Djepi i arit

0
111
Ernest Koliqi

Ernerst Koliqi

Novelë, marrë nga vëllimi me tregime e novela “Tregtar flamujsh
Kjo novelë u kushtohet gjith atyne qi Bajrami përkundi në djepin ari të Fantazis…

I

Nji Malsuer?
– Si urdhnon.
– A ka fjalë me mue a me tem át?
– I kallzova qi zotnija ka dalë në pazar e qi vetëm djali gjindet në shtëpí; më tha “flas edhe me djalin”.
– A e njef kush âsht?
– S’e mbaj mend ta kemi pá ndojherë.
– Mirë; bjere këtu.
Rrogtari doli. Loro Shegori vazhdoi letrën qi po shkruente në makinë.
Hyni n’odë, sjellun prej rrogtarit, nji Malsuer shkurtatak, veshë me çakçirë1) e nji setër ushtarësh, në krye nji rubë të kuqe lidhë nye nên mjekërr, në dorë nji shkop të gjatë. U ndal afër derës. Lorja shkruente gjithënji, përngutshëm. Donte të mbarojë deri n’orën njimbëdhetë letër-shkëmbimin tregtar të javës me vise të jashtme për me dalë në Treg të Madh të qytetit.
– T’u ngjatët jeta zotni – përshëndeti Malsori.
– T’u ngjatët me nderë – përgjegji Lorja, por vetëm kur mbaroi rrjeshtin çoi syt kah ai edh’e pyeti:
– Shka don, more dai, prej meje?
Ai nga dera eci edhe dy hapa mâ mbrêndë n’odë, hodhi syt për rrëshqit n’e djathët kah tryeza mbushë me tefterë ku po shkruente nëpunsi i Shegorejve, këthei si vjedhtas kryet mbrapa e vrejti rrogtarin qi qëndronte me dorë në dorzë te derës edhe bâni:
– Pata nji fjalë me zotnín tande.
– Lorja e shikonte, me gishta gjithënji ndër germa të makinës.
– Çfarë fjalet? Thuej.
Prap ai shikoi nëpunsin. Edhe rrogtari doli, kur ai lëshoi syt në të për së dyti.
– Më fal se ké punë e po të trazoj, por deshta me i folë zotnis sate vetëm për vetëm.
Lorja i tha nëpunsit:
– Shko, Pashko, e pije nji kafe andej edhe thueju ta na i sjellin dy ketu.
Iu largue makinës e iu afrue me ndêjse aty afër, ftoi edhe atê:
– Del.
Nxori kutin e cingareve edhe ia paraqiti Malsorit.
– S’e pij — tha ai.
Në majen e shkopit të gjatë qi kishte në dorë Lorja vûni roe nji lëmue2) e u kujtue se mbante Ramazanin.
– Po çfarë fjalet ke me mue, more dai?3)
– A jé djali i Mark Shegorit, ti?
– Njâj vetë. Pse?
– Qofsh shëndosh. Kam ardhë për nji punë qi mundet me na qite çirak4) të dyve.
– Me na qitë çirak? Po çfarë punet?
– Ti gjâ ké boll, shyqyr Zotit. Të ka kurdisë Perendija me të tâna të mirat. Edhe un, prej Zotit, s’jam keq. Por nieri s’ngihet kurr.
– ?!
– Tash disa dit siellem nepër Shkodër tue kërkue nji burrë të ndershëm e të dijshëm. Edhe më duket se ndesha taman n’atê qi më lypet. A ké besë, zotni
– Fol, prá, po të tham! — ia këputi shkurt Lorja padurueshëm.
– Paj s’po dij, zotní, kah m’e nisë fjalën. Due me ta çilë nji punë qi ka me të lâne pa mend.
Lorja mâ u afrue. Filloi me ia zgjue kureshtën ai dreq Malsorit.
– Dishka kam gjetë në nji ograjë5) temen. Do gjâna të kushtueshme.
– Lorja ia nguli syt. Shqyrtoi me kujdes at fytyrë qi i rrinte kundruell: fytyrë me hije të mirë, plot çilterí, burri t’urtë.
Malsori vijoi:
– Mos u mërzit se due me ta diftue mbarë e mbarë si më ndodhi. Tash do dit po mblidhshem gurë në krye të nji ograje qi kam pak si larg shtëpís. Hêm dojshem me dlirë tokën, hêm me i grumbullue gurt të tânë në nji vênd për me goditë nji mur. Edhe nâna punonte aty me mue. Kur, shka me të kallzue?!, më ndeshë ternagopi6) në nji teshë. Largoj dhén e gjêj nji rrasë të gjânë. Thrras nânën me m’ardhë në ndihmë. Me njimijë zore e losim rrasën vêndit edhe shof, more lum zotnija, nji gropë…
– Nji gropë?!
– …nji gropë e madhe, qoftë për mirë, sa dy herë kjo odë. Nji shkallë guri ulej deri poshtë. Por ish terr. Çova nânën shpejt e shpejt në shtëpi me më prû nji bishtuk. S’kam gojë me të diftue si e bâna, zotní. Baba em, rahmet pastë, me thote gjithmonë se nên kalá të Drishtit ka gjâna të kushtueshme gropue në dhê.
Lorja ndëgjonte me sy hapët. Shpirti i mvarej nga buza e Malsorit.
– A hîne aty mbrêndë?
– Po si s’hîna, zotni? Prit se po të kallzoj. Kur ma pruni nâna bishtukun, u ula kund njâ pesëdhetë kâmbe shkallë e… shka me pá!
Burri i Malsis i ra syve me dorë e shprehi me vizat e luejshme të fytyrës habín mâ çmeritëse. Lorja, të tâne vesh, gati sa s’harroi të mirrte fryme.
– Aty ka njerz gurit, aty ka qypa të mëdhaj mbushë me nji pluhun të rânde qi shëndritë, ka stola florînit…
– Florînit?
– S’dij, shka me të kallzue mâ parë!
Lorja u përkul kah tregimtari me shtat, gati si të donte m’e ndihmue në tregim.
– Po, hâ, kallzò shka pae tjetër?
– Shka pásh-a? s’dij, më turbullohet mêndja, zotni loci7). Tash i shef vetë kur të vijsh. Ka armë me dorza plot lajle, ka rrasa në mur me shkrola: në mjedis të mjedisit ka nji karrigë, kaq të naltë, krejt e verdhë, mbërthye gjithkah me burma8). Pingul mbi të bjen prej s’nalti nji kandil i bukur, s’kam pá!, vjerrë me sinxhirë atje në qemér. Edhe kandili krejt i verdhë. Mbandej në nji skutuliq9) asht nji djep arit, an’e kând i punuem.
Malsori heshti. Heshtte edhe Lorja, s’pari i hutuem prej atij përshkrimi të papritun visaresh, e mâ vonë i kapërthyem nga mendimet e ndiesínat e hovshme qi me mija iu linden përmbrênda.
