërmbushur, të ardhur nga shumë fshatra.
E kujton shpesh, e thotë, ishim ulur bashkë afër një shtrati ku flinin nipat e mi të vegjël.
Po afrohej ora e gjysmë natës, e datës 12 Prillit, ku doja t’ia festoja djalit tim Ilirit ditëlindjen e shtatëmbëdhjetë. Shpesh, ndëgjoheshin bombat e NATO-s kur goditnin caqet serbe, që ishin të vendosura në Kosovë.

Kur ndëgjonte detonimet, ai kërcente e thoshte: – nënë, shpejt do të vijë liria! Unë i përgjigjesha: – ishalla more bir, se boll me këto bisha.
Nuk vonoi shumë, kur akrepat e orës treguan njëzet e katër, nëna psherëtiu: – ah, bre bir, si nuk pata gjë, që t’a festojmë ditëlindjen tande. Iliri qeshi, e tha: – nënë të vijë liria e pastaj festojmë. Ah, bre bir, më ke zanun ngushtë, pasi nëna nuk kisha asgjë, ai prapë qeshi: – nana ime, nëse don ma sjell një gotë ujë të maleve tona. Ajo do të jetë dhurata më e bukur, për ditëlindjen time.

U ngrita, ia solla dhe gotën e mori e piu pak, dhe mu drejtua me këto fjalë. Kjo është dhurata ma e bukur në jetën time për ditëlindje dhe u ngrit dhe me puthi në ballë.
Qëndruam bashkë, deri në orën dy të natës, duke biseduar për të ardhmen tonë.
Ai, edhe nënës Nevrije i kishte treguar se kam biseduar me babain se kur të rritem do ta ngre një kullë këtu në vendlindje. Ani bir i nanës, dhashtë Zoti t’i shpëtojmë kësaj lufte, pastaj bajmë si dëshironi ju. Po, po nënë, do ta ngre kullën. Ishte këmbëngulës. Ani bir, ju past nana.

Por, edhe nëse nuk do të jem unë, amanet e keni që ta ngrini. Këtë fjalë e kujton edhe sot, nëna Nevrije thotë: unë thashë, çfarë është kjo fjalë bir, ky amanet.
Nuk i dihet këtij armikut moj nëna ime.
Bisedë pas bisede, tha: – nënë, duhet të bëhem gati për roje.
Ani bir, banu gati dhe nuk vonoj as tre katër minuta u dëgjua zëri i Jakup Cakës.
– Ilir, a je gati!
– Po, po u përgjigj.
Tani po dal.
U kthye dhe më përqafoj, duke më shtrënguar shumë, sikur ia ndjeu zemra se ma nuk do të më përqafojë.

Në errësirë, prap u dëgjua zëri i Jakupit.
– Ilir, hajde more, mos u vono! Jo, jo, gati jam. U kthye në prag të derës, më puthi në ballë dhe iku. E kishin pranuar detyrën nga roja e mëparshme. Plot një orë e dyzetë e pesë minuta nuk kishin dëgjuar asnjë lëvizje të armikut.

Duke vështruar, dëgjuan nga larg një gumëzhimë, diku në ora 3:45 minuta. Kishin shpejtuar hapat dhe kishin arritur tek plemja e Shaban Tifekut, ku shifej si në pllambë të dorës rruga, se nga vinin forcat serbe, duke arritur nga katër drejtime: Ferizaji, Kaçaniku, Kaçaniku i Vjetër dhe nga baza raketore, që ishte vendosur në udhëkryqin Semajë-Bajnicë, Doganaj-Brezovicë. Shtëpia e Halit Kolshit, ishte pika e grumbullimit. Edhe pse ishte terr, ata vinin pa drita, me qëllim që mos të hetoheshin nga rojet tona.

