Sulltan Mehmeti II – homoseksual

0
742
Sulltan Mehmeti

“Portreti moral i pushtuesit të Kostandinopojës (29.05.1453), kasapit të Arbërisë dhe armikut më të madh të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut: sulltan Mehmetit II Fatih (1432-1481).”

Përpos shumë detajeve, që lidhen me jetën dhe veprat e tij, burimet e kohës ndriçojnë edhe një anë tjetër të karakterit të sulltan Mehmetit II, më konkretisht prirjet e tij homoseksuale, diçka që jo vetëm historianët turq, por mjerisht edhe ata shqiptarë së bashku me shumë të tjerë, vijojnë t’i kalojnë në heshtje!… Kronisti i njohur bizantin nga qyteti i Athinës dhe bashkëkohësi i Mehmetit II, Laonik Halkokondili (Λαονίκου Χαλκοκονδύλου), rrëfen me detaje se si ky sulltan u dashurua marrëzisht me princin vlleh dhe vëllain e vogël të Vladit III Tepeş, Radu III Dracula (1437/1439-1475), i njohur kryesisht si Radu cel Frumos (Bukuroshi – P.Z.) ose Radu Bej, të cilin e mbante pranë vetes natë e ditë. Radu III ishte dorëzuar si peng besnikërie te sulltan Murati II më 1442 nga i ati, Vladi II Drakula, dhe u njoh me Mehmetin II kur shërbente si pazhë në oborrin perandorak osman. Ky njoftim është marrë nga vepra e L.Halkokondilit, e cila është përkthyer nga greqishtja bizantine në latinisht nga Conrado Clausero Tigurino, dhe unë po i referohem pjesës që gjendet në “De Rebus Turcisis Lib. IX.” të veprës së botuar në Paris në vitin 1650 së bashku me botimin anastatik, duke ruajtur me besnikëri tekstin origjinal. L.Halkokondili në veprën e tij, shkruan: “Ajo që e ndoqi në dimër, duke mbetur në qendër të mbretërisë, ishte vendimi për ta caktuar Vladin (Vladin III – P.Z.), të birin e Drakulës (Vladit II – P.Z.), prijës të Dakisë (Vllahisë – P.Z.). Ai (Vladi III) kishte një vëlla më të vogël me vete dhe për shkak të dashurisë u keqtrajtua në mënyrë të turpshme nga kuzhinieri (i oborrit – P.Z.) dhe (Mehmeti – P.Z.) e punësoi atë në dhomat e tij.

Por një mosmarrëveshje e dhunshme lindi midis mbretit dhe këtij djali, kur i pari donte t’i nënshtrohej dashurisë së tij pasionante… I djegur nga dashuria, e thirri djalin për të kryer marrëdhënie me të (amore ardens puerum vocaret ad coitum) dhe u përpoq ta joshë me lajka dhe ryshfet, deri sa ai më në fund hyri në dhomë. Kur djali mendoi se nuk do të pësonte asgjë të tillë nga mbreti, pa përtej shpresës se mbreti donte të kryente një vepër të turpshme. Në të vërtetë, fëmija ngurronte vazhdimisht dhe nuk do ta pranonte mbretin, por mbreti e puthi djalin ngurrues, duke vepruar kundër dëshirës së tij (Rex vero oscula ligebat repugnanti et invito puero). Djali pastaj nxori kamën nga këllëfi dhe e goditi mbretin, të cilin e plagosi rëndë në kofshë (Puer igitur vagina gladium extrabit, regis femur graviter vulnerat) dhe menjëherë ia mbathi fluturimthi dhe pasi doli nga dhoma u ngjit në një pemë për t’u fshehur. Ndërkohë, kirurgët u kujdesën për të mjekuar plagën e mbretit. Kur mbreti e mblodhi veten dhe të gjithë u larguan, djali zbriti nga pema shumë ngadalë dhe pasi bëri disa hapa, nuk kaloi shumë kohë dhe u shfaq te dera e dhomës së mbretit dhe u bë konkubina e tij (non multo post rediit in januas regis, ejusque concubinus factus est) (1).”

