Presidenti Vuçiq, Huliganët e Futbollit dhe “Shtëpia e tmerreve” të botës së krimit

0
Presidenti Vuçiq

Një gjyq i frikshëm në Serbi ka ngritur pikëpyetje në lidhje me lidhjet midis udhëheqjes së lartë të vendit dhe bandave të saj të dhunshme të drogës.

Shkrimtari dhe gazetari i njohur amerikan Robert F. Worth, botoi disa ditë më parë një investigim të gjatë në New York Times, ku i bëhet një autopsi shteruese regjimit autarkik të presidentit serb Vuçiq dhe lidhjeve të tij me krimin e organizuar.

Artikulli përshkruan me detaje krimet e kryera nga banda e Veljko Belivukut, kreu i grupit të tifozëve të ekipit të futbollit, Partizani i Beogradit. Pasi ai dhe 29 pjesëtarë të grupit, u arrestuan më 2021, ata kanë folur për lidhjet e tyre me presidentin serb.

Pjesë të këtij invesstigimi të tmershëm që, pas publikimit, Vuçiqi i ka hedhur poshtë, janë botuar edhe në mediat shqiptare. Por për herë të parë ky është një version i plotë fiks, ashtu sikurse është botuar në NYT.

Nga Robert F. Worth, NYT

Një të shtunë mbrëma, në fillim të marsit të vitit 2021, presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, u paraqit direkt në televizion, duke qëndruar ulur pranë një tavoline druri, ndërsa në krah kishte kryeministren e shtetit dhe ministrin e Brendshëm.

Vuçiqi tha se kishte një njoftim të rëndësishëm për të bërë, në lidhje me arrestimin e një bande krimine, që është përgjegjëse për vrasje të shumta. Ministri i Brendshëm paralajmëroi shikuesit që të largojnë fëmijët e tyre nga televizori. Një sërë imazhesh u shfaqën në ekranin pas tij: një kokë e prerë, një trup pa kokë. Vuçiqi foli ngadalë, shpesh duke ndaluar dhe duke ngulur sytë në tryezën përballë tij. Ai vlerësoi policinë dhe agjentët e inteligjencës që hetuan bandën; ata për pak kishin shpëtuar edhe vetë nga vrasësit, tha ai.

Ishte një prezantim shokues, madje edhe për një vend si Serbia, ku shumë të rritur kanë kujtime të dhimbshme nga luftërat e Jugosllavisë të viteve 1990 dhe mizoritë e tyre. Por, konferenca për shtyp ishte vetëm fillimi i një fushate të zbulimessh të tmerrshme.

Në javët pas arrestimit në shkurt nisën të rridhnin detaje të reja në media. Banda thuhej se kishte burgosur viktimat e saj në një “shtëpi tmerri”, në periferi të Beogradit, ku ata u torturuan, u copëtuan të gjallë dhe pastaj u grinë nëpërmjet një makine të madhe mishi, për t’u hedhur më pas në Danub.

Historia i tronditi serbët, e jo vetëm për shkak të imazheve të tmerrshme. Kreu i bandës ishte një huligan trupmadh futbolli dhe trafikant kokaine i quajtur Veljko Belivuk, i etiketuar me nofkën “Problemi”, një figurë e njohur në Beograd.

Ai ishte akuzuar më parë, për vrasje dhe një sërë krimesh të tjera serioze, por kurrë nuk qe burgosur.

Ai u përfol për marrëdhënie të mira me policinë dhe shërbimet e Inteligjencës serbe. Ai dhe njerëzit e tij, u fotografuan në shoqëri të njerëzve të fuqishëm, përfshirë edhe djalin e Vuçiqit, Danilo.

Pas konferencës për media, Belivuk ofroi anën e tij të historisë në një seancë të mbyllur gjyqësore. Ai tha se banda e tij ishte organizuar “për nevojat dhe me urdhër të Aleksandar Vuçiqit”, sipas transkriptimeve të gjykatës. Ai përshkroi disa nga punët, që pretendon se banda kreu për Qeverinë, si frikësimin e rivalëve politikë dhe ndalimin e tifozëve, që të këndonin kundër Vuçiqit në ndeshjet e futbollit – një shërbim i vlefshëm në një shtet, ku stadiumi mund të bëjë dhe rrëzojë një president.

Belivuku paralajmëroi se nëse Vuçiqi “vazhdon procedurat kundër tij”, ai do të ketë shumë më tepër për të thënë.

Vuçiqi mohoi kategorikisht çdo lidhje të tij me vrasësit. Por, ai dukej se e mori personalisht çështjen e Belivukut, duke sugjeruar se është komplot kundër tij. Në një intervistë të çuditshme televizive disa muaj pas arrestimeve, ai tha se ushtarët e Belivukut i bënë viktimat “qofte njerëzore” dhe ia dërguan shefit të Belivukut, Radoje Zvicer. Duke parë në kamera, ai iu drejtua Zvicerit, që ende ishte i lirë. Vuçiçi e sfidoi.

E ftoj të më vrasë”, tha Vuçiçi. “Nuk kam asnjë problem me këtë, sepse është më mirë të bëhesh mish i grirë, sesa të lihen këta bastardë të sundojnë Serbinë”.

Me afrimin e seancës gjyqësore, nisën të rrjedhin faktet për lidhjet e gjata mes bandës dhe anëtarëve të ndryshëm të administratës së Vuçiqit, që duket se i kanë monitoruar, asistuar dhe mbrojtur ata.

Belivuk shfaqej nganjëherë si binjaku i errët i presidentit, një burrë që mishëron pjesën e poshtme kriminale të një shteti, që është bërë vazhdimisht më autokratik gjatë dekadës së fundit.

Vuçiqi, ka qenë president që nga viti 2017 dhe drejton partinë në pushtet, ka thënë prej kohësh, se dëshiron ta udhëheqë vendin e tij – që është ende ndër më të varfrit në Evropë – drejt prosperitetit dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Në të njëjtën kohë ai ka goditur shumë nga institucionet demokratike të Serbisë dhe bandat e stilit mafioz shpesh duket se veprojnë pa u ndëshkuar.

Çështja Belivuk, me fjalë të tjera, nuk është thjesht një përrallë e zhurmshme me prerje kokash dhe kokainë. Gangsterizmi që ka lulëzuar nën Vuçiçin, së bashku me kërcënimet periodike të Serbisë për të “mbrojtur” serbët etnikë në vendet tjera të rajonit, përfundimisht mund të prapësojnë marrëveshjet, që kthyen paqen në Ballkan në vitin 1995.

Evropianët janë shumë të vetëdijshëm për këtë, siç është edhe Vladimir Putini, që ka arsye të freskëta, për t’i ndarë dhe shpërqendruar ata. Kremlini ka një histori të gjatë të përkrahjes së nacionalistëve serbë dhe më shumë motiv se kurrë – falë luftës në Ukrainë – për të nxitur trazira në Ballkan.

Por, rreziqet për Evropën janë më të thella se kaq. Së pari prej shovinizmit dhe demagogjisë etnike të Vuçiqit, që janë kopje të asaj të aleatit të tij Putin. Dhe së dyti se përhapja e demokracisë joliberale – tashmë që po forcohet brenda kontinentit – përbën një kërcënim të barabartë, nëse jo më të rëndë se i pari.

Rasti Belivuk hapi një dritare drejt një të ardhmeje të mundshme më të zymtë, në të cilën Vuçiqi minon projektin evropian nga brenda, duke ndërtuar një shtet, ku demokracia është një fasadë dhe bandat kriminale shfrytëzohen për të përhapur frikë. Ndodhi gjithashtu të jetë e njëjta taktikë e përdorur nga njerëzit, që e futën Ballkanin në një luftë katastrofale tri dekada më parë.

Në kohën kur Belivuk bëri paraqitjen e tij të parë publike në sallën e gjyqit në tetor, ai kishte fituar një famë të llojit makabër, nga një seri shkrimesh në tabloide.

Ai u fut në dhomë i prangosur, i veshur me një bluzë të bardhë dhe xhinse. Pavarësisht nga trupi i tij i madh, ai dukej çuditërisht si një foshnjë me përmasa të mëdha, sikur një jetë e tërë dhune të mos i kishte lënë asnjë shenjë. Ai dhe rreth 30 të pandehur të tjerë, kryesisht burra me tatuazhe dhe koka tullace, dukeshin çuditërisht të relaksuar, të buzëqeshur, duke biseduar apo duke i hedhur herë pas here sharje të rastësishme njëri-tjetrit. Ndoshta ata prisnin që ky gjyq të përfundonte siç kishin përfunduar shumica e gjyqeve të mëparshme, me gabime procedurale, prova të gabuara dhe lirime të parakohshme.

Pas disa formaliteteve, prokurori u ngrit për të lexuar aktakuzën.

Kur ai e përshkroi se si Belivuku dhe një “ushtar i tij” goditën një viktimë “me sëpatë në qafë dhe ia prenë kokën”, burri në bankën e të akuzuarit hapi gojën, mori frymë thellë dhe shikoi tavanin. Disa nga shokët e tij të pandehur duket sikur ranë në gjumë.

Kur Belivuk u ngrit për të dëshmuar, ai shtrëngoi foltoren me dy duart dhe doli drejt në temë. Banda e tij, tha ai, ishte një projekt shtetëror nga fillimi. Ai recitoi disa nga shërbimet, që ka ofruar dhe madje përshkroi një takim, që pretendon se pati me Vuçiqin në një shtëpi private në Beograd, duke dhënë adresën, numrin e apartamentit dhe madje edhe emrin e pronarit. Tha se u takuan atje vetëm një herë, “pasi, siç tha shefi, dikush mund të shihte apo filmonte, dhe nuk do të ishte mirë”.

Vuçiqi i mohoi menjëherë akuzat dhe madje ofroi t’i diskutonte ato me hetuesit dhe të bënte një test në detektorin e gënjeshtrës. Ligjërisht ai nuk ka gjasa të thirret para gjykatës. Asnjë zyrtar i lartë në Serbi nuk është paditur, e madje shumë pak janë marrë në pyetje.