Mori me hy rrogtari, tabakën me dy kafe në dorë.
– S’dona kafe; na lên rahat — i briti Lorja me za të marrun. Mbandej iu drejtue Malsorit edh’e pyeti:
– Po a i ké kallzue kuj tjeter shka po inë kallzon mue?
– Të thaçë pár zotni: kam ndêjë tue u sjellë tash mâ se nji javë nepër Shkodër për me gjetë nji nieri beset. Un jam i Malsuer i pa shkollë. Vetëm s’dij hiç shka me bâ. Ndore Zotit e tanden. Kam pëvetë e kam pëvetë. Kam mësye shtëpít tuej pse jeni zotnij të mirë e të marrun vesht si baba si ti. Kët punë nieri i gjallë në fytyrë të tokës s’e din veç un e ti e nâna e eme…
Lolja u çue në kâmbë e filloi me iu endë poshtë e nalt odës. S’e zênte vêndi vênd.
Befas nji dyshim ia terratisi shpresat e mëdhaja qi i flakojshin përmbrênda.U ndal para Malsorit edh’e zamariti10) ftoftas. Por, jo. Shprehja e asaj fytyre të qetë, drita e thjeshtë e atyne syve ia zhdavaritën dyshimin. Ishte e vërtetë. As andêrr e kândëshme qi tretë ndër avuj të zgjimit mëngjesuer, as ngjarje e lexueme në nji rromanx, por punë e vërtet! Nafaka, zojë bishtnore, me nji karvan visaresh kishte trokllitë vërbtas në derë të tij. Lypej, veç, nji drejtim i shpejtë, i matun, i urtë veprimesh. Prap u ndal para burrit qi rrinte tue i rnarrë erë lemonit në majen e shkopit edhe foli:
– Ti e merr vesht, more daí, qi kët zbulim s’duhet ta dije kurrkush. Po ranë n’ere njerzit e qeveris, të lânë pa gjâ. Pa gjâ. Pa gjâ, për Zotin! T’i marrin të tâna. Ke bâ shum mirë qi erdhe të na. Kjo âsht nji punë qi vetëm s’mund ta kryejsh. Êe? A të mbushet mêndja qi vetëm s’mund e kryejsh? Edhe, po të tham, ke ndeshë sakt në njerz të ndershëm. Qe, besa e Zotit: Çfarë do fitimi qi të dali prej gjânave të gjetuna, do ta dajmë për gjysë.
E Lorja i dha dorën. Tjetri tha:
– Ndore Zotit e tanden.
E vijoi:
– Tash më mëso si me punue.
Djali rishtas iu end poshtë e naltë odës. I fluturonte mêndja gjithkah: s’mujte m’e përqandrue në nji vênd. Mendime udhtimesh nëpër dét, hotelesh luksi, automobilash, argtimesh, grásh. Sa, sa mund kapej vlera e atyne gjânave të vjetra? humbi ne nji gjire11) shifrash. Por s’duhej m’u habit. Lypej veprim i shpejtë. U këthye te Malsori edhe prap u ul ndëjun.
– Po më kallzò edhe nji herë shka pae aty mbrêndë?
Ai prap ia njehi gjânat e çmueshme qi përmbante qelija e nêndhéshme.
Sa qypa janë?
Katërmbëdhetë. Ta mëdhaj gati sa un në kâmbë.
– Po a e shtîne dorën thellë?
– Jo, por përsipër kanë nji pluhun si të verdhë.
– Ar?
– S’dij shka me të thânë.
– Po tjetër shka kâ, veç sendeve qi më kallzove?
– Ka gjithëshka. Âsht nji njeri gurit mâ i gjatë se tjerët. Mbas atij kam gjetë nji derë hekurit.
– A e ke çilë?
– Ditën e parë, dreshta. Por e kam çilë mbas dy ditsh.
– E shka pae?
– Me të marrë mnera12), zotní. S’karn hî mbrêndë, por prej deret pásh nji odë, njâ shtatë herë mâ e madhe se e para, të tâne rreth e përçark me shtylla mermerit, e me njerz gurit rreshtue andej e ketej, me karrign punue për bukurí, e me gjithëshka.
– Arit, karrigat?
– S’e dij. S’jam avite.
– Po pse s’e ke prû nji dreq mostret? Shkado me pasë marrë me veti.
– Na jena gjind e pa dije, zotní. Nânën e kapë hataja kur hî aty mbrêndë. M’i qet bénat ku te jén mâ të mëdhaja tue më porositë mos me prekë gjâ. Thotë se ato gjâna jane amanete të dekunsh e se i ruejnë orët. Dron se orët më shitojnë13) me vû dorë në to.
– Prralla! Shikò këtu: për sa sahat mbërrîhet te shtëpija e jote?
– Për dy sahat, për dy sabat e gjysë.
– Mire. Tashti nisu fill e më bje nji mostër, të shofim shka janë ato gjâna qi gjete: ar a serm a shka…
– Un po shkoj edhe njitesh, në daç, por diten tham se s’bâjmë mirë me i marrë. I marr sundte sa t’erret. Kam edhe do punë në pazar.
– Lêni punët tjera. Në kryejshim këtê qi kemi për doresh, do bâjmë pallë e s’po punojmë mâ sa të jena gjallë…
– Si urdhnon, zotní, po kam dá orok14) me njânin e më pret.
– Me ké? — pyeti djali me nji tingull dyshimi ne zâ.
– Jo, me nji shok temin. Për atje, nisem mbas yftarit e sundte sado vonë këthej me mostra. Tash po i fus në thasë të qymyrit. Po ta biej nji barrë qymyr.
– Bjer sa të duesh. Po shka po merr se, për mostër?
– Po ia hjeki nji copë, në mujsha, kandilit. Po të biej edhe burmat e karrigës. Po shof edhe a kam si ia marr nji copë djepit.
– Jo, jo: djepin mos e përkit. Por shtine dorën thellë ndër qypa e shif a ka gjâ tjetër nën at pluhun qi pae. Mos gjetsh gjâ, merre në faculetë do asi pluhunit e bjerma.
– S’ka m’u qitë prej nânës, zotni. Qân sa herë marr me hî në gropë.
Lorja nxorri prej xhepit dy napuljona e ia dha Malsorit.
– Na: blej ndoj peshqesh e mbushja menden qi po del çirak ti edhe ajo. Orë e amanete, e ku dij un shka keni ju, janë prralla.
Malsori u ngrejt.
– Mbasdite tash po këthehem te ti.
Lorja mendoi pak e tha:
– Hajde e haje yftarin këtu te vetë.
– Jo, zotní, pse…
– Hajde, hajde. Mbandej nisu prej këtej.
– Peqe.
– Të pres, prá. Shif, gati sa s’harrova me të pyetë: po si të thonë emnit?
– Bajram.

