LUKSEMBURGU – VENDI I VOGËL ME ZEMËR TË MADHE

0
Sabile dhe Tefik Basha

BREDHJE NË KUJTIMET E UDHËTIMEVE: KU, KUR, KAH…

Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha & Prof. Dr. Tefik Basha

Ishte fillimi i dhjetorit të vitit 2019, kur ajri i ftohtë po mbante frymën e borës që do të vinte. Ne, të ftuar nga Florini dhe Fitimi, dy djemtë e vëllezërve të Tefikut që kishin kohë që jetonin në Gjermani, vendosëm të bëjmë një udhëtim drejt tyre. Agonin, që e donin si të ishte vëllai i tyre, nuk mund të mbetej mënjanë; bashkimi i tij me ne e bënte këtë udhëtim edhe më të veçantë. Me aeroplan u nisëm drejt Gjermanisë, dhe në aeroport na priste një veturë e e marr me pages për të na shoqëruar drejt surprizës që kishim menduar për ta. Nuk u kishim treguar djemve se kur do të arrinim – e ndonjëherë befasia është mbretëresha e gëzimeve.

Mbërritëm herët në aeroport. Në Prishtinë ende nuk kishte rënë borë, por në tokën e ftohtë gjermane, dëbora kishte shtruar një qilim të bardhë. Gjithçka ishte e lehtë tani – navigatori na drejtonte me kujdes drejt destinacionit. Me palltot tona të trasha, dolëm nga aeroporti në borën e butë, u futëm në veturën e ngrohtë dhe morëm rrugën drejt qytetit të Limburnit.

Pas një ore udhëtim, ja ku ishim para derës së tyre. I ramë ziles, dhe Florini, gjithnjë i qeshur, na hapi derën. E çuditura e tij përziente gëzimin dhe habinë në fytyrë. Për disa sekonda, nuk po i besonte syve. U hodh drejt Agonit dhe e përqafoi me gjithë forcën e dashurisë së vëllait. Në atë moment, gëzimi u përhap si valë, dhe nga pragu dolën edhe Eli, Arti, Klea, dhe Aga Faik, të gjithë duke ndarë çaste të paharrueshme. Zëri i buzëqeshjeve dhe përqafimeve mbushi shtëpinë.

E diela, një ditë e qetë ku askush nuk punonte, ishte koha perfekte për të qëndruar në shtëpi me njerëzit që donim. Kishim udhëtuar herët dhe tani na priste një kohë për t’u pushuar, për t’u çmallur. Më vonë, shtëpia u mbush me të afërm të tjerë – erdhën Fitimi, Flora, Diari, Viola dhe aga Adem, vëllai i madh i Tefikut. Zëri i bisedave, i përqafimeve, i qeshjeve përshkonte çdo kënd. Nuk kishte më rend bisede, pasi secili fliste me këdo që dëshironte.

Tefik Basha & Sabile Keçmezi-Basha, Statuja de la Grande Duchesse Charlotte, Luksemburg, 2019

Unë po shijoja bisedat me gratë e mrekullueshme të familjes, ndërsa Agoni ishte përfshirë në muhabet me kushërinjtë e tij, sikur asnjë ditë nuk i ndante. Ndërsa Tefiku, me dy vëllezërit e tij, po çmallej mes kujtimesh dhe përqafimesh. Një ditë e thjeshtë u shndërrua në një çast të përjetësuar dashurie dhe lumturie, ku çdo fjalë dhe buzëqeshje ishte një thesar në kujtesën tonë.

Ishte një kënaqësi e vërtetë t’i shihnim të gjithë në mirëqenie, të rahatuar në shtëpitë e tyre të ngrohta dhe të rregulluara me përkujdesje. Ishte qetësuese ta shihje këtë rehati të fituar me mund dhe përkushtim, që u ofronte atyre siguri dhe lumturi. Malli për ta, që jetonin në një vend të huaj, ishte i pranishëm gjithmonë, por ngushëllimi që ata kishin ndërtuar një jetë komode e të begatë, e bënte zemrën të ndihej e qetë.

Dita e nesërme erdhi me agim të qetë, dhe si të hënën, secili nga familjarët u kthye te obligimet e tyre të përditshme. Kështu, ne vendosëm të shfrytëzonim këtë kohë për të shkuar në Luksemburg, një qytet që e kishim planifikuar prej kohësh. Agoni, me entuziazmin e tij të pandalshëm, kishte lexuar shumë për këtë vend të vogël, dhe na kishte përgatitur një itinerar të detajuar për të shijuar gjithçka që ofronte brenda një dite.

