PROF.  FRROK GOJANI – KORIFEU QË LA GJURMË NË ARSIMIN SHQIP

0
646

Me rastin e promovimit të librit “Frrok Gojani, pedagog dhe misionar i denjë  i shkollës shqipe”

Shkruan: Mikel Gojani

1.

Në fushën e studimeve  historike nga fusha e historisë,  arsimit, letërsisë, kulturës etj., hartimi i monografive paraqet një angazhim të rëndësishëm dhe me interes shumëdimensional.

Studimet  monografike  janë kontribut shkencor me të cilat, në mënyrë të gjithanshme  dhe të thelluar trajtohen të gjitha çështjet e një teme të rëndësishme për shkencën e shumë fushave të jetës.

Duke qenë të bindur se një studim monografik kushtuar personalitetit të  jetës pedagogjike, arsimore dhe kombëtare, Frrok Gojanit, është me interes të veçantë.

Ideja për t’iu qasur  studimit  të jetës dhe verës pedagogjike dhe arsimore të profesor Frrok Gojanit është e hershme. Ajo është kristalizuar  pastaj si rezultat  i dëshirës për të dhënë një kontribut  modest në këtë drejtim, njëherësh edhe i bindjes  se thellë se veprimtaria e Frrok Gojanit, por edhe e shumë pishtarëve të tjerë  veteranin e arsimit shqipe, në kohërat kur ky popull kishte më tepër së kurdoherë nevojë për  dije dhe arsim kombëtar, është për çdo vlerësim.

2.

Pra, për ta shkruar këtë monografi për prof. Frrok Gojanin, na kanë nxitur shumë arsye dhe motivacione që ngërthejnë  një racionalitet absolut.

Emri i pishtarit të arsimit Frrok Gojani është i njohur, jo vetëm në Komunën e Klinës, Dukagjin, Rugovë, por edhe në tërë Kosovë, Shqipëri dhe gjithë hapësirat tona etnike. Ky pishtar i dijes dhe i arsimit shqipe një jetë të tërë ia kushtoi këtij misioni të shenjtë arsimimit dhe edukimit të shumë brezave shqiptarë.

Megjithatë, përcaktimi ynë për të shkruar  këtë monografi për këtë pishtar të dijes dhe të arsimit kombëtar, profesor Frrok Gojanin, motivimin e ka tek puna dhe angazhimi i tij për një rrugë të tërë jetësore, duke mos u lëkundur par asnjë çast as në stuhitë më të furtunshme nëpër të cilat kaloi ai dhe plejadat të tëra të nxënësve, arsimtarëve dhe arsimi shqip përgjithësisht.

Në këto kohë dhe rrethana, angazhimi i këtij pishtari të denjë të arsimit shqip ishte shumë i rëndësishëm dhe më interes shumëdimensional. Ishin kohë kur brezat e këtij populli kishin nevojë më shumë se kurdoherë për rreze të dijes dhe të arsimit. Dhe, për t’i shpërndarë këto rreze profesor Frroku me atë galeri të pishtarëve të atëhershëm bën që në këto troje të lashta ilire-dardane të hapen shkolla shqipe, të shpërndahen ato rreze dhe brezat shqiptarë të marrin nektarin e dijes dhe të shkrim-leximit shqip.

3.

Frrok Gojani, veteran i arsimit shqip, është një  pishtar i ndritur  i arsimit dhe edukimit shqip. Ai bën pjesë në atë plejadë  personalitetesh  të dalluara  të arsimit  dhe të kulturës, për të cilin shpeshherë shprehet edhe Çabej i Madh:  “I kanë  lënë nder atdheut  të të parëve dhe atdheut të tyre të ri[1]. Frrok Gojani, si dhe shumë pishtarë të tjerë të dijes  dhe të arsimit, kudo që punuan dhe arsimuan brezat e rinj shqiptarë, kudo bënë përpjekje që të shpërndajnë sa më shumë dritë mendimi, sa më shumë dituri, sa më shumë vërtetësi…