 

II

Lojnat e mrekullueshme të fatit! Çohet njeriu në nji mengjes si përherë edhe fillon të mirret me punët e mërzitëshme të ditës, me rangët e randa të jetës së zakonshme, nuk ndritë me asnji ngjyre të gjallë, s’përmban kurrfarë tërhjeksije në vetvete. Kujton njeriu në mëngjes se edhe ajo ditë do të kalojë njinji si vargu i paprém i ditve tjera, endë me kujdeset e rendomta edhe me andjet e vogla të rendomta, të cilave vaditja ia paksoi shijen. Zbardhë njeriu për m’u errë pa dridhjen e nji përshtypjeje të jashtazakonshme, tronditëse, përtrîse. Kur, qe, nji Malsuer si i rán prej qiellit kryqzon udhën e jetës së vet me atë të jetës sate. E jeta shëndritë me rreze arit. Jo t’arit metaforik, por t’arit të vjetër e të punuem, qi mund të shëndrrohet e llogaritet në shifra të gjata e të vërteta.
Lorja gjithënji ecte nëpër odë, i dejun ndër mênd. Si Rafaeli qi në pikturën e martesës së Zojës me Sh’Jozefin rravizon veten në nji skâj tue këputë për gjymsë me gjû nji shkop të hollë mbajtë me të dyja duert, edhe don të parafytyrojë me këtë se koha u bâ dysh sepse me at martesë mbaronte dhjata e vjetër dhe fillonte dhjata e re, njashtu Bajrami ia thei dy copash jetën Loros: njâna përfshinte vjett e kalesës pa ngjarje të dêja m’u përmendë gjatë, e tjetra ardhëmenín e çelun prej tregimit të papritun, ardhëmeni plot mrekullina.
“Pare kam për të pasë shum në dorë. Me spol15). Do të bâj punë të mëdhaja. Do t’udhtoj. Do të blej nji jacht. Ka m’u çuditë em-át kur t’i kallzoj mbrâma. Sa oda do të jén njâna mbas tjetrës? A thue përnjimend arit janë të gjitha karrigat qi ka pa Bajrami? Ç’do të mrekullohen gjindja. Ku i mori të gjitha këto paré? Do të porosis nji Rolls Royce. Ky dreq Bajramit mos shkon me i kallzue ndokuj tjetër? Pak i dhaçë, dy napuljona. Dhetë t’i epshem. M’e kaparue mirë. Me kê doli me folë ky? Ç’ka m’u çuditë Hilushi! Do t’i fali nji bibljotekë. Do t’ia bëj nji odë me shkrue, të tânë stil Nandëqind16). A thue t’i kallzoj qysh tash Hilushit? Ai mundet me më diftue çfarë epoke janë ato gjâna. Din vlerën histortke të tyne. Mos të më kërkojë hise tepër te madhe mbandej? Jo, Hilushi ka me dalë mêndsh prej shêndit tue pá rándësín historike të zbulimit. Po dal e i kallzoj. Nji shok besnik më duhet për m’u këshillue me tê. Kjo punë âsht tepër e madhe, e s’bâhet vetëm!”
Hyni n’odë nëpunsi. Lorja tha:
– Un po dal.
– A s’po i mbaron letrat-a?
Lorja luejti dorën si me thânë: “Dreqi t’i hajë letrat edhe punën e deritashme…”
Thirri rrogtarin e e çoi me lajmue n’odë të zjarrmit se njaty në pesë mbasdite do të vinte dikush për bukë. Urdhnoi me i pregatitun gjella sa mâ të mira.
Jashtë binte shi i imtë. Shiroku mshefte qiellin mbi qytet me nji çarçaf të nxit18) résh qi kurrkund nuk shifej i shqyem. Rrugat i mbulonte nji shtroje e butë llomi. Ishte afër mjesdita. Lorja u nis kah Liceu i Shtetit për me pritë në të dalun prej mësimeve shokun arsimtar. Nji marsh krenar mendimesh, ku lartushtojshin18) dallduese burijat e shpresës, ia rrythmonte hapin e zhdërvjelltë nëpër llom të rrugave.
“Kollaj fort qi qypat gurit janë mbushë me pare të vjetra. Ranen sigurisht ia kanë hjedhë përsipër qi të mos të két shka me u bâ zjarrmi. Katërmbëdhetë qypa të mëdhaj. As me kênë shpella plot visare e Ali Babahit. Sesam, çelu. Më duket se e ka përkthye shqip Mati Logoreci kët prrallë. Do t’i qes sa mâ parë përjashta sendet mâ të kushtueshme. Paret tash i vendosi n’Angli e në Zvicra. Janë vênde të sigurta.. kur të këthej në Shkoder me nji Rolls Royce!”
Mungojshin edhe dhetë minuta me ra mjesdita. Eci deri të Bashkija e këthei.
“Po rrasat me shkrola? A thue latinisht janë shkrue? Kushedi çfarë historije e çuditçme do të dali në shesh! Por namin e zbulimit historik do t’ia lâ Hilushit. Ç’ka m’u çuditë Hilushi, kur t’i kallzoj! Mue s’ka me më besue. Tash po e bâj të flasi me Bajramin”.
Nji zâ i naltë nga minarja e Xhamis së Fushës së Çelës thirri kah qielli, zbriti në krahët e qytetit: Tingulloi pîtas nëpër ajri shurdhue prej shirokut ortari19) i kumbanores së Fraceskâjve, Kumbonët nisën me lëshue nëpër shi uratën e mjesditës.
Nxânsit filluen m’u dá prej shkollet. U mbush udha me ta. Tuba tuba shpërndaheshin shpejt e shpejt në të gjitha drejtimet tue ecë me libra nën sqetull kah shtëpija. Lorja pau Hilushin tue dalë në derë të Liceut me nji kolegë. I lëshoi nji zâ. Ai erdhi.
– Po ti? S’ke dalë në pazar sot-a?
– Jo, Kam ardhë me të marrë për mjesditë. Dishka due me të kallzue.
– Shka? Je fejue a gjâ? – Jo, jo; por lajme qi kanë me të çuditë. Eja.
– S’mundem; kam mësim mbasdite.
– Ta hajë dreqi mësimin. Hajde po të tham. S’ka me të rá ndër mênd për mësim kur të ndigjojsh punën.
– Mirë: po vî.
Ecën kah shtëpija e Loros. Rrugës, Lorja filloi:
– Më duket, Hilush, qi kena m’e mrekullue Shkodrën e botën bashkë.
– Êe?!
– Kam gjetë nji thesar të moçëm…
Hilushi e shikoi për seri20).
– Pásh Zotin shka ke sot? Edhe në fytyre ke ndrrue!
– Kam gjete pra nji thesar…
– Mos luej. Ti e ké gjetë?
– Un jo, por nji Malsuer qi erdhi tash nadje te vetë.
E shkurtazi tregoi shka kishte ndëgjue prej Bajramit. Shoku u habit nji herë, por mbandej:
– E ti i beson atij?
– Po ku din nji Malsuer me rrêjtë aqë bukur? Ai duhet me pasë këndue në fletore21) zbulimin e vorrit të Tutankamenit. Tash e ndëgjon ti vetë me veshë të tuej.Hilushi tundi kryet. Mbërrijtën ke shtëpija, pinë nga nji putir raki edhe u ulen në sofër me ngrâne.
– Me kânë e vërtetë, kjo âsht nji punë e madhe fort — pohoi Hilushi.
— Lê paret, por dobija e rândësija për historin tonë. Nji galeri me qemerë gurit plot shtatore… Jo, xhanem, s’mundet me kênë. Ai ka pá ândërr.
– Po të tham qi as mue s’me bâet m’e zâne besë. Tash shef kur të vijë Malsori. Mue ma ka mbushë mênden.
– Gjithëkahë ndodhë.
– A thue, Hilush, janë të kohës s’illyrve?
– S’e besoj. Illyret s’ishin skulptora të mirë. Por mundet qi shtatoret ia kanë grabitë ndonji tempulli grek. Ata kusarojshin brigjet e detit helen. Mos i ka mshefë Genci visaret e veta para se me ia hi ma së mbrames qindresë kundra Romakve? Do t’ishte zbulim tepër i madh.
Hilushi harroi bukën e u çue me shetitë nëpër odë me mësallë në dorë.
– Shkrolat ndër rrasa do të na lëshojshin dritë mbi rrjedhjen22) e gjuhes sonë. Do të kishim dokumenta n’Illyrishte. S’e besoi kurr! Do të dijshim a ka arsye Hahn qi thotë se shqipja vjen prej gjuhës së pellazgve apo Mayer qi pohon se rrjedh nga nji djalekt i Illyrishtes. S’mundet me kênë. Âsht fat tepër i madh. Mundet qi janë të kohës shum të vonë, ndoshta visare të mshefuna prej Kontave të Drishtit.
I biri i tregtarit s’ia vênte veshin shokut, i marrun mêndsh prej shestimeve23) qi bânte vetimeveti.
Përpiqej me caktue për àfras nji shumë të hollash qi të përfaqësonte vlerën e gjânave të gjetuna. Shifra të nalta vlojshin në trû të tija. Kur foli, i tha shokut:
– Un si gjuetar s’biej në sy. Kapi çiften, marr zagarin e dal në Domën. Natën me Bajramin hî në gropë e shof shka ka. Por duhet të presim qi të na sjellin Bajrami mostrat.
At ditë Hilushi e la Licén. Ndêjën aty n’odë të bukës e pinë kafe mbas kafjet, cingare mbas cingarjet, pèzull në nji padurim të madh, tue pritë ardhjen e Bajramit. Për çdo trokllim të derës s’oborrit, të dy kërcejshin me shikue në dritore.
Tekembrâmja, pak gjâ para orës pesë, Bajrami ia mbërrîni.
Lorja i tregoi tue i shenue Hilushin:
– Këtê e kam shok besnik. Âsht djalë me shkollë, asijsh qi shkruejnë, e na duhet për me na kallzue shka janë ato gjâna qi ká gjetë.
Malsori, pa u tundë, ia priti:
– Ti e din ma mirë se un, zotni, si rregullohet puna. Bân si ta marri mêndja. Jam lëshue krejt ndore tande.
Hilushi deshi edhe ai me ndëgjue prej Bajramit historin e ternagopit qi ndeshi në rrasë tue dlirë gurt n’ograjë. Ky tregoi prap fill e për pê shka kish tregue në mëngjes. Shoku i Loros u përpoq me disa pyetje të vrikshme e të ndërlikueme m’e hutue, por ai s’turbullohej asnji grimë veç mbarë e mbarë përshkruente gjânat e páme në qelit e errta. Iu mbush mêndja edhe Vilzës.
Si ra topi24), ia shtruen bukën para Bajramit. Ngrânte qetisht tue i përgjegjun djelmve qi tash për nji sênd tash për nji tjetër s’pr’ajshin tue e pyetë. Kur mbaroi së ngrânuni, piu kafe e thithi dy cingare duhan, u çue e muer me dalë.
– Atëherë, sundte: êe, Bajram?
– Sado vonë, vi me barrë qymyrit.
Lorja prap nisi me ia përsritë porosit.
– Njashtu sime thae po punoj, zotní — ndei gati te premtoje Malsori.
Tue dalë prej ode, djali i tregtarit i tha:
– A ké nevojë për pare tjera?
– Jo, së më duhen gjâ.
Lorja shikoi Hilushin ndër sy mbas kësaj përgjegje. E përsollën të dy Bajramin mje ke dera e oborrit.
Lorja uroi:
– Hajt, Bajram, ta prîftë Zoti mbarë!
Kur ai u nis, Shegori e pyeti Vilzën:
– Si të duket puna?
– A e din se m’e mendue fort, jena në short me dalë mêndsh prej gzimit?
Mbas do kohe qi u ndryn prap n’odë të bukës me rrahë papushue bisedën e visareve me të cilën s’kishin kurr të ngîm, ia behi edhe i zoti i shtëpís prej Tregut të Madh të qytetit.
U fal me shokun e të birit, mbandej iu suell ketij:
– Të kam pritë sot në magaze.
– Apë…
I ati ngrejti fytyrën kah djali tue u çuditë për at dridhje hareje qi i ndëgjoi në zâ.
– Kam me të kallzue punë të mrekullueshme…
Ai i shikoi fytyrat e të dy t’ rijve, qi vezullojshin, edhe rrudhi vetullat.
– Ka ardhë sot nadje nji Malsuer…
Lorja i diftoi gjithsesi t’et punen e zbulimit n’ograje. Mark Shegori, i cili rrallë çuditej për ndoj sênd, s’pari nuk e besoj. Vetëm kur foli Hilushi, tue ia përsritë fund e maje tregimet e Bajramit, u bind edhe ai. Por s’dha shêje të teprueme kënaqsije.

