( Shënime mbi librin me përralla «Bukurzana dhe vajzat e qytetit» të Hysen Kobellarit )
Fatmir Ceci, poet, studiues
Një botë magjike që zbret në qytet
Një mbrëmje vere, në parkun «Rinia», gjatë shëtitjes së zakonshme, ndodhi diçka e jashtëzakonshme. Një dhelpër me trup mesatar doli nga pylli dhe hyri mes turmës me një qetësi të admirueshme. Njerëzit, të ngazëllyer që e kishin aq pranë, nxitonin ta fotografonin.
Ishte një nga ato mijëra raste kur ndryshimet globale, veçanërisht ato në mjedis dhe në klimë, kanë sjellë ndryshime edhe në botën e faunës dhe të florës. Këto ndryshime vihen re kryesisht në tiparet, zakonet, përshtatjen dhe bashkëjetesën e kafshëve me ekosistemin urban.
Atë mbrëmje, njerëzit po e shihnin dhelprën e përrallave me sytë e ballit, si një banore të mjedisit të tyre, dhe jo më vetëm përmes imagjinatës. Kjo afërsi e bën më të lehtë komunikimin mes dy botëve, asaj mitike të zanave dhe asaj të njerëzve në qytetin e vajzave.
Një zhvillim të ngjashëm, tashmë në kontekstin letrar, e gjejmë të pasqyruar bukur edhe në përrallat e librit «Bukurzana dhe vajzat e qytetit» të shkrimtarit Hysen Kobellari. Në këtë vëllim, çdo lexues kureshtar hyn në botën e aventurave magjike dhe krijon «shoqëri» me personazhe të vjetra e të reja të botës së rrëfimit. Brenda secilës përrallë përballemi me situata reale dhe imagjinare, të cilat pasqyrojnë bashkëjetesën tonë të përditshme me biodiversitetin dhe botën që na rrethon.
Si zakonisht në përrallë, edhe në këtë libër personazhet përzgjidhen nga bota e kafshëve, e luleve, e sendeve dhe e mikroorganizmave. Një gjetje e re është personifikimi i disa dukurive dhe fenomeneve natyrore, të cilat shfaqen si personazhe tokësore, me frymë dhe intelekt: era, reja, gjethja e pemës, rrezja e diellit etj. Nëpërmjet detajeve të vogla, shkrimtari e ndërton përrallën si një formë komunikimi të ndërsjellë, duke përcjellë te lexuesi një informacion të ri ideo-emocional.
«Lindja e formave të reja lidhet ngushtë me ndryshimet në jetë, të cilat sjellin ndryshime edhe në vetëdijen artistike të çdo artisti. Në mënyrë të vetëdijshme apo intuitive, shkrimtarët detyrohen të gjejnë forma të reja apo kryqëzime formash për të tërhequr vëmendjen e lexuesit…», ve ne dukje shkrimtari Vangjush Ziko.
Ky realitet i zakonshëm, i hedhur në letër, ngulitet në kujtesën e lexuesit si një përvojë e veçantë dhe mbresëlënëse. Në konceptimin e tij artistik, Hysen Kobellari nuk e sheh përrallën si një objekt muzeal të së kaluarës. Ai e përjeton atë si një krijesë organike, të gjallë, që zhvillohet dhe «ringjallet në struktura të reja, të cilat provokojnë formacione të reja», siç shprehet gjuhtari V. P.
… nëpër një mijë e ca fije të universit
Pavarësisht shtresëzimeve që kanë përfshirë botën moderne, H. Kobellari mendon se bota mistike ndërthuret dhe bashkëjeton me realitetin e përditshëm të njerëzve përmes një mijë e ca fijeve të universit. E Bukura e Dheut, Zana, Bilbil-Gjyzari, Gjysma-Gjeli, Dhelpra Dinake etj., kanë ende fuqi frymëzuese për fantazinë e fëmijëve dhe të të rriturve.
Por një vëmendje të veçantë autori u kushton edhe njerëzve të thjeshtë, si dhe temave të zakonshme të jetës, të cilat përcjellin histori të një estetike të së papërsosurës, të afërt me konceptin japonez wabi-sabi. Shumë prej personazheve vijnë nga shtresat e ulëta shoqërore: bariu me fyell, plaku ulok, pastruesja e mençur, shitësja e vogël e shkrepëseve, pula shushkë, gjeli teveqel, etj. Pikërisht kjo lëvizje dhe kjo mënyrë e konceptimit të materialit i japin përrallës magjike një vlerë të re novatore.
Me fantazi dhe entuziazëm të veçantë, autori u jep tipare njerëzore, por edhe frymë magjike, erës, rrezeve të diellit, resë së shiut, hënës, lulediellit, gjelit, dhelprës, djallit e madje edhe kompjuterit.
