MR. SC. SELIM KRASNIQI:
(VËSHTRIM PËR MONOGRAFINË “ARSIMTARËT DËSHMORË DHE MARTIRË TË RËNË NË LUFTËN E KOSOVËS 1997-1999”, NGA AUTORËT QAZIM BERISHA E ZYMER MEHANI, Botoi SHB “RADIO KOSOVA E LIRË”, Prishtinë, 2023)
Një nga punët më të vështira, pa dyshim është puna e mësuesit, Këtë më së miri e përshkruante profesori ynë, etimologu më i njohur i Ballkanit, Eqrem Çabej. Ai na thoshte se puna e mësuesit nuk është profesion, por është mision. Të tillë ishin mësuesit tanë nga Iliria e deri më sot. Dua ta përmend edhe thënien e atdhetarit të epokës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Luigj Gurakuqit, i cili thotë: “Mësuesi është përhapësi i dritës”.
Qazim Berisha e ZymerMehani, bashkautorë të monografisë “Arsimtarët dëshmorë dhe martirë të rënë në luftën e Kosovës 1997-1999”, edhe vetë punëtorë të arsimit, e qëmtuan me mjeshtëri të rrallë këtë punë kolosale të veprimtarisë së 450 punëtorëve të arsimit, që u flijuan për Kosovën e lirë.
Monografia në fjalë, pa dyshim është një vepër letrare e shkencore, që nuk i mungon asnjë dëshmi historike, me një gjuhë e stil të pasur artistik e stilistik, që ua kanë lakmi edhe institucionet shkencore, si Akademia e Shkencave e Kosovës, Instituti i Historisë, si dhe Arkivat: e Kosovës dhe e Shqipërisë.
Kjo monografi ka gjithsej 668 faqe të formatit A4, me hyrje, përmbajtje, vështrime të bashkautorëve, të recensentëve, si dhe regjistrin e bashkëpunëtorëve, të cilët u ndihmuan bashkautorëve me të dhëna të sakta për arsimtarët e rënë.
Bashkautorët Berisha e Mehani, me fusnota e shënime të sakta e realizuan këtë monografi të skalitur nga pena e tyre e artë. Familjet e arsimtarëve dëshmorë dhe martirë u befasuan me këtë vepër letraro-shkencore, që e panë se doli në dritë puna e veprimtaria madhështore e familjarëve të tyre.
Bashkautorët e volën me saktësi çdo të dhënë për arsimtarët dhe punëtorët e tjerë të arsimit të rënë në luftën e fundit, e këtu do ta përmend përshkrimin për kolegun tim, Bejtush Gërbeshi, të Ecc. Dip. Fatime Beqiri, ish-nxënëse e tij, fq. 329:
“E nderuara nënë e profesorit tonë, Bejtushit, po ju drejtohemi pikërisht juve, ngase barra me e rëndë e dhimbjes rêndon mbi supet tuaja, e dimë se as era e as dielli nuk kanë forcë të thajnë lotët në fytyrën tuaj, por krenaria për sakrificën dhe trimërinë e tij është ajo që duhet të mposhtë dhembjen dhe pikëllimin për të. Qëndroni e fortë ashtu siç i ka hije një nëne shqiptare dhe në frymën në të cilën rritët dikur Bejtushin, rriteni dhe edukojeni trashëgimtarin e tij, Rilindin e vogël.
Le të jetë ai shpresa dhe ngushëllimi juaj, prandaj ne, ish-nxënësit e birit tuaj, i urojmë Rilindit fat dhe jetë të gjatë, ndërsa birit tuaj i jemi mirënjohës për jetë e mot për kontributin e tij profesional dhe njëherit i mbetemi borxh për kurora lulesh mbi varr, por fatkeqësisht as sot e kësaj dite nuk e dimë se ku prehen eshtrat e tij”.
Rilindi po rritet e po e vazhdon rrugën e babait.
Monografia, gjithashtu është e pasur me fotografi e dëshmi të shumta faktografike.
Shpresojmë që kjo monografi do të përkthehet në gjuhë të huaja dhe do t’u shërbejë studiuesve dhe historianëve për studimin e historisë së lavdishme të shkollës shqipe dhe të mësimdhënësve tanë, të rënë për lirinë e Kosovës heroike.