Mësuesi i parë vendas i Shëngjinit të Vogël…

0
1176

Ibrahim Kabili Më kishte marrë malli me të pa! Këto qenë fjalët e para të mësuesit veteran Beqir Hidri. Faleminderit! – i them. Qëllimi im shkon edhe përtej këtij takimi. Ti je mësuesi i parë vendas nga Shëngjini i Vogël, ke një jetë të tërë në arsim dhe ruan shumë kujtime. Në shenjë respekti dua të të bëj një shkrim. Kështu edhe takohemi, dhe fiksojmë diçka nga kujtimet tuaja. Faleminderit që kujtohesh për mua! – ma kthen ai. Unë jam i sinqertë në atë që të thashë, Ibrahim. Kam respekt maksimal për ju. Respekti është reciprok, Beqo, – i’a kthej unë…

Beqir Qazim Hidri lindi në Shëngjin të Vogël më 05.04.1945. Mësimet e shkollës fillore i mori në Shëngjin të Vogël, ndërsa ato të 7-të vjeçares në fshatin Moisit në vitin 1960, me rezultate shumë të mira dhe fletë nderi. Ai kujton me shumë nostalgji e respekt mësuesin e tij të klasës së I-IV-tër Bepin Martini, i cili për të qe një mësues dhe njeri i kompletuar. Po kështu ai vlerësin edhe disa mësues të tjerë si; Ilmi Bllakaj, Hamdi Mansaku, Xhemal Koçi, etj. Pasi përfundoi arsimin shtatëvjeçar në vitet 1961-63 vazhdon Shkollën e Mesme Pedagogjike “Nrecë Ndue Gjoka” në Tiranë. Ai shprehet: “Kjo qe shkollë dy vjeçare e hapur nga pushteti popullor i kohës për të plotësuar nevojat në arsim për gjithë vendin.

Ne kishim të drejtë ta plotësonim më pas arsimin e mesëm edhe me dy vite të tjera plotësuse. Të gjithë mësuesit e kësaj shkolle i kishin mbaruar studimet në ish-Bashkimin Sovjetik dhe ishin mjaft të përgatitur. E kujtoj me nostalgji kolektivin pedagogjik si; drejtorin e shkollës Gani Daiu, mësuesin e pedagogji-psikologjisë Gjikë Dollaku, mësuesen e fizikës Jolandën, atë të matematikës Nazmiun, etj. Këto mësues shkëlqenin në të gjithë aspektet, na dhanë njohuri të plota e të sakta dhe na përcaktuan drejtimin e jetës. Mirënjohje dhe respekt të veçantë për këto “arkitektë” që na përgatitën si mësues”.

Në vitin 1964-65 emërohet mësues i CF në shkollën fillore Shëngjin i Vogël. Ajo qe vartëse e Shkollës 7- Vjeçare Moisit. Duke u kthyer prapa në kujtesë, ai shton: “Unë isha mësuesi i parë vendas nga Shëngjini. Për këtë e ndjeja veten shumë krenar dhe ju përkushtova punës me fëmijët e fshatit tim. E kisha shumë pasion arsimin, dhe ëndrra që kisha për të u bë realitet. Para meje në këtë shkollë kishin dhënë mësim mësuesit Ramazan Hallvaxhiu dhe Haziz Gjereci. Drejtor i shkollës në Moisit qe Sotiraq Gjergo, një specialist i përkushtuar dhe shumë korrekt”. Në vitin 1966-67 emërohet mësues në Shkollën Fillore Kutreq të fshatit Selitë e Malit. Pas një viti punë atje, në vitet 1968-69 kryen shërbimin ushtarak në Repartin 6600 Kukës si radiotelegrafist.

Dallohet për kryerjen e detyrave gjatë shërbimit ushtarak dhe vlerësohet disa herë me fletë nderi. Pas kryerjes së ushtrisë, në vitin 1970 emërohet mësues në Fshatin Mëner i Sipërm. Për këtë periudhë, Beqiri shprehet: “Këtu unë hapa klasën e pestë për herë të parë, kisha gjithësej 25 nxënës. Ndërmjet tyre ishin; Hasan Abazi, Xhume Tarja, Bukurie Meta, Hanme Kanina, Nadire dhe Hamit Lika, etj. Nxënësit ishin të përkushtuar dhe unë u mundova të jap maksimumin me to.

Në kontrollin që zhvilloi Seksioni i Arsimit klasa ime doli ndër më të mirat në zone. Vareshim nga Shkolla 7-Vjeçare Zall-Mëner me drejtor Perikli Mima. Mësues i klasës I-IV-tër qe kolegu dhe miku im më i mirë, Sali Hida. Për këtë fshat dhe banorët e tij ruaj kujtimet më të bukura të jetës time. Ata janë shumë të respektuar, bujar dhe mikpritës. Sapo vajta në fillim Kryetari i Këshillit Baft Aruçi më tha: “Në çdo shtëpi që do të trokasësh ajo është e jotja”. U befasova nga kjo, por kështu ndodhi. Një muaj ndejta tek Selman Alla.