Rëndësia e çështjes së Belivukut qëndron diku tjetër. Ajo e ka detyruar gjithë Serbinë të përballet me provat e shumta rrethanore, se Vuçiqi i ka lejuar gangsterët të bëhen një krah virtual i shtetit.

Mbështetja që Belivuk dhe miqtë e tij morën nga policia dhe Ministria e Brendshme gjatë dekadës së fundit është dokumentuar mjaft mirë gjatë dëshmive në gjykatë, përgjimeve telefonike dhe fotografive. Pretendimet se e gjithë kjo ka mundur të ndodhë pa djeninë e Vuçiqit shkakton të qeshura në Beograd.

Para se Vuçiqi të bëhej president, ai ka qenë kryeministër dhe gjatë një dekade ka riorganizuar shërbimet e sigurisë së Serbisë. Ai tani ushtron kontroll pothuajse total të çdo sfere të jetës publike – nga Parlamenti deri te gjykatat, policia dhe bizneset.

Në fakt, arrestimi i Belivukut dhe bandës së tij mund të jetë një nga vendimet e pakta të rëndësishme të viteve të fundit, që Vuçiqi nuk arriti ta kontrollojë.

Pjesa më e madhe e dëshmive në këtë rast erdhën nga një ekip zyrtarësh policorë evropianë, të cilët aksidentalisht e zbuluan këtë bandë. Ata kaluan dy vjet duke tentuar të dekriptonin një aplikacion të mesazheve telefonike të quajtur “Sky-ECC”, që ishte mjet i preferuar i trafikantëve të kokainës në portet e kontejnerëve të Evropës Veriore.

Kur më në fund hapën kodin, zbuluan shumë më tepër se një rrjet lokal kokaine. Me të paktën 70 mijë përdorues, “Sky-ECC” ishte si një “shtëpi tmerri” me mesazhe grafike dhe fotografi makabër.

Është njësoj sikur të keni qëndruar jashtë një shtëpie të errët ndërsa tani, papritmas, keni hyrë brenda dhe keni ndezur dritën”, tha një zyrtar i Europolit.

“Sky-ECC” nuk ishte aplikacioni i parë, që u akuzua nga organet e zbatimit të ligjit për lehtësimin e komunikimit mes bosëve të drogës.

Por, ai qe më i popullarizuari dhe më i pacipi. Kompania, e themeluar në vitin 2010 nga një sipërmarrës i teknologjisë në Vancouver, mburrej se kriptimin i saj me katër shtresa ishte i pathyeshëm. Përfundimisht fitoi qindra e miliona dollarë përpara se drejtuesit të akuzoheshin në vitin 2021.

Pjesa më e madhe e provave brenda “Sky-ECC” doli të ishte nga Ballkani dhe veçanërisht nga Serbia.

Transmetimi i këtyre të dhënave ishte “shumë i ndjeshëm”, më tha një zyrtar i Ministrisë së Brendshme të Francës, për shkak të shqetësimit se mund të ketë rrjedhje të informatacioneve. Ndonëse policia e Serbisë përfundimisht arrestoi Belivukun dhe bandën e tij, ato e bënë këtë me ngurrim. Disa ditë përpara arrestimit, ai dhe “ushtari i tij” u lejuan të largoheshin nga shteti drejt Malit të Zi, një qendër tjetër për trafikuesit e drogës.

Autoritetet malazeze thanë se parandaluan një tentativë për t’i vrarë ata. Një prokuror malazess tha për mediat lokale se pas komplotit qëndronin “disa struktura sigurie” në Serbi. Kjo mund të jetë provuar për ta shmangur rrëmujën e një procesi të mundshëm.

Gjatë nëntë vjetëve të Vuçiçit në pushtet, huliganët serbë të futbollit – dhe bandat kriminale që mbivendosen mbi ta – u përfshirë në politikën e paqëndrueshme të rajonit dhe ndihmuan nxitjen e kryengritjeve serbe në vendet tjera të Ballkanit. Disa prej tyre kanë shprehur besnikërinë ndaj Rusisë. Disa serbë i janë bashkuar grupit paramilitar “Wagner”, që ka historinë e vet të angazhimit të kriminelëve dhe ka postuar video në gjuhën serbe për rekrutime në luftën në Ukrainë. Ndonëse Vuçiqi e ka qortuar grupin, Serbia mbetet ende e pavendosur mes Rusisë dhe Perëndimit. E gjithë kjo i jep Vuçiqit një pozitë fuqie të jashtëzakonshme. Në një krizë, ai mund të vendosë nëse rajoni i Ballkanit do të rreshtohet drejt paqes, apo do të rikthehet te dhuna.

Rreziqet më të dukshme sot janë të përqendruara në Kosovë, ku gjenden “xhepa” me shumicë serbe, veçanërisht në veri. Lidershipi i Serbisë mbetet thellësisht i pakënaqur me ndarjen e Kosovës nga Serbia pas luftërave në Jugosllavi të viteve 1990 dhe refuzon ta njohë pavarësinë e saj të pranuar ndërkombëtarisht në vitin 2008.

Skenari që lë pa gjumë liderët evropianë, imagjinohet në njëfarë mënyre kështu: Vuçiqi, duke përmendur një rrezik për minoritetin serb, dërgon trupa përtej kufirit dhe anekson veriun e Kosovës. Serbët lokalë kudo në rajon largohen nga shtëpitë e tyre dhe kërkojnë ndryshime kufijsh. Kjo mund të shënojë fundin e Marrëveshjes së Dejtonit, paktit të ndërmjetësuar nga diplomati amerikan Richard Holbrooke, që i dha fund luftimeve më të rënda në vitin 1995 dhe rikrijoi hartën e ish-Jugosllavisë. Kjo mund të çonte në një luftë tjetër. Por edhe pa dhunë, rënia e rendit të Dejtonit do të forconte politikën e solidaritetit etnik dhe autokracitë në gjithë Ballkanin.

Një skenar tjetër përfshin fshehjen e qëllimeve irredentiste të Vuçiqit, derisa Serbia të pranohet në Bashkim Evropian. Ky skenar i “Kalit të Trojës” ka fituar besim pjesërisht për shkak të kryeministrit joliberal të Hungarisë, Viktor Orban, një aleat i ngushtë i Vuçiqit, që ka lobuar me zell për pranimin e Serbisë.

Ai duket se shpreson, që Vuçiçi mund ta ndihmojë Hungarinë, një anëtare e BE-së që nga viti 2004, të drejtojë bllokun evropian drejt një drejtimi më populist e më pak demokratik.
Për të gjitha këto arsye, rasti Belivuk ka qenë një rast i ndjeshëm për gazetarët. Më është thënë para se të shkoja në Serbi, se telefonatat e mia do të përgjohen, do të më ndiqnin, madje edhe do të më ndalonin dhe do të më merrnin në pyetje. Gazetarët serbë që më dhanë këto paralajmërime janë ngacmuar dhe kërcënuar në mënyrë rutinore si nga kriminelët ashtu edhe nga BIA, Agjencia e Inteligjencës së Serbisë.

Zona gri mes shtetit dhe mafies në Serbi është e vërtetë. Po ashtu ajo është e rrethuar nga mure të jashtme të thashethemeve dhe paranojave, që e bëjnë më të vështirë punën e një gazetari. Duhet të kem folur me dhjetëra serbë, të cilëve u janë vrarë djemtë, bashkëshortët apo fëmijët, në rrethana të errëta. Shumica prej tyre nuk e kishin idenë se cilët ishin vrasësit, por kishin histori të hollësishme, për të treguar për zyrtarët e korruptuar, baronët e drogës, pazaret e armëve dhe fotografi inkriminuese. Disa kishin angazhuar edhe detektivë privatë. Megjithatë, disa nga njerëzit me të cilët fola, i fshihnin qartë gjërat nga unë.

Kalova një orë duke biseduar me një grua, burri i së cilës ishte në mesin e trupave të vrarë në fotografitë, që shoqëruan aktakuzën ndaj bandës Belivuk. Ajo ishte shtatlartë dhe me flokë të gjatë e të zij. Historia e saj ishte prekëse. Kur fillova të pyesja për të kaluarën kriminale të bashkëshortit të saj – ai kishte qenë i burgosur për rolin e tij në një bandë famëkeqe të Ballkanit për vjedhje të argjendarive – përgjigjet m’u kthyen ftohtë dhe shpejt. Mu krijua një ndjenjë sikur ajo mund të kishte treguar një histori shumë më interesante, nëse nuk do të ishte e shqetësuar për pasojat, me të cilat do të përballeshin bashkëpunëtorët e bashkëshortit apo edhe vetë ajo.

Vuçiqi nuk është përgjegjës për këtë moçal frike dhe për kriminalitetin endemik. Ato janë pothuajse pjesë e peizazhit në Ballkan, aq sa vetë emri i rajonit është përdorur me shekuj nga të huajt si një lloj stenografi për urrejtje dhe dhunë etnike – “një skenë e vendosur për trailerët ekzotikë të korrupsionit, për vrasje të shpejta dhe krime të lehta”, siç ka shkruar historiani Mark Mazower. Por, Vuçiçi ka dhuntinë e demagogut, për t’u dhënë jetë këtyre stereotipeve. Ai e ka shfrytëzuar shkëlqyeshëm problemin e mafjes në Serbi, duke krijuar një mjedis në të cilin linja e paqartë mes krimit të organizuar dhe shtetit luan në avantazhin e tij.

Nuk është rastësi që edhe (presidenti serb, Aleksandar) Vuçiq, edhe (Veljko) Belivuk filluan aktivitetin në grupet e tifozëve të futbollit. Ndoshta më shumë se kudo tjetër, stadiumet e futbollit në Serbi janë vendet nga lindin format më të këqia të pushtetit, ose oaze rekrutimi për milicët dhe kriminelët. Stadiumet ishin streha e nacionalizmit etnik, që shkatërroi Jugosllavinë, dhe ato emocione të dhunshme i dhanë formë Vuçiçit të sotëm dhe bashkëkohësve të tij. Edhe tani, prania në një arenë sportive mund të bëjë të ndiesh si mbi një stuhi rrufeje.