Luksemburgu, me madhësinë e tij të përulur në mes të fuqive të mëdha të Evropës, ishte si një thesar i vogël, një perlë e fshehur midis Belgjikës, Gjermanisë dhe Francës. E lexuar nga librat, imagjinata ime pikturonte këtë vend pa dalje në det, me lumenjtë Moselle, Sauer dhe Our që përkëdhelnin kufijtë e tij me butësinë e ujit. Një vend i vogël, por me rëndësi të madhe në skenën ndërkombëtare, duke qenë shtëpia e një prej katër kryeqyteteve të Bashkimit Evropian dhe selia e Gjykatës së Drejtësisë të BE-së. Një qendër e vogël, por e fuqishme, ku historia dhe ligji takoheshin në çdo rrugë të ngushtë dhe në çdo ndërtesë të lashtë.

Sabile Keçmezi- Basha & Tefik Basha, Ura Stirhen, Luksemburg, 2019

Popullsia e tij, e cila mezi e kalonte shifrën prej 600 mijë banorësh, i jepte Luksemburgut një qetësi që reflektohej në klimën e tij oqeanike. Verërat e ngrohta dhe dimrat e ftohtë krijonin një harmoni që e bënte këtë vend të ndjehej si një parajsë e vogël për ata që e kërkonin paqen e natyrës dhe ritmin e qetë të jetës.

U nisëm për të shijuar këtë ditë të vetme në Luksemburg, me mendimin se do të mjaftonte për të parë gjithçka që ky vend ofronte – qytetet e tij të bukura, luginat e gjelbra dhe muret e lashta që ruanin historinë e një kombi të vogël, por të fuqishëm.

Kur dolëm në rrugë, koha nisi të përmirësohej ngadalë, bora kishte ndalur së rëni dhe rrugët ishin tharë, si për të na lehtësuar udhëtimin. Agoni voziste me siguri, ndërsa unë, duke e vështruar botën përreth, ndihesha si një fëmijë që për herë të parë po e zbulonte këtë mrekulli të madhe. Nuk njihja askënd, as rrugën që po ndiqnim, dhe nuk e perceptoja drejtimin – ishim në veri apo në jug, në lindje apo në perëndim? Por kjo nuk më shqetësonte; më mjaftonte të sodisja udhët e drejta dhe fushat që shtriheshin si qilima përreth nesh.

Tefik Basha & Tefik Basha, Pjesa e Vjetër e Qytetit Luksemburg, 2019

Udhëtimi nuk zgjati shumë, apo ndoshta kështu më dukej, derisa para nesh u shfaq qyteti i vogël, shteti i Luksemburgut. Një qetësi e rrallë mbulonte çdo cep të tij, si të ishte mbështjellë nga gjumi. Shi i lehtë filloi të bjerë, një rigë e imët që na përkëdhelte faqet, por për të ishim të përgatitur. Çadrat tona të mëdha na mbronin nga çdo rrebesh, dhe këto pika të lehta shiu mezi na preknin.

Një rrugë kryesore, e gjerë dhe me drunjtë të gjatë anash, na çonte drejt qendrës së qytetit. Bora që kishte rënë më parë ende dukej, e grumbulluar në skajet e rrugëve si dëshmi e dimrit që po largohej. Parkuam veturën, dhe vendi i parë që na ftoi për një pushim ishte një kafene e njohur – Starbucks. Na priti me dyert hapur dhe me ngrohtësinë e tij. Zgjodhëm një vend të qetë, ku porositëm kafet tona të preferuara. Avulli i ngrohtë që ngrihej nga filxhanët na solli kujtime të hershme, të rinisë sonë, kur kafeja nuk kishte qenë një pjesë e pandashme e ditës. Tani, dukej e pamundur të vazhdonim rrugën pa atë filxhan të ngrohtë në duar.

Sabile Keçmezi- Basha & Agon Basha, pjesa e Poshtme – Lumi Alzette, Luksemburg, 2019

Kafeneja ishte plot me të rinj, që na tërhoqi vëmendjen. Tefiku, me buzëqeshje, përmendte se në Perëndim nataliteti po binte. Më vonë, zbuluam se afër kafenesë ndodhej një shkollë e mesme, dhe këta të rinj po përfitonin nga pauza e mëngjesit për të shijuar pak liri jashtë mureve të shkollës.

