Ngritja për herë të parë Flamurit të Gjergj Kastriotit në Bratile të Deçiqit (6 Prill 1911) dhe ringritja e tij 20 muaj më vonë gjatë Shpalljes së Pavarsisë më 28 Nandor 1912

0
457
Flamuri - Deçiq

“Historia, asht mësuese e madhe, njerzit janë nxanës të kqinj” – Bismark

Klajd Kapinova

Sa herë që shqiptarët brenda dhe jashtë trojeve etnike përkujtojnë Pavarësin e Shqipnis, harrojn me ose pa dashje të ritheksojn se Flamuri i Ringritur në Vlorë, është po ai flamur shqiptar që asht ngrit për herë të parë nga fatosat e lirisë së Malcis të prim nga plaku i urtë e trim Ded Gjon Luli më 6 prill 1911, pra 20 muaj më përpara se po ai flamur, që u Ringrit në Vlonë.

Pse perdoren dje dhe sot dy standarte historiografie tuj anashkalue ngritjen për hërë të parë të Flamurit dhe mbivleresue Ringritjen po të njejtit Flamur shqiptar për herë të dyte në Vlone!?

Kryengritja në fjalë,  i dha nji mësim shumë të mirë pushtuesit turk “tue provue në gjuhën e plumbave se kishte perendue tashma koha e ekspeditave ndërshkimore dhe e reprezaljeve, të udhëhequna nga gjeneral shum të zot dhe të sprovuem në mizori, si Shefqet Turgut Pasha me shokë”.[1]

Historiani erudit at Marin Sirdani (1885-1962), duke vlerësue kontributin e elementit katolik shqiptar në drejtim të atdhedashunisë, mbi lëvizjet shtypse të xhonturqve të rij kundër nacioneve (që kërkonin liri), cek ngjarjen e randsishme të historisë me 6 Prill 1911, kur shkruan: “Barbarit, mandej të kryesum prej Xhavit Pashës e Shefqet Turgut Pashës për të shtyp shqyptart çuen pesh zemrat e shumkuj, e Leket e Malcis qi nuk ishin ken msue me u ba rajë e askuj, tue provue se vetem arma muejte me u sigurue gjan, mallin, nderen e të drejtat qi kishin pas gzue per qindra vjet edhe nen Turki nisen me levis.

Me 6 prill 1911, Malësia, nxorri nga katakombet otomane në dritën e diellit europian, Flamurin Kombëtar të Gjergj Kastriotit…

Në këtë ditë të paharruar nga mali i Deçiq u valvitë flamuri jonë kombëtar i larë me lot e gjak për 432 vite rrjesht. Ky “oxhak” i shqiptarisë nuk u fik kurrë edhe pse mbi të u derdhën papushim; rrebeshe, stuhi, gjakë, lotë e mundime. Tash mbi një shekull në trojet tona bëhet be; pasha njatë flamur që u ngrit në Deçiq[2]

Në betejën e hatashme luftarake asokohe u vranë trimnisht kelmendas, hotjan, shkrelas, koplikas, kastratas e shkodran, të cilët ishin të ndihmuem shpirtënisht dhe moralisht nga ajka e ndritur e prelatëve dhe klerit katolik shqiptar.

Pikërisht, për hir të së vërtetës së dokumentuem në shtypin e kohës, për llogari të ekspeditave famkeqe ndëshkimore të Turgut Pashës e Portës së Nalt, brënda ushtrisë pushtuese ishin të veshun me rroba e pagueshin rregullisht (mercenarë) disa trathtarë shkodranë, të cilët i shërbenin me besnikëri baba dovletit, tuj iu kundërvue me armë në dorë drejtpërdrejt fatosave malsorë të Ded Gjon Lulit, të cilët pa iu tremb syni e dridh pushka mbanin me krenari dhe vendosmeni njeni mbas tjetrit në maj të kodrës së Deçiqit Flamurin Nacional të Gjergj Gjon Kastriotit.

Publiçisti dhe patrioti i mirënjohur Risto Siliqi, në librin e parë: “Pasqyra e ditëve të përgjakshme në të pestin shekull Shqypnis të robnueme”, Trieste, korrik 1912, shkruan: “Me 26 të marsit, ndër ta rob u xu dhe Abas Bekteshi, njaj trathtar qi në kohë të aksionit reformator ju pat kundershtue si shqyptar Shefqet Turgut Pashës, dhe pasi e patën burgosun e dy herësh, në të pamë të gjith popullit t‘Shkodres, e patne shtrue n’dajak, e ky i poshtri u çue me i ndihmue anmikut të vet e me u vra me vllazën. Kët ditë dhe prej Jusuf Gjokajve të frigsuem prej plumbave të shqyptarëve ikën në Podgoric 70 vetë të turkut.