Oficerët me uniformë rreshtohen bulevardeve dhe ndërsa afrohesh, ka ekipe policie të militarizuara me parzmore dhe mburoja. Tifozët ndonjëherë brohorasin sharje, që të kujtojnë ato të përdorura gjatë fushatave të spastrimit etnik të viteve ‘90. Besnikëria e ekipit merr një intensitet pothuajse fetar. Shefi ekzekutiv i Crvena Zvezdës së Beogradit, skuadrës më të njohur në Serbi, tha bujshëm se Crvena Zvezda “nuk është vetëm ekip futbolli, është ideologji, filozofi dhe simbol kombëtar. Crvena Zvezda është rojtari i identitetit serb dhe i besimit ortodoks”.

Huliganët e masakrave

Tifozët e vdekur të futbollit vështrojnë nga muralet e pikturuara në të gjithë Beogradin, krahas pllakateve, statujave dhe memorialëve të tjerë, që dëshmojnë statusin e tyre si një lloj “vox populi”. Huliganët ishin ndër të parët, që shkuan në luftë në fillim të viteve ‘90 dhe ishin po ata që garantuan muskujt e lëvizjes, për të rrëzuar politikanin e fortë nacionalist, Slobodan Milosheviq, një dekadë më vonë. Që atëherë, politikanët serbë kanë frikë nga stadiumi dhe janë përpjekur të mbajnë huliganët në anën e tyre.

Të flasësh me huliganët serbë nuk është e lehtë. Disa janë të rrezikshëm. Shumica e atyre që takova ishin të heshtur dhe të kujdesshëm, pa dyshim pjesërisht për shkak të rastit “Belivuk”. Pas dy javësh kërkimi, një koleg serb më ndihmoi të gjeja atë që kërkoja: një burrë që ishte rritur përkrah Vuçiqit në stadium dhe që ishte i gatshëm dhe që qe i aftë të fliste për origjinën e tyre të përbashkët. Ai ishte një 46-vjeçar që ende i referohet vetes si huligan, megjithëse ka një grua dhe fëmijë dhe rrallëherë futet më në belara stadiumesh.

U takuam në një lokal larg lagjes së tij, kështu që të tjerët nuk do ta njihnin. Ai foli me kusht që të mos e identifikoja, prandaj do t’i referohem si B., iniciali i parë i emrit të tij. Ai ka një trup të lidhur dhe kokë të rruar, dhe ndërsa ecte nëpër lokal, vështrimi e mbante aq të drejtpërdrejtë dhe të patrembur, saqë pata një ndjenjë se po më kërcënonte. U ulëm dhe porositëm birra. Ai fliste shpejt anglisht, duke kaluar herë pas here në serbisht kur nuk mund të gjente fjalën e duhur.

B. më tha se stadiumi ishte një zonë e rrallë lirie dhe anonimiteti në shtetin komunist të Jugosllavisë të kontrolluar fort. Ishte gjithashtu një vend ku, nga fundi i viteve ‘80, mund të shihje federatën duke u shpërbërë dita-ditës. Të rinjtë filluan të formonin banda dhe të sillnin shkopinj bejsbolli gjatë ndeshjeve, duke adhuruar anëtarët e bandave të rrugës në filmin amerikan të vitit 1979 “The Warriors”.

Huliganët më të vjetër i thanë B. dhe miqve të tij, që të gjenin një grup të ngjashëm të rinjsh që mbështesnin ekipin tjetër kryesor të Beogradit, Partizanin, dhe t’i sfidonin ata në përleshje “për të parë se kush është trim dhe kush jo”. Kjo qasje ende mbisundon, më thanë huliganë të tjerë të Beogradit, dhe nganjëherë iniciatorët duhet t’i “japin gjak” huligani një anëtari tjetër, për t’u ngritur lart përpara se t’i besohen “misione”. Këto mund të përfshijnë kryerjen e krimeve ose thjesht rrahjen e një rivali të caktuar.

Image

“Gjuetia” ndaj shqiptarëve më 1988

Të gjithë huliganët e rinj në tribunën veriore ishin nacionalistë të rinj, tha B., përfshirë Vuçiqin. Ndër thirrjet ishte “Serbia, jo Jugosllavia”. Pas një loje në vitin 1988, tha B., ai dhe grupi i tij dëgjuan për një përplasje mes serbëve dhe shqiptarëve. Ata shkuan “për të goditur” shqiptarët në Beograd pas një loje, me shpresën se do të thyenin disa dyqane dhe t’u jepnin një mësim shqiptarëve. Ata përfunduan në një sherr në rrugë.

Presidenti Vuçiq ishte gjithashtu i përfshirë në këtë”, tha B. “Dhe duhet t’ju them, nuk më pëlqen tani, por ai ishte trim, trim në përleshje”. (Zëdhënësit e Vuçiqit nuk iu përgjigjën kërkesave të përsëritura për koment).

Vuçiqi ka thënë se ishte në tribuna gjatë një përleshjeje legjendare të futbollit të vitit 1990, që ndonjëherë është përshkruar si fillimi i vërtetë i luftërave ballkanike. Ndodhi gjatë një ndeshjeje mes skuadrave të Crvena Zvezdës dhe Dinamos Zagrebit dhe shpejt u shndërrua në një përleshje që përfshiu të gjithë stadiumin. Tifozët nga të dyja anët ishin qartësisht të përgatitur për një betejë: ata kishin grumbulluar gurë gati, për t’i hedhur në stadium.

Dekada më vonë, mediat serbe publikuan foto të paqarta të ndeshjes, në të cilat një i ri thatanik, i identifikuar si Vuçiq, shihet në turmë.

“Edhe Milosheviqi u frikësohej huliganëve”

Në vitin 1990, dhuna po dilte jashtë kontrollit. Kishte mijëra vandalë të rinj, që s’iu trembehin telasheve dhe, tha B., dikush duhej “ta qetësonte atë grup, sepse Slobodan Milosheviqi kishte frikë prej tyre”.

Kështu që Milosheviqi, i cili ishte president i Jugosllavisë në atë kohë, zgjodhi një udhëheqës për huliganët. Kjo ishte hera e parë që një lider politik hyri në një marrëdhënie të tillë dhe krijoi një precedent që Vuçiqi do ta ndiqte më vonë. Njeriu i Milosheviqit quhej Arkan. Ai kishte një fytyrë djaloshare me një buzëqeshje të brishtë, që fshihte një prirje për tërbime të dhunshme. Diçka rreth tij kërkonte respekt. Arkani ishte figurë e njohur e botës së krimit serb, i cili bëri emër me një sërë grabitjesh të guximshme bankash dhe arratisje nga burgu në të gjithë Evropën në vitet 1970 dhe 1980. Ai do të vazhdonte të kthehej në një nga kriminelët më brutalë të luftës të dekadës së ardhshme. Fotografitë e grupit të tij paraushtarak “Tigrat”, ndihmuan të kthenin opinionin perëndimor në mënyrë vendimtare kundër Serbisë. Në njërën prej tyre shihet një milic serb, duke shkelmuar kokën e një boshnjakeje që po vdiste.

Kështu që Arkani mblodhi liderët tanë, u dha atyre një rrogë të mirë, me kusht që të gjithë të heshtnin”, tha B. “Dhe ai tha: ‘Mos u zini më. Ne duhet të luftojmë për Serbinë tani. Do të ketë luftë’”.

Nëse stadiumi i futbollit formësoi karakterin e Vuçiqit, lufta ishte vendi ku ai mësoi politikën. Porsa do t’i mbaronte studimet për jurist në vitin 1991, ai do të kthehej në nxënës të politikanit serb të ekstremit të djathtë, Vojislav Sheshel. Ishte në të njëjtin vit, kur Sllovenia dhe Kroacia shpallën pavarësinë e tyre, duke shkaktuar konflikte të përhershme dhe brutale që do ta copëtonin Jugosllavinë në disa shtete. Shesheli, idhtar i spastrimit etnik, ishte kartë e dobishme për Milosheviçin, i cili mund ta tregonte si provë se disa serbë ishin edhe më ekstremë se ai.

Partia Radikale e Sheshelit rekrutoi një milici, që u bë e njohur për krimet e saj në Serbi, Bosnjë dhe në Kroacinë lindore, ku ata grabitën, torturuan, vranë dhe dëbuan civilë joserbë. Shesheli një herë tha se njerëzit e tij do të përdornin lugë të ndryshkura, për t’ua nxjerrë sytë armiqve të tyre, megjithëse më vonë pretendoi se ky ishte humor i zi. Ai përfundimisht u padit dhe u dënua për krime kundër njerëzimit nga Gjykata e Kombeve të Bashkuara për krimet e luftës, me seli në Hagë.

“Nëse vrisni një serb, do të vrasim njëqind myslimanë”

Vuçiq ishte një mbështetës entuziast i partisë së Sheshelit dhe ai shpejt u bë anëtari më i ri i Parlamentit të Serbisë. Në vitin 1995, disa ditë pas masakrës së gati 8000 myslimanëve boshnjakë rreth Srebrenicës, Vuçiqi mbajti një fjalim në të cilin deklaroi: “Nëse na bombardoni, nëse vrisni një serb, do të vrasim njëqind myslimanë”. Dekada kanë kaluar nga ajo kohë, porse Vuçiqi nuk ka kërkuar kurrë falje plotësisht për krimet e kryera në emër të Serbisë apo për retorikën e tij. Ai i ka trajtuar si heronj disa kriminelë të dënuar lufte, pas lirimit të tyre nga burgjet jashtë vendit.