 

III

Dy të rijt ndêjen sa ndêjen me zotni Markun, i cili bisedoi pak, mbandej duelën në kafe për me ndihmue kohën të rrëshqasi mâ me shpejtí. Rrugës hasën Bob Rrùkullin, qi u kaloi për brî si era pa i përshëndetë.
– S’na pau: paska punë shum sundte Bobi – qeshi Vilza. Në kafe u ulen në nji tryezë e porositën dy çaja.
– Edhe nji muej kushedi ku jam — filloi Lorja.
– Shponju njiherë udhtimeve — e kundrështoi shoku. — Në kjoftë se e lypë puna e… punës qi të delish, atëherë, po; përndryshej duhet të qindrojsh këtu.
– Me pasë pare mjaft e me ndëjë këtu? S’kam dalë mêç!
– Të shofim njiherë sa pare ke me pasë…
– Miljona.
– E pra, në paç miljona, duhet të ndalesh në vênd.
– E shka me bâ? Më kallzò. A me dalë përditë m’u shkrrye në magaze-a?
– Prit se të diftoj un. Tashti njiherë duhet dijtë me përpikni vlera e atyne. Po kje vlerë miljonash, duhet të gjindet nji mënyrë si me i shitë. E zâmë se i shitme e i bâmë pare. Pikësëpari ti, me më ndëgjue mue, seguron mirë e mirë vetin tue dá nji shumë të mjaftueshme e tue e çue në Zvicra, mbandej me paret tjera ngrehë nji institut bâmirsije këtu.
– Po, duhet me bâ dishka edhe për vênd.
– Nji institut bâmirsije me degë të ndryshme. Me nji spital të madh. Çon e merr dy profesora jashtë: nji intemist25) e nji kirurg. U vên për afër atyne dhetë doktora të rij shqiptarë si asistenta. I paguen mirë.
– Mbandej?
– Prit. Me nji shtëpî kure për ata qi kanë smundje ngjitëse. Me nji strehë për pleq e plaka qi mbesin në pleqni pa ndihmsa. Me nji zyre advokatore…
– Ma ka?
– …Për Malsorë e Katundarë të vobegtë ku këta siellen gjithsaherë qi të kén punë me gjyqë. Me nji bibliotekë të mirë për të rij… Por, jo; këtê due m’e bâ un.
– Pse, edhe ti don me bâ ndoj send-a? — tha Lorja të cilit s’iu pëlqye fort ajo fjalë e shokut.
– Kjo varet prej shumës qi do të m’apish ti. Po kje se ti mundesh me më falë nji sast të mjaftueshme të hollash, due me ngrehë edhe un nji institut tjetër.
– Çfaret?
– Kulturuer. Aty me i bashkue ata qi janë mâ të zott në gjuhë shqipe. Me botue nji të përkohshme muejore. Me mbledhë folklorën e tânë Shqipnis, sistematikisht: kângë kreshnikësh e valle, prralla e gojdhâna, thânje e fjalë: mos me lânë skutë të Shqipnis pa kërkue. Me lypë studjime e mendime prej albanologve të huej më të përmendun. Me botue libra. E me i pague mirë auktorët. Me bë nji edicjon luksi, me koment, të Budit e të Bogdanit, të De Radës e të Naim Frashërit e të Skirojt. M’u kujdesue për përkthimin shqip të kryeveprave botnore. Me hapë nji bibljotekë me të gjitha konfortet26) me nji salë të madhe konferencash.
– S’e ké keq. I bâjmë të tânë këto.
– Ti mbandej tash u dán shtatë a tetë bursa në vjet nxansave ma të shquem të Liceut. I çojmë m’u specjalizue mbas nevojave qi të kén dy institutet tona.
Hyni në kafe Bob Rrùkulli. Rrotulloi syt gjithkah si të kërkonte dikê. U afrue kah tryeza e dy të rijve edhe pyeti:
– A e keni pa kund Henrik Vallnín?
– Jo, s’ka ardhë iu përgjegj Lorja.
Bobi doli. Mbas do çasave ia mbërrîni Henrik Vallnija. Kur kaloi afër tryezës së tyne, Lorja i tha:
– Të ka kërkue Bob Rrùkulli.
– Aa? Ku shkoi?
– Njitash sa doli.
– Tash po këthen. A e kam lêjen? — pyeti tue marrë nji ndêjse.
Si mbërrijti në shtëpí, Lorja shkoi drejt me pa t’amen, prej sa vjetve rat në shtrat pa mujte me dalë ode. N’at odë, qi stufa nxente gjith ditën, vinte prore si nji erë e lehtë drandofillesh. Përditë në mëngjes e në mbramje, e kur s’dilte në Treg edhe ma shpesh, Lorja shkonte e rrinte nji copë herë ke e ama. Kjo ia pau menjiherë në fytyrë të birit at haré të shqetë, at dritë shpresash te dridhuna ne kujdes e ne padurim edhe, sa doli grueja qi e shërbente, i tha:
– Më ka kallzue yt-át: a je kondênd?
Djali u prit e s’e shprehi hovshëm dalldin e shpirtit, nga friga mos ia trondisin asaj zëmrën e brishtë ndështypjet28) tepër të gjalla. Foli qetisht:
– Posi! shum kondênd. Na ka punue kot bafti. Kena me kênë në gjendje me u bâ mirë edhe të tjerve. Po ti, shka thae kur ndëgjove?
Ajo buzqeshi âmbëlsisht. Në dritën e syve të saj, plot dashuni për të birin, ndêhej si hija e nji mallëngjirni të pastër. E ndiente veten tashmâ krejt të shkëputun prej të mirave të këtij shekulli. Smundja, tue e ba krejt të pamvarun nga lakmija e pasunis së landët, e kishte mësue të çmoje visaret shpirtnore qi kanë vlerë edhe përtej vorrit. Përgjegji:
– U gëzova për ty…
– Tash të bij nji specjalist prej Vjene — ia priti djali me zâ të këputun prej dashunije. Ajo ia muer dorën e ia shtrëngoi, e lume në lumnin e tij. N’odë të bukës Lorja gjet t’an, të shtruem në sofër, vrântë në fytyrë. Lorja s’dinte me i dhânë dum atij zymnimi të papritun. Ngrânëte tue heshtë. I ati në nji shêj kohe ia nisi:
– Ke bâ gabim qi e lëshove vetëm at Malsorin. Â kênë dashtë me shkue fill atje me të. S’janë punë këta qi lêhen ashtu. Me na pështu zogu doret, ec e kape mandej… Automobilin e ké; me pasë hî mbrêndë me atê e me pasë çá29) sbashku. E m’u pendue ai Malsori e me ia mësy nji tjetrit?
– S’e besoj: i dhaçë dy napuljona në dorë.
– Sa pare bân? Pesë me i pasë dhânë.
– Prap e pyeta kur doli a dote pare, por më tha jo.
Tregtari heshti nji grimë, mbandej rishtas nisi;
– Po atij Vilzës pse me i kallzue? Gabirn i madh. Njikështu shkojnë punët kur s’jam un në shtëpi. Ai, tashti, don hisen e vet…
– Lorja uli kryet në çiní.
– Po me iu mbushë mendja atij e me shkue, tash sa jena këtu tue hangër, drejt e tu ai Bajrami e me krye punë pa ne?
Djali çoi kryet e me energji kundrështoi:
– Kurr s’e bân kêt punë!
– Eee… Ndër këso punësh s’duhet me i besue as këmishës së shtatit. Ti je i ri; un e dij jetën mâ tepër.
– E njof mirë Hilushin.
– Mundet me kênë; po e lâme n’e t’andën30).
Prap ngrânëne në heshtje do kohë, mbandej i ati e pyeti Loron:
– Kur vjen ai Malsori?
– Njaty prej mjesnate, më tha.
Zotni Marku foli me za të fushitun:
– Ti rri e prite. Shofim njiherë shka janë ato mostra. Bâjmë edhe nji hesapë qi të dijmë çfarë shume të hollash na del prej kësaj pune. Duhet urtí e madhe. Ma i vogli gabim na Iê pa gjâ. Gjânat mâ të kushtueshme i biejmë këtu në shtëpi, nën ahër. I barim naten me kual ase me automobil tand. Në paçin pare ato qypat, si besoj, te qes ty përjashta me i shitë ka pak ka pak. Edhe gjânat tjera i nisim përjashta.
– Ka me kênë punë e zorshme.
– Dij un si. Shofim sa nxjerrim prej tyne; e, në kjoftë levërtija, hapim nji dugâjë të madhe në Tiranë.
– Po Bajramit shka me i dâ?
– Bajramit? Kollaj. Kur t’i barim gjânat në shtëpi, të gjitha, i apim njiherë njâ njiqind napuljona.
– I kam dhânë fjalën m’e dá përgjysë shka të dali!
– Ke falisë në mênde-a? Nejse, e ndreqirn at punë. Si t’i shesim vjetërsinat përjashta, i apim edhe njiqind napuljona tjerë. As ândërr s’i ka pa kurr kaq pare!
– Po Hilushit?
– Ky dreq na âsht ngatrrue kot, faji i yt. Atij i lâmë ata njerz gurit edhe rrasat e shkrueme. Të shkojmë e t’i marrim vetë, po lcur t’i kemi shitë na gjânat tona.
– Po ndoshta shtatoret e rrasat bâjnë shum mâ tepër se gjânat arit…
– E dij hollë, por âsht zor me i qitë jashtë. Të bâjnë shka të duen me to. Un jam i sigurtë se heret a vonë tash ia zên qeverija. Marifeti âsht qi të marrim na sa mâ parë hisen tonë.
Tregtari ndêi gjatë tue bisedue me të birin. Gjithënji sajonte si m’e hapë tregtín e vet në Tiranë e në Durrës. Lorja heshtte aspak i kënaqun prej fjalve të t’et. “Në dalshin aq pare sa mendoj, ç’na duhet mâ tregtija? Ky, në dashtë, ta mbajë magazen e pazarit”.
Kur shkoi me rá i ati, Lorja i shtini drû stufës edhe u ul prânë saj me nji fletore në dorë. Vetëm syni lexonte, mendja ikte larg. Përshtypja e fjalve të Hilushit nuk i hiqej. E pau veten në krye të dy instituteve të veta, ndieu rreth e rrotull mirnjohjen e admirimin e gjindes, shetiti me mênd nëpër rrugina të gjata e të bardha të godinave ndërtue me pare të tija, u foli si i parë mjekve nëpër spitale, shkrimtarve në bibljotekë, nëpunsave të shumtë shperndá gjithkah qi u ngrishin në nderim porsa arrinte ai. Mbandej rrëshqiti me dëshir ndër qejfe. Institutet, njiherë mirë rregullue, do t’ecshin vetë. Ai do të mbette i lir me shetitë Europën, m’u rrethue me të gjitha mirakandet e bukura qi falë pasunija e madhe.
Rá mjesnata. Ai u shkund. Nji shqetësim i hollë filloi me ia terratisë lehtas vegimet e shkëlqyeshme t’ardhëmënís.
– Si s’po vjen ky dreq Bajramit?
Rá ora nji. S’e zûni vêndi ndêjun, por muer me shetitë nëpër odë. Zêmrën ia ndrydhte nji ngashrhn i dêndun. Rá ora dy. Sado qi ishte ftoftë, shkoi n’odë të miqve e shikoi në rrugë. S’binte mâ shi. Rét ishin naltue e vênde vênde shqye: ndoj hyllë xhixhillonte mbi Shkodër të kotullueme31). Rá ora tre. Gati sa s’i shpëtuen lott prej idhnimit qi e kapi në fyt. Këthei n’odë të bukës. Kaluen orët njâna mbas tjetrës. Ai u zbardh32) bri stufes, së cilës kish harrue me i qitun drû, i pigulluem33) në trup e në shpirt, pa qênë i zoti me mendue as mirë as keq.
Bajrami s’erdhi.