Mbi kryengritjen në Malci, prof. Abaz Ermenji (1910-2003), në veprën e vet historike: “Albania – Vendi që zë Skenderbeu në historin e Shqipërisë”[3], nënvizon: “Valiu i Shkodrës Bedri Pasha, u gjet ngushtë se s’kishte forca të mjaftueshme për t’iu bërë ballë kryengritësve. Prandaj, u vu të shfrytëzonte fanatizmin fetar të myslimanëve duke iu thënë se “Dini” ishte në rrezik dhe duke i gënjyer se gjoja të krishterët donin të sillnin në Shkodër Malin e Zi. Me këto intriga mujti të mblidhte një turmë shqiptarësh myslimanë prej Shkodre dhe t’i dergonte për të luftuar kundër vëllezërve të tyre katolikë. Por këta “mbrojtës” të “dinit” u shpartalluan shpejt; disa u bashkuan me kryengritësit. Për fat të mirë, ky dram i shemtuar vëllavrasjeje nuk u përsërit më në Shqipërinë e Veriut.”

Historia e historiani, vetëm tuj ken të sakt e kritik, krijojn dhe rrisin vetdijën nacionle e historike

Diktatura e proletariatit, lufta ruso-kineze e klasave dhe koncepti i prolekulturës, ishin instrumente e mbules e mjaftueshme, që atje të bahen krime ndaj njerëzve dhe të asgjësohen dokumente, të falcifikohen epoka e ngjarje të historisë, të likuidohen përsonalitete e momente të kulturës.

Në librin e historisë hartue për nxansit e shkollave të mesme (me disa ribotime formale, ka ndryshue vetëm paraqitja, por jo përmbajtja, shënimi im K.K.), harta historike e ngjarjeve të kohës, e hartue për t’u njohur nga brezat e sotëm, përsëri ka shumë pasaktsina, ç’ka të krijon përshtypjen, se kemi të bajmë me nji kryengrije spontane.

Për fat të mir, jehona e ngjarjes shqiptare gjeti pasqyrim në shtypin e atëhershëm shqiptar dhe të huaj. (Shih koleksionet: “Hylli i dritës” “Leka” (Shkoder), “Corriere d’Italia” (Itali), “Liri e Shqypnis” (Sofje), “The Times” (London), “Ora e Maleve”, “Cirka”, “Shqypnia e re”, “Ora e Shqypnis”, fletoret e qytetit të Shkodres, dorshkrimet (e pabotueme të klerikve katolik, të cilat sot kan mund të mbijetojn, Arkivi i Vatikanit, Austris, Britanis Madhe, Hungaris, Italis, Malit të Zi, AQSH, fondi 270, Gjush Sheldija “Historija e Shkodres” (dorshkrim i vjetit 1945).

Urretja, që kishin malësorët kundër regjimit xhonturk, bani që revolta në këtë pjesë të filloj ashtu siç e kishin mendue vet krent patriot malsor.

Në Muzeun Nacional të Kuvendit Françeskan në Shkodër, klerikët, me dashuni prindore ruajtën për shumë vite në gji simbolin e liris shqiptare.

Për këte dëshmojn etnit françeskanë: at Leon Kabashi o.f.m., at Viktor Volaj o.f.m., at Daniel Gjeçaj o.fm. e at Zef Pllumi o.f.m., të cilët për nji kohë janë marrë me mbarshtrimin e institucionit.

Sikur të mos ishte ngrit Flamuri dhe sikur të mos kishte ekzistue ai Flamur, do të kishin pas guxim etnit françeskan me sajue nji gja të tillë? Patriotizmi e ndërshmnia në pasqyrimin e ngjarjeve nacionale, kanë kenë ndër shenjat dalluese të françeskanëve shqiptarë, prandaj edhe nuk mund të vihet në dyshim vërtetësia e ngjarjes.

Qëndrimi i klerit ndaj Kryengritjes së Malësisë, ka qenë dashamir e mbështetës pa rezerva, për trimat e prijsin e dashun Ded Gjon Luli.