Në vitin 1998, Vuçiqi u bë ministër i informacionit nën Milosheviçin, posti i tij i parë në pushtetin real. Ai i priu një sulmi historik ndaj shtypit, duke vendosur gjoba të mëdha për organizatat që kritikonin qeverinë. Ishte fillimi i një marëdhënie me mediat, që do të ndihmonte në përcaktimin e karrierës politike të Vuçiqit. Por nëse Milosheviçi dhe zëvendësi i tij ia dolën të zbusnin shtypin, po humbnin kontrollin mbi stadiumet. Shumë huliganë futbolli kishin luftuar në luftëra dhe kur u kthyen në shtëpi, “ata ndien se mund të ishin arbitra të identitetit kombëtar”, më tha Ivan Gjeorgjeviç, antropolog në Institutin e Etnografisë në Beograd, i cili shkroi disertacionin e tij mbi futbollin dhe nacionalizmi në Ballkan.

B., kontakti im huligan, e shpreh pak më ndryshe. Në stadium “erdhi një brez i ri dhe ata kërkonin shpjegim” për pasuritë e Arkanit apo gruas së tij magjepsëse, yllit të pop-it Ceca, tha ai. Ata ishin ngopur edhe me Milosheviçin, i cili e kishte çuar Serbinë në rrënim ekonomik dhe i kishte ngjitur damkën e të padëshiruarës në Evropë. Në stadiume, tifozët e futbollit brohoritën: “Vrite veten, Slobodan!”. Huliganët u lidhën me opozitën politike dhe filluan të shërbenin si siguri informale gjatë protestave.

Rënia e Milosheviçit dhe pushteti i bandave

Momenti i spikatur brofi më 5 tetor të 2000-s, kur një javë protesta në rrugë kulmuan me sulmin ndaj Parlamentit serb me huliganët në krye. Milosheviçi dha dorëheqjen natën tjetër dhe për një moment të shkurtër serbët ishin të entuziazmuar. Në njohje të rolit që luajtën në rrëzimin e tij, disa huliganëve iu pastruan dosjet kriminale nga koalicioni fitimtar i opozitës demokratike.

Asgjë në polici, asgjë në gjykata”, tha B. “Ne jemi të lirë. Ne jemi si engjëjt. Pllakë e pastër”.

Euforia u shua shpejt. Ekonomia e Serbisë ishte rrënuar dhe Bashkimi Evropian nuk ishte gati të shpëtonte një vend, që shihej gjerësisht si strofkë e kriminelëve të luftës të papenduar.

Për Vuçiqin, rënia e Milosheviqit nënkuptonte një moment pasigurie të thellë për të ardhmen e tij politike. Vite më vonë ai dha një intervistë të çuditshme, që la të kuptohet për ndjenjat e tij të zemërimit dhe ambiciet e penguara.

Isha ulur në shtëpi dhe e shihja si një tragjedi për popullin serb”, tha ai. “Më pas dola jashtë, disa të droguar më sulmuan, kështu që mu desh t’i rrihja”. Ai i kishte goditur dy prej tyre dhe i kishte rrëzuar. Por në njëfarë mënyre këta sulmues misteriozë u ngritën dhe iu afruan përsëri, dhe ai i goditi për herë të dytë. “U ktheva në shtëpi”, tha Vuçiq, “dhe e dija, natyrisht, se Serbia ishte para viteve të kolapsit dhe shkatërrimit”.

Humbja e “padrejtë” e Kosovës

Për shekuj, identiteti kombëtar i Serbisë është formësuar nga ndjenjat e humbjes dhe krenaria e plagosur. Serbia ra nën sundimin osman, jo shumë kohë pas një beteje legjendare më 1389, një datë që e shihni në grafika murale në të gjithë vendin. Ajo nuk e rifitoi plotësisht pavarësinë e saj për gati 500 vjet. Këto ndjenja u rizgjuan gjatë viteve ‘90, kur shumë serbë besonin se ishin portretizuar në mënyrë të padrejtë si zuzarët e një lufte civile komplekse.

Ata gjithashtu u zemëruan thellësisht ndaj fushatës së bombardimeve të NATO-s, të udhëhequr nga Amerika në vitin 1999, që e detyroi ushtrinë serbe të largohej nga Kosova, pasi u akuzuan për spastrim etnik dhe vrasje. Ky dëbim i lejoi Kosovës, që dikur konsiderohej si zemra e Serbisë, të bëhej e pavarur. Kjo qe një goditje tjetër për serbët.

Vuçiqi dhe Partia e tij Radikale u bënë bartësit standardë të inatit të akumuluar të vendit të tyre. Në vitin 2007, Vuçiqi udhëhoqi një grup protestuesish në mbështetje të Ratko Mladiqit, komandant ushtarak i quajtur Kasapi i Ballkanit. Një vit më vonë, kur lideri serb i Bosnjës gjatë kohës së luftës, Radovan Karaxhiq, u arrestua, Vuçiqi iu kthye rrugës, duke u sulmuar nga policia.

Kthimi i Vuçiqit me kërbaç në dorë

Por era po ndërronte anë. Në vitin 2008, hulumtimi i opinionit publik tregoi se shumica e anëtarëve të partisë së Vuçiqit dëshironin që Serbia të anëtarësohej në Bashkimin Evropian. Vuçiqi ndihmoi në themelimin e një blloku të ri, Partinë Progresive Serbe. Kritikët e përqeshnin atë si e njëjta parti e vjetër me një pamje tjetër. Megjithatë, katër vjet pas themelimit të tij, koalicioni i Vuçiqit fitoi një mori vendesh në Parlament. Partia e tij kishte luajtur me shkathtësi deri në zemër të politikës serbe, duke premtuar prosperitet, qeverisje më të pastër dhe anëtarësim në BE, edhe pse kujdesej për zemërimin e krahut të djathtë mbi Kosovën. Vuçiqi ishte shumë i vogël për t’u bërë kryeministër, por ai fitoi kontrollin mbi partinë. Atij iu dha gjithashtu autoritet mbi të gjitha degët e shërbimeve të sigurisë. Ai i zëvendësoi drejtuesit kryesorë të departamenteve me besnikë.

Vuçiqi filloi shpejt të stilohej si një luftëtar kundër korrupsionit. Ai urdhëroi një seri arrestimesh dhe mediat e quajtën “Eliot Nessi i Serbisë”. Ndërsa disa ishin objektiva legjitime, më shumë se 100 nga të arrestuarit ishin zyrtarë të Partisë Demokratike, që sapo ishin rrëzuar me zgjedhje. Kritikët i dënuan këto lëvizje si të motivuara politikisht. Por fushata kundër korrupsionit fitoi popullaritet në publik dhe u pasua me anëtarësime në Partinë Progresive, e cila u mbështet te serbët më të vjetër dhe më pak të arsimuar. Pikët e partisë u rritën. Njerëzit kërkonin fajtorë dhe Vuçiqi ua dha këtë kënaqësi.

Ndër kriminelët, që Vuçiqi mburrej se do i vinte pas hekurave ishte Darko Shariqin, bosin më të fuqishëm të drogës në rajonin e Ballkanit. Shariqi, “Mbreti i kokainës”, drejtonte një rrjet global kontrabande dhe u padit në mungesë, pas një hetimi shumëvjeçar, që përfshinte Administratën Amerikane të Luftimit të Drogës (DEA). Vuçiqi, i cili sapo kishte fituar zgjedhjet parlamentare të vitit 2014 dhe do të bëhej kryeministri i ri i vendit, e quajti arrestimin triumf për zbatimin e ligjit serb. Shariqi, i cili ishte kthyer vullnetarisht në Serbi dhe ishte dorëzuar në polici, kishte një këndvështrim tjetër. Kryegjyqtari në këtë rast më tha, se e kishte pyetur Shariqin në gjykatë, se pse zgjodhi të dorëzohej. Shariqi, kujton gjykatësi, iu përgjigj se ndihej më i sigurt në Serbi nën qeverinë e re të udhëhequr nga Vuçiqi.

Sikurse Aleksandar Vuçiqi, edhe Belivuku u formësua nga lufta në Bosnjë-Hercegovinë, megjithëse ishte shumë i ri për të pasur ndonjë rol në të. Një mëngjes fund dimri të vitit 1995, kur lufta ishte në kulmin e saj, një shpërthim ndodhi në shtëpinë e familjes Belivuk në Beograd, duke vrarë tre persona. Inspektor i mjekësisë ligjore në vendngjarje atë ditë ishte një burrë i quajtur Çaslav Ristiç, tashmë veteran në punën e tij. Kur e takova në Beograd ishte pensionist 63 vjeç, me fytyrë të mërdhezur, flokë të bardhë të rralluar dhe sjellje të ashpër. Ai kishte sjellë copa gazetash të zverdhura në lidhje me shpërthimin, së bashku me fotografitë e tij polaroid nga vendi i krimit.

Belivuku kaloi nëpër trupat e nënës dhe gjyshes

Babai i Belivukut, më tha Ristiçi, ishte veteran që sillte armë në shtëpi nga lufta; ai mbante dy granata në një sirtar kuzhine. Ai kishte qenë në depresion dhe pasi debatoi me gruan e tij, u largua dhe i aktivizoi dy granatat. Me sa duket kishte për qëllim vetëm të vriste veten. Gruaja dhe vjehrra ishin dëm kolateral. Më pas, 9-vjeçari Belivuk “duhej të zvarritej nëpër korridor, duke kaluar mbi trupat e pajetë deri në shtëpinë e fqinjit”, tha Ristiqi. (Të vetmet lëndime të dukshme që kishte, ishin disa prerje). Ristiqi më tha se ishte një rast i pazakontë, por vetëm ngase babai kishte vrarë veten me dy granata.

Zakonisht ata përdornin vetëm një”, tha ai.

