nga Gjon Marku
- tregim
Nata e zgjatur kishte filluar ta mërzitte së tepërmi. Prej kohësh gjendej në krevat, nën peshën e rëndë të asaj dreq sëmundje. Rrallë dilte, e kur dilte, arrinte vetëm deri në kopshtin përpara shtëpisë. E merrte malli edhe për drurët e pemëve, që i kishte mbjellë vetë në rininë e tij. Shtati i qe rënduar së tepërmi, por më së shumti e mbyste një vetmi e padurueshme, e pastaj ca mendime të pashpjegueshme që s’e linin të prehej.
Doli te dritarja e vështrimin e hodhi diku larg, përpara shtëpisë. Një erë e lehtë hidhte përdhe gjethet e fundit të asaj fundvjeshte që kishin mbetur ndër pemë. Binin ngadalë, dita-ditës, për t’u tretur. Natëzgjatja po sillte me vete një dimër të ftohtë e të ashpër. Këtu dimri vinte shpejt: bora e parë binte herët, që në fund të nëntorit, e pranvera dilte vonë. Trupi i tij ishte rënduar dhe sëmundja kishte përparuar mjaft.
“Vallë, a do ta pres pranverën?” – mendoi.
U shtri ngadalë në krevat e u përmend vetëm atje, në sallën e reanimacionit të spitalit.
Kishte ftohtë e këmbët nuk i ndjente. I ra ndër mend varri i fundit që kishte hapur, në varrezat e atij katundi të largët mes malesh. Pak ditë më parë kishte vdekur Pali – njëri ndër burrat më të pabesë, tinëzar e ngatërrestar i atyre anëve, mendoi; e menjëherë iu kujtua se po hynte në gjynah duke menduar keq për tjetrin, sidomos pasi ai kishte vdekur – mëkat, siç e urdhëronte një ndër urdhërimet e Tënzot.
Po atë ditë kishte marrë lajmin edhe për vdekjen e një miku të largët. Kur i kishte mbërritur fjala e vdekjes së mikut, iu duk sikur ishte lehtësuar. Ishte betuar të mos merrte pjesë në morte të Palit – atij që njerëzit e atyre anëve i kishin vënë lloj-lloj emrash: njëri e thërriste Pal-marrja, tjetri Pal-ngatërresa, secili kishte një emër tjetër për të.
Kështu ishte veshur e gatitur për të shkuar në mortin e mikut; kishte ndenjur me miq të tjerë deri të tretën ditë, dhe, meqë tashmë ishte varrosur edhe Pali, po kthehej drejt shtëpisë. Shpesh i kishte rastisur të ecte natën vonë, e për të nata ishte njësoj si pika e mesditës. Nuk ishte zakon në ato anë që varrezat të kishin kujdestar, pse vdekja dhe i vdekuri kishin një kult më vete e njerëzit e nderonin thellë të vdekurin. Kur kishte kohë, ndalonte, pastronte ndonjë bar të keq, shihte ndonjë varr, apo kujtonte me nderim ndonjë njeri.
Eh, si vjen jeta – pikërisht ndër ato varre kishte gjetur gjamën e vet atë natë të errët. Ishte, pra, duke u kthyer nga morti i mikut, kur i ra udha të kalonte ndër varre, se ajo ishte edhe rruga më e shkurtër.
“Po shoh ku e kanë varrosur Palin,” – tha me vete, dhe hyri ndër varre.
Kishte ecur vetëm pak hapa kur dëgjoi ca zëra njerëzish, që herë vinin më të fortë e herë më të ulët. Mbajti veshin: sa ai ndalte hapin, ata zëra ndaleshin; sa ai ecte, ata rifillonin të flisnin njëri me tjetrin. Bisedat ndër varre i dukej sikur vazhdonin pandërprerë. Në fakt frynte edhe një erë e lehtë, dhe ndoshta nuk ishte gjë tjetër veç asaj – kështu që edhe ai vetë e nënvlerësoi ç’kishte dëgjuar.
Vështroi e vështroi, po njeri nuk pa; vetëm disa zëra i dëgjonte turbullt – herë në të majtë, herë në të djathtë, herë prapa, herë përpara. Bëri kryq. Por kurioziteti e shtynte të zbulonte kush kishte hyrë ndër varre kaq vonë. U ngjit nëpër një shteg të pjerrët që kalonte mes varreve dhe doli në krye të tyre, ku gjendej një altar i vjetër.