Pasi arritën aty, roja i kishte nën vëzhgim, por ata pushuan aty mbi një orë. Diku 4:55 minuta të datës trembëdhjetë, filluan të lëvizin. Kamionët, autoblindat, tanket filluan të lëvizin rrugës që të shpie për në Tetovë. Ata, në fillim banë rrethimin, dhe me forcat e këmbësorisë zbarkuan te prroni i madh, në territorin e lagjes Lamaj, ndërsa tanket e armikut u stacionuan te kodra e Lamajve mbi Lamajt. Pasi e banë rrethimin, këmbësoria morri rrugën në drejtim të Kodrës së Cakës.

Me ta kuptuar, se janë të rrethuara këto lokalitete: Lamajt, Kastratajt, Tifekajt, Cakajt dhe Sllatina, këta morën vendimin, që të zgjojnë nga gjumi të gjithë banorët vendas dhe të ardhurit. Pasi Jakupi ishte ma i vjetër në moshë, i tha Ilirit të shkojë t’i zgjojë nga gjumi Cakajt dhe të ardhurit që ishin të fshehur nëpër male, ndërsa unë njoftoj rojen e Lamajve, po zgjoj lagjen e Tifekëve dhe të strehurit në këtë anë.

Kur e pa Nëna Nevrije, Ilirin përherë të fundit.
Ajo mëshan thellë dhe tregon.
Po, e pashë në mëngjes, kur erdhi të na zgjojë nga gjumi.

Si u zhvillua edhe situata, atë ditë rrethimi të hekurt nga ushtria dhe policia serbe.
Me ta marrë lajmin, shpejt i zgjuam nga gjumi fëmijët për të strehuar nëpër male, duke shpresuar se nuk do të gjejë armiku fshehjen tonë. Por nuk shkoj mirë plani siç kishim menduar. Ne u fshehëm, por diçka nuk shkoj ashtu siç ishte parashikuar. Pasi u fshehëm, nga ora 8:15, dëgjuam një rafall armësh automatiku te Kodra e Cakës.

Nëna Nevirje, na tregon: – se ne ishim fshehur në malin e Faik Elezit, ku diku rreth orës 13:35, kanë ardhur tre ushtarë serbë, na kanë rrethuar dhe na kanë torturuar, kërcënuar, duke i vënë para automatikëve, në prezencën tone, Brahim dhe Shaban Cakën.

Nëna Nevrije, tregon për datën: 13.04.1999. Ajo shprehet se: burri im pak ma herët ishte larguar, për fat ku ishim ne. Ai kishte shkuar tek shtëpia, të shohë se ç’ka po ndodh, bashkë me nipin e tij, Skënder Caka, por ata ishin fshehur në një trup të kojsisë, për të vrojtuar situatën. Në ato momente, tregon ajo, ai kishte vërejtur se në drejtim të lagjes tone, shkonin dy serbë të uniformuar me rroba ushtarake. Por, për një moment e kishin ndëgjuar qenin duke i lehur Vlladimir Cicmilloviqit, dhe një inkasant serb nga Shterpca. Por, pa arritur ata tek shtëpitë tona, te përroi i Cakës ishte ndëgjuar një rafall i armësh automatiku.

Nana Nevrija thotë, siç ka treguar burri i saj, gjersa qeni lehte kundër atyre dy ushtarëve serbë, u ndalua përnjëherë, sepse ndëgjoj rafalet në përrua. Nuk kishte vonuar shumë, në fillim ishin plaçkitur shtëpitë dhe të gjitha sendet e vjedhura i kishin vendosur në një kombi, qe ishte pronë e vllezërve Salihaj, nga katundi Duraj e pastaj u kishin vënë flakën. Nuk vonoi shumë, burri im u kthye te ne dhe kërkoi batanije për t’i marrë dy vllezërit Salihaj, dhe një të plagosur rëndë.

Pastaj shkuam te shtëpitë, që ende u dilte flaka.
Hymë mbrenda në një qosh të dhomës që kishte shpëtuar nga zjarri. Ne nuk dinin asgjë thotë, nëna Nevrija.