Ai më priti shumë mirë dhe çdo natë i thote, “plakës”(gruas): “Mua dhe mësuesit na baj naj pjatë”. Dhe për çdo natë pinim raki e meze në shtëpinë e tij. Çdo gjë qe falas dhe më konsideronin si pjestar të familjes… Mirënjohje pa fund për të! Një ditë kolegu i punës, Sala, më thotë: “Beqir ti do vish dhe do rrish tek shtëpia ime. Në të kundërt nuk do të flas me gojë. Megjithëse ishte ngushtë me shtëpi unë u detyrova të rri tetë muaj tek Sala. U bëra si pjestar i famijjes dhe më respektuan sikur të isha djali i tyre. Nuk i harroj kurrë ato vite dhe mikpritjen e Salës dhe familjes së tij. Çdo vakt buke përgatitej me shumë kujdes nga bashkëshortja e Salës, Anifja. Kjo, edhe drekën e fundit na e ka sjellë tek shkolla dhe kemi ngrënë të tre bashkë…

E si mund të harrohet kjo? Kurrë! Ndjesë u pastë shpirti”. Keni shumë të drejtë Beqo, – kështu na kanë pritur më pas edhe ne të tjerëve, edhe mua… Nuk harrohet buka… Më tej Beqiri vazhdon: “Çdo ditë të hëne kur vija nga shtëpia për në shkollë më priste Sulejman Deda te dyqani i tij, hipnim te shtëpia dykatëshe dhe pinim kafe dhe raki me të. Një burrë me taban familiar dhe shumë human që i respektonte të gjithë kush kalonte andej, dhe mua po kështu. Kështu qenë edhe Ali Meta, Musa Abazi dhe shumë e shumë të tjerë”. Ish-nxënësi i tij Hamit Lika, mësues e vlerëson kështu mësuesin e tij: “Mësues Beqiri qe punëtor, i ndershëm, parimor, strikt, i dashur dhe i komunikueshëm me nxënësit. Fjalët më të mira mund të them për të”.

Në vitin 1970-71 rikthehet si mësues i CF në Kutreq. Për këtë ai, thotë: “Kam pasur një përkrahje të madhe nga Kryetari i Këshillit Mexhit Alla edhe nga Kurt Memaçi. Ato edhe drekën ma binin tek shkolla, ndaj i kujtoj me shumë respekt. Kështu janë banorët e zonës tonë”. Nga viti 1973-74 deri në vitin 2007, kur doli në pension Beqiri ka punuar si mësues i CF në Shëngjin të Vogël. Ai gjatë këtyre viteve ka nxjerr një numër të madh nxënësish. Nxënësit e dalë nga dora e tij dalloheshin në vite nga ecuria e tyre në mësime në CL, dhe ciklet e tjera të shkollave. Kjo flet shumë për punën e tij.

Duke kujtuar punën e gjatë mbi tre dekada në arsim në fshatin e tij të lindjes, shton: “Jam munduar të punoj me përkushtim, të jemë korrekt me nxënësit dhe komunitetin, të jem këmbëngulës në punë. Nuk di sa i’a kam arritur qëllimit? Fakti që edhe sot pas kaq vitesh në pension më respektojnë jo vetëm ish-nxënësit, por edhe prindërit e tyre është vlerësim i madh për mua. Në Shëngjin kam punuar me drejtor shkolle Jovan Shkurtin, Mark Shota, etj. e ruaj respekt për to. Marku qe i veçantë, edhe sot kemi lidhje familiare me të. Në shkollë krahas mësimit punoja edhe për mirmbajtjen e saj. Shkruanim edhe parulla sipas kohës e sistemit.

Gjatë punës në arsim bëra edhe dy vite plotësuese në Shkollën Pedagogjike në Tiranë. Kjo më aftësoi edhe më shumë në profesion. Për 15 vite rresht kam qenë Kryetar i Komisionit lëndor të CF, për zonën e Zall-Dajtit, ku bënim: Orë të hapura një herë në muaj tek secili mësues, tema metodike dhe analiza orësh mësimore, etj. Kam punuar me mësuesit Mustafa Duhani, Mustafa Kamberi, Skënder Hoxha, Baftjar Peti, Hamdi Mansaku, Reshat Sida, etj. Ruaj kujtimet më të mira për to”.

Beqiri ka qenë edhe një veprimtar i mirë shoqëror dhe ka kryer edhe këto detyra; Kryetar i këshillit të fshatit, Kryetar i Frontit për zonën, Anëtar i Kryesisë së Frontit të Rrethit. Për kryerjen me përgjegjësi të këtyre detyrave është dekoruar në vitin 1987 nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, me Medaljen: “Për shërbime të shquara shtetërore dhe shoqërore”.

Në aspektin familiar është i martuar me Qamile Lamin dhe kanë lindur pesë fëmijë. Marjeta dhe Rezarta kanë mbaruar arsimin e lartë për mësuesi, ndërsa Yllka arsimin e lartë për infermieri. Adriana dhe Iliri kanë mbaruar arsimin e mesëm. Të gjithë kanë krijuar familjet e tyre dhe kontribuojnë në sektorë të ndryshëm.

Ibrahim Kabili
Tiranë më 04.05.2002

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.