Shqipëria, 111 vjet jetë

0
170

Kujtesë historike

Prof. Dr. Sadri REXHEPI

Kah  po ecën Shqipëria, në ç’drejtim po shkon kombi shqiptar? Janë këto vetëm dy nga pyetjet e hapura, të cilat, edhe sot,  gati 111 vjet pas themelimit të Shqipërisë së përgjysmuar  kërkojnë përgjigje, por vështir   t’i gjejmë. Ndoshta, jo vetëm në planin kombëtar ky është fataliteti i historisë, sepse, me gjasë, të njëjtat pyetje edhe 111 vjet pas epokës sonë  mund t’i  shtrojnë pasardhësit  tanë.  Nuk është kjo pjellë e mendjes së robëruar, aq më pak  fjala është  për retorikë spekulative, apo për folklorizëm nacional.

Thjesht dhe drejtpërdrejt, kombi shqiptar gjithandej edhe në këtë fillim shekull XXI gjendet para thirrjeve të reja të historisë. E para, për  t’i hedhur një rishikim kritik dhe të guximshëm rrugëtimit të vet shekullor dhe, e dyta për të reflektuar sypatrembur dhe me realizëm rrugën nëpër të cilën po udhëton. Pra,  a kemi fuqi dhe guxim ta shtrojmë pyetjen : Cili do të jetë objektivi ynë kombëtar në 111 vitet e ardhshme? Apo ndoshta, e konsiderojmë se, nuk është koha, se nuk është e domosdoshme, se,  po ta shtronim çështjen në këtë formë do të binim ndesh me proceset e globalizimeve dhe jo vetëm të  strategjisë për integrimet evropiane?  Çfarë të themi, nëse në mendjet e elitave të sotme shqiptare dhe jo vetëm të burrështetasve, prijësve të sotëm shqiptarë ka mendime se mjaftueshëm,  jemi në rrugë të mbarë dhe se, nuk kemi nevojë të  kërkojmë ndërtimin e një strategjie mbarëkombëtare  për periudhën e ardhshme 100 vjeçare?

Çfarë nëse, jemi nën ndikimin e përshtypjeve, por edhe të zërave të post modernes, epokës së globalizimeve se, po shkojmë kah integrimet globale dhe jo kah forcimi i identiteteve  kombëtare, pra,  më së paku drejt  idealit të  bashkimin kombëtar, konkretisht për bashkimin  e shqiptarëve  në Shqipërinë Etnike ? Dikush do të mund të pyeste, nëse edhe në këtë epokë të Rendit të Ri Botëror  jemi më afër, apo më larg bërjes  realitet  të idealit për Shqipërinë Etnike ? Edhe pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, u proklamua  një botë ndryshe, me më shumë paqe, me më shumë drejtësi dhe me më pak luftëra e sundime, koloni të reja. Ideologët e atëhershëm botëror, ndërsa, sikur ata të Perëndimit po ashtu edhe të Lindjes theksonin se, do të zhdukeshin kufijtë midis shteteve, dhe se, elementi kombëtar nuk është qenësor, madje, nën ndikimin e pansllavizmit  propagandohej  edhe kombi socialist!

Ndërkohë, 60  vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, u rindezën luftërat e reja, sepse kishte ardhur koha që, popujt e shtypur, siç ishte rasti i popullit shqiptar në Kosovë dhe në ish Jugosllavi të ngriheshin në luftë për tu çliruar nga sundimet sllave. Në fakt, qoftë përmes çlirimit nga sundimet e huaja, qoftë përmes çlirimit nga sundimet e regjimeve dhe sistemeve totalitare popujt iu rikthyen, jo vetëm demokracisë, por edhe zgjidhjes së çështjes kombëtare.