Pas këtyre dy të vrarëve dhe atij të plagosurit rëndë, morrëm vesh se tek Kodra e Cakes, ishin vrarë pesë persona, pastaj thanë se i sollën edhe dy kufoma nga poshtë. Unë, thotë nënë Nevrija, qëndroja bashkë me tre nipërit e mi dhe renë e madhe Imranën. Kishte ra një terr i madh, nuk shihej asgjë. Nipërit e mi, ishin strukur në prehrin tim nga frika. Ata dridheshin si thupra në ujë. Unë mundohesha të ju jap forcë.

Pastaj, pashë që reja ime, me shpejtësi iku në oborr. Thashë; o Zot ç’ka ndodhi!
Fëmijt filluan të qajnë për nënën e tyre.
Ajo u kthye prap dhe tha: – tani nana do të shkojë, të shikojë a mund të baj diçka për darkë?

Ajo prap doli jashtë dhe kishte dëgjuar një karrocë me kale, duke ardhur në drejtimin e lagjes tonë. Imranja kishte ndëgjuar shumë zëra, por kishte njohur vetëm zërin e vjehrrit të saj, siç thotë ajo.

Ndëgjoj, kur ndaloj karroca me kalë te shtëpia e Besim Cakës.
– Dikush e pyeti vjehrrin tim; – thotë ajo; – a sollët Ilirin a?

Po, po e dëgjova përgjigjen e tij. O Zot, thotë ajo ç’ka po ndodhë, pse thanë a solle Ilirin?!
Siç tregon sot reja jonë Imranja, i thashë vetes; po si t’i tregoj nënës Nevrije për Ilirin?
Gjersa unë lotoja jashtë për kunatin tim Ilirin, me thirri nëna Nevrije.
Po ku je moj bijë, eja ç’ka je duke bërë jashtë?!

Unë u zura ngushtë. Si t’i tregoja asaj për Ilirin, edhe pse ende nuk isha e sigurtë, por papritmas, dëgjova një zë kur i tha vjehrrit tim: mos u mërzit, he burr për llirin!

Prapë, nëna Nevrija më thirri; po ku mbete moj bijë, eja se po frikohen fëmijët? I thashë: – tash po vi nanë! I fshina lotët, u futa brenda, u ula afër nënës Nevrije, fëmijët erdhën menjëherë te unë.

– A dëgjove diçka për burrat moj bijë? Aty u zuna ngushtë dhe fillova të lotoj, por ajo nuk ma shifte ftyrën dhe sytë e mi të përlotur. Ja hodha dorën pas qafës e përqafova dhe i thashë: – nana Nevrije, a do të më japësh besën për diçka?. Ajo u kthye nga unë, më përqafoi fort dhe më tha: – po bijë, fol!

Siç e kujton sot Imranja; diçka mu lidh në fyt. Por nëna Nevrije insistonte: – fol moj bijë, të lutem?

E mblodha vetën dhe fillova t’i tregoj nënës. Të lutem, më premto se nuk do të mërzitesh?
– Jo bijë, të betohem!
Nënë, Iliri ishte vrarë sot, dhe tani e sollën kufomën.

Ajo, për një kohë pushoi, mori frymë thellë dhe mu drejtua: – jo bijë, nuk mërzitet nana!
Besoni, nuk di nga e mori këtë forcë.
Bijë, më tha; – edhe t’i duhesh të mbahesh fort.
Unë gëzohem bijë, që një djalë e falem për lirinë e Kosovës.
Fëmijët i mori gjumi, ndërsa në ato momente erdhi gruaja e axhës.

Nana Nevrije, tha: – bijë, të lutem a mundem të shkojmë t’i shohim të vrarët??. Po nënë, unë do të shoqëroj. Eh, bre bijë, zoti të bekoftë!
U ngrit ngadalë, dhe i tha kunatës së saj: – a ke mundësi të qëndrosh pak kohë me fëmijët, gjersa ne të kthehemi?.

