SHKUPI HISTORIK PA DITË FESTE

0
262
Kalosh Çeliku

NGA KALOSH ҪELIKU

Shkupi Historik, që sipas të dhënave historike në vitin 1919 ka qenë Qyteti më i banuar me shqiptarë (80 %). Qytet, edhe i rrethuar me katunde shqiptare. Kryeqytet, edhe me më shumë shqiptarë, se Tirana dhe Prishtina, dy kryeqendra të mëdha shqiptare. Dhe, sot ka mbetur me një përqindje simbolike. Shkaku, se: shumica me marrëveshjet jugosllavo – turke nga rrethina dhe Shkupi u shpërngulën në Turqi (1938 dhe 1953). Fshatrat e malësisisë së shkupit, dhe disa lagje të qytetit, gjatë sistemit komunist u asimiluan dhe u regjistruan si turqë e maqedonasë, pa e ditur edhe një fjalë të vetme në gjuhën turke.

Sot, Shkupi ende është i rrethuar me katunde shqipatar, por disa katunde janë të shkreta pa banorë shqiptarë, dhe me shkolla fillore në gjuhën shqipe nën dry. Shkolla, që gjatë kohës të “Shqipërisë Madhe” i hapi ministri i arsimit Ernest Koliqi edhe nëpër male, Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi. Edhe, i pagëzoi me emrat e Rilindasëve shqiptarë.

E, fshatarët të cilët mbetën në Malësinë e Shkupit, pas Luftës të 2001 –shit i braktisën ato fshatra dhe u vëndosën me familje në Shkup. E lanë pasurinë Natyrore: malin, arat, lisat, burimet malore dhe dhentë. Erdhën në mes të kontejnierëve të bërllokut. Lagjeve të egëra pa kanalizime. Rrugë. Shkolla në gjuhën shqipe të politizuara nga politika ditore partiake deri në palcë. Edhe, pa: Tekste shkollore, Lektyra shkollore, Institucione kulturore.

Erdhën në Shkup. Qytet me lagje shqiptare, por një numër i madh i tyre, ende pa nënshtetësi, pa shtëpi, pa vende pune. Edhe, çka mund të bëhesh në qytet me këto kushte jetese elementare, përveçse: kriminel, Vrasës, hajdut, drogaxhi, dhe “musliman” t’i lutesh Zotit nateditë në xhami me këmbët dhe trutë në legen. Ose, partizan i partive politike për vota gjatë fushatave parazgjedhore lokale dhe parlamentare.

“Fitore” e Partive Politike Shqiptare, që Sot: e festojmë 28 Nëntorin e Flamurit kuqezi 2023. Pavarësinë e Shqipërisë në Shkup. Flamur kuqezi, dhe Shqipëri të pavarur për të cilët, gjatë Perandorisë osmane, Mbretërisë Jugosllave, dhe sistemit komunist jugosllav, shumë patriotë janë kalbur burgjeve si armiq të shtetit “përbashkët: “nacionalistë”, dhe “irredentistë”.

Festë Historike, të cilën e kremtoi edhe Komuna e ”Ҫairit” me kryetarin shqiptar Visar Ganiu me tre – katër flamuj shqiptar, krah për krahu me ato maqedonas nëpër shtylla elektrike. Flamuj, me të cilët nuk i stolisi rrugët Komuna e “Ҫairit”, ose ajo e Shkupit, por persona atdhedashës që banojnë në afërsi. “Bit – Pazari” pa asnjë flamur. Sheshi më i “madh” “Skënderbeu”, poashtu pa flamur shqiptar. Tekefundit, sa për sy e faqe së paku Skenderbeut me shpatën në brez t’ia kishin dhënë në dorë një flamur kuqezi me shqiponjën e zezë dykeranare?!

Fatkeqësisht, Flamuri kuqezi shqiptar, gjatë këtij 28 Nëntori Historik, nuk valoi as në minaret e xhamive në Shkup. Faji nuk është i politikanëve të arratisur dhe hoxhallarëve, por edhe i popullit shqiptar, që ua jep votat në zgjedhjet lokale dhe parlamentare për të rrëmbyer poste partiake, fetare dhe pasuri personale e familjare. Arsye, që këtë Nëntor Historik, nuk patën kohë ta stolisin Shkupin me flamuj kuqezi shqiptar. Dihet, problemi politik, ende merren me themelimin e partive politike. Dhe, mos ishin disa mësuese të shkollave fillore me nxënësit e tyre, Festa e Flamuri dhe Pavarësia e Shqipërisë do të kalonte si Ditë Zie në Shkup.

Mëkot, Ali Ahmeti nga malet ua solli përmendoren e Skënderbeut në Shkup. Flamurin kuqezi, që ta zvarrisin rrugëve me baltë në dasmat familjare. Herë pashterkave të kuqe, e herë dimijave te bytha. Simbolin shtetëror, që mund ta valojë vetëm Shteti Shqiptar. Edhe, atë: vetëm gjatë shënimeve të Datave Historike.

Kryetari Komunës “Ҫairit”, me siguri nesër në zgjedhjet e ardhshme do t’i kërkojë votat e shqiptarëve edhe për një mandat të tretë. Nuk ka problem i meriton, ia jepni me të dyja duart. Mesiguri, do t’u qëndroj besnik premtimeve parazgjedhore. Heqi nga parqet e “Ҫairit” telat dhe ferrat. Ndërtimet e egëra mes parqeve. Nuk do t’i presin pemët e parqeve për ndërtimin e pallateve dhe bizneseve personale dhe familjare. Ndodhë, t’u ndërtojnë edhe shkolla, si ai politikani gjatë një fushate parazgjedhore në një katund të Kërçovës, kur katundari i thotë: Vërtetë, ju do të na ndërtoni shkolla, por ne populli, nuk kemi fëmijë?! Politikani, aty për aty përgjigjet: Partia, do t’ju lindë edhe fëmijë.

Kutadish, ndoshta edhe juve Partia do t’u lindë fëmijë?!…

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.