Të njëjtin variant, por në mënyrë sintetike, e ndeshim edhe te osmanologu Joseph von Hammer-Purgstall, i cili, kur flet për fushatën e Mehmetit II në Vllahi, më 1462, thotë se andej nga fundi i vitit 1461, “Mehmeti donte që principata (e Vllahisë – P.Z.), që fillimisht i ishte dhënë Vladit t’i kalonte tani vëllait të tij, Radul, si një shpërblim për fëlligështinë e tij. Sa më shumë që ai u tregua rezistent ndaj dëshirave të tij (Mehmetit – P.Z.), aq më shumë rritej dashuria e sulltanit, i cili, megjithëse Raduli ishte mbrojtur nga sulmi i tij i parë famëkeq, duke i nxjerrë kamën dhe duke e plagosur në kofshë, duke e shpëtuar veten në një pemë dhe më pas duke marrë arratinë, ai e ktheu atë dhe e bëri dashnorin e vet të deklaruar (2).” Ndërsa L.Halkokondili shton, se: “Mbreti nuk përmbahet as nga ata që ndjekin fenë e tij (Rex nec etiam iis abstinet qui suam religionem sequuntur), sepse ai gjithmonë bisedon me ta gjatë dhe natën. Megjithatë, përveç këtij rasti mbreti nuk i përdor shumë të huajt (3).” Duke u mbështetur gjithnjë te L.Halkokondili, i cili përmend përgatitjet për luftën kundër Karamanisë (Caramanum), do të thotë se kjo ngjarje ka ndodhur në vitin 1451, në kohën kur Mehmeti II u rikthye në fronin sulltanor dhe po bëhej gati për fushatën e tij të parë pushtuese në Karamani (4).

Dy vite më vonë, Radu cel Frumos, i cili, që në vitin 1448 kur ishte konvertuar në Islam njihej kryesisht si Radu Bej, mori pjesë së bashku me sulltan Mehmetin II, në rrethimin e Kostandinopojës më 1453 dhe pas pushtimit të qytetit, atij iu ofrua të jetonte sërish pranë monarkut osman në “Pallatin Topkapı” të sapondërtuar në kryeqytetin e ri të Perandorisë Osmane. Një tjetër ngjarje, kësaj here me të vërtetë tragjike, e cila përpos prirjeve homoseksuale, dëshmon shumë qartë edhe ligësinë e barbarinë e sulltan Mehmetit II, lidhet me festimet e shfrenuara të turqve osmanë një ditë pas pushtimit të Kostandinopojës, më 30 maj 1453. Burimet e para, që hedhin dritë mbi këtë ngjarje janë veprat e kronistëve bizantinë bashkëkohës dhe më vonë, për këtë çështje flasin bizantologët dhe osmanologët më të njohur, ku në mesin e tyre spikasin edhe katër emra me shumë autoritet, si: biografi francez i Mehmetit II, Georges Guillet de Saint-George, i lartpërmenduri Joseph von Hammer-Purgstall, Louis-Phocion Todière dhe biografi më i njohur i sulltan Mehmetit II, Franc Babinger. Gjithçka nisi me një vizitë kortezie të Mehmetit II në shtëpinë e Dukës së Madh, Loukas Notaras (5), i cili gjatë luftimeve për pushtimin e Kostandinopojës, në vend që të mbronte me çdo çmim qytetin dhe njerëzit e vet, më shumë ishte munduar për të sabotuar qëndresën, duke i shërbyer interesave të palës armike. Menjëherë sapo Mehmeti II hyri në shtëpinë e L.Notaras, i zoti i shtëpisë e çoi mysafirin para shtratit të gruas së vet të sëmurë (6).

Sulltani e inkurajoi të sëmurën me fjalë të bukura, duke i thënë që të mos trishtohet për atë që ndodhi (pushtimi i qytetit – P.Z.), sepse ishte përmbushur vullneti i Zotit dhe i premtoi se gjithçka do të shkojë mirë (7). Pasi iu prezantuan dy djemtë e L.Notaras, Mehmeti II u largua dhe shkoi për të parë qytetin, por me një merak shumë të madh, sepse u josh nga bukuria e djalit të vogël 14 vjeçar të L.Notaras (😎. Menjëherë pasi vizitoi qytetin i hipur në kalë, sulltani urdhëroi që të shtrohej një drekë pranë Pallatit Perandorak të të ndjerit Kostandini XI Paleologu, perandori i fundit i Perandorisë Romake të Lindjes, i cili kishte rënë heroikisht një ditë më parë, duke luftuar për mbrojtjen e Kostandinopojës. J.v.Hammer-Purgstall, duke u mbështetur në burimet e kohës, shkruan se sulltan Mehmeti II: “Gjysmë i dehur, urdhëroi kryetarin e eunukëve t’i sillte djalin e vogël të Notaras, vetëm 14 vjeç, bukuria e të cilit e kishte ndezur.