Midis tyne ishte famullitari i Kastratit at Mati Prenushi o.f.m. Pas disa viteve, në kohën, kur atij i bahej gjyqi komunist, i pyetun nga hetuesia, që zhvilloi gjyqin, pikërisht aty, ku kishte qenë redaksia e revistës kulturore Hylli i Dritës, ndër të tjera pohoi: “Përveç muzikës me sakrifica të mëdha, kam përshkue nga antikuari i bibliotekës edhe të gjitha veprat qi flitshin për Gjergj Kastriotin nga populli shqiptar. Të gjith këto vepra janë këtu edhe sot në bibliotekën françeskane. Kur u ktheva në Shqipni, kam shkue famullitar nepër male. Kam marr pjes aktive në kryengritje bashkë me malcort e prim prej Ded Gjo’ Lulit në vjetin 1911, e kam ndej disa koh me popullin i strehum në Mal të Zi”.[4]

Pra, sikurse shikjohet, kleri u përfshi pa ngurrim si shërbestar i grigjës së vet edhe atëherë, kur cënoheshin interesat e nalta nacionale, dhe jo sikurse ka shkrue me fantazi bashkqytetari shkodran prof. dr. Gazmend Shpuza e disa profesor të tjerë Akademisë së ‘shkencave’ me nji urretje patetike, se: “Me veprimtarinë e vet përçarëse, kleri vështirësoi bashkimin e popullit shqiptar në luftë për liri. Pavarësisht se nuk ia arriti, ai u përpoç të fuste shqiptarët në një luftë vllavrasëse.

Meqë pushtuesit osmanë nuk mundën të shtypnin kryengritjen, kleri veproi me të gjitha forcat për t’i mashtruar kryengritësit, që të hiqnin dorë nga kërkesat e tyre kombëtare, ose për të mbajtur larg nga kryengritja  popullsinë e krahinave të tjera të vendi.

Reaksioni klerikal katolik me demagogji vazhdimisht që të spekullojë mbi luftën e pareshtuar të popullsisë katolike të vendit tonë kundër pushtuesve osmanë, për të maskuar sadopak qëndrimin e vet reaksionar e bile antikombëtar.

Prandaj jo më kot shtypi klerikal, veçanërisht me rastin e 25-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, i është referuar luftës së malësorëve të Mirditës dhe të Mbishkodres.

Por, kleri katolik, duke qenë në shërbim të papatit e të Perandorisë Austriake, ishte i detyruar për hir të interesave të padronëve të vet që të vihej edhe në shërbim të autoriteteve osmane.

Dihen përpjekjet dhe roli që luajtën klerikët reaksionarë me në krye arqipeshkvin e Shkodrës Jak Serreqin dhe Abatin e Mirditës Preng Doçin në ndihmë të Shefqet Turgut Pashës me 1910 dhe më 1911, për t’i mashtruar e detyruar masat e malësorëve që të ulin armët dhe të heqin dorë nga kërkesat kombëtare të Memorandumit të Gërçës.

Pra, lufta e malësorëve të udhëhequr nga Dedë Gjo Luli, nuk ka asnjë të përbashkët me qëndrimin reaksionar klerikal[5]

Shkrimtari, folkloristi at Donat Kurti o.f.m. (1903-1983) (që do të zbulohej gjatë komunizmit të zi, i braktisun e i vdekun fatkeqsisht në nji kasolle të zbuluem e pa kulm në rrugicat e vjetra të Shkodres së shkret, mes borës e acarit të dimnit, shënimi im K.K.), në përkujtim të 50-vjetorit të shkollës së njohun françeskane thotë: “N’at dit Shqyptari njimend mushi mushknit me frymët’liris e brittë n’zemer t’vet: “Rrnoft Shqypnja’ tuj ba jeh në ket mnyrë Flamurit t’Shqypnis të ngrehun me guxim e trimni, po n’at vjet me 6 Prill 1911 prej Ded Gjo’Lulit në Bratile t’Deçiqit”.


[1] Tef Krroqi, “Hylli i Dritës”, vjeti XXII, fq.11.

[2] Ndue Bacaj, “111 Vite nga ngritja e Flamurit ne Deçiq” (6 prill 1911 – 6 prill 2022), Dielli /The Sun – Albanian American Neëspaper
www.gazetadielli.com

[3] Prof. Abaz Ermenji, Albania – Vendi që zë Skenderbeu në historin e Shqipërisë, “Shqypnia e Lirë”, Paris, 1968, fq. 279.

[4] Shih, Zef Pllumi, libri me kujtime “Rrno per me tregue”, vëll.II 1944-1951.

[5] Prof. Dr. Gazmend Shpuza “Qëndrimi antikombëtar i Klerit ndaj Kryengritjes së vitit 1911”, Akademia e Shkencave, Tiranë 1980.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.