Për të nxjerrë në pah madhështinë e heroit të përrallës, ai e vë atë përballë detyrave të vështira. Ndërsa objekteve dhe sendeve të vogla, si kraba, qiriri, veza, shkrepësja e të tjera, u jep fuqi magjike. Me ndihmën e tyre, edhe më të vegjlit mund të bëjnë çudira të mëdha. Më i zakonshmi, më pak i vlerësuari apo më pak i vënë re nga shoqëria, arrin të bëjë mrekulli dhe ta kthejë të pamundurën në të mundur. Pleshti sfidon elefantin, bariu mund kuçedrat ose martohet me Bukurzanën, rrezja e diellit zbret në tokë dhe gjallëron jetën, ndërsa një petale molle ndriçon një dhomë të tërë. Këto dhe plot të tjera janë gjetje që dëshmojnë fuqinë e pakufishme të imagjinatës përrallore.
«Bashkë me Shiun shpëtimtar, të dërguar në tokë nga Zanat e pyllit, zbret edhe Drita e bekuar nga Zoti. Si me magji, nga pikat e shiut, njerëzit e Qytetit, pasi u lagën, ndryshuan. Vajzat u bënë vajza të tjera, më të mira e më të bukura. Bukurzana u bë mësuesja e vajzave të qytetit. Dashuria dhe Mirësia triumfuan gjithandej…»
… përralla ka ende energji të pashtershme
Sot jetojmë në një kohë shumë të largët nga ajo e lindjes së përrallave. Për disa, përralla po asimilohet nga gjini të reja letrare dhe vlera e saj po shkon drejt zbehjes.
Hysen Kobellari, përkundrazi, mendon se «çdo moshë e jetës nuk mund të jetohet pa përralla». Sipas tij, duke rinovuar strukturën dhe duke aktualizuar fabulën, sidomos personazhet, në përputhje me realitetin e ri urban, përralla vijon të gjenerojë vlera ideo-artistike. Kobellari i bashkohet mendimit të Andersenit se përralla ka pasuruar gjithmonë jo vetëm fantazinë e fëmijëve, por edhe intelektin e të rriturve.
Libri i tij «Gjahtarët e nuselalës» u vlerësua me çmimin: «Për merita të spikatura në qëmtimin, përpunimin dhe sjelljen në një kontekst të ri letrar të trashëgimisë folklorike». Ndërsa libri «Bukurzana dhe vajzat e qytetit» dëshmon që në titull për një krijim novator, në kufirin mes përrallës folklorike dhe përrallës së kultivuar urbane. Kemi të bëjmë me një përpjekje për ta sjellë trashëgiminë përrallore në një realitet të ri, pa i shkëputur asaj rrënjët nga kujtesa kolektive.
… zbërthimi strukturor dhe morfologjik i përrallës
«Studimi i pjesëve përbërëse të përrallës dhe i marrëdhënieve mes tyre është i mundur, ashtu siç është i mundur edhe studimi i strukturës dhe i pjesëve përbërëse të bimëve», shprehet studiuesi Vladimir Propp, duke iu referuar një prej ideve themelore të morfologjisë së përrallës.
Në thelbin etik dhe filozofik të krijimtarisë së Hysen Kobellarit qëndron uniteti dhe konflikti i përjetshëm mes engjëllit dhe djallit, së mirës dhe së keqes, jetës dhe vdekjes, virtytit dhe vesit, gënjeshtrës dhe së vërtetës, së zakonshmes dhe madhështores.
Gjatë zbërthimit strukturor të përrallave, vërehet se lënda e parë është, në thelb, material i trashëguar, një «palimpsest i vjetër», i modifikuar dhe i pajisur me një veshje e botëkuptim të ri bashkëkohor. Gjatë kompozimit, kurba e ngjarjeve dhe e elementeve të subjektit ngjitet drejt kulminacionit dhe më pas zbret drejt një epilogu përmbyllës, shpesh triumfues.
Shumëllojshmëria e tematikave dhe e motiveve krijon një ansambël të pasur etno-morfologjik. Përrallat e Hysen Kobellarit përcjellin, përmes një botëkuptimi domethënës simboliko-logjik, normat dhe virtytet më thelbësore të jetës. Ndër figurat më të veçanta letrare që ndeshen në këtë krijimtari janë kapërcimi kohor, metamorfoza, shpirtëzimi, personifikimi, onomatopeja, metafora, mistifikimi, etj.
Në shtjellimin e rrëfimit dallohet qartë ndërthurja e gjuhës së përditshme me gjuhën e kultivuar, e prozës me poetikën. Leksiku i pasur, me krahinizma dhe shprehje të urta popullore, i mundëson autorit të shfaqë elokuencën dhe individualitetin e vet ligjërimor
… në faqet e përrallës magjike fryn dhe fllad poezie
Në secilën përrallë vërehet uniteti i elementeve strukturorë. Një vend të veçantë zë raporti proporcional ndërmjet prozës dhe poetikës. Tradicionalisht, karakteri epik dhe evokues i përrallës nuk i lë shumë hapësirë shprehjes së drejtpërdrejtë të subjektivizmit lirik të autorit. Por Hysen Kobellari e kapërcen këtë kufizim të zhanrit përmes një teknike të veçantë, të cilën mund ta quajmë infra-poetikë: një mënyrë të ndërthurjes së hollë të prozës me elemente lirike, që e freskon rrëfimin me puhiza romantike.