 

IV

Hilushi, si u dá prej Loro Shegorit, eci kah shtëpija. Mendime krenare iu rrotullojshin ndër trû. Shkon njeriu rrugës me hap të zakonshëm, tue ndeshe gjinden e zakonshme, tue marrë e tue kthye si zakonisht përshëndetjet e mbrëmjes, dhe askurrkush i huej s’kujtohet se jeta e tij ndrroi në themel, se nji përftim i gjânë e i fuqishëm i botës zûni vendin e përftimit të ngushtë e paguximshëm me të cilin doli në mëngjes nga praku i shtëpís. Qe, për shembull, Tish Arvênit, qi kalon brî mureve, për mos m’u lage kâmbesh, tue i lëshue vjedhtas nji shikim t’ulët, në gjymsatcrr t’udhës keq ndriçuc prej lampave elektriku, kurrkund s’i shkon nëpër mend se Hilush Vilza, nesër — sot nji muej, — sot dy muej, — do të përmendet prej të gjithve e se biseda e zbutimit të mbrekullueshëm nen kështjellë të Drishtit do te jesi me emën të tij e përzieme gjatë e gjatë në gojë të qytetsave. Jashtë, në fytyrë e në sjellje, njeriu i lum mban dukën e përditëshme, por mbrênde sekreti i çëmueshëm i praron si diell qi pret agimin.
Djali ngrâni pak e aspak në sofër, ku nâna e motrat rrijshin tue ia shqyrtue ballin qi i qeshte në nji mendim të heshtun. Nuk e pyeten. Shpesh ai humbte ashtu, rrëmbye në hov t’ândrrimeve.
S’mujt me zâne vend në shtëpi; u çue e doli prap në kafe. Ishte kohë Ramazani e kafet punojshin deri mbas mjesnate. Shpresoi të shifej prap me Loro Shegorin, i shtym edhe ai ndoshta me dalë nga shqetija e padurimi. Por shoku s’u duk. Veç u duk Bob Rrûkulli edhe u afrue kah ai.
– Vetëm-a?
– Vetëm, — përgjegji Vilza: — hajde.
Bobi ndêi. Hilushi e shikoi tue buzqeshë.
– Ej, Bob, shka ke sundte qi po më dukesh i ndrruem?
– Si i ndrruem? — kërcei tjetri me zâ disi të lëvizun.
– S’dij: s’je si përditë…
– S’mundet me kênë nieri gjithmonë në qef!
Tue shqyptue këto fjalë, Rrûkulli i ikte shikimit të Vilzës. Ky, kot m’e gergá, e sulmoi gjithënji me pyetje.
– Po çfarë hallit ke, a mundet m’u dijtë?
– S’kam kurrfarë hallit: pse?
– Të kam pá sot tue kalue rrugës vrap…
Bobi luejti në ndêjse i shqetsuem. Përgjegji pak si egër:
– Kam edhe un punët e mija; kujton ti se vetëm ai miku i yt Shegori ka punë-a?
– Shka hin në perde34) Shegori këtu?
– Jo, po e kam maraz, pse âsht madhështuer. I duket vetja dishka, vetëm pse âsht biri i Mark Shegorit. S’bân mirë m’u ngrehalucë aq fort, ai djali.
– S’e njiftke mirë, Bob; pse, po ta njifshe si un, nuk flet për të ashtu.
– Un s’e njof? Un i dij fén. Por mos të kujtojë se veç ai ka pare. Pare munden me pasë edhe tjerët shum mâ tepër se ai!
– Ajo qi po, dihet. Shkodra asht e madhe. Të pasun ka plot.
– Ka, ka; por munden me dalë pa pritë pa kujtue njerz me pasunt qi me pasë mêndja çeder35).
Vilzës iu dridh zêmra. Nji dyshim i flofët i rrëshqiti përmbrênda. Por qëndroi buzqeshun e vazhdoi:
– Po, pse jo? Mjafton me fitue loterin e Dublinit!
– Çfarë loterije? Kur të don bafti, ka njiqind e njimijë mënyra tjera si me u bá i pasun…
– Po na kallzò, Bob, pashë besën; nji prej këtyne mënyrave?
– Ka, posi s’ka…
Por âsht puna qi bafti s’na don.
– Ç’e din ti a me don a s’me don? Mos kujto se ka lé me baft vetëm ai miku i yt. Prit do kohë e flasim.
Hilushi mendoi: “Sigurisht ky paska ra n’erë të visareve. Mos na tradhtoi Bajrami?”.
– A din shka âsht azbesti, ti Hilush?
– E dij, po; pse?
– A kushton?
– Sa le duesh: gati sa ari. Pse? ke gjetë kund ndoj minjerë azbesti-a?
– Në mos e paça gjetë, do ta gjêj shpejt.
– Aman, Bob, mos më harrò mue!
Hilushit iu qetue zêmra. Bajrami ishte vetëm i tyne. Bobi ândrronte xehe36) azbesti.
Ndrruen bisedë. Afer mjesnate u ngrejtën e u nisen sejcili në krah të vet kah shtëpija. Çuen qafzat e kapotave, pse ishte si të prem jashtë. Moti po dilte. Hilushi e zgjatoi pak rrugën e kaloi kah kryet e rrugës së Loros, tue shpresue mos po ndeshet kund në Bajramin me barrë qymyrit.
Në shtrat, Hilushin s’e mirrte gjumi. Puna e Bajramit, deri aty e gjallë dh’e sigurtë në mênde, papritmas u shkep prej tij, i shpëtoi vërtetimit të shiseve, u largue e u avullsue e u var nalt ne nji qiell ândrre. Si mujte t’i besojë pernjimend nji zbulimi aqë çmeritës? Me nji mundim vultneti, u përpoq ta ngjalli rishtas besimin n’at punë të madhe, përsriti në mbamendje me të gjitha hollsinat ngjarjet e ditës së kalueme, ndëgjoi zânin e Malsorit, pau fytyrën hije-mirë të tij, fytyrat e Loros e të zotni Markut. Atëherë prap visaret e gjetuna u avitën, depërtuen në shiset e tija, i soditi me sy, i preki me dorë. Arrini në Domën, shkeli prakun e shtëpis së Bajramit. Me bishtukë e me fenerë ecën natën kah ograja qi ruejti në gjinin e terrshëm kushdi sa kavaljeta tepricat e ndritëshme të nji kalese të largët. Luejtën rasën e, nji nga nji, u futen në qelit e nëndhëshme. U shqye errsija shekullore qi ziliqarisht robnonte flakën e arit të punuem, bukurín e mermerit të skalitun, fjalën e çmueshme gëdhênë mbi rrasa. Sy të gjallë njerzish u epshin jetë të ré visareve të dekuna, përtrijshin në to harén qi i kish mbledhë e përdorë dikur.