Veshët kishin filluar t’i buçasin dhe mërmëritjet i ndëgjonte, po asgjë nuk kuptonte nga ato biseda që tani i dukej se i vinin nga të gjitha anët. Gjunjët po e linin dhe s’po mundte të ecte më tej. Për të marrë udhën e duhur, duhej të kalonte prapë ndër varre, por ai, sikur i mpirë, s’po mundte, dhe s’kishte rrugë tjetër. Mori teposhtë, po s’kishte hedhur as pesë hapa kur pa se, atje në fund të varrezave, diçka kishte filluar të lëvizte. Leshi i kokës iu ngrit përpjetë.
Dy silueta grash, lakuriq, i dukej sikur dolën prej varreve; pastaj u kapën flokë më flokë me njëra-tjetrën dhe kështu, duke u tërhequr e shtyrë, mbërritën mbi grumbullin e dheut ku ishte varrosur Pali. Aty filluan të grinden, të tërhiqen e të shtyhen mes tyre. E zhvarrosën shpejt e shpejt, e morën në krahë dhe u nisën drejt altarit.
Ai ia dha vrapit të fshihej pas tij. Diku u pengua e u rrëzua, dhe koka i përplasej pas një guri. Pas disa minutash erdhi në vete e pa se s’kishte asgjë përreth, veç varre të heshtura – kishte parë, mendoi, thjesht një imazh të paqenë. Bëri të ngrihej, po s’mundi. Filluan t’i merren mendtë. I dukej sikur varret po e mbështillnin nga të gjitha anët, se toka lëkundej e rrotullohej, e kështu u shtri e u bë një me dheun.
Nëpër atë kllapi, iu duk se prej një varri, vetëm pak metra tej atij të Palit, doli një siluetë plaku, veshur në ar, që bënte dritë. Priti disa çaste, e atje dolën, njëri pas tjetrit, disa burra e gra, e disa engjëj të rinj e të njomë. Të gjithë bashkë morën drejt altarit, ku gjendej trupi i zi i Palit, vendosur nga dy putanat lakuriqe. Në krye të grupit ecte xhaxhai i Palit, ai që bënte dritë; pas tij dy vëllezërit, djali i xhaxhait, e të tjerë.
– Thoni një fjalë të bardhë të paktën, – kërkoi Pali, duke e drejtuar kryet e përbaltur nga njerëzit e vet.
– S’kam ç’them, – tha plaku. – Kurrë nuk të bëra hallall, e s’mund t’i bëj hallall ngatërresat që bëre ndër djemtë tanë; as ditën e vdekjes sime s’ta bëra hallall që u mundove të tallesh me fëmijët jetimë; as që s’më le të vdes rehat me poshtërsitë e tua. S’mund ta bëj hallall. Gjeje vetë ndonjë të mirë që bëre ndër ne, dhe lute Zotin që të shpëton.
Pastaj, ashtu duke bërë dritë, kaloi anash e ia la vendin të dytit.
– S’mund të them kurrgjë, – mërmëriti i vëllai, i lodhur sa s’thuhet. – Nuk mund të ta bëj hallall gurin e kufirit që e luajte, as ngatërresat që bëre ndër djemtë e mi, as shpifjet që ia bëre djalit tim vetëm për ta poshtëruar në sy të gruas. Mbi varret tona, mbesa jonë vajtimore iu lut Zotit të na e bëjë dheun të lehtë, po ty të mallkoi për së gjalli e për së vdekuri. Zoti pastë mëshirë për ty.
Erdhi i treti. Koka e përbaltur u drejtua nga ai.
– A nuk po më pyet për djalin? – iu drejtua Pali. – Unë ta shpëtova, apo jo?
– Boll, – tha ai, njeri i mesëm në moshë. – S’mund të ta bëj hallall gënjeshtrën që ia bëre tim biri, as amanetin tim që e theve, as që s’më le rehat as së gjalli, as së vdekuri.
Erdhën njëri pas tjetrit, po asnjëri s’tha një fjalë të mirë. Engjëjt e vegjël nuk folën fare, ndërkohë që trupi i tij, i përbaltur, rrinte shtrirë aty, mbi altar. Pastaj u ngritën të gjithë, si një ushtri e madhe, dhe u mblodhën rreth altarit.
Prej qiellit zbriti një burrë që bënte dritë e u ndal para kufomës, duke vështruar gjatë mbi të.
– Gjeje qoftë edhe një prej tyre që të thotë një fjalë mëshire, – iu drejtua trupit.