Jashtë, koha po përmirësohej. Dielli herë pas here dilte mes reve të zymta, duke na dhuruar rreze të vogla drite, si për të kërkuar falje për ditën e vranët. Pas një qëndrimi të këndshëm në kafiteri, ndjemë fuqinë që na duhej për të vazhduar me eksplorimin tonë, të përgatitur për të përshkuar çdo rrugë që Luksemburgu na ofronte.

E vendosëm të vizitonim Grundin, atë lagjen e vjetër që na ftoi me historinë dhe bukurinë e saj të lashtë. Kjo pjesë e Luksemburgut, e vendosur në luginën e lumit Alzette dhe e rrethuar nga formacione të larta shkëmbore, dukej sikur e kishte ndalur kohën. Me çdo hap, Grundi më shfaqej si një fshat mesjetar i qetë, i mbështjellë brenda përqafimit të një qyteti modern. Një kontrast mahnitës i së kaluarës dhe së tashmes, ku natyra dhe arkitektura gërshetoheshin në një simfoni të përkryer.

Sabile Keçmezi-Basha, në lagjen Grundi, Luksemburg, 2019

Ishte një dilemë për ne: a duhej të qëndronim lart, të vështronim këtë oaz nga lartësitë, apo të zbrisnim poshtë, në thellësinë e kanionit, duke humbur në rrugicat e qeta që vijojnë bregun e lumit? Pemët e shumta formonin një oaz gjelbërimi, dhe lumi Alzette rridhte qetë si të donte të pëshpëriste historitë e lashta të këtij vendi. Çdo hap na dërgonte më thellë në këtë botë të qetë dhe të pastër, ku koha dukej se ishte e ndalur vetëm për ne.

Abbey Neumünster, një nga pikat kryesore të Grundit, qëndronte krenare, një shesh i gjerë që mbante në gjirin e tij ish abacinë benediktine, e cila sot ishte kthyer në një qendër kulturore. Aty, në vitin 2005, historia kishte shkruar një tjetër kapitull kur Rumania dhe Bullgaria firmosën marrëveshjen për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian. Brenda abacisë ngrihej Kisha e Shën Ivanit, një simbol i njohur i qytetit, duke i dhënë Grundit një bukuri të veçantë dhe shpirtërore.

Rreth Grundit ngriheshin të famshmet Kazamate të Chemin de la Corniche dhe Bock, duke i dhënë këtij vendi një pamje madhështore. Kalimet e skalitura në shkëmbinj përfaqësonin Casemates Bock, një rrjet tunelesh dhe galerish që zgjateshin për 23 kilometra. Ky labirint i gdhendur në shkëmb, i ndërtuar në 1644 për qëllime mbrojtjeje, kishte kapacitetin të strehonte mijëra ushtarë, pajisje, dhe kuaj. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ato ishin një strehë për shumëkënd, duke u bërë dëshmitare e kohëve më të vështira. Sot, këto tunele janë një atraksion i njohur turistik, ku vizitorët udhëhiqen përmes historisë së tyre të pasur.

Sabile Keçmezi-Basha, muri i kazamatit Chemin de la Corniche, Luksemburg, 2019

Mbi këto tunele ngrihej Chemin de la Corniche, shëtitorja që njihet si “ballkoni më i bukur në Evropë”. Nga ky shteg panoramik, pamjet më tërheqëse të qytetit zbuloheshin si një pikturë që ndryshonte me çdo hap, duke ofruar jo vetëm një shikim të thellë në qytet, por edhe një përvojë të përjetshme të bukurisë së Luksemburgut.

Teksa ecën nga Grundi në Ville Haute, një kthesë e vogël të çon drejt zemrës historike të Luksemburgut, ku një befasi e rrallë të pret: Notre Dame, adashi më pak i njohur i katedrales së famshme të Parisit. Me format e saj elegante gotike, të ndërthurura me elemente të Rilindjes, kjo kishë mbart një bukuri të thellë dhe unike. E vetmja katedrale në vend, statusin e saj e mori nga Papa Piu IX, pesëdhjetë vjet pas ndërtimit, kur Luksemburgu u bë dioqezë. Në kriptën e saj prehen figura të ndritura të historisë, Dukë e Dukesha të Mëdha dhe vetë Gjoni i Luksemburgut, Mbreti i Bohemisë dhe Konti i Luksemburgut.