Babai i tmerruar iu përgjigj të dërguarit të sulltanit se ai kurrë nuk do ta dorëzonte vullnetarisht djalin e tij për një kënaqësi të tillë famëkeqe dhe se më mirë do ta dërgonte te xhelati. Kur eunuku u kthye me këtë përgjigje, Mehmeti dërgoi xhelatin të thërriste Notaras me të gjithë familjen e tij, i cili u detyrua kështu të paraqitej bashkë me djemtë e tij dhe me Kantakuzenin. Xhelati i bëri ata të ndalonin në prag, e solli të riun te sulltani, që të bëhej viktimë e brutalitetit të tij dhe ndërsa të tjerëve iu bëri të ditur dënimin me vdekje. Notaras në këtë moment iu rikthye dinjiteti i humbur, ai i nxiti djemtë e tij të vdisnin si të krishterë dhe e mbylli fjalimin e tij me fjalët: ” Ti je i drejtë, o Zot”! Djemve iu prenë kokat para syve të babait të tyre; ai iu lut xhelatit, sepse donte ta linte vetëm disa çaste për t’u lutur në kishëzën aty pranë dhe pasi i preu kokën, ai ra mbi kufomat e pasardhësve të tij, që ende po përpëliteshin. Trupat e tyre u hodhën lakuriq në rrugë dhe u lanë të pavarrosur dhe kokat e tyre ia çuan tiranit mes pjatave të banketit, i cili ishte jo vetëm i pangopur me verë, por edhe me gjak (9).”
Thuajse të njëjtin variant e ndeshim edhe te vepra e L.P.Todière.

Sipas tij: “sulltan Mehmeti piu verë pa masë dhe, gjysmë i zhytur në dehje, urdhëroi një nga oficerët e tij t’i sillte më të voglin nga djemtë e Notarasit, vetëm 14 vjeç, të cilin donte ta rezervonte për funksionet e brendshme. Babai, i dëshpëruar, iu përgjigj lajmëtarit të tiranit se nuk do ta dorëzonte kurrë vullnetarisht djalin e tij dhe se preferonte të vdiste nën sëpatën e xhelatit. I indinjuar nga ky refuzim, Mehmeti dërgoi xhelatin që t’i sillte Notarasin, djemtë e tij dhe Kantakuzenin, dhëndrin e tij. Notaras i tha lamtumirën e fundit gruas së tij dhe erdhi të paraqitej me djemtë dhe Kantakuzenin. Sulltani kapi më të voglin dhe urdhëroi t’u prisnin kokat e të tjerëve. Në këtë moment kulminant, Duka i Madh rifitoi lartësinë e shpirtit dhe nderin që kishte humbur. Ndërsa fëmijët e tij vajtonin fatkeqësinë e tyre të përbashkët me klithma dhe rënkime, babai bujar i ngushëlloi dhe, pasi i nxiti të vdisnin si të krishterë, ai bërtiti: “Ti je i drejtë, o Zot!” Kur djemve të tij iu prenë kokat në prani të tij, Notaras i tha xhelatit: “Vëllai im, më jep disa çaste të lutem” dhe ai hyri në një kishëz aty pranë. Trupat e fëmijëve të tij ende pulsonin kur ai doli, zgjati kokën dhe u ekzekutua. Trupat e të vrarëve, të hedhur në rrugë, mbetën të pavarrosur dhe kokat e tyre ia sollën tiranit në sallën e festës; i kishte vendosur para tij në tavolinën e tij (10).”

