37.2 C
Tirana
E premte, 31 Korrik 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj Tre shkronjat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Tre shkronjat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

0
Emblema e UÇK-së

LETËR PËRSHËNDETËSE

Të nderuara familje të dëshmorëve,
Të respektuar bashkëluftëtarë, veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve,

Motra dhe vëllezër shqiptarë,

Edhe pse nuk jam fizikisht në mesin tuaj por jam shpirtërisht, prandaj dhe dua të ju përshëndes përmes kësaj Letre Përshëndetëse.

Sot është një ditë e veçantë, jo vetëm se jeni mbledhur për të përuruar tri shkronjat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Debëlldeh. Por sot është një takim i rëndësisë së veçantë, për t’i dhënë zë më të fuqishëm kujtesës sonë, për të nderuar sakrificën dhe për të dëshmuar se populli që kujton dëshmorët e tij, nuk e humb kurrë rrugën e tij para historisë.

Për mua, ngritja e tre shkronjave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është një çast që zgjon kujtime të pashlyeshme. Më rikthen te ditët kur shumë të rinj lanë familjet, ëndrrat dhe jetën e zakonshme për t’iu përgjigjur thirrjes së atdheut. Ishin djem e vajza të zakonshëm, por sakrifica dhe vetëmohimi për interesat e atdheut, gjaku i tyre për çlirimin e atdheut i bëri të jashtëzakonshëm para historisë.

Ata nuk kërkuan lavdi. Kërkuan dinjitet, Liri dhe të drejtën për të jetuar të lirë në vendin e tyre.

Sot, para atij monumenti, përulemi të gjithë me nderimin më të thellë para të gjithë dëshmorëve. Para atyre që ranë heroikisht në Kosovë, Dardaninë Lindore dhe në Iliro – Maqedoni.

Ata janë bijtë dhe bijat më të denjë të kombit tonë. Emrat e tyre nuk i përkasin vetëm familjeve të tyre; ata i përkasin historisë sonë dhe kujtesës së çdo shqiptari që e çmon sakrificën dhe Lirinë.

Në këto rrethana të veçanta, nuk mundem pa e trajtuar një çështje e cila ishte si imperativ i kohës atë që përjetuam, por e njëjta po vazhdon akoma. Gjendje të rënduar mbi të cilën po e përjetojmë edhe tani. Pikërisht për betejat çlirimtare në Kosovë dhe viset e saja në Dardaninë Lindore dhe Iliro-Maqedoni. Beteja të cilat nuk arritën të kurorëzohen si një Luftë Çlirimtare e përfunduar sipas Betimit!

Në terminologjitë e artit ushtarak ekziston një dallim i qartë ndërmjet Luftës dhe betejës.

– Lufta është tërësia e përpjekjeve strategjike të një populli ose shteti për arritjen e një qëllimi politik e ushtarak. Brenda saj zhvillohen operacione e beteja, secila me misionin dhe peshën e vet.

– Beteja është një pjesë e luftës; ndërsa lufta përfshin të gjithë rrugëtimin, me sakrificat, vendimet dhe pasojat e saj.

Ky dallim nuk është vetëm çështje terminologjie. Është pjesë e së vërtetës historike. Kur flasim për ata që ranë dëshmorë, kemi detyrimin moral që ta ruajmë historinë me saktësi, me dinjitet dhe me respekt, sepse e vërteta është forma më e lartë e nderimit ndaj sakrificës së tyre.

Por, mbi çdo përkufizim ushtarak, qëndron njeriu. Qëndron ushtari që nuk u kthye më në shtëpi. Qëndron nëna që priti me vite. Qëndron babai që e mbajti dhimbjen në heshtje. Qëndrojnë fëmijët që u rritën me krenarinë dhe mungesën e prindërve të tyre. Kjo është pesha e vërtetë e Lirisë.

Shkronjat e UÇK-së që po përurohen sot nuk janë thjesht një monument prej guri të skalitur dhe metali të përpunuar. Ato janë një amanet për brezat që do të vijnë. Janë një kujtesë se Liria nuk është dhuratë, por fryt i sakrificës dhe gjakut të dëshmorëve, i guximit dhe i përkushtimit të njerëzve që vendosën interesin e atdheut mbi jetën e tyre.

Prandaj, detyra jonë sot nuk është vetëm të kujtojmë dhe përkujtojmë.

Detyra jonë është të ruajmë me krenari të vërtetën historike, të nderojmë sakrificën e çdo dëshmori, të ndërtojmë një të ardhme me dinjitet dhe t’u mësojmë brezave se Liria fitohet me sakrificë e gjak, ndërsa ruhet me mençuri, drejtësi dhe përgjegjësi.

Le të mbeten këto tri shkronja për UÇK-në si një vend ku çdo shqiptar do të ndalet dhe përkulet me respekt, ku çdo brez do të mësojë se Liria ka pasur një çmim dhe se kujtesa është borxhi ynë më i madh ndaj atyre që nuk jetojnë fizikisht mënë mesin tonë.

Lavdi e përjetshme dëshmorëve të rënë në Kosovë, Kosovën Lindore dhe Iliro-Maqedoni!
Nderim i përhershëm për invalidët, veteranët dhe për të gjitha familjet që mbajtën barrën e sakrificës.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për ata që dhanë jetën për Liri.

Faleminderit!

Me respekt për Juve, Isuf Bajrami

Gjilan, 30.07.2026

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.