IDRIZ ZEQIRAJ
LDK-ja, PSHDK dhe ndoca partiza në epokën e Dr. Rugovës, përfaqësonin të djathtën e Kosovës. Spektri tjetër politik, i dalë nga Lëvizja Marksiste-Leniniste (LPK) e djeshme, PAN-i i tashëm, ishte majtiste ekstreme enveriste-staliniste.
Papritur PDK dhe AAK, mashtrueshëm dhe falsifikueshëm, e shpallën vetën parti të djathta!?
Hashim Thaçi me SHIK-un e tij, u përkujdesen ta kontrabandojnë Isa Mustafën në krye të LDK-së, e cila braktisi rugovizmin dhe djathtizmin, duke u bërë njësh me PDK-në.
Balli Kombëtar dhe disa organizime djathtiste minore, nuk arritën kuotën, për t`u bërë subjekte politike parlamentare.
Rrjedhimisht, djathtizmi i mirëfilltë në skenën politike të Kosovës mungonte. Koalicionet e LDK-së me PDK-në rrafshuan dallimet ideologjike, madje amnistuan dhe rehabilituan të penalizuarit për krime faktike politike.
Pasoja e koalicioneve të përsëritura të LDK-së me PAN-in, degraduan deri në degjenerim partinë e Rugovës, dikur kryezonjë krenare.
Së fundi, kryetari Lumir Abdixhiku dhe Dr. Vjosa Osmani, nismuan bashkimin dhe profilizimin e të djathtës të Kosovës.
Është nismë fisnike e shumëpritur, që kërkon mbështetje të parezervë dhe masive, sepse djathtistët e Kosovës janë shumicë numerike e popullatës të Kosovës.
Klani i Isa Mustafës dhe disa kuadro të tjerë, qendrorë dhe lokalë, qëllimshëm dhe padrejtësisht, duan t`ia faturojnë fajin kryetarit Abdixhikut, pse LDK-ja ngeli në vendin e tretë në zgjedhjet e fudit?!
Përgjigjën e saktë ua dha kryetar Lumiri: “Ju, zotërinj, në konspiracion me PDK, penguat koalicionin LDK-LVV, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 dhe sabotuat fushatën zgjedhore të 28 dhjetorit 2025 dhe atë të 7 qershorit 2026!!!?”
Vërtet, LVV është deklaruar si parti e majtë. Por, në fakt, elektorati i saj është heterogjen, i përzier. Kauza e përbashkët është largimi nga pushteti i krimit dhe hajnisë. Në përbërjen partiake dominon rinia e pa inkriminuar. Dhe, kjo është shpresëdhënëse, premtuese, për t`u rreshtuar në kahen nga rrjedhë fryma kombëtare e Kosovës.
PAN-i dhe lakejt e tij me mediat dhe jashtë tyre, janë shumë të merakosur, për ta shkarkuar Lidershipin aktual të LDK-së, duke e zgjedhur e zëvendësuar ndonjërin nga klanorët apo mik të PDK-së.
Merakxhinjtë e Kuvendeve Zgjedhore janë trimëruar, sepse strukturat e partisë janë përzgjedhje e klanit të Isa Mustafës, madje pa u provuar kurrë me votën e fshehtë demokratike. Pikërisht, dalja nga binaret e rugovizmit, që fillon me mbylljen e Aktivave, anekënd Kosovës, ishte fillimi i çmontimit të rugovizmit.
Kryetari Lumir Abdixhiku, në njërën nga bisedat, në një televizionin publik, TV Dukagjini”, shpalosi idenë e “debatit demokratik të shpenguar dhe votimin e fshehtë, duke filluar nga baza e deri në qendër, në Kuvendin e ardhshëm, në vitin 2027”. Klanorët e Isa Mustafës, të mësuar me “zgjedhjet” aklamative, të hapur, të rrejshme, me ngritje dore, i tmerron vota e fshehtë, vota në kuti.
Andaj, me nguti, me strukturat e tyre të vjetra të aklamacionit, pa debat të mirëfilltë, pse me shefin e tyre Mustafën dhe hisedar Hashimin në drejtimin e LDK-së, qëllimshëm e ngeshëm, rrënuan partinë e Presidentit Rugova. Tani revanshohen “alla komunisçe”, për ta përçarë dhe ndarë partinë e parë pluraliste në Evropën Juglindore, LDK-në famëmadhe, e cila bëri paqen dhe luftën; LDK-në themeltare e Shtetit të Kosovës.
Rebelimi i Vjosë Osmanit është pikërisht kundër ndalimit të debatit demokratik dhe të votimit të fshehtë, në Kuvendin e 8-të “Zgjedhor” të LDK-së, më 25 maj 2015, kur kryetari Mustafa po “zgjidhej” kryetar i LDK-së, për të dytën herë me aklamacion! Mendoni dhe vajtoni plot 11 vjet demokraci të humbur!!! Rrjedhimisht, Dr. Vjosë Osmani u bë kurban në mbrojtjen e rugovizmit, të demokracisë dhe të Atdheut-Kosovë. Dhe, megjithatë ia vlen, sepse liria pa demokraci është një “përrallë dimri”, – siç shkruante poeti kombëtar gjerman Gete.
LDK-ja e Mërgatës, përfshirë edhe autorin e këtij shkrimi, për dy dekada radhazi, e kanë denoncuar dhe kanë ngritur zërin, për tradhtinë e madhe që po i bëhej LDK-së dhe Kosovës, me Kuvendet maskaradë dhe bërrylime tipike komuniste, duke i seleksionuar dhe “harruar” kuadrot e përkushtuar dhe bashkëpunëtorët besnikë e fisnikë të Presidentit Rugova. Klanorët, duke u bërë patericë të persekutorëve të LDK-së dhe Kosovës, po i rivrasin qëndresëtaret idealistë të martirizuar, në mbrojtje të akronimit LDK dhe vetë Kosovës.
Sot, kur krye-kauzë është shpallur bashkimi dhe profilizimi i të djathtës të Kosovës, grupe dhe individë të shantazhuar nga PDK-ja, duan ta pengojnë këtë nismë, si shpresë e vetme për ta tejkaluar krizën artificiale aktuale brenda LDK-së.
PAN-i i injoruar nga LVV, për arsye parimore, të krimeve faktike penalizuese, përmes njerëzve të tij në strukturat e LDK-së, vazhdon ta pengojë koalicionin LDK-LVV, si të vetmet parti parlamentare të pakriminalizuara.
Subjektet politike të koalicionuara në PAN, janë derivate të sektit marksis-leninist-stalinist, të cilët protestonin për mbrojtjen e “Murit të Berlinit”, sepse “po dobësohet komunizmi në shkallë botërore!”