Belivuku u rrit dhe u bë një sherraxhi i madh në klubet e natës në Beograd, plot me krime të vogla. Në fillim të viteve 2000, Serbia po luftonte me trashëgiminë toksike të Millosheviqit, i cili kishte fuqizuar një klasë kriminale, si mjet për të shmangur sanksionet e kohës së luftës, të vendosura ndaj ekonomisë së Serbisë. Në krye, mafiozët u përplasën me shefat e Inteligjencës së vendit, për të mbrojtur fluksin e tyre të parave. Ata ishin aq të fuqishëm saqë në vitin 2003 vranë kryeministrin reformator të vendit, Zoran Gjingjiq, i cili kishte kërcënuar se do i godiste. Në fund ishin banditët si Belivuku, hisedarë në tregtinë në rritje të kokainës.

“Jeniçerët”, “projekt shtetëror” i Vuçiqit

Belivuku mund të kishte mbetur një bandit i vogël, po qe se jeta e tij nuk do ta merrte tatëpjetën me ngritjen e Vuçiqit. Rreth vitit 2012, ndërsa Vuçiqi po fitonte kontrollin mbi agjencitë e sigurisë së vendit, një grup i ri huliganësh u shfaq në stadiumin e “Partizanit” të Beogradit dhe Belivukut iu kërkua t’i bashkohej turmës. Shumica e tifozerive të futbollit janë të përjetshme në Serbi, por drejtuesit e grupit të ri përbëheshin kryesisht nga njerëz pa lidhje të mëparshme me “Partizanin”. Emri i grupit, “Jeniçerët”, ishte pranim dinak i këtij fakti: Jeniçerët ishin forcë ushtarake elitare osmane, e përbërë kryesisht nga djem të marrë nga familjet e tyre të krishtera dhe të përgatitur e kalitur si vrasës të pamëshirshëm për shtetin osman.

Aty ku huliganët e mëparshëm kishin mbështetje joformale dhe të rastësishme nga policia, kryesisht për shitjen e drogës, lidhjet e këtij grupi të ri me shtetin, ishin të drejtpërdrejta dhe politike. Emri i udhëheqësit të tij të parë do të shfaqej më vonë në shënimet e shkruara me dorë të një zyrtari të zbatimit të ligjit krahas etiketës “Projekt shtetëror”, në prova të zbuluara nga gazetarët hetues serbë.

Belivuku dhe shefi i tij i ri – një huligan tjetër i quajtur Aleksandar Stankoviç, i njohur si “I heshturi” – filluan shpejt të bashkëpunonin ngushtësisht me klientët e tyre në Ministrinë e Brendshme. Marrëdhënia u ekspozua në një seri fotografish dhe shkëmbimi tekstesh, që u shfaqën në një proces gjyqësor vite më vonë. Në një nga shkëmbimet, Belivuku theksonte besnikërinë e tij dhe një zyrtar i Ministrisë së Brendshme i ktheu një mesazh: “Atë e di. Shefi e di. Shefi i madh e di”. Tekstet nuk detajojnë se për kë fliste, por eprori i parë i ministrit ishte një grua. Vuçiqi asokohe ishte kryeministër dhe shef i Sigurimit.

Belivuku më vonë do të pretendonte në gjykatë, se “Jeniçerët” ndihmuan në realizimin e shkatërrimit të disa pronave në qendër të Beogradit, që hapën rrugën një projekti ujor, që një nga aleatët e Vuçiqit e ndërmjetësoi me liderin e Emirateve të Bashkuara Arabe. Ai rast, në të cilin dhjetëra persona u maskruan nga përdorimi i buldozerëve, për të shkatërruar një rrugë plot me ndërtesa, që ishin pengesë për projektin, ka mbetur i pazbardhur.

Huliganët homofobë, që siguruan paradën

Çuditërisht “Jeniçerët” duket se kanë ndihmuar edhe në sigurimin e paradës së homoseksualëve për Vuçiqin. Ishte pak jashtë karakterit për huliganët, një turmë jashtëzakonisht homofobike, që i kishte kthyer këto manifestime në një përleshje të përgjakshme në vitet e kaluara. Por Vuçiqi me sa duket mendoi se dhuna po bëhej pengesë për aplikimin e Serbisë për t’u anëtarësuar në BE. Sipas B., i cili nuk ishte vetë i pranishëm, Vuçiqi organizoi një takim prapa dyerve të mbyllura me një grup liderësh huliganë, duke mbajtur në dorë një pako të trashë dosjesh dhe duke u premtuar atyre, se çdo akuzë e mëparshme penale kundër tyre do të pezullohej, nëse do të ruanin paqen gjatë ngjarjeve të “Paradës së krenarisë”. Pas kësaj, paradat u organizuan pa probleme.

Nuk isha në gjendje të konfirmoja, nëse Vuçiqi e ka mbajtur ndonjëherë një takim të tillë. (Vuçiq jep rrallë intervista në media të huaja dhe zëdhënësit e tij nuk iu përgjigjën kërkesave të mia për një të tillë). Por Stankoviqit – shefit të Belivukut – duket se i janë pezulluar rastet penale. Kur iu besua timoni i bandës, ai ishte i dënuar me pesë vjet burg për trafik droge dhe armëmbajtje pa leje. Në vitet në vijim, dënimi u shty disa herë për pretendime të rreme mjekësore, duke përdorur formularët e mjekëve, që më vonë rezultuan të falsifikuara, sipas dokumenteve të zbuluara nga “Vreme”, e përjavshme e Beogradit.

Amnistimi i kriminelëve dhe perandoria kriminale e mediave

Menjëherë pas kësaj, Vuçiqi u pyet gjatë një interviste, nëse planifikonte të bënte diçka për rritjen e dhunës së huliganëve. Ai u përgjigj se i mungonte fuqia për ta bërë këtë, sepse nuk kishte “konsensus të përgjithshëm shoqëror” për këtë çështje. Ishte Vuçiqi vendimtar: edhe sulmues, edhe gardian, dhe kjo punë shpejt u harrua mes vorbullës së vazhdueshme të krizave reale dhe të prodhuara në Serbi.

Ndërsa konsolidonte pushtetin, Vuçiqi e riformësoi vazhdimisht Serbinë drejt autokracisë. Më 2019, organizata jofitimprurëse “Freedom House” e zbriti Serbinë në vlerësimin e përvitshëm të demokracive nga të lira në pjesërisht të lira, duke përmendur politizimin e gjyqësorit dhe të institucioneve të tjera dhe zgjedhjet me një mal me sulme e ryshfet. Megjithëkëtë, aplikimi i Serbisë për anëtarësim në BE kaloi me qetësi, sikur burokratët në Bruksel nuk e kanë vënë re që Vuçiqi po lëvizte në drejtimin e gabuar.

Një levë e rëndësishme e pushtetit për Vuçiqin janë mediat. Ai ka përdorur kompaninë shtetërore të telekomunikacionit, për të blerë stacione televizive lokale dhe aleatët e tij drejtojnë një treshe organizatash mediatike që ndjekin paturpësisht linjën e Partisë Progresive dhe i japin kohë të bollshme transmetimi vetë Vuçiqit. Këto përfshijnë rrjetin televiziv, Pink, që është i specializuar në shfaqjet e mrekullueshme të bisedave dhe reality show. Por më i paturpshmi është “Informeri”, një tabloid skandalesh, që merret me punë të ndyra e boton imazhe të grave të rreme.

Në fillim të 2017-s, Vuçiqi shpalli kandidaturën për president. Fushata që pasoi ishte e mbushur me akuza për frikësim të votuesve, teksa disa punonjës publikë thanë se iu bë presion për të mbështetur partinë në pushtet, sipas një raporti nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë. Mbulimi mediatik u dominua nga organet e partisë, të cilat njollosën e ndotën rivalët e Vuçiqit. Ai mori 120 herë më shumë mbulim se dy kandidatët kryesorë të opozitës së bashku, njoftonte Birodi, grup i pavarur kërkimor.

Putini i vogël i Ballkanit

Vuçiqi fitoi Presidencën me një diferencë të konsiderueshme. Me partinë e tij që dominonte Parlamentin, tani kontrollonte çdo degë të Qeverisë dhe ishte në gjendje të zgjidhte pasardhësin si kryeministër, një lëvizje që ngjasoi me ato të Putinit, i cili më 2008 e vendosi Dmitri Medvedevin në karrigen e presidentit, për të ofruar një mirazh të rendit demokratik në Rusi. Gjatë ceremonisë së inaugurimit të Vuçiqit, huliganët, duke përfshirë një anëtar të “Jeniçerëve”, ndihmuan për të grumbulluar dhe larguar protestuesit. Stili qeverisës i Vuçiqit po bëhej haptazi autoritar, me shfaqje të shtirura publike të besnikërisë nga aleatët e tij.

Në të njëjtën kohë, Vuçiqi u bë më i hapur në miqësinë me liderët autoritarë të Rusisë, Hungarisë dhe Kinës. Pavarësisht gjithë këtyre shenjave të rrëshqitjes, liderët evropianë vazhduan ta përshëndesnin ngrohtësisht, duke bërë investime dhe duke mos dhënë asnjë shenjë se aplikimi serb për BE ishte në rrezik. (Në vitin 2020, BE-ja i dhuroi Serbisë rreth 300 milionë euro, që përbënnin 62 për qind të tregtisë së Serbisë). Arsyeja nuk ishte sekrete: statusi i Kosovës mbetet ende i pazgjidhur. Evropianët i lidhnin shpresat e tyre te Vuçiqi, për të mbikëqyrur një zgjidhje. “Ai është shumë i fuqishëm, dikush që mund t’i bëjë gjërat nëse dëshiron”, më tha një diplomat gjerman. “Vuçiqi mund të jetë njeriu, që mund të shënojë përparim thelbësor lidhur me Kosovën”.