Ishte kjo rruga shumë e vështirë dhe shumë e mundimshme që Frroku dhe gjithë këta mësues të asaj kohe i kishin dhënë  obligim vetes që këtë kult, këtë mision ta kryejnë me dinjitetin më të madh. Këtë rrugë ua kishin përcaktuar edhe etërit të kombit dhe të arsimit shqip, qysh nga Petro Nini Laurasi, Papa Kristo Negovani, Pandeli Sotiri, Naum Veçilharxhi, Hasan Tahsini, Mati Logoreci,  Nikolla Naco, Zef Jubani, Parashqevi Qiriazi, Sevasti Qirizai, Konstandin Kristoforidhi, Luigj Gurakuqi,  Sami e Naim Frashëri,  Atë Shtjefën Gjeçovi,  Ndre Mjeda  e shumë e shumë rilindëseve të tjerëve përmes leximit dhe frymëzimit të veprave të tyre arriti  të bëhej pjesë  e pandashme e përparimit  të shkollës shqipe dhe tërë dijen e fituar nga figurat e lartcekura diti t’i bartë tek nxënësit dhe  mësimdhënësit – kolegë duke i mësuar se si duhet  të punohet me gjithë qenie  me  nxënës; se si duhet të hulumtohen dhe  të shpalosen vlerat edukative e arsimore, gjuhësore dhe estetike brenda njësive mësimore, si duhet kuptuar personaliteti  i nxënësve  dhe si duhet mësuesi dhe pedagogu të krijojnë me punë dhe vetëdisciplinë autoritetin e tyre, në karakterin e të cilit duhet të  shndrisin dëlirësia shpirtërore dhe humanizmi njerëzor. Shumë thënie të vlefshme për mësuesin dhe arsimin shqip,  plotësisht i përgjigjen zjarrit krijues dhe punës së frytshme të mësuesit të  dyzet vjetëve  të arsimit kombëtar, Frrok Gojani.

4.

Përmes monografisë, “Frrok Gojani, pedagogu dhe misionari më i denjë i shkollës shqipe”, kemi bërë përpjekje që ta portretizojmë figurën e këtij korifeu të arsimit shqip, bashkë me veprat të tij që janë kontribut i angazhimit të pareshtur përgjatë gjithë jetës së tij, deri me sot.

Për t’i dhënë një pasqyrim më thukët të jetës dhe veprimtarisë së këtij veterani të arsimit shqipe, librin e kemi konceptuar në disa kapituj me tema bosht, që ngërthejnë një koncept unifikues përmbajtjesor.

Përmes këtij libri kemi bërë përpjekje, pra që ta pasqyrojmë punën dhe angazhimin e Frrok Gojanit si mësues dhe drejtor shkolle, duke filluar nga fillet e veprimtarisë së tij edukativo-mësimore në Grabanicë të Klinës, Drelaj  e Shtupeq të Vogël, Shtupeq të Madh   të Rugovës, po ashtu më vonë edhe në shkollat të tjera, si në shkollën e Kliçinës, të Drenocit, në gjimnazin “Luigj Gurakuqi” në Klinë, ku për shumë dekada punoi në mësues dhe drejtor shkolle, njëherësh duke qenë edhe themelues i këtij gjimnazi.

Përpos punës dhe misionit të arsimit, që ishte edhe  gjakim i përkushtimit të këtij veterani të arsimit, Frrok Gojani, u angazhua edhe në veprimtari të tjera. Një kontribut të çmuar Frrok Gojani dha në vitet e okupimit të Kosovës, kur angazhimi dhe përpjekjet e këtij populli bënin jetën shqiptare, në këto kohë dhe rrethana  ky intelektual, iluminist e pishtar i arsimit nuk pushoi së vepruari.