Sabile Keçmezi- Basha & Tefik Basha, Një pamje në pjesën e vjetër të qytetit,
Luksemburg, 2019

Por vizita nuk mund të përfundojë pa nderuar kujtimin e atyre që kanë rënë për liri. Aty pranë ngrihet Gëlle Fra, “Zonja e Artë,” një monument i fuqishëm që përkujton vullnetarët luksemburgas që luftuan në të dyja luftërat botërore dhe në luftën koreane. Një obelisk i granitit ngrihet në qiell, 21 metra i lartë, i kurorëzuar nga një statujë e artë e Nike, perëndeshës së fitores, që mban në duar një kurorë dafine. Në këmbët e monumentit, dy skulptura prej bronzi përfaqësojnë ushtarët që shërbyen Francën. Pas këtij memoriali, një vrojtim i qetë të fton të sodisësh Urën e famshme Adolphe dhe Kopshtin e Luksemburgut, duke ofruar një pamje të paharrueshme.

Sabile Keçmezi-Basha & Tefik Basha, Biblioteka e qytetit Luksemburg, 2019

Dhe në zemër të Ville Haute, Pallati i Dukës së Madhe ngrihet madhështor. Ky objekt mbresëlënës, dikur bashkia e qytetit nga viti 1572 deri në 1795, ka ndryshuar role shumë herë përpara se të bëhej rezidenca e zyrtare e Dukës së Madhe, kreut të shtetit. Gjatë periudhës naziste, pallati humbi rolin e tij, duke u shndërruar në një sallë koncertesh dhe madje një tavernë, por pas kthimit të Dukeshës së Madhe Charlotte nga mërgimi, ai u kthye në lavdinë e dikurshme. Sot, pallati ruhet nga ushtarë të ushtrisë luksemburgase, që patrullojnë me krenari çdo ditë, duke e mbajtur gjallë frymën e historisë së këtij qyteti të lashtë.

Pallati i Dukës së Madhe qëndron krenar mbi Place Guillaume II, sheshin që rreh si zemra e qytetit. Aty, ku statuja madhështore e Dukës së Madhe William II mbi kalë mbikëqyr sheshin, historia dhe hijeshia e Luksemburgut bashkohen. Rrethuar nga ndërtesa të vjetra dhe bashkia, dikur manastiri françeskan mbulonte këtë vend të shenjtë, por pas pushtimeve franceze, ai u zhduk, duke i lënë vendin bashkisë së tanishme, një monument i fuqisë së qytetit. Rrugët përreth, si Philippe II, janë të mbushura me dritare të stolisura nga markat më të famshme botërore, ku gjallëria dhe luksi përshkojnë çdo hap.

Sabile Keçmezi-Basha & Tefik Basha, Gëlle Fra, “Zonja e Artë”, Luksemburg 2019

Nuk mungojnë turmat e turistëve që nisen në eksplorime nga monumenti i poetëve Dicks dhe Lentz në sheshin Jan Palach aty pranë. Dhe aty, mbi rrugën e Lirisë, ndjehet pulsi i Luksemburgut modern, një rrugë që të lidh me shpirtin e Parisit, që shtrihet nga Ura e Adolfit deri në stacionin kryesor të trenit. Me ndërtesat madhështore që ndërmjetësojnë mes së kaluarës dhe të ardhmes, si Banka e Shtetit, Banka e Kursimeve dhe selia e ArcelorMittal, qyteti të lë pa frymë. Një tramvaj modern kalon ngadalë, një shenjë e përparimit që qyteti e përqafon, dhe ti e di që kjo është një nga pak vendet në botë ku udhëtimi është dhuratë, transporti publik është falas.

Por kjo nuk është gjithçka që Luksemburgu ofron. Nga muzetë që ruajnë thesare historike, si Musée Dräi Eechelen në kështjellën Thüngen, deri te Muzeu Kombëtar i Artit dhe Historisë, çdo hap është një zhytje në kulturën dhe artin e pasur. Dhe, për ata që kërkojnë të ndjejnë ritmin e modernes, Mudam, muzeu i artit bashkëkohor, qëndron si një shembull i inovacionit artistik. Pak më larg, varrezat ushtarake amerikane kujtojnë të rënët, dhe ashensori i famshëm Pfaffenthal të ngjit në lartësi të reja për të parë pamje magjepsëse. Rrethinat e qytetit fshehin kështjella që ruajnë misteret e së kaluarës, si ajo e Vianden, ku çdo gur rrëfen histori të lashta.

Vizita jonë, mes gjithë këtyre mrekullive, ishte drejt përfundimit. Ndërsa dita mbyllej me një frymë ndarjeje, e kishim vendosur që natën ta kalonim përtej kufirit, në qytetin e Strasburgut në Francë, një hap larg, por me një botë të re që priste të zbulohej.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.