Gjatë zhvillimit të ngjarjeve, ai kujdeset për një ndërthurje harmonike dhe funksionale të epizmit prozaik me lirizmin poetik, siç mund të vërehet në figurat e Kershnikut dhe të Bilbil-Gjyzarit. Në këtë ndërthurje ai gjen edhe zgjidhjen artistike: çdo «fluturim fantazie në ajri» afrohet me kufijtë e botës së zakonshme, reale, «të asaj bote të çoroditur e të bërë lesh e li».
Shpesh, për të zbutur situatat epike dhe të ashpra të intrigës, autori përdor elemente të zakonshme të mjedisit urban, duke i shndërruar at në diçka të veçantë e magjike. Ai e thyen herë pas here ligjërimin dhe frazën në fragmente e vargje të shkurtra, me frymë folklorike. Me një çiltërsi të natyrshme, që të kujton belbëzimin e fëmijës, vargut i jep muzikalitetin e lojërave arkaike, duke krijuar situata të larmishme, epike dhe argëtuese
… reflektime mbi poetikën në përrallat magjike
«Përralla është druri më poetik në pyllin e pamatë të poezisë», thekson Andersen.
Gjatë leximit, kam shënuar me laps në faqet e librit disa reflektime mbi poetikën dhe infra-poetikën në përrallë.
Përralla dhe abstraksioni poetik. Përralla, ndoshta, nuk e pranon abstraksionin e fshehur thellë nën fjalë, ashtu siç e ka traditë poezia. Ajo, nga fillimi deri në fund, rrëfen për jetën konkrete dhe reale, duke përdorur gjetje krahasuese e personifikuese. Shumë poetë të frymëzuar nga përrallat kanë shkruar poezi të mrekullueshme; po kështu, shumë shkrimtarë, përfshirë Andersenin, kanë krijuar përralla të shkëlqyera duke u nisur nga elemente infra-poetike.
Poezia e përmbledh përrallën, përralla e shpërndan poezinë. Poezia mund ta përmbledhë një përrallë edhe në tri rreshta, ndërsa përralla i shpërndan elementet poetike në të gjithë anatominë e ligjërimit të saj.
Qeliza poetike dhe trupi i përrallës. Poezia gjallon e fshehur në thellësi të çdo qelize mikroskopike të rrëfimit, ndërsa përralla është tërësia e këtyre grimcave që formojnë trupin e dukshëm. Është një mrekulli artistike ndërtimi i një përralle me esenca infra-poetike, por po aq magjike është edhe thurja e një poezie me fantazinë dhe magjinë e përrallës. Në të dyja rastet, rëndësi vendimtare kanë talenti dhe imagjinata e autorit, i cili e stolis krijimin me tragjiken, komiken, naiven, ironinë dhe humorin.
Limfa poetike e përrallës. Sipas Hysen Kobellarit, struktura kompozicionale e përrallës magjike kërkon gjithmonë injektimin e limfës poetike në damarët e saj. Kjo mundëson depërtimin në thellësinë shpirtërore të çdo krijese organike.
Objektiviteti i përrallës dhe fluiditeti i poezisë. Përralla, duke u mbështetur në motive dhe elemente ekzistenciale, është më konkrete dhe më e kapshme për lexuesin… Poezia, në përgjithësi, lind nga grimca fluide, të padukshme, të cilat depërtojnë në thelbin ideo-emocional dhe shtrihen drejt infinitit të transcendencës. Si e tillë, përralla është më e drejtpërdrejtë dhe më e interpretueshme, ndërsa poezia është më virtuale, më atomike, por edhe më rezistente ndaj kohës.
Qëndrueshmëria e përrallës dhe jetëgjatësia e poezisë. Përralla, e gatuar me «baltë» shumë të vjetër, i nënshtrohet ndryshimeve të kohës dhe mund të humbasë gradualisht disa prej formave të saj te meparshme. Poezia, si krijim më fluid dhe më pak i lidhur me një strukturë të ngurtë rrëfimore, mund të ruajë më gjatë gjallërinë dhe praninë e saj.
Infra-poetikën e gjejmë kudo,edhe në gjërat më të parëndësishme,Ajo riaktivizon shqisat dhe na ndihmon ta shndërrojmë një pamje apo një çast të zakonshëm në një përjetim estetik. Ndërsa struktura e konsoliduar e përrallës nuk lejon ndërhyrje radikale, ajo pranon përshtatje dhe riformësime duke ruajtur identitetin e saj. Kjo qasje e re urbane ndaj ngjarjeve, personazheve dhe infra-poetikës në përrallat e Hysen Kobellarit përbën një shembull të ridimensionimit të kufijve tradicionalë ndërmjet fantazisë letrare dhe botës reale të përditshme.