Gjatë këtyre viteve bashkë me shumë veprimtarë të tjerë u angazhua edhe në pajtimin e gjaqeve dhe te ngatërresave, që në atë kohë për popullin shqiptar ishin një plagë e madhe. Për të vazhduar luftën për liri dhe pavarësi ishte synim i përbashkët i këtij populli që një herë e përgjithmonë këto plagë të shkaktuara ndër vite të mbyllen një herë e përgjithmonë. Mbyllja e kësaj plage ishte një vepër mbi humane për këtë popull i cili lëngonte nga kjo e keqe që kishte përjetuar. Dhe ky angazhim i këtij intelektuali dhe humanisti në këtë drejtim ishte shumë i madh. Bashkë me shumë intelektualë të tjerë, studentë, të cilët kishin marrë këtë iniciativë për mbylljen e kësaj plage, ia qasen me përkushtimin më të madh dhe në saje të angazhimit të madh arritën që këtë plagë të sanojë tek shumë familje shqiptare.

Konsiderojmë se ndoshta nuk ka qenë modesti ne si ish – nxënës të  këtij pedagogu ta shkruajmë këtë libër, megjithatë, duke i njohur atributet e tij për një jetë të tij mbi tetë dekada kam konsideruar dhe e kam ndjerë si obligim moral, aq edhe njerëzor për ta shkruar këtë monografi.

Në këtë libër figura e profesor Frrok Gojanit nuk është e vetme që përfaqësohet, mirëpo këtu ngërthehen edhe shumë njerëz të afërm, bashkëpunëtorë, miq, shokë, kolegë dhe shumë të tjerë të cilët përmes përshtypjeve të tyre, evokimeve, vlerësimeve e portretizojnë këtë  figurë të arsimit dhe edukimit shqip.

Me këtë rast i falënderojmë të gjithë këta bashkëpunëtorë, të afërm, miq, kolegë të ungjit tim, Frrok Gojanit, që me kujtimet dhe opinionet e tyre për vlerat e këtij pedagogu, shumë fuqishëm si vegim drite i shpalosin vlerat e këtij mësuesi dhe edukatori të devotshëm,  të cilët vërtetë përmes këtyre fjalëve tepër me peshë kanë bërë që portreti i tij të na dalë shumë i rëndësishëm  dhe shumë domethënës në fushën e arsimit dhe të pedagogjisë shqiptare.

Falënderojmë gjithë njerëzit dhe dashamirësit të familjes Gojani, të cilët më kanë nxitur që t’i qasem kësaj pune për mua tepër me përgjegjësi.  Po ashtu, falënderojmë edhe redaktorin e librit, shkrimtarin dhe studiuesin e shquar, Prof. Prend Buzhalën, recensuesin, Prof. Vlash Prendin dhe Prof. Pal Canajn, pastaj  sponsorin e këtij libri, Anton Gjon Gojanin, biznesmen i suksesshëm në SHBA, për kontributin e dhënë në botimin e këtij libri, po ashtu edhe gjithë bashkëpunëtorët, drejtorët e shkollave,  ku ka vepruar profesor Frroku,  arkivat të cilave janë shfrytëzuar për sigurimin e fakteve dhe të dëshmive,  ish – nxënës e kolegë, miq dhe të afërm  të prof. Frrok Gojanit, të cilët me rrëfimet, kujtimet dhe evokimet e tyre e pasuruan konceptin e kësaj monografie.

Besojmë që me botimin e kësaj monografie kushtuar veteranit të arsimit shqip, Frrok Gojanit, kemi kryer një borxh modest kundrejt vlerave, angazhimit dhe punës së tij në fushën e arsimit shqip, por edhe në veprimtari të tjera.

Klinë, prill 2020

[1] Eqrem Cabej, Ngulmimet shqiptare jashtë atdheut, “Ylli”, Tiranë, 1967, nr. 1. f. 24.

Dërgoi për publikim, Anton Nikë Berisha, poet e shkrimtar

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.