Vulini, “masha” e Vuçiçit për “Serbinë e madhe” të radhës

ImageVuçiqi dërgoi sinjale qetësuese për evropianët, por ai kishte mesazhe të tjera për bazën e tij konservatore dhe për nacionalistët, që mbështesin pakicat serbe në Bosnjë, Kosovë dhe Mal të Zi. (Ai e ndan këtë gjuhë sfiduese me Putinin, i cili ka pohuar vazhdimisht kundërshtimin e tij ndaj pavarësisë së Kosovës). Këto mesazhe shpesh jepen nga Aleksandar Vulini, ministri i Brendshëm, i cili ankohet rregullisht, se serbët në vendet e tjera të Ballkanit po keqtrajtohen. Vulini dhe nacionalistët e tjerë lënë të kuptohet se qëllimi i tyre i vërtetë është një Serbi e madhe – e njëjta ëndërr që ndihmoi ta çonte Ballkanin në luftë më 1991.

Bandat kanë rolin e tyre për të luajtur në këto maskarada politike. Kosova veriore, me popullsinë e saj kryesisht serbe, është nominalisht nën kontrollin e Qeverisë kombëtare në Prishtinë. Në realitet, ajo dominohet nga grupet e krimit të organizuar, që shihen gjerësisht si aleatë të partisë së Vuçiqit dhe janë akuzuar nga Departamenti amerikan i Thesarit për komplot me zyrtarët serbë të sigurimit, por edhe për kontrabandë. Kjo i jep Vuçiqit një levë të rëndësishme për të ulur ose ngritur tensionet rajonale. Por si mjete të shtetit, mafiozët mund të jenë jo të besueshëm.

Nata e zezë e 13 tetorit 2016 !

Shenja e parë e telasheve të njëmendta në marrëdhëniet e administratës së Vuçiqit me huliganët u dha natën e 13 tetorit të 2016-s. Belivuku sapo kishte dalë nga palestra e tij në Beograd së bashku me shefin e tij, Stankoviç, kur një ekip vrasësish kaloi me shpejtësi me një “Audi” të zezë dhe hapi zjarr me kallashnikov. Ndërsa Belivuku u përkul pas një makine, personat e armatosur u larguan me shpejtësi, duke e lënë të vdekur në vend Stankoviçin. Skena e krimit u rrethua shpejt nga policia, sipas një historie të dokumentuar me përpikëri të publikuar vjeshtën e kaluar në “Vreme”. Një nga oficerët, në telefon me shefin e tij, bërtiti: “Kush është Belivuku?”. Kur Belivuku u përgjigj, oficeri tha, me sa duket, duke iu referua eprores së tij: “Ajo ju tha të ktheheshit në strehë”. Banda kishte një drejtues të ri.

Vrasja mund të ketë qenë e lidhur me rolin e Stankoviçit si një “projekt shtetëror”. Sipas raportit të “Vremes”, Stankoviçi, i cili po drejtonte një “Audi” të blinduar të pajisur me një radio policie, po merrte dërgesa kokaine me çmime më të ulëta se gangsterët e tjerë dhe ata ishin të zemëruar. Por mësimi kryesor prej vrasjes së Stankoviçit ishte se, banda e Belivukut ishte përfshirë në një luftë gjithnjë e më të dhunshme midis klaneve të drogës në rajon. Tregtia e kokainës ishte më fitimprurëse se kurrë, me kartelet e Amerikës Latine, që i kthyen sytë nga tregu evropian në rritje.

Megjithëse pjesa më e madhe e kokainës së Evropës mbërrin nëpërmjet porteve të kontejnerëve në Evropën Veriore, rruga ballkanike po bëhej më e rëndësishme dhe pjesa më e madhe e saj ishte e fokusuar në Malin e Zi, fqinjin jugor të Serbisë. Mali i Zi është i vogël – popullsia është pak më shumë se 600.000 banorë, por ka disa veçori, që e bëjnë të përshtatshëm për tregtinë, duke përfshirë vijën e gjatë bregdetare të Adriatikut. Ashtu si Siçilia, është i varfër dhe i dominuar nga klane me reputacion për paligjshmëri. Dhe ka një histori të kontrabandës, një praktikë e nxitur nga Qeveria gjatë luftërave civile të viteve ‘90.

Lufta e bandave filloi pas rënies së Darko Shariçit, bosit të drogës, arrestimin e të cilit Vuçiqi e njoftoi me ceremoni të bujshme në vitin 2014. Shariçi kishte ndërtuar një bazë narkotikësh në Kotor, një qytet i mrekullueshëm portual mesjetar në bregdetin malazez, që është një vend i trashëgimisë botërore të mbrojtur të UNESCO-s. Një grup trafikantësh të Kotorit trashëguan lidershipin e tij dhe më pas u ndanë në klane rivale për një ngarkesë 200-kilogramëshe kokaine. Lufta u kthye shpejt në vdekjeprurëse, me atentate që ndodhën në Serbi dhe Mal të Zi. Klanet ndërluftuese, Kavaq dhe Shkalar, kishin krijuar lidhje me policinë dhe agjencitë e inteligjencës në të gjithë Ballkanin, të cilat po tërhiqeshin në dhunë.

Vrasja e Stankoviqit u pa në Beograd si një shenjë se lufta e klaneve po dilte jashtë kontrollit. Në mëngjesin e pas vdekjes së Stankoviçit, ministri i Brendshëm serb atëherë, Nebojsha Stefanoviq, mbajti një konferencë shtypi për të njoftuar se mjaft ishte mjaft: Ishte koha për të goditur mafien. Siç ndodhi, gjërat do të përkeqësoheshin shumë.

Një nga veprimet e para të Belivukut si bos ishte ndryshimi i emrit të bandës së tij në “Principi”. Në një intervistë me një të përjavshme të Beogradit – të vetmen që ai dihet se e ka dhënë – ai tha se kjo ishte për shkak se ai vepronte “me parime”. Ai nuk tha se cilat ishin ato parime. Emri mbante një tjetër lidhje të heshtur: atë të Gavrilo Principit, nacionalisti serb i Bosnjës, që e nisi Luftën e Parë Botërore, duke vrarë arqidukën Franz Ferdinand në Sarajevë më 1914 dhe që ende konsiderohet gjerësisht hero midis serbëve, për qëndrimin e tij të guximshëm kundër Perandorisë austro-hungareze.

I biri “pa pozitë”, por i gjithëpushtetshëm i Vuçiqit

Belivuku u bë kryelajm disa muaj më vonë, kur ai dhe bosi i tij i madh, Marko Milkoviç, i njohur si Kasapi, u akuzuan se vranë një burrë në qendër të Beogradit. Viktima ishte një ekspert i arteve marciale, i cili punonte si rojtar në një klub nate në Beograd, të vendosur në një nga anijet buzë lumit.

Provat e ADN-së, që e implikonin Belivukun u zhdukën në mënyrë misterioze dhe ai dhe zëvendësi i tij, u shpallën të pafajshëm (megjithëse ata kaluan pak kohë në burg para vendimit).

Një tjetër shenjë e paprekshmërisë së Belivukut ishte shfaqja e një mysafiri në tribunat e futbollit: Danilo Vuçiq, djali më i madh i presidentit. Fotografitë e Danilos me krahët e tij rreth anëtarëve të bandës së Belivukut, u shfaqën në mediat e pavarura të Beogradit, duke e shtyrë presidentin të sulmonte me tërbim dhe të akuzonte gazetarët për shënjestrimin e padrejtë të familjes së tij. Vuçiçi ka thënë vazhdimisht se djali i tij, i cili zotëron një dyqan verërash, është qytetar privat pa pozitë zyrtare. Por Danilo duket se luan rol të paqartë politik.

Dy vjet më parë, ai mirëpriti publikisht një kriminel serb të luftës, pasi kishte vuajtur dënimin në Kroaci dhe, sipas raporteve të mediave serbe, i dorëzoi atij 30.000 dollarë para të gatshme, së bashku me çelësat e një apartamenti në Beograd dhe një makinë. Origjina e kësaj dhurate nuk është shpjeguar kurrë. (Zëdhënësit e Vuçiçit nuk iu përgjigjën kërkesave për koment). Danilo është fotografuar gjithashtu përkrah liderit të Patrullës Popullore, një grupi nacionalist të ekstremit të djathtë që organizon protesta kundër imigracionit dhe së fundmi kërcënoi se do të kalonte kufirin në mbrojtje të serbëve, që jetojnë në Kosovë.

“Bunkeri” i kriminelëve në stadium

Në vitin 2019, Belivuku dhe banda e tij kishin hapur një bunker brenda stadiumit të Partizanit, ku torturonin viktimat dhe ruanin drogë dhe armë. Ata kishin gjëra më të mëdha në mendjen e tyre sesa futbolli: Lufta midis dy fraksioneve malazeze të kokainës, po e fuqizonte krimin e organizuar në të gjithë rajonin.

Grupet më të rëndësishme kriminale të organizuara kanë vendosur t’i bashkohen njërit prej këtyre dy grupeve rivale kriminale”, ishte përfundimi i një dokumenti të Inteligjencës serbe, i cituar në një hetim nga Projekti i Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, një konsorcium ndërkombëtar, në maj të 2020-s. Nuk ishin vetëm kriminelët që drejtonin luftën e klanit. Në anën e klanit të Kavaqit, sipas informacioneve nga projekti i raportimit, ishin rreshtuar disa policë dhe agjenci të Inteligjencës serbe dhe malazeze. (Policia në të dy vendet mohon çdo lidhje me bandat). Vrasjet filluan në rrugët e Beogradit dhe Podgoricës, por shpejt u përhapën në Spanjë, Austri, Gjermani, Holandë dhe Greqi. Disa gazetarë ballkanikë që kanë monitoruar luftën e klaneve më thanë se numri aktual i viktimave është më shumë se 70.

Banda e Belivukut po bëhej më e dukshme përtej kufijve të Serbisë. Në vitin 2019, roja bregdetare spanjolle kapi 800 kilogramë kokainë në një anije që vinte nga Amerika e Jugut. Droga kapte vlerën e 50 milionë eurove. Megjithëse nuk ka asnjë provë, që tre marinarët serbë në varkë ishin të lidhur drejtpërdrejt me bandën e Belivukut, shumë nga paketat e kokainës mbanin imazhin e Gavrilos.

