POEZI E NIVELIT TË LARTË ARTISTIK

0
499
Mehmetali Rexhepi - Urtiana

Në botën e librit

Nga: Isak A H M E T I

Mehmetali Rexhepi, poet dhe prozator modern, eseist, publicist dhe studiues i veçantë në letrat shqipe, kohë më parë ka nxjerrë në dritë librin e tij më të ri me titull:

URTIANA, poezi, Prishtinë, 2023, fq. 146.

Ky libër i veçantë, intrigues, i inspiruar ndërmjet konceptit filozofik dhe shprehjes poetike moderne dhe përtej moderne, shënon një moment të ri në poezinë e sotme shqipe jo vetëm të këtij krahu. Ky libër, të cilin autori ma ka dhuruar me dedikim të veçantë, (për çka e falënderoj nga zemra !), duhet lexuar jo vetëm njëherë, është shkruar me mjeshtri dhe shquhet me gjuhën e bukur poetike, me përsosmërinë brilante të vargut e të shprehjes artistike. Dhe si i tillë libri shquhet me nivelin e lartë artistik.

II. Pak biografi për autorin

Mehmetali Rexhepi u lind në Gjilan (1951), ku e ka kryer shkollimin fillor dhe gjimnazin, ndërsa studimet, në Degën e Albanologjisë, ndonëse me ndërprerje për shkaqe politike, i ka mbaruar në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Nga pushteti serbo-sllav, në vitet e 70-ta, 80-ta dhe 90-ta të shek. të kaluar, është burgosur, është pushuar nga puna dhe nga institucionet e KSA të Kosovës. Në biografinë interesante të këtij autori veç tjerash do lexojmë edhe këtë: Mehmetali Rexhepi asnjëherë nuk iu shmang kërkesave që shtronin rrjedhat e kohës: pajtimit të gjaqeve, veprimtarive të “rrezikshme” legale dhe ilegale, politike, kulturore-artistike dhe humanitare.

Vlen të theksohet në mënyrë të veçantë se fushë-veprimtaria e tij ka shtrirje: në arsim-edukim, në poezi, në prozë, studime, eseistikë e publicistikë. Është vlerësuar me të drejtë se veprat e tij poetike, kritike dhe studimore shquhen për origjinalitetin dhe elagancën e shprehjes gjuhësore, shpesh eksperimentale, për ndjenjën e sinqertë e të fuqishme, për mendimin e thellë e filozofik. Prandaj, siç e ka vlerësuar me të drejtë edhe Mr. Tahir Arifi, shkrimi i tij buron nga laboratori me kërkesa të saktësisë matematikore të shkrimit qoftë ai estetik, shkencor a publicistik.

III. VEPRA TË AUTORIT

Me bashkautorë:

Shefik Shkodra-Mehmetali Rexhepi:
FLAKËRIMË, SHB “Nëna Terezë” – Dega në Gjilan, 1992,

Shefik Shkodra-Mehmetali Rexhepi:
AGURRONA, Klubi Letrar “Rexhep Elmazi”, Gjilan,1993,

Mehmetali Rexhepi-Sherafedon Kadriu:
KOHËNNGJESHJE BAMIRËSIE (libër dokumentar), SHB “Nëna Terezë”, Gjilan, 2000,

Vetjake:

– FRYMË E FËRGUAR MYNXYRAVE (poezi), Iliriku, Prishtinë, 1997,
– ENIGMA E MAGJIKËS (Ese), “Fsik Konica”, Prishtinë, 2011,
– MIRËSIA E MOTIT (roman), SHBPK, Prishtinë, 2017,
– MIRËSIA E MOTIT, (mozaikë të një romani) ribotim, Lena, Prishtinë, 2021,
– SELATIN NOVOSELLA-KRONISTI I MALBREZAVE (vlerësime publicistike), SHBPK, Prishtinë, 2017,
– MIRËSI E FLLUSKUAR (poezi),”Sogjetime”, Gjilan, 2017,
– KALLIJTË E ÇATISË ( prozë-roman), Lena, Prishtinë, 2021,
– THURJA E MODELIT (Qasje kritike, eseistike, estetike dhe publicistike), Lena, Prishtinë, 2021,
– VETULLAT E MAJEBORËS (Poezi), Lena, Prishtinë, 2021,
– URTIANA (poezi), Prishtinë, 2023.

URTIANA, poezi, 2023

Ky libër me poezi, me vetë titullin dhe poezitë që janë përfshirë aty, është intrigues dhe i veçantë me vlerat shumështresore që ka dhe duhet lexuar më se njëherë për t’i kapur kuptimet e brendshme të vargjeve, vokabularin poetik, strukturën dhe elegancën gjuhësore-poetike që përbëjnë substancën e librit.

Librin në fjalë, siç shihet edhe nga vetë pasqyra e lëndës, autori e ka strukturuar në tetë cikle si vijon:

I. SHENJAT E MADHËRISHME (fq. 11-26),
II. HERBARIUMI I SHIUT (fq. 33-45),
III. MES DJERRINASH (fq. 49-61),
IV. PËRMASA E GHALLË E HIJES( fq. 65-77),
V. RELIEFE TË MALIT (fq. 83-96),
VI. SHKROLA NËPËR GJEMBA (fq. 99-111),
VII. VARIANTE TRINISH (fq. 115-125),
VIII. METASTAZAT E TËRBIMIT (fq. 129-143).

Libri hapet me poezinë programatike me titull: NËSE.

Duke u marrë me leximin dhe vlerësimin e këtij libri del se kjo poezi është me vlera shumështresore, është poezi jo vetëm moderne por dhe përtej moderne dhe si e tillë shënon një moment të ri në poezinë e sotme shqipe në përgjithësi.

Duke zotëruar prirjet e tij poetike dhe prirjen për të krijuar poezi me shprehje të veçanta artistike ,gjithsesi moderne, poeti i ka dhënë poezisë së tij një vlerë dhe frymë polifonike. Të kësaj natyre janë shumica e poezive të këtij libri si psh.:

– Përmasa e gjallë e hijes,
– Miku i urtisë së gjatë,
– Katër palë sy,
– Mes djerrinash,
– Herbarium i shiut,
– Filozofia e përmbushjes,
– Shkrola nëpër gjemba (poemë),
– Trinia,
– Shtëpia e një trinie,
– Grishjet popit në kishë,
– Rikthimi i kuçedrës, etj.

Tekstet poetike të këtij libri reflektojnë, kur më pak e kur më shumë, rrjedha kohe në shoqërinë tonë, aty ridimensionohet bota shqiptare dhe shpirti krijues-artistik i poetit.
Në fakt poezia e këtij libri, të shkruar me një elegancë poetike, është e mbrujtur me një gamë të gjerë tematike dhe emocionale, aty janë prekur shumë çështje të dramës sonë.
Është kjo një poezi sa lirike aq edhe dramatike dhe lexohet me shumë ëndje. Madje për ta kuptuar atë duhet lexuar jo vetëm njëherë!

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.