Kaluen qeli në qeli, mrekulli në mrekulli. Lexuen shkrimet e vjetra, kundruen fytyrat e gurit. Nji epokë e humbun doli dal-kadalë prej territ në dritë. Emna njerzish, nderë e lavd e nji kohe të shkimun37), kumbuen papritmas mbas shum qindvjetash qi flêjshin në heshtje.
Qe, paret ari ndër qypat e mëdhej guri. Duer ushtarësh i përkitën si çmim për gjak të derdhun në lufta të panjoftuna mbi detna me emna prrallzorë e nëpër vise popullsue me gjymsa-hyjsh38); duer pretare39) tregtarësh i grumbulluen n’arkë të sigurta mbas si shitën në treg tubën e njomë të robinzave zënë në nji popull të mujtun; duer mbretneshash i shkapërderdhën për nji pëlhurë, të butë si fletza e drandofilles e t’ylbertë si gusha e pëllumbit, ardhë nga qytete diellore të Lindjes; duer bujarësh i shpërndán në vogjlí tue terë lot mjerimi e vobeksije; duer telozën-mbledhsash40) i rrëmbyen nga nji shuplakë e thát bulku; duer kusarësh i ndukën ende të nxehta e të rîme me gjakun e udhtarve të vrám. Ato duer, të reja e të rrudhuna, të pëgâme41) e të pastra, fisnike e të parodë42), kahmot u bânë hî e pluhun. Paret ende qindrojshin. Qejfet e mirakandet, blé me to në nji qindvjet të fikun, u zhdavaritën; bâmirsít e mbrapshtit, krye me to, u harruen; fuqija qi grumbulli i tyne i fali, tradhtija qi tundimi i tyne shkaktoi, u sos e u shlye. Ato gjithënji qindrojshin, të pushtetshëme, përdorake43), të gatshme m’u nisun n’udhtime të reja nëpër botë e me gjinikue44) prap përdjerrje45) e rilindje të panumër.
Qe, kandili i praruem lavjerrë midis qemerit të naltë.
Shka njofti ai kandil? Din vuejtjet e gzimet, burrninat e shnjerzimet46) e nji dere princore t’Arbnis? Dridhte flakzën në kështjell natën mbi gjumin e bardhë të nuseve qi u dhanë lulzim mot në mot nji gjaku të vjetër, ushqyes fatosash të rij. Dikoi47) ndoshta ndriçimin e zbét mbi prisin trim të nji toke në rrezik i cili mblidhej në mbrâmje me qitë shestime qindrese të pashoqe me burrat ardhë nga balli i luftës, e këta i pau përnatë nji nga nji tue mungue në mbledhje derisa ruejti edhe trupin e pa fryme t’atij, qi shtrëngonte në parzëm shpatën e përmendun me duert e pa jetë. E atëherë ndoshta, mbas asaj nate të përmortshme, kandili shëndriti mbi gzim plot brohori të ngadhnjyesave qi ngrehshin valle përdhuni vashat mbete pa proje48) të kështjellit tue u gërshetue me to anak49) mbrênda rrathit të dritës së tij. E, tashti, të gjithë kishin mbarue, burra të mujtun e ngadhnjyesa, nuse të lume e vasha të pafat, të gjithë ishin kalbë në dhé të zi, pa lânë as tingullin e nji emni të shprazët për mbrapa. Kandili flinte, pèzull, në kujtime të tij.
Djepi vezullonte në nji skutë.
Kush u përkund n’at djep ari? Çfarë krahësh të shkrifte nânash mbretnore u shtrin kah ai qi barte shpresën e nji kombi të ligshtuem, fatosin gojdhanuer, mburojë e dheut, parafolë prej kângatarve? Luhatte mbi shtroje të mundafshta, tue rythmue nji zâ gjumë-ndiellës e urues, edhe mbi të flakojshin në mur t’odës, e pritshin të rritej, armë plot lavdi, trashigim etënsh zêmër-drangoj. Tue u përkundë n’at djep ndoshta u fik nji pinjuell, rrânzë ari prej ati e prej âme qi, po të kish gjallnue, ndryshej do t’ia sillte fatet nji kombi orzí.
Hilushi, i paqetë livronte or’ e ças në shtrat. Nata i kaloi pa ba nji sy gjumë. Në kumbonë të para u çue. Njaty n’orën shtatë doli prej shtëpije. Ishte moti si pisha50).
U nis fill kah Shegorejt. Gjet Loron në shtrat. Sa hyni shoku, ai u ngreh ndêjun e tha:
– E karn pritë deri në të zbardhun të dritës: s’erdhi.
– Si? Mos na ka rrejtë?
– S’dij shka me thânë. Më lên se due me fjetë: jam këputë.
Sa doli prej derës s’oborrit të Shegorejve, pau në rrugace Henrik Vallnin.
“Shka ban ky kësajt?51) Në kët rmgacë s’ka pune as farefis as t’afërm. Mbandej kaq heret!”
Fjalët e Bob Rrùkullit vrik iu përkujtuen. Prap nji dyshim nisi m’e bré mbrêndë.
– Tungjatjeta, Henrik.
Tjetri i dha përgjegje ngatrrueshëm pershëndetjes si i zânun në faj. Hilushi u largue, në drejtim kah Liceu.
“Pse siellet, kaq heret! para derës së Shegorejve? E kane nji voe52), ky e Bobi. Mos na e kanë kapë Bajramin?”
Ecte shpejt, por pa mbërrijtë ke Liceu në nji shêj vêndit iu mbush mendja me shkue prap ke Lorja me i kallzue fjalët qi Bobi kish folun mbrâmen para dhe endjen mengjesore të Vallnís aty në rrugë. Këthei. Në krye të rrugacës, gjet Henrikun tue folë me nji Malsuer. Mos t’ia kallzonte ma parë zemra se syni, kurr s’do e njifte Malsorin. Ishte Bajrami. Por me at facoletë të kuqe, qi ia mbështillte kryet, ndreqë e ujdisë kaq ndryshe sa mos me ia njoftë fytyrën. Hilushi u lëshue kah ai, i zëmruem tèjet.
– Po ti? — i briti Malsorit: — pse s’erdhe mbrâmë? shka na rrênë kështu?
– Kadalë, lum Zotnija…
Henriku hyni kërcnueshëm ndërmjet Hilushit e Bajramit.
– Ky trimi ka folë me mue përpara.
– Edhe me ty paska folë-a? po ky na bâni bé qi na jena të parët m’e dijte punën!
– S’due me dijtë shka iu ka thânë; dij vetëm qi ky ka punë me mue…
– Me ty?
Hilushi i fishkulloi këto fjalë me dhâmbë të shtrënguem edhe shikoi egër tjetrin, gati m’u kapë keqas.