Principi, emblema e bandës

Nuk ka dyshim se Belivuku dhe banda e tij janë në burg, sepse Europoli ka thyer kodin në Sky-ECC, duke i zbuluar tekstet dhe fotografitë inkriminuese të grupit. Ajo që mbetet e paqartë është se çfarë dinin autoritetet serbe dhe çfarë synonin të bënin për këtë. Zyrtarët e Europolit, me të cilët u takova në Hagë, ishin të shqetësuar se si dhe kur komunikonin me Serbinë në lidhje me të dhënat e Sky. Zyrtarisht, përgjimet u dorëzuan pas arrestimit të Belivukut dhe ato formuan bazën e aktakuzës.

Por Europoli (ose një nga partnerët e tij) duket se ka lajmëruar serbët disa muaj më parë. Ish-ministri i Brendshëm i Serbisë, Nebojsha Stefanoviç, tha të njëjtën gjë, duke pohuar se arrestimi u mundësua nga përgjimet e Sky. Dhe në tetor të 2020-s, presidenti Vuçiq, gjatë një deklarate për dhunën e bandave, tha se kishte dëgjuar për krime të tmerrshme për javë të tëra, më pas shtoi nënkuptueshëm: “Dhe mos lejoni që i gjithë qyteti të na tregojë se si dikush i preu kokën dikujt përmes Skype”.

Demaskimi i krimeve

Ky koment tërhoqi vëmendjen e Stevan Dojçinoviçit, një prej reporterëve më të shquar investigativë të Serbisë. Dojçinoviç është themelues i Rrjetit të Raportimit të Krimit dhe Korrupsionit dhe ka shkruar për bandën Belivuk dhe lidhjet e saj me shtetin që nga viti 2016. Ai ka qenë objektiv i shumë kërcënimeve dhe sulmeve nga mediat aleate të Vuçiqit, të cilat e kanë etiketuar, ndër të tjera, edhe si terrorist, spiun, mafioz, narkoman, tradhtar dhe sadomazokist. Dojçinoviçi është një burrë i vogël me një fytyrë të ndjeshme.

Ai dhe stafi i tij punojnë jashtë Beogradit në një zyrë aq të vogël dhe plot me dokumente saqë të hysh në të është si të hysh në një dollap të tejmbushur. Dojçinoviçi më tha se beson, që komenti i Vuçiqit për prerjen e kokës (ai me sa duket ngatërroi Sky me Skypen) mund të ketë qenë një paralajmërim i fundit për bandën. “Banda e Belivukut kish qenë e dobishme për shtetin, por ata po dilnin jashtë kontrollit, po bëheshin shumë të dhunshëm”, tha Dojçinoviç. “Gjithashtu po vëzhgoheshin nga jashtë, evropianët kishin njoftuar policinë serbe për përgjimet e Sky”.

Nëse Dojçinoviçi ka të drejtë, autoritetet serbe nuk kishin vendosur se çfarë të bënin me Belivukun dhe bandën e tij deri në tetorin e 2020-s. Ata ishin padyshim të shqetësuar, sepse dokumentet gjyqësore tregojnë se policia serbe filloi survejimin e bandës në fillim të gushtit, gjashtë muaj para arrestimeve. Por duket se nuk ishin mjaftueshëm të shqetësuar për të ndaluar bandën që torturonte dhe vriste njerëz.

Mesazhet

Falë mesazheve të Sky-ECC, të zbuluara nga Europol, ne tani kemi një regjistrim jashtëzakonisht të saktë të asaj që ndodhi me disa nga burrat që filluan të zhdukeshin në Beograd më 2019. Banda e Belivukut kreu një mori vrasjesh dhe e rafinoi metodën e vrasjeve. Ndonjëherë ata e tundonin viktimën me pazare droge ose armësh; në një rast mashtruan një rival që të besonte se një bashkëpunëtor kishte kapur Belivukun dhe se ai tani mund ta vriste. Mesazhet me tekst në Sky shpesh ofrojnë dëshmi minutë pas minutë të krimeve.

Një nga njerëzit që ata shënjestruan ishte një lider 33-vjeçar rival huligan, i quajtur Goran Veliçkoviç. Ishte një figurë e shquar, e pëlqyer në stadiumin e Partizanit. Ishte i martuar me të dashurën e fëmijërisë dhe kishte dy fëmijë të vegjël dhe një biznes me një kushëri për meremetim shtëpish. Në fotografi shihet me faqe të kuqërremta, sy të gëzuar bojëkafe dhe shpatullgjerë, me një tatuazh të dukshëm në parakrahun e djathtë me muskuj të trashë, me fjalët “The Young Boys”, emri i grupit të tij të fansave.

Veliçkoviçi dinte gjithçka për stadiumin dhe rivalitetet e tij. Ajo që e shqetësonte, më tha e veja e tij, Jelena, ishte roli i policisë. “Gjëja që na shqetësoi vërtet, ishte policia që ishte aty për të ofruar ndihmë për grupet rivale”, tha Jelena. “Nëse je pjesë e një grupi të tillë, kjo të jep fuqi të paimagjinueshme. Dhe nëse je kundër atij grupi, nuk mund të mbrohesh”.

Në fillim të gushtit të 2020-s, Gorani doli ta takonte një mik dhe nuk u kthye më. Do të kalonin muaj para se Jelena ta dinte me siguri se çfarë ndodhi. Vetëm kur ajo pa provat e Sky nga aktakuza, kuptoi gjithçka: Gorani ishte joshur nga një burrë, të cilit i besonte, në një rrugë të paasfaltuar pranë një fushe të shtruar me zall jashtë Beogradit. Banda e Belivukut i zuri pritë, e lidhi dhe e çoi në thertoren e saj, ndërsa Jelena po ushqente foshnjat dhe po bënte darkën për të shoqin.

Banda kishte përgatitur një dhomë torturash në një dhomë të fshehur, ku hyhej nga garazhi. Kishte pranga dhe rripa, së bashku me thika, shufra të nxehta dhe rroba pune njëpërdorimshme. Mulliri i mishit ndodhej në njërin skaj. Përpara çdo vrasjeje, anëtarët e bandës vendosnin fletë plastike të freskëta në dysheme dhe mure.

Sipas aktakuzës, ata e futën Goranin brenda në dhomë dhe e morën në pyetje, duke e detyruar që ta zhbllokonte telefonin dhe të tregonte listën e kontakteve. I hoqën thonjtë me pincë, e rrahën dhe ia nxorën shpirtin, duke i prerë kokën me sëpatë. Ata gërvishtën me thikë një fyerje në shpinën e Goranit, i bënë disa fotografi dhe i dërguan te kontaktet në telefonin e tij. Një fotografi shkoi bashkë me tekstin: “E shikon zemër? Meksika në mes të Beogradit”.

Sipas asaj që tregojnë përgjimet e Sky, udhëheqësit e bandës, shpesh kënaqeshin me torturat. Gjatë një vrasjeje tjetër disa javë më vonë, Belivuku dhe dora e tij e djathtë u telefonuan në telefonat e tyre në Sky nga Mali i Zi (ku po kryenin tri vrasje të tjera) për të inkurajuar kasapët e tyre në Beograd, që të jepnin “102 për qind” gjatë torturimit të viktimës së fundit. Transkriptet e Sky-së tregojnë se kërkuan që telefoni t’i afrohej viktimës, që ta shanin dhe t’i tregonin se po planifikonin t’ia vrisnin babanë dhe vëllanë e tij dhe “këdo që keni njohur a dashur ndonjëherë”. Më vonë, Belivuku dërgoi përsëri mesazhe, duke i kërkuar njërit prej vartësve, që të përshkruante torturën gjatë dhe “duke mos anashkaluar detaje të forta për mua”.

Pas vdekjes së çdo viktime, burrat vazhdonin me avazin e vjetër. Ata përdorën sëpata dhe thika për të prerë trupin në copa të vogla, më pas i futnin në mulli të mishit, duke mbledhur mbetjet në thasë, të cilat i hidhnin në Danub. I digjnin çantat, së bashku me të gjitha rrobat dhe sendet e viktimës. Ata shkatërruan gjithashtu materialin e përgjakur prej plastike dhe pastruan mullinjtë e bluarjes së mishit me acid dhe zbardhues. Por ky nuk ishte fundi. Pothuajse në çdo rast, thonë prokurorët, ata u dërgonin mesazhe anëtarëve të familjes së viktimës, shpesh duke u shtirur se ishte ai dhe duke gjetur mënyra për të nxjerrë para.

“Viktima të pritjeve jorealiste”

Jelena Veliçkoviq më tha se deri në ditën kur mësoi se çfarë i ndodhi burrit të saj – duke parë fotografitë e trupit të tij të copëtuar në një emision televiziv serb – e kishte të vështirë të besonte se Belivuku ishte përgjegjës.

Atë e kishim si mik”, tha ajo. “E kam takuar shumë herë në stadium. Burri im gjithashtu”. Vite më parë, kur ajo mori fëmijën e saj të parë në stadium për një lojë, ishte Belivuku ai që e uroi. Dhe, sipas zakonit serb, i jepte edhe para për fëmijën – dhuratë prej 50 eurosh. “Ai ishte i mirë atëherë”, tha ajo. “Nuk mund ta imagjinoja kurrë, që një djalë na dha dhurata për fëmijën tonë, dhe po ky djalë mund të vriste burrin tim”.

Jelena është një grua shtatshkurtër me sy të mëdhenj, të mbyllur, tipare të rrumbullakëta dhe një pamje melankolike. Tatuazhet ia mbulojnë krahët, duke përfshirë njërin që thotë serbisht: “Dhimbja që ndiej sot do të jetë fuqia ime nesër”.

