ETNOKULTURA E VENDLINDJES NË NJË LIBËR MONOGRAFIK

0
150
Bardhosh Gaçe - Enver Memishaaj-lepenica

Prof. dr. Bardhosh Gaçe

Në dekadat e fundit, në sfondin kulturor dhe historik, para lexuesit, janë shfaqur një varg veprash studimore e monografike, në të cilat hidhet dritë për traditat kulturore e historike të fshatrave e krahinave, si pjesë e etnokulturës mbarëkombëtare.

Publicisti dhe historiani Enver Memishaj, me hulumtimet dhe botimet e tij, i ka dhënë kulturës shqiptare mjaft vepra të spikatura për epopenë e Luftës së Vlorës dhe protagonistët e saj, ushtarakët Ahmet Lepenica e Hysni Lepenica, për ngjarje e tablo historike të Vlorës dhe Labërisë, duke gërmuar në kujtesën popullore, arkivat e shtetit, dëshmi e dokumente autentike, të cilat përbëjnë një pasuri të veçantë për botën shqiptare.

Libri i ri monografik “Lepenica – shënime historike”, i studiuesit Enver Lepenica shpalon një punë të gjerë shkrimore e dokumentare, me anën e të cilit, E. Lepenica zbulon thellësitë e shekujve të vendlindjes së tij, por edhe marrëdhëniet e këtij vendbanimi të lashtë me Lumin e Vlorës dhe Labërisë. Në sfondin historik dhe kulturor, fshati Lepenicë i Vlorës, zbulohet qysh në kohët prehistorike e ato lirike me mjaft gjurmë arkeologjike, siç është edhe Shpella e Shkruar, një nga dëshmitë më të hershme të jetës së banorëve.

Duke u mbështetur në një varg arkeologësh e studiuesish me emër, që nga Karl Patç, L. Ugolini, Milan Shuflaj, Shtjefën Gjeçovi, Llambi Durolli, Damian Komata, Muzafer Korkuti, Ilir Gjipali, Aleks Trushaj etj., autori ka sintetizuar traditat dhe kulturën, historinë dhe kushtet klimaterike tokësore, zhvillimin e blegtorisë dhe bujqësisë, florën dhe faunën e pasur, gjuetinë e kafshëve të egra, si dhe pasurinë shpirtërore e zakonore të lepeniciotëve.

Gjurmët e vendbanimeve të lashta në këtë mjedis natyror, si varri monumental, ai në Shënkoll, në Krivovë dhe buzë Lumit të Bardhë (Shushicës), tregojnë se banorët e Lepenicës janë marrë me mbarështimin e blegtorisë, bujqësisë, zejtarisë (endjes e thurjes së veshjeve, qilimave e sixhadeve) gdhendjes në gurë e në dru, por edhe në rritjen e bletëve dhe gjuetinë e kafshëve të egra.

Krahas bujq e blegtorë të zotë, ata kanë qenë edhe luftëtarë e ushtarakë të zotë në përpjekjet dhe luftërat për liri e pavarësi të Atdheut. Lepeniciotët, sipas pamjeve që na sjell studiuesi Enver Lepenica, u përfshinë në kryengritjet antiturke në krah të Gjergj Arianitit (1431), të princeshës Rugjina Balsha, në kuvendet dhe kryengritjet e Labërisë dhe të Himarës 1481, 1492, 1537, në qëndresën kundër pushtuesit otoman, si dhe letrat dërguar Papës së Romës dhe careshës Elisabeta Petrovna, 1759, për ndihmë, në luftërat kundër Perandorisë Otomane.

Studiuesi Enver Memishaj, ka meritën që krahas dokumenteve arkivale të kancelarive të Europës, regjistrat kadastralë të Turqisë, atyre në Arkivin e Shtetit, e ka pasuruar studimin e tij monografik edhe me dëshmi e rrëfime autentike nga më të moçmit e vendlindjes, duke dritësuar edhe më mirë ngjarje e personazhe historike, që kanë lënë gjurmë në historinë dhe kulturën e Labërisë.

Në mjaft dëshmi dhe dokumente, studiuesi Enver Memishaj, me skrupulozitetin e vet, nxjerr në dritë edhe kontributin e lepeniciotëve në kryengritjet antiturke të shek. XIX, sidomos ato të vitit 1834 dhe 1847, ku luftëtarët e Lepenicës morën pjesë në betejat e përgjakshme me taborët turke në Mallakastër, Berat, Tepelenë, Delvinë, Bregun e Detit dhe Mesaplik në krahë të Zenel Gjolekës, Cane Miftarit, Rrapo Hekalit, dhe Çelo Picarit, shpirti atdhedashës e liridashës i lepeniciotëve shfaqet në këtë botim edhe në shek. XX, në mbështetje të Qeverisë së Vlorës dhe Ismail Qemalit, në epopenë e Luftës së Vlorës 1920, si dhe në Luftën Antifashiste Naçl.

Në këto përpjekje të mëdha, autori vizaton me penelata, të forta, disa nga personazhet historikë, që kanë lënë gjurmë në historinë kombëtare shqiptare, si: Major Ahmet Lepenica, “Nderi i Kombit”, Hysni Lepenica, Fejzo Tafili, Hano Rexhepi, Adem Islami, Isa Ngucaj, mësuesi atdhetar, Selam Musa Hitaj, luftëtari i shquar popullor, Sheme Jazo, Veledin Hadëri, Xhelal Hoxha etj., të cilët, në bashkëveprim me krahinën e Mesaplikut, u gjendën në ballë të përpjekjeve për çlirim kombëtar.

Në vitet e Luftës së Dytë Botërore, krahas Lëvizjes Antifashiste Naçl, ku anëtari i Çetës Plakë, Hano Rexhepi, ra dëshmor, një kontribut të veçantë dha edhe çeta nacionaliste “Shqiponja” me komandant Hysni Lepenicën, “Nderi i Kombit”, në betejat kundër pushtuesve fashistë në Gjorm, Tragjas, Selenicë e gjetkë.

Një kapitull më vete, përbën edhe jeta e fshatit Lepenicë, nën sistemin totalitar 1945-1990 dhe zhvillimet demokratike në kohët më pas. Zhvillimet ekonomike, kulturore dhe historike të fshatit Lepenicë në Labëri, në penën e “Mjeshtrit të Madh”, Enver Memishaj, hedhin dritë për një etnokulturë të lashtë e të re të banorëve të kësaj treve, duke përcjellë mesazhe të mëdha edhe për kohët moderne.

Vlorë, shtator 2023.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.