 

V

Dy djelmoshat idhëshëm u aviten fytyrash, me sy të zgërdhucun qi qitshin shkëndija. Malsori u shkoq sijsh tue thânë:
– Un s’kam punë me asnjânin jush: due me shkue te ai zotnija atje.
– E shênjonte me dorë shtëpín e Shegorejve në fund të rrugacës.
– Mirë fort — ia këthei Hilushi: — atje duhet të shkojsh.
Henrik Vallnija u largue tue ngá, mbassi qi lëshoi nji kanosje të shkurtë:
– Tash po shofim!
Bajrami e Hilushi, pa shndrrue asnji fjalë, troklluen në derë të Loros. Ky ndodhej te zotni Marku, i cili po pregatitej të dali në Treg të Madh. Kur ndëgjoi për ardhjen e Malsorit, tregtari ia lëshoi çelsat e magazes shegertave e i nisi përpara, ndërsa ai vetë muer Bajramin edhe u ndry me tè n’odë të bukës. Hilushi vojt me lajmue Loron.
– Çou se erdh Bajrami.
– Lorja kërcei në shtrat.
– A i prûni mostrat?
– Jo, s’më duket se ka gjâ me veti. Mbandej puna âsht ndërlikue. Ai faqezi ia kallzoi edhe tjetërkuej zbulimin.
– Si buenën53)?!
Hilushi ia bâni të dijtun shokut shka ngjau pak çasa përpara në krye të rrugacës. Lorja veshej shpejt e shpejt, ndërsa tjetri vazhdonte tue i diftue edhe ato fjalët e Bob Rrûkullit në kafe.
– Qyshë mbrâmë kam dyshue — përfundoi Hilushi.
– Po tash?
– Kanë me dalë ngatrresa, po shpejtò.
Lorja qe gati menjiherë. Shkuen n’odë të bukës.
– Po si dreqin i ke kallzue edhe të tjerve — s’mujt m’u ndalë Lorja pa i thânë Malsorit, tek e pau.
– E dij se gabova rândë, zotní loci, por u bâ kështu.
– Po ti me segurove, dje, se veç un e dijshëm!
– Edhe nuk të rrêjta asnji grimë. Qe, si shkoi puna. Para se me ardhë këtu në shtepi tuej, ndesha në nji djalë qi e njof kështu për të pám. I gjatë, i mbajtun, me nji pallto të zezë.
– Bob Rrùkulli.
– Q’ai vetë, të lumtë goja. E kam do të folun me të. Jemi gjinde e trashë, lum zotnija, edhe e pëveta kush merret me antika në Shkodër. Nuk shkova mâ gjatë, por ai na qênka bâ nakel54). Mbrâme, si dola këtej, më kish prite te Dugâjet e reja, edhe më kapi me zort tue më thânë se do të më paditte në hyqymet55) mos t’i kallzojshëm shka kishem gjetë. U trêmba, pse me rrejtë? Më mori në shtëpi; aty prûni edhe nji shok…
– Henrikun.
– S’ia dij emnin. Por vetëm u diftova për do pare qi kam gjetë afër kalâs së Drishtit e kurrgjâ tjetër. I premtova me i çue n’at vênd, pse ndryshej s’mujshem m’u lirue sijsh.
– Gabim ke bâ! — gjikoi idhnueshëm Lorja.
Foli zotni Marku me butësi:
– Kjo punë ndreqet kollaj; duhet me i kërkue ata të dy e m’u ujdisë me ta.
– Po mostrat pse s’i prûne? — pyeti Lorja.
Përgjegji zotni Marku për Bajramin:
– At ograjën e ka përté Shtodrit. Ka ardhë új shum prej shinave e s’mujti m’e kalue mbramë.
– Ka dalë moti e sundte, ishalla, e kalojmë bashkë — bani Malsori.
Rrogtari, ndër kto fjalë, hyni e lajmoi se dy të rijt kërkojshin me folë me Mark Shegorin. Ky tha:
– Do të jen ata të dy. Po dal un e flas me ta.
– Malsori dukej pak i shqetë.
– Ç’na e ngatrrove punën, morè Bajram!
– Na jemi gjinde e pashkollë, lum zotnija, e mos na vên faj.
Lorja, i padurueshëm, doli me pâ si po shkonte biseda e t’et me ata të dy.
Gjet Bob Rrùkullin tue vrritë, në kâmbë atje poshtë në zyre, prej kah zotní Marku kish nisun jashtë nëpunsin.
– Un kallzoj në Prefekturë!
– As ty së të bjen për shtat ashtu — flitte tregtari për me paqtue punë.
— Por të merrena vesht bashkë ma mirë.
– Un due hisen qi më përket — këlthitte Bobi, qi s’dinte as ai shka me kërkue.
Foli Henrik Vallnija.
– Ia lâmë zotni Markut kët punë, Bob.
– Bobi rá në fashë. U ngjitën të gjith n’odë të bukës. Syt e gjallë të Bajramit përshkoheshin prej njânës fytyrë në tjetrën. U ulën ndêjun e biseduen. Danë m’u nisë mbasdreke, veshë të gjith me petka gjoje56), n’automobil të Loros, kah Domni. Do të bijshin njiherë në shtëpi të Bajramit, natën mbandej do të hyjshin në gropën e visareve.
Zotní Marku i dha fund bisedës:
– E tash t’ia apim shoqishojt besën e Zotit me punue vllaznisht tue më ndëgjue pikë për pikë mue, si plak qi jam.
Të gjithë dhanë fjalën.
Henriku e Bobi u çuen e shkuen. Lorja e Hilushi u zbritën poshtë me shqyrtue automobilin mos ka gja mangut. I zoti i shtëpis ndëi me Bajramin, të cilin vendosi mos m’e lanë të dali kurrkund deri sa mos të hynte n’automobil me djelmt. Paraditja rrëshqiti e shpejtë ndër pregatitje. Hilushi u ndal me drekue te Shegorejt. Fill mbas buke vojti në shtëpí të vet m’u ndrrue petkash.
N’orën katër mbasdreke të gjith shokët u mbëlodhën. Henriku e Bobi erdhen me çifte në krah e me zagarë.
– Vetëm nji zagar zên automobili. Po marrim atê të Bobit. Ti, Henrik, lêne tandin këtu te na — tha Lorja.
Hynë n’automobil, tue u shtrëngue. Para se m’u nisë Bajrami mori në njan’ anë zotni Markun e i pëshpëriti:
– S’kam si nisëm pa e lá nji borxh të vogël te nji dugâjxhí shkodran. Drue se më vjen nesër në shtëpí te vetë, e na gjênë kallaballek e na ngatrron punë.
Treglari rrudhi buz+et e shtrëngoi vetullat. Pyeti:
– Sa i ke?
– Treqind korona.
Zotni Marku ndêi nji ças dyshas, mbandej shikoi kah automobili ku pritshin djelmt e bâni:
– Mirë, po t’i nap veç!
Hyni në shtëpí e pa u vonue këthei me gjashtë fyshek pesëdhjetsha koronash argjanti.
Rrogtari hapi derën e oborrit në të dy kapakët edhe makina u nis.
– Tepër shum janë, — tha vetimeveti tregtari tash bijne sy…
Te Dugâjet e Reja, Bajrami iu lut Loros qi rrinte në volant:
Ndale pak, zahmet, njaty, sa po do laj borxh në q’at dugaje.
Makina u ndal. Bajrami zbriti.
– Mos vonò, Bajram — i vikati mbrapa Bobi.
Malsori hyni në dugâjën qi tha. Lorja e çoi automobilin katër a pesë metra ma përtej mos me zanë rrugën.
Kaluen do çasa. Malsori po vonohej.
– Sa shum po ngjatë ky dreq! — u ankua Lorja.
– Ulu, Bob, mos pritò, e thueji të shpejtojë — bâni Hilushi.
Bobi kërcei në tokë, shkoi drejt te dugâja e këthei tue britë:
– Morè, ai s’âsht aty!
– Po ku shkoi? — pyeti Lorja me shpirt të tronditun.
Bobi po e kërkonte. I zoti i asaj dugâje, ku hyni pak para Bajrami, doli në derë.
– Kërkon kênd-a?
– At malsorin qi kje te ti — përgjegj Bobi.
– Bajramin?
I zoti i dugâjës buzqeshte. Bobi e pyeti:
– A e njef ti Bajramin?
– Posi s’e njof. S’ka mâ zog dreqi në tanë Malsín. Shka po bân me zotnij të Shkodrës, nuk gjindet gojë m’e diftue…
Dugâjxhiu shikoi kah automobili, buzqeshi prap e shtoi:
– Iu paska rrêjtë edhe jue…
Në këto fjalë, ia behi Hilushi.
Ai trimi vazhdonte:
– Shkon nëpër dyer të pasuna e u kallzon si ka gjetë do gjâna të moçme për m’u kapë pare…
– Hilushi u ngri. Shpirti i dhimbti kah iu shqyen në tê qindisjet e holla me fije ândrrash. Mbandej iu zhgreh nji gaz aqë i madh sa me i marrë gati frymën. Shkoi e i lajmoi shokët. Henrik Vallnija u zbé. Bobi u dha çiften e u la zagarin edhe u nis furishëm me zânë Malsorin. Të tjerët me automobil këthyen në shtepí të Shegorejve.
Kur ndëgjoi automobilin n’oborr, zotni Marku doli pa ftymë e pyeti:
– Shka ka ndodhë?
Djelmt qeshëshin.
– Joo, se din nji Malsuer i pashkollë me rrêjtë n’at mënyrë, kurr s’e kishem mendue — tha i pari Henriku, të cilit po i kalonte idhnimi.
Tue folë të gjithë përnjiherit ia kallzuen tregtarit gënjeshtrat e Bajramit marrë vesht nga ai dugâjxhiu qi e njifte mirë.
Zotni Marku s’mujti m’e mshefë zêmrimin e vet edhe briti kah i biri:
– Po m’e kërkue e m’e kapë, faqezín: i kena dhâânë pare…
– Ma ka hjekë edhe mue nji napuljon — tregoi Henriku. — Nji i dha mbrâmë edhe Bobi…
– S’kena se shka i bâjmë, apë. Duket se ka rrêjtë shum kënd, jo vetëm nê.
– Por Malsuer artist si atê s’bân vaki me — u çuditte Hilushi. — Ç’fytyrë fotogjenike!57)
– Mâ, na ka rrêjte bukur: ia lumsha! — qeshte Lorja.
Iu desht edhe tregtarit ta hante at punë me gaz. Urdhnoi qi të siellej rakija n’odë të bukës. U shtruen në pije. Sejcili kallzonte ândrrimet qi u fali për nji ditë e nji natë tregimi i Malsorit.
– Mâ zí mbetën institutet tona pa u ngrehë – gërgau Lorja Hilushin.
– Lê, po un gati sa s’u çova natën me i shkrue nji vjerrshë djepit arit — u përgjegj vjerrshatari.