Avokatja e Jelenës, ulur me ne, më tha se ajo besonte se Belivuku dhe njerëzit e tij nuk ishin monstra të lindura. Iu desh Qeverisë që t’i bënte bisha. “Belivuku ishte viktimë e pritjeve jorealiste”, tha ajo. “Ai kishte iluzione madhështie. Ai dhe miqtë e tij, u bënë vetë viktima. Dikush i ushqeu me iluzione”.

Bandat, të mbrojtura nga policia dhe ushtria

Gjatë dy vjetëve që nga arrestimi i bandës së Belivukut, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë vazhdimisht se rasti shënoi një ndarje vendimtare me të kaluarën. “Ne do të pastrojmë institucionet shtetërore nga të gjithë bashkëpunëtorët e tyre”, deklaroi ai në konferencën e parë për shtyp pas arrestimeve. Më pas ai i tha një grupi gazetarësh: “Kjo është e rëndësishme për ne, por edhe për qytetarët e thjeshtë. Pronarët e restoranteve dhe të bareve nuk do të duhej të shqetësohen, se ndokush do të vinte dhe do t’i sulmonte pas kësaj. Ata s’duhet të kenë frikë ta raportojnë në polici, sepse nuk e dinë nëse dikush në polici është i lidhur mirë me këta vrasës”. Ishte një mesazh i llogaritur për t’iu bërë thirrje serbëve, të cilët ishin të shqetësuar nga ajo që dëgjuan për rastin “Belivuk”. Mund të ketë synuar edhe Bashkimin Evropian, i cili nuk do ta pranojë Serbinë në klub derisa të bëhet më serioze në sundimin e ligjit.

Kishte një sërë arsyesh për të dyshuar në premtimin e presidentit. Ai ka thënë gjëra të ngjashme në të kaluarën, dhe Belivuku shihet gjerësisht në Serbi, si i fundit në një serie të gjatë banditësh të dobishëm, po aq të zëvendësueshëm sa Aleksandar Stankoviqi para tij. Arsyeja më e madhe është se autoritetet serbe vazhdojnë të mos e prishin terezinë, kur vjen puna te trafikantët dhe bandat e drogës. Një nga shembujt më të bujshëm të kohëve të fundit ishte zbulimi i një ferme marihuane të përhapur rreth 50 kilometra jashtë Beogradit që, sipas prokurorëve, po mbrohej nga oficerët e policisë dhe ushtrisë. Ferma, e krijuar për të prodhuar forma shumë të përqendruara të kanabisit, duket se ka qenë më e madhja në Evropë.

Trazimi i veriut të Kosovës

Marrëdhënia e Vuçiçit me njerëzit e krimit shtrihet përtej Serbisë. Në vitin 2018, një biznesmen kosovar, i cili akuzohet nga Departamenti i Thesarit i SHBA-së për trafik të gjerë të drogës dhe armëve, u akuzua për vrasjen e një politikani atje. Vuçiqi e mbrojti atë, duke e quajtur “një njeri që mbron popullin serb dhe vatrat e veriut të Kosovës”. Paradoksalisht, ndikimi i Vuçiqit në veri të Kosovës është pjesë e arsyes, që Bashkimi Evropian e sheh atë si një partner të vlefshëm. Ai e tregoi atë fuqi në fund të vitit të kaluar gjatë një krize kufitare, që për pak kohë kërcënoi të kthehej në konflikt të hapur.

Konfrontimi u nxeh, ndoshta jo rastësisht, gjatë një takimi të nivelit të lartë të Bashkimit Evropian në dhjetor, në të cilin Vuçiçi ripohoi refuzimin e tij, për t’iu bashkuar sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë. Serbët etnikë në veri të Kosovës barrikaduan rrugët, duke bllokuar lëvizjet e autoriteteve kosovare. Protestuesit u mblodhën në anën serbe të kufirit, duke përfshirë anëtarë të Patrullës Popullore, organizatës nacionaliste serbe, që ka dokumentuar lidhjet me grupin paraushtarak të Rusisë, “Wagner”.

Beogradi dërgoi trupat në kufi, duke kërcënuar se do të ndërhynte dhe se do të mbronte serbët e Kosovës. Vuçiqi më pas mbajti një takim me një grup serbësh të Kosovës dhe kriza mori fund. Është e panevojshme të thuhet, se përçarjet kufitare rrokën vëmendjen e Bashkimit Evropian. Në mes të marsit, liderët e Serbisë dhe ata të Kosovës ranë dakord paraprakisht për një plan të sponsorizuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve, por Vuçiqi refuzoi të hedhë nënshkrimin në marrëveshje.

Afrimi dhe zhgënjimi i Serwerit me Vuçiqin

Pothuajse një dekadë më parë, studiuesi dhe analisti amerikan, Daniel Serwer, ndihmoi në organizimin e paraqitjes së parë publike të Vuçiqit në Uashington. D.C. Serwer punoi në Ballkan në vitet 1990 dhe ai dinte gjithçka për rrënjët nacionaliste të Vuçiqit. Por ai ishte i zhgënjyer me të dhënat e liderëve të tjerë politikë serbë. Ai më tha se Vuçiqi nuk dha asnjë premtim për Kosovën, por tha se do të afrohej më shumë me Bashkimin Evropian. Serwer e shihte Vuçiqin si inteligjent dhe serioz. Kishte pak shpresa, më tha ai, se Vuçiqi mund të ishte si figura e “Nixonit në Kinë”, i aftë për të sjellë bazën konservatore të partisë së tij në pajtim të plotë me fqinjët e Serbisë.

Serwer më tha, se qëndrimi i tij ndaj Vuçiqit ka ndryshuar rrënjësisht. “Vuçiqi tani është shumë serioz në lidhje me ‘botën serbe’”, tha ai. Kjo shprehje, e përdorur shpesh nga nacionalistët serbë, mishëron idenë se Serbia ka të drejtë të dominojë tokat ku jetojnë serbët etnikë, duke përfshirë disa vende fqinje. “Ai kishte mundësinë të lëvizte në drejtimin pro-BE, dhe ai zgjodhi të mos e bënte këtë”.

Serwer spekuloi se Vuçiqi ka ardhur në përfundim, se zbatimi i reformave për anëtarësim në BE do t’ia dobësonte mbajtjen e pushtetit ose ndoshta edhe do ta çonte në burg. Kjo është çfarë i ndodhi ish-kryeministrit të Kroacisë, Ivo Sanader, i cili kryesoi shumicën e përgatitjeve të vendit për anëtarësim, për t’u arrestuar dhe burgosur pastaj me akuza korrupsioni (ai mbetet në burg sot). Fati i Sanaderit është kthyer në përrallë paralajmëruese për reformatorët e mundshëm ballkanikë.

Rrëzimi i Qeverisë së Kosovës me manovrat e Grenellit

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë vazhduar t’a shërbejnë Vuçiqin, duke i fokusuar politikat e tyre në rritjen ekonomike dhe kryesisht duke injoruar joliberalizmin e tij. Administrata Trump dukej veçanërisht favorizuese ndaj Vuçiqit, duke anuar haptazi nga ai, në mosmarrëveshje për taksën 100% dhe duke detyruar rënien e një qeverie popullore në Kosovë. Trump nisi të dërguarin e bezdisshëm special në rajon, Richard Grenell, i cili dukej i vendosur për të ndërmjetësuar një “marrëveshje shekullore” Serbi-Kosovë për të përmirësuar perspektivat e Trumpit në zgjedhjet presidenciale të 2020-s. (Kështu nuk ndodhi.)

Serwer dhe një numër i ekspertëve të tjerë të Ballkanit, thonë se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, po humbasin një mundësi për ta shtyrë Vuçiqin në një drejtim më demokratik. “Ne kemi më shumë ndikim në Ballkanin Perëndimor se kudo në botë”, më tha Kurt Bassuener, një studiues që ka shkruar gjerësisht për Ballkanin. “E, megjithatë, ne po ndërtojmë politikën tonë mbi Vuçiqin dhe njerëzit si ai”. Nëse Vuçiq do ta dinte se rrezikonte të humbiste shumë nga mbështetja e tij financiare dhe diplomatike perëndimore, tha Bassuener, llogaritja e tij mund të ndryshonte për të gjitha fushat, duke përfshirë zakonin e tij për të përkëdhelur kriminelët dhe huliganët. Nocioni se Serbia mund të “balancojë” Perëndimin kundër Rusisë është kryesisht një mirazh, tha Bassuener. Rusia mund të jetë aleati tradicional i Serbisë, por Putini, i cili po përpiqet të rindërtojë ushtrinë e tij të shkatërruar, ka pak substancë për t’iu ofruar serbëve të zakonshëm.

Një pasdite në Beograd, kalova një orë duke folur me Boris Tadiçin, i cili shërbeu si president i Serbisë nga viti 2004 deri në vitin 2012, kur humbi ndaj partisë së përgjimeve të Skyit. Ai më tha se krimi i organizuar është bërë aq i fuqishëm në Serbi, saqë është e vështirë të dihet, se kush i komandon të shtënat. Gjatë kohës së tij në detyrë, tha ai, ishte i habitur kur zbuloi se bandat kriminale “kishin pajisje dhe teknologji më të mirë se policia jonë”. Kartelet e kokainës ishin bërë aq fitimprurëse sa mund të korruptonin këdo. Tadiçi tha se e kishte luftuar mafien me njëfarë suksesi. Vuçiqi, tha ai, “ndihmoi vendosjen e kriminelëve në pushtet”, me besimin se ai mund t’i kontrollonte ata. Ishte një lojë e rrezikshme.

Cili do të jetë rezultati përfundimtar i pushtetit tuaj, nëse do të shkatërronit themelet e shoqërisë me huliganë dhe kriminelë?” – pyeti ai. Tadiçi hodhi një vështrim të shqetësuar rreth nesh në oborrin e hotelit. “Kush po e drejton këtë vend?” – pyeti ai. “Ndoshta disa shokë të Belivukut janë ulur pranë nesh”.

Robert F. Worth për NYT – përktheu Koha Ditore/Redaktoi Lapsi.al dhe Fjala.info

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.