Po, tha, me gjithë qef, ju shkoni unë do të qëndroj këtu. Unë mundohesha ta ndihmoja, por ajo ishte ma e fort se unë. Kur arritëm atje, nënë Nevrija u përshëndet me të gjithë ata që ishin aty dhe ju drejtua atyre kur ju tha: burra, mos u mërzitni, sepse luftë pa gjak nuk ka!.

Nënë Nevrije, ju mbahuni e fort.
– Po bir, ju tha, – nuk mërzitet nana!.
Por kam një lutje, mos ka dikush një shkrepëse qe t’i shoh të gjithë?
Po, nënë i thanë. Shkoj njëri dhe ua zbuloj fytyrën të gjithëve.
Ajo ju ra fytyrës dhe u ndal te i fundit, te djali i saj Iliri, ku i tha nëna nuk mërzitem dhe të betohem se gjersa të jetë nana gjallë, kurrë nuk do ta derdhë një pikë loti.

U larguam ngadalë. Ju burra, duhet të mbaheni të fortë.
Ajo rrugës duke ikur te fëmijët, nëna Nevrije më tha: – më mbetet merak, nuk pata mundësi t’ia organizoj ditëlindjen si duhet mbrëmë?
-J o, moj nënë, mos të mbetet merak fare, se Iliri e ka dashur shumë lirinë e jo festën e ditëlindjes!
– Po, po – tha néna Nevrije.

Pasi i vizitova të gjithë të vrarit te shtëpia e Besim Cakës, u kthyem në shtëpin tonë, por krejt mendjen e kisha të përqëndruar te tre djemtë e tjerë. I pari që erdhi në shtepi ishte djali im ma i riu, Adnani.

Ai ishte i frikësuar dhe çka kishte parë dhe dëgjuar. As nuk arrita ta pyes për asgjë, por u shtri te këmbët e mia. Pak më vonë, erdhi edhe Bashkimi më përqafoi, por fare nuk më tregoj se çka kishte ndodhur me datën 13 Prill 1999.

Ai nuk më tregoi asgjë, që kishte qenë i zanun dhe para pushkatimit. Fare nuk tregoi se kishte marrë një goditje nga kondaku i armës të armikut.
Por më habiti si nuk më tregoj fare, që ai dhe 4 kushërinjë e tij ishin para tankëve të armikut, që donin t’i pushkatonin atëherë kur është vrarë Iliri, edhe pse këta nuk kishin më larg se 25 metra nga lumi kur ra Iliri.

Diku, nga ora 2 pas mesnatës, dëgjova një trokitje në derë. Dëgjova, zërin e djalit madh Arsimit, kur thirri: nanë, nanë, unë jam!. U ngrita me ngadalë, ia hapa derën.
– Ku mbete bre bir, tërë ditën. Arsimi e përqafoi nënën Nevrijen dhe filloi t’i tregojë.
– Po nënë, isha me dorëzua dy armë në shtab. Pastaj iu drejtua nënës Nevrije: – po si je me shëndet, a je mërzitur për Ilirin?
– Jo bir, jo! Ju pastë nëna, juve tjerëve. Edhe pse Imranja ishte lodhur edhe mërzitur shumë, u zgjue nga gjumi, ku u gëzua shumë për bashkëshortin e saj. I tha: – eja pusho pak pranë fëmijve.
– Po, po tha Arsimi! Nëna a ka fjetur ?
– Po! – iu përgjigj Imranja burrit të saj. Edhe ne flisnim me një zë shumë të ultë.
– Grua, a ka marrë vesh që është vrarë Iliri?
– Po, por nuk di se çfarë force ka nëna Nevrije.
– Po, ishim bashkë. I vizituam të gjithë të vrarit dhe nuk ia pa kush një pikë loti.
– A e din, ç’ka u tha burrave, kur i vizituam të vrarët?
– Mos mërziti o burra, sepse nuk ka liri pa gjak! Pastaj, iu tha, se dua t’i shoh të gjithë të vrarët.