Përgatiti pët botim online, Arben Çokaj


Djepi i arit” dhe “Gjaku” janë novelat më të gjata të Koliqit. “Djepi i arit” trajton temën e gjuetarëve të antikuarëve. Personazhi kryesor një malësor i quajtur Bajram lëviz fijet e intrigës në këtë novelë, ai është një mashtrues i lindur, që Koliqi e quan “artist” dhe “fotogjenik”, “shitës andrrash”. Ai arrin të magjepsë dhe të luajë si marioneta vetëm me forcën e elokuencës së tij të lindur: Loron dhe Hilushin; Bobin dhe Henrikun; pinjollët e familjeve më në zë të Shkodrës. Struktura rrëfimtare këtu bashkë me “Bylbylat e Plepishtit” arrin një precizion thuajse dramatik në prozën shqipe.
Të gjitha figurat, personazhet, përsiatjet psikologjike, dialogjet japin një efekt kompakt artistik. Personazhet plotësojnë dhe ndryshojnë njën-tjetrin; lëvizin rryeshëm dhe krijojnë besueshmëri në atë çka thonë e veprojnë. Efekti dramatik përshkon gjithë novelën deri në fund duke e mbajtur lexuesin pezull. Koliqi në këtë novelë nuk i është drejtuar intelektualizmit, formalizmit dhe parnasizmit apo poetizimit të tepruar që e dëmton prozën, por është dhënë tërësisht në potencimin e subjektit, duke krijuar një komedi tërësisht shqiptare dhe përherë aktuale. Hilush Vilza është një personazh tepër autobiografik i Koliqit, ai shpalon idetë e veta për krijimin e Instituteve Shqiptare pas zhvarrimit dhe shitjes së visareve antike. Koliqi e realizoi ëndrrën e Hilush Vilzës së tij, pesë vjet pas botimit të librit “Tregtar Flamujsh” kur shërbeu si Ministër i Arsimit.


  1. çakçirë – tirqe.
  2. lëmue – limon, shenjë që Mulësori agjinon gjatë Ramazanit
  3. dai – trim.
  4. me na qitë çirak – me leverdi.
  5. ograjë – pjesë pylli me kullotë, pronë private.
  6. ternagopisll. kazma.
  7. zotni loci – lum miku.
  8. burma – vida.
  9. skutuliq – skutë e vogël.
  10. zamariti – e zhbiroi.
  11. gjire – vurbull.
  12. mnera – frika tmerri.
  13. orët më shitojnë – sipas besëtytnisë mitike, Orët e ngurrojnë (ngrijnë) atë që i sheh.
  14. dá orok – kam lënë orar takimi.
  15. spol – me shumicë, me lopatë.
  16. stil Nandëqind – stil i shekullit 20, modern.
  17. të nxit – të shpejtë, të ngutshëm,
  18. lartushtojshinneol. ushtonin së larti.
  19. ortari – këmbana e orës.
  20. për seri – me kureshtje.
  21. fletore – gazetë.
  22. rrjedhjen – origjinën.
  23. shestimeve – planeve.
  24. ra topi – që lajmëronte besimtarët myslimanë mbarimin e agjinimit dhe nisjen e iftarit.
  25. internist – mjek i sëmundjeve të brendshme.
  26. konfortet – pajisjet e ndihmëse.
  27. shitë e leçitë – shitur e stërshitur, falimentuar.
  28. ndështypjet – mbresat, përshtypjet.
  29. me pasë çá – të udhëtonit.
  30. n’e t’andën – siç thua ti.
  31. të kotullueme – të përgjumur.
  32. u zbardh – e gdhiu.
  33. pigulluem – pikëlluar.
  34. në perde – në skenë, në punë.
  35. me pasë mêndja çeder – me të ikë mendja.
  36. xehe – miniera.
  37. shkimun – shuar.
  38. gjymsa-hyjsh – gjysëm hyjni.
  39. pretare – grabitëse.
  40. telozën-mbledhsash – mbledhës haraçesh.
  41. pëgame – të ndyra.
  42. të parodë – i parrënjë, vulg.
  43. përdorake – në përdorim.
  44. gjinikue – lind, përftoj.
  45. përdjerrje – shterpësi.
  46. shnjerzimet – turpet.
  47. dikoi – rrodhi.
  48. proje – mbrojtës.
  49. anak – bordurë e dalë në bedena kështjellash.
  50. si pisha – xham, plot dritë.
  51. kësajt – këtej.
  52. voe – vezë, sekret.
  53. si buenen – si dreqin.
  54. bâ nakel – dyshoj.
  55. hyqymet – qeveri.
  56. gjoje – gjuetie.
  57. fotogjenikekëtu; e ndritshme. Biol. fotogjenezë, procesi i prodhimit të dritës te bimët.
  58. aferim – të lumtë.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.