Filozofia politike, e ngërthyer sot në këtë përvjetor të 111 vjetorit të themelimit të shtetit shqiptar, Shqipërisë  është e përafërt me  thelbin e pyetjeve të sipër shtruara, por, sikur as vet nuk jemi të sigurt nëse  këto ide politike mund ta gjejnë hapësirën dhe kohën për  trajtim, shqyrtim.  Nuk themi se këto ide politike janë të  vonuara, por aq më pak kemi të drejtë të supozojmë nëse ato pikëpamje  janë jashtë kohës dhe hapësirës, jashtë realitetit të gjeopolitikës së re. Pikërisht mbi këtë pikëvështrim do të mund të pyesnim, si u bë që, vazhdimisht, dhe aq më parë kur e shtrojmë çështjen më të madhe të  gjitha kohërave për kombin, pra, bashkimin kombëtar para veti na del një mal i pyetjeve hamletiane  nëse është koha, nëse ky ideal do të bëhet  realitet apo do të ngel vetëm projekt, synim…? Madje, përse, jo vetëm evropianët, por edhe ndonjë burrështetas shqiptarë na sugjerojnë  që bashkimin e kombit ta realizojmë në projektin e BE-së, në Brukselin e largët dhe jo në Tiranën e afërt, e cila është djepi i shqiptarisë!

Pavarësisht nga sfidat e ripërsëritur  të kohës gjithandej, në zemër, në shpirt dhe në mendje e dimë dhe e besojmë  se,  çështja shqiptare është e pa zgjidhur, se  themelimi i shtetit të Kosovës është vetëm një  hap drejt zgjidhjes së çështjes sonë kombëtare, se, edhe në epokën e Rendit të Ri Botëror jemi kombi më i shpërndarë në disa shtete të Ballkanit Perëndimor. Me gjithë  zgjimin tonë kombëtar në fundshekullin e XX-të, me gjithë se në Shqipëri fituam demokracinë, lirinë, në Kosovë e shpallëm shtetin e pavarur, në Maqedoni u arrit Marrëveshja e Ohrit  ne  ndërsa, nuk arritëm t’i rikthejmë të gjitha territoret e pushtuara nga sllavët. Ne duhet ta pranojmë se, jemi kombi i cili në hapësirat e Evropës së vjetër dhe të Evropës së re kemi humbur më së shumti territore, të cilat, përveç territorit të Kosovës nuk kemi arritur t’i kthejmë. Prandaj,edhe sot 111 vjet pas themelimit të shtetit të përgjysmuar jemi në kërkim të Shqipërisë Natyrale!

Në fakt, dekada e fundit e shekullit të XX-të dhe kjo e para e shekullit XXI  na krijuan përshtypjen, në mos jo iluzionin se, me përkrahjen amerikane po vjen epoka e faktorizimit të kombit shqiptar në rajon. Me të drejtë apo jo, mbi këtë ide, edhe sot në shënimin e 111 vjetorut të Shqipërisë,  krijuam  ndjenjën se po bëhemi faktor i rëndësishëm në hapësirat e përgjakshme të  Evropës Juglindore.  Iu rikthyem, qoftë edhe me euforinë  nacionale ndjenjës së fuqishme të krenarisë sonë kombëtare, të nëpërkëmbur nga sundimet e egra dhe të gjata sllave. Ndonëse i ndarë nëpër hapësirat e gjeografisë kombëtare, u ribëmë komb i lirë, e përqafuam demokracinë dhe qytetërimin evro – perëndimor.

Në Kosovë, në Maqedoni i shembëm  sistemet  pushtuese sllave kurse në  Shqipëri  u braktis ideologjia  e perandorisë  komuniste . Por, kjo nuk mjaftoi,  nuk  ecëm  dot më shumë, më shpejt, më sigurt sepse, ose nuk kishim fuqi, unitet e dije kombëtare, kapacitetet shtet formuese në frymën e demokracive perëndimore  ose,  ramë në grackat, në kurthet e  atyre që, historikisht ishin dhe janë kundër faktorizimit të kombit shqiptar.

Janë këto tema, gjithnjë të hapura të cilat, na japin arsye për t’i analizuar, për  t’i trajtuar alternativat e shumta jo vetëm në rrafshin e politikës kombëtare, por në radhë të parë, në detyrimin mbarë shqiptar për të ndërtuar  Strategjinë e Programit  Kombëtar për shekullin e XXI. Ndoshta, shënimi i këtij përvjetori të madh kombëtar, shënimit të 111 vjetorit të Shqipërisë, na jep mendje, guxim, kurajo, por edhe detyrim dhe ndërgjegje kombëtare që, historinë e djeshme dhe të sotme ta shohim objektivisht, pa frikë dhe me dinjitet, pavarësisht sa e hidhur është e vërteta për këtë histori tonë kombëtare.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.