– Po ç’ka ndodhi pastaj? Dikush i solli një shkrepëse dhe filloi me rend dhe u ndal te Iliri.
A din ç’ka tha: – bir, jam shumë e lumtur që u flijove për lirinë e Kosovës. Nëna, të betohet sa të jem gjallë, asnjë pikë loti nuk do të ma shohë kush.
– Po babai, si e priti?
– Nuk e di, se ku e ka gjetur atë forcë more Arsim. Ai është angazhuar tërë pasditen duke i grumbulluar të gjitha kufomat e të vrarëve. As atij, askush nuk i ka parë lot, por është nxirë në fytyrë. Është interesuar, për ty, vllezërit e tu, mua dhe për djemtë tonë.
A e di, sa jam mërzitur kur i puthi fëmijët tanë në ballë, dhe nuk tha asnjë fjalë doli dhe shkoi?. Gjersa ne bisedonim, Nënë Nevrija, thotë Imranja: – bijë a nuk po flejnë fëmijët zemrat e nënës?

– Nënë, unë jam Arsimi yt. Ajo ndaloj për një moment dhe prapë i thirri Imranit: – bijë a është e vërtet që është Arsimi?
– Po nanë, unë vetë jam, Arsimi Por, kur erdhe more bir, që s’të dëgjova? U ngrit dhe i zgjati duart, e më përqafoi shumë.
– Po mirë bre bir, që ke ardhur mire, pranë fëmijve të tu!
– Po, po nënë! – i thotë Arsimi. Po si ta ngushëllonte, mendonte Arsimi? Por, nana Nevrije, ju drejtua djalit të saj: – bir duhesh të bëhesh i forte, sepse vllau Iliri, është vrarë sot. Nuk dija si ta ngushlloja, sepse diçka mu lidh në fyt.
– Nënë, e di që t’i je e fortë dhe të lutem mbaju, se nuk dua të shof lot.
– Jo bir, unë jam betuar, edhe kur iku në roje. Por edhe para ca orëve kur ia vizitova trupin e tij të pa jetë. U përqafuam fort, njëri me tjetrin dhe me lot në sy, tha: – shtrihu, pak bir!
– Po nanë, po! Dhe morri gjumi burrin tim; tregon Imranja. Në ato momente dëgjova një trokitje të lehtë të derës tonë. Kush është? – pyeta unë.
– Jam unë bijë,- tha vjehrri im. E hapa derën. Hyri ai, dhe me pyeti për burrin tim.
Arsimi, a është kthyer?

Po, i thashë. Bashkimi dhe Adnani në gjumë janë; i thashë. E përqafova, dhe i thashë: baba, të lutem banu i fortë! Po moj bijë! Pa dashje më shkoi dora në ballin e tij, besoni veç sa nuk mu ngri dora nga ndjersët e tij. Baba, iu drejtova; – a do të pushosh pak?
Po bijë, mu përgjigj. I thash unë; – po rri zgjuar, e ti shtriu pak. Jo bijë, ti shko në vendin tand, tek fëmijët. Po ti baba, ku do të pushosh, në këtë karrike?
Jo, jo i thashë! Bijë, të lutem shko shtrihu. Por, para se mu shtri, më pyeti: – si është nëna Nevrije?

Baba, i thashë; o Zot, nuk di nga e merr, ajo këtë forcë. Prapë i doli gjumi, Nënës Nevrije. Bijë Imran, me kë po bisedon? Me babain, Nënë!. Ajo deshi të ngrihet. Fëmijët i kishte në gji, dhe nuk mundi të ngrihet. Por, më kujtohen, sikur sot fjalët e saj.