Po të gjithë heshtnin.
– Mendo, qoftë edhe për një të mirë që ke bërë, se do të të lehtësohet diçka.
Prapë heshtja mbuloi vendin.
– Kujto, mos ke lënë ndonjëkund një të mirë që ia ke bërë dikujt, – pyeti prapë ai që ishte zot i altarit.
Prapë ra heshtja.
– Shkoni ju, – u tha atyre që bënin dritë e njerëzve që ishin ngritur prej varreve.
– Mos e lini ndër ne! – u dëgjua një kor i madh, një zë që buçiti aq fort sa u ndie përtej shtatë malesh.
Ikën të gjithë. Ata që ishin ngritur të fundit u larguan të parët, e ata që ishin ngritur të parët u larguan të fundit.
Pastaj u ngrit një ushtri tjetër, e gjithë e zezë, e kërrusur e e shëmtuar, dhe rrethoi altarin ku gjendej trupi i përbaltur. Ndërsa ata afroheshin, ai që bënte dritë u largua. Kështu, gratë lakuriqe e morën trupin pa jetë dhe e vunë mbi grumbullin e dheut. Te koka iu ndal një hije e zezë.
– Mirë se vjen ndër ne, – tha hija. – Askush ndër ne s’ka mundur të jetë më i zi se ti. Ai e luajti gurin e kufirit, ai e ndaloi krojin e ujit ku pinte udhëtari në pikë të verës, ai gjithnjë, në vend të fjalës së drejtë, tha të pavërtetën, duke e mbrojtur marrëzisht. Ditë e natë mendoi vetëm të zeza, e s’la gjë pa bërë. As ndër ne s’ka vend, se se la nusen e re të kthehej vetëm te fëmija tre muajsh, dhe foshnja plasi në djep.
– Merreni, pra, e futeni shpirtin e tij në birën më të zezë e më të errët të fund-ferrit.
Ashtu, me duar e me këmbë, filluan të gërmojnë; pastaj e ngjeshën përsëri në varr dhe u larguan, duke lënë pas një tymnajë të zezë mbi grumbullin e dheut. Këtë, i dukej, e kishte parë atë natë ndër varre.
Ashtu mbeti gjatë gjithë natës, prapa altarit, në një kllapi, gjysmë i gjallë e gjysmë i vdekur, derisa të nesërmen njerëzit e afërt të Palit, kur erdhën të silnin ca tufa lulesh, u tmerruan: diçka kishte shkelur mbi varr, gjë që kurrë nuk kishte ndodhur në ato anë, ku vdekja dhe i vdekuri kurrë nuk shaheshin dhe kishin një kult të tyrin.
Një vajtimore kishte filluar të rendiste fjalët e vajit, kur u dëgjua një gjëmim dhe të gjithë heshtën. Dikujt i shkoi mendja se po gjëmonte varri, ose ai brenda tij. Por gjëmimi s’u ndëgjua më. Vajtimorja mbeti e hutuar, pa ditur si t’i rendiste më fjalët e vajit. Kishte filluar të binte shi, dhe në atë kohë edhe qielli kishte murmuritur e vetëtuar, kështu që gjërat u ngatërruan edhe më. Gjysmë të dyshimtë, ishin larguar prej varreve, po pa arritur mirë as në mes të tyre, sërish kishin dëgjuar gjëmimin, që një pjesë e mbushi me tmerr.
– S’është gjë, – kishte thënë një burrë i vjetër, – ndoshta na bëjnë veshët.
Ashtu ishin larguar, të gjithë të dyshuar e me një mëdyshje të rëndë.
Vetëm pak pas tyre kishte kaluar ndër varre një udhëtar, i cili e gjeti atë pas altarit, gjysmë të gjallë e gjysmë të vdekur, dhe e nisi vorraxhiun drejt spitalit. Fjala se Pali, nën varr, lëshonte thirrje të tmerrshme, u përhap si rrufe. Askush nuk besonte se pas altarit, në një kllapi e tronditje, gjysmë i gjallë e gjysmë i vdekur, ishte gjetur një njeri nga një udhëtar, që e kishte çuar në spital.
Plakat e vjetra u fusnin tmerrin fëmijëve, ndërsa këta zgurdullonin sytë kur dëgjonin, netëve të dimrit, se Palin nuk e treste dheu, dhe se shpirti i tij i djerrun bridhte nëpër prrona, netëve të ftohta…