Ndërsa F. Babinger, i cili jep një përshkrim më sintetik të ngjarjes në fjalë, shkruan se: sulltan Mehmeti II: “I dehur nga vera, thonë se ai urdhëroi pastaj again e eunukëve të bardhë (Kislar agasi), të shkojë në shtëpinë e Dukës së Madh dhe t’i sjellë aty djalin e tij të vogël. Ishte një djalë i bukur 14 vjeçar. Kur ia kumtuan të atit urdhërin, ai nuk pranoi t’i bindej. Më mirë e çonte të birin për t’i prerë kokën xhelati, sesa ta dorëzonte për ta turpëruar. Me këtë përgjigje eunuku u kthye te Sulltani, i cili urdhëroi menjëherë xhelatin që të sillte aty Dukën së bashku me djalin. Notarasi u nda me të shoqen dhe fëmijët. I shoqëruar nga djali i madh dhe dhëndri, Kantakuzeni, ai shkoi pas ndihmësxhelatit. Sulltani dha urdhër t’u pritet koka të treve. Kokat u nxorën përpara Padishahut dhe trupat u lanë të pavarrosur (11).” Në fakt, duhet theksuar se Mehmeti II Fatih nuk ishte i vetmi turk, që karakterizohej nga këto prirje, përkundrazi, ai ishte një produkt i kulluar i vetë kulturës dhe shoqërisë turke. Sipas Raymond Ibrahim, edhe pse sot është harruar, prirja famëkeqe e turqve për pederastinë i skandalizonte pa fund të krishterët (12).

Ndërsa gazetari dhe politikani indian, Mobasher Jawed Akbar, i cili ka shërbyer si Ministër i Shtetit për Punët e Jashtme të Indisë, shkruan se: Europianët perëndimorë do të pikturonin një tablo të tërbimit dhe epshit turk, duke qenë veçanërisht të tronditur nga homoseksualiteti i hapur. Republika Veneciane ua ndaloi djemve nën moshën 14 vjeç të vizitojnë Stambollin nga frika se ata do të prekeshin nga “Sëmundja turke (13).” Pavarësisht se nga njëra anë ishte barbar, vëllavrasës, mizor dhe plot vese, nga ana tjetër, Mehmeti II kishte cilësitë e shkëlqyera të burrit të shtetit, gjeneralit dhe organizatorit (14). Nga pikëpamja territoriale, ai bashkoi nën një administratë të centralizuar vendet midis Danubit e Torosit dhe krijoi tipin historik të sulltanit osman, duke përqëndruar në personin e vet pushtetin fetar dhe atë politik (15). Ai i përkushtohej me shumë pasion shkencave, fliste shumë gjuhë, ndiqte me interes astrologjinë (16), lexonte me zell tregimet për trimëritë e Aleksandrit të Madh, Jul Çezarit dhe perandorëve të Bizantit (17). Ai kishte patur si mësues mjeshtërit më të mëdhenj të kohës dhe thuhet se kur u ngjit në fron, përveç turqishtes, fliste rrjedhshëm arabisht, latinisht, greqisht, persisht dhe hebraisht (18).

Po ashtu, Mehmeti II ishte një poet mjaft i arrirë dhe pseudonimi që ka përdorur si autor është Avnî (19). Në mesin e poezive të ndryshme kushtuar dashurisë me femrat, gjendet edhe një poezi erotike kushtuar dashnorit të vet, princit të Vllahisë, Radu III Drakula. Po ashtu, sulltan Mehmeti II dashuronte në mënyrë të veçantë arkitekturën dhe ndërtoi rrugë, pallate, faltore e spitale të shumtë (20). Nga burimet dokumentare rezulton se sulltan Mehmeti II, porositi një piktor venecian për t’i bërë portretin, gjithashtu dha urdhër që të përktheheshin vepra të ndryshme të autorëve grekë e perëndimorë dhe kërkoi që ta njihte më mirë fenë e krishterë, por sidoqoftë, duke vërejtur natyrën e kufizuar që kishte ky interesim i tij, duhet theksuar se ai vijonte të ishte në vazhdën e traditave osmane dhe asgjë më tepër (21). Përsa i përket vitit kur është realizuar piktura, e cila paraqet portretin e tij dhe se kush ishte autori i veprës, nuk dihet me siguri, por mendohet se bëhet fjalë për portretin e punuar me vaj mbi kanavacë, në nëntor të vitit 1480 nga veneciani Gentile Bellini (1429-1507), që sot ruhet në Galerinë Kombëtare të Portreteve (National Portrait Gallery) në Londër (22).