Burrë, ne duhet të bëhemi të fortë dhe duhet të jemi krenarë, që ia falëm lirisë Ilirin!. Po grua, ju përgjigj ai. Porsa u ul në karriken gjysmë të djegur, e zuri gjumi.

Po, është e vërtet se tërë Natën e 14 Prillit e kaluam me frikën, se nuk besonim që bishtat do të ktheheshin në vendin e krimit. Me të filluar, të agojë drita e mëngjesit, ndiem një lehtësim shpirtror. Babai i burrit tim u ngrit nga gjumi dhe u nis drejt shtëpisë së Besim Cakës, ku ishin të vendosur shtatë të vrarë: Izahir, Kemajl dhe Sabri Salihaj, Mahmut, Jakup Caka dhe Ramadan Xhokli.

Pasi kishte marrë rrugën drejt shtëpisë së Shaban Lamës, ku ishin trupat e të vrarëve: Rrahman, Brahim dhe Hebib Lama.

Ende, e kam në memorien time, datën e 14 Prillit të vitit 1999-të. Unë u ngrita nga shtrati edhe shkoja, si pa kokë. Fare nuk kisha idenë, se ç’ka të ju pregadis fëmijve, burrit, kunetëve dhe nënës Nevrije, për mëngjes. Neve, nuk na kishte mbetur asgjë, sepse serbët kishin grabitur dhe na kishin djegur. Burri dhe Nënë Nevrije, e dinin se nuk kishim asgjë për fëmijët që ishin të vegjël dhe nuk kuptonin. Kurrë, nuk më harrohet kur para meje u shfaq një vajzë e Xhemajl Tifekut, ku zonja Nadije na kishte dërguar një tepsi me bukë dhe 2-3 kg djathë.

Ne, u ulëm, morëm bukën dhe u ushqyem, por vjehrri im, fare nuk kishte futur gjë në gojë. Ai gjithmonë ishte në lëvizje për t’i parë gjërat. Ai, pasi i kishte takuar rojet dhe tek shtëpia e Shaban Lames, duke kishte pyetur, se gjata natës a kishte ndonjë lëvizje të dyshimtë, por edhe ata kishin thënë se nuk kishte pasur asnjë lëvizje.

Ai, ishte ndarë shumë i habitur, sesi nuk ishte interesuar askush nga tanët, për neve.
Babai, nuk dinte me kë ishte nisur në drejtim të varreve, sesi mund ta organizonte varrimin e dhjetë të vrarëve.

Pastaj, vjehrri ishte nisur në drejtimin tonë, për të kërkuar fuqi punëtore për t’i hapur dhjetë varreza, por fal zotit, ishte lajmëruar një burrë me emrin Muhamet Zenuni, i cili i kishte thënë vjehrrit tim, se këtë detyrë ma le mua, sepse do t’i hapi unë.

Por, me të arritur këtu, ku ishin burrat, babai i burrit tim tha: s’e dime, si do të ua bajmë për dërrasa?. U paraqit, i riu Besim Caka, ku tha: – ja, dërrasa keni. Merrni, sa të doni!.
Po kush ishte Besimi? Ishte nxënës i vitit të tretë i Gjimnazit në Ferizaj. Bashkë me Ilirin, kishin kryer shkollën fillore. Ai mërzitej shumë për Jakupin, sepse e kishte djalë të xhaxhait, kurse Ilirin shok, dhe kushëri kishte edhe Mahmutin.

Të gjithë u angazhuan për dërrasat. Imer Tifeku, ju kishte dhanë detyra, që t’ua shkruanin emrat e të vrarëve e të futen në shishe dhe bashkë me kufomën të futen në varr. Duke biseduar bashkë, kishin marrë lajmin se në Sllatinë ishin katër të vrarë: Qemajl Deda, Isen Elezi, Dr. Vesel Elezi dhe Nazmi Elezi.