BIBLIOGRAFIA:

1)- Laonici Chalcocondylæ Atheniensis, Historiarum Libri Decem, (Interprete Conrado Clausero Tigurino: Cum Annalibus Sultanorum, Ex interpretatione Ioannis Leunclavii. Accessit Index Glossarum Laonici Chalcocondylæ, studio & operâ Caroli Annibalis Fabrotti IC.), Parisiis e Typographia Regia, MDCL. (1650), f. 265.
2)- G.Hammer, Storia dell’Impero Osmano, (Illustrata ed arricchita di molte aggiunte dallo stesso autore e recata in italiano per la prima volta da Samuele Romanini), Epoca seconda: Dal 1453 al 1520, Tomo V, Venezia: 1829, f. 105-106.
3)- Laonici Chalcocondylæ Atheniensis, Historiarum Libri Decem, (Interprete Conrado Clausero Tigurino: Cum Annalibus Sultanorum, Ex interpretatione Ioannis Leunclavii. Accessit Index Glossarum Laonici Chalcocondylæ, studio & operâ Caroli Annibalis Fabrotti IC.), Parisiis e Typographia Regia, MDCL. (1650), f. 265.
4)- Ibidem, f. 265.
5)- G.Guillet, Histoire du regue de Mahomet II empereur des turcs, Par le sieur Guillet, Tome Premier, A Paris: Chez Denys Thierry, ruë S. Jacques, à la ville de Paris, devant la rue du Plâtre. Et Claude Barbin, au Palais, sur le seconde Perron de la sainte Chapelle, M.DC.LXXXI (1681), f. 247; L.P.Todière, Les derniers cézars de Byzance, Tours ad Mame et Cie, Imprimeurs-Libraires, MDCCCLVI (1856), f. 211.
6)- G.Hammer, Storia dell’Impero Osmano, (Illustrata ed arricchita di molte aggiunte dallo stesso autore e recata in italiano per la prima volta da Samuele Romanini), Epoca prima: Dal 1300 al 1453, Tomo IV, Venezia, 1829, f. 588-589.
7)- F.Babinger, Mehmet Pushtuesi: Botësulmuesi në kapërcyell kohe, Vol. I, f. 149-150.
8)- G.Hammer, Storia dell’Impero Osmano, (Illustrata ed arricchita di molte aggiunte dallo stesso autore e recata in italiano per la prima volta da Samuele Romanini), Epoca prima: Dal 1300 al 1453, Tomo IV, Venezia, 1829, f. 589.
9)- Ibidem, f. 589-590.
10)- L.P.Todière, Les derniers cézars de Byzance, Tours ad Mame et Cie, Imprimeurs-Libraires, MDCCCLVI (1856), f. 212.
11)- F.Babinger, Mehmet Pushtuesi: Botësulmuesi në kapërcyell kohe, Vol. I, f. 150-151.
12)- R.Ibrahim, Defenders of the West: The Christian Heroes Who Stood Against Islam, f. 251.
13)- M.J.Akbar, The Shade of Swords: Jihad and the Conflict between Islam and Christianity, New Delhi: Lotus Collection, Roli Books, 2002, f. 133.
14)- A.Gegaj, L’Albanie et l’invasion turque au XVe siècle, f. 97.
15)- J.Jyxhel, Vështrim i përgjithshëm rreth decentralizimit në Perandorinë Osmane, në: Studime Historike, 1, Tiranë: 1987, f. 111.
16)- J.A.Guer, Moeurs et usages des Turcs, leur religion, leur gouvernement civil, militaire et politique. Avec un abregé de l’Histoire Ottomane Par M. Guer. Avocat. Tome premier, A Paris: Chez Merigot & Piget, Quai des Augustins, M.DCC.XLVII. (1747), f. 36.
17)- A.Gegaj, L’Albanie et l’invasion turque au XVe siècle, f. 97.
18)- J.J.Norwich, Bizanti: Shkëlqimi dhe rënia e një perandorie, 330-1453, f. 341.
19)- M.Maksudoğlu, Vështrime mbi historinë osmane, f. 63.
20)- Sulltan Mehmeti i Dytë, në: Gjergj Kastrioti-Skënderbeu: 1468-1968, (Përgatitur nga Edward A. Licho), Boston, Massachusetts: Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “VATRA”/Pan-Albanian Federation “VATRA”, 1968, f. 148.
21)- R.Mantran, Historia e Perandorisë Osmane, f. 87.
22)- E.G.L.Pinzelli, Masters of Warfare: Fifty Underrated Military Commanders from Classical Antiquity to the Cold War, f. 97.

Nga: Paulin Zefi.
Lezhë: 29.05.2023.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.