E kujton, sikur të kishte ndodhur sot, masakra e 13 prillit të vitit 1999. Ishte një mot i vrejtur dhe i ftoftë, për kohën që ishim. Njerëzit vinin për varrim nga të gjitha anët. Oborri jonë dhe i fqinjëve u mbush plot. Pasdite, erdhi një zë nga burri. Ik, se po nisemi. E di, se një femër shkoj e mori traktorin e mixhës së burrit, të babës Xhemal. Por pastaj, u njoftova se traktorin e drejtonte, një femër shumë trimëreshë Elife Murseli, që as që i trembej qerpiku. Varrezat, nga shtëpitë tona, tregon nëna Nevrije, janë diku një kilometër.

U nisëm, krejt pas traktorit, me shtatë kufomat dhe me të arritur aty, i sollën edhe tri kufoma nga shtëpia e Shaban Lamës. Ishte vështirë t’i shikosh, dhjetë varre. Filloj varrimi, por papritmas u paraqiten forcat serbe, që ishin stacionuar tek lagjja e Dollovive, në vijë ajrore, që nuk ishte ma larg se 1.100 metra. U ndigjua zëri i burrit tim kur tha: ju të rinjtë largohuni nga këtu!. Të rinjë, me dorën në zemër, në fillim unanimisht thane: jo, nuk largohemi! Por, pas një lutje nga burri im, u larguan.

Gjersa ishim ne gati në përfundim, erdhi babai i Shuqerisë, e tha: burra, djali im, ka vdekur dhe këtë duhet ta varrosim këtu!. Ishte një shok për të gjithë të pranishmit.
Nuk e di, por Zoti, u kishte dhanë force, dhe vetëm për 25 minuta, u hap dhe një varr tjetër. I varrosëm, të gjithë, të njëmbëdhjetë të vrarët. Ne ikëm, drejt shtëpisë, ndërsa babai i llirit, qëndroj i fundit. Gjersa ne ishim ulur në një cung para shtëpisë, që ende digjej, unë, reja ime, nipi im Shkumbini, dhe qeni që dikur e kishte sjellur Iliri, erdhi burri im. Fytyra e tij e zymtë tregonte dhimbjen që kishte. Ne u ngritëm, por para nesh iku qeni. Unë, thotë nënë Nevrije, e pashë se nuk më mbante më shpirti. Unë edhe reja jonë Imranja, përnjëherë njëzëri: a u mërzite?

Jo, jo tha! Po ti grua, si je? A je mirë? – ju drejtova. Ai u ul me një cung, ndërsa qeni i ishte ulur para tij dhe më besoni, lotonte. Për një moment u ngrit dhe iku në drejtim të varreve.
Aty, nipi jonë Shkumbini, iu drejtua gjyshit të tij; – gjysh edhe neve do, me na lanë këtu me na vra, sikur axhën Ilir?. Burri im e uli kokën dhe mesa duket, as frymë nuk merrte. Por, atë tronditje shpirtërore ia ndryshoj qeni, që erdhi nga varrezat. Duhet të bëhemi gati, të ikim nga këtu, dhe u ngrit në këmbë. Prapë, qeni iku me shpejtësi tek varri i Ilirit.

Kurrë nuk do ta harroj, thotë nëna Nevrije, sikur sot. Ne, gjersa ishim në rrugë për t’u larguar nga shtëpitë tona, ai për një moment shkoi te varri i Ilirit, por pas tij shkoi edhe qeni. Duket, se ai kishte vendosur që të qëndronte këtu në vendlindje, pranë varrit të djalit. Por, pas lutjes tonë erdhi dhe ai. Ishte interesante, kur u nda nga qeni. Ne nuk dëgjuam ç’ka foli tjetër, por burri im erdhi drejt nesh, ndërsa qenin nuk digjuam çka i tha, por qeni kokë ulur iku drejt shtëpisë së djegur ndërsa burri im erdhi në drejtimin tonë dhe u nisëm për të ikur drejt Maqedonisë.

Manchester. Osman Caka
15.01.2023

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.