BRYMË NË SHTRAT

0
168

NGA KALOSH ҪELIKU

(Policia letrare)

Cenzurkuqët, ende më ndjekin, se: jam Poet
Përndryshe, do më ndiqnin lëvdatat. Postet:
Redaksive, që do m’i dhuronte Nëna Parti.
Shpërblimet letrare nga DoktorZiu
Për servilizëm, e spiunim në letërsi.

Policia letrare më ndjek – sharjet
Kulturofagët e gjysmëanalfabetët.
Pse, nuk i bashkohem Kopesë së tyre
Me zgjebe nëpër çajtore, dhe ëmbëltore.
Nuk shitem një recension – shpërblime
Ҫmime letrare shtetërore partiake. Politikë.

Pse, i zhvesh lakuriq pisat në libra pa brekë
Brez pas brezi në politikë. E dua Atdheun…

(Dhelpra pas dashit)

Lakmi nuk ua kam hadumëve:
Servilëve. Shkrimtarëve të Oborrit.
Që, pinë çaj rusi, flasin për letërsinë
Nëpër Hane me bythët, na: palare
I shkruajnë njëri – tjetrit poezi. Reçensione

Lakmi, sot: nuk ua kam hadumëve
Që, më shajnë nëpër çajtore. Gazeta.
I turren DoktorZiut për një recension
Çmim në dasmën e Xhadisë – nuse:
Si dhelpra pas dashit mos i bien udhës…

(Kafshë e zbutur)

Dum Dumi është një kafshë e zbutur
Që kullot në livadhet e Nënës Parti
E pi ujë në Hurdhë me bretkosa.
E tërheq qerren rrugës me popullin
E lidhin në grazhd si lopën. Kaun
Me një krah bar. Kosh me kashtë
Ose, një kovë taxhi. Legen krunde.

Dum Dumi është një kafshë e zbutur
Mëzat i tredhur. Nuk i kërcen Lopës.

Dhe, kurrë nuk e thyen zgjedhën…

(Nuk pata të Djeshme)

Eca rrugëve të Katundit. Dhiareve
Këmbëzbathur me torbë kanapi përqafe:
Me një kalë druri. E pushkë shelgu.

Nën hijen e Lisit midis Livadhit
E lexova Fishtën me shokë.
Edhe pse, ma ndalonte Partia
Tinës e shëtisnim dorë më dorë.

Nuk pata të Djeshme. Nënë Parti
Nuk kam as të sotme. Nuse Liri.

Vallë, a do të kem të Nesërme?!…

(E kujt është Tradhtia)

Dhe, më ndjekin qentë me zgjebe
për një asht – shpërblim, në rrugë:
lehin rrugëve Shkupit. “Bit-Pazarit”
m’i ndërsen pas shpine DoktorZiu.
Veten, duke e fshehur pas dere.
Çoban i sëmurë me zgjebe
Për një karrierë politike.

Trimëria, i kushton një asht
e kujt është: Sot, Tradhtia?!…

(Shelgjet lajnë gërshetat)_

Me Miken ulemi në rërë
dallgët i sulen Bregut.
Shelgjet i lajnë gërshetat
më thotë: Unë i laj vargjet.

Qetësi, i përgjigjem Unë!
E dëbova Nusen me poshterkë të kuqe.
Shtoi, dikur përgjumshëm:
Po, Buçën si do ta shporrësh?
Buzëqesh, Ajo pak ironike.
Se, buçet i kanë ca huqe.

I përgjigjem: me Poezi erotike…

(Nuk më doli nata)

Gjithë natën u zumë si kaçakët
nxorëm kobure e harxhuam fishekë.
Nuk u vramë, por u plagosëm
pak para agimit nëpër sokaqe:
ngrite lartë një çarçaf të bardhë
Dhe, bëmë paqe si poetë.

Edhe pse, lufta: qe flakë më flakë
erdhi shumë vrik Agimi.
Nuk na doli nata e gjatë
në atë shtrat harbimi…

(E Nesërmja vazhdon
Luftën me Poezi
)

Liqeni na u sul me dallgë
rrëzove mure, hëngre çarçafë.
Matanë bregut, të dëgjoi Lasgushi
gjithë natën u çmende në shtrat.

E Nesërmja, vazhdon luftën
Me poezi. Tërmet, ra në dhomë.
E hapë dritaren, thirrë Liqenin:
hëngre çdo gjë me dhëmbë
luftë me sy, luftë me këmbë.

Vetëm pas fitores te plepat. Kisha
më the: Të shtrydha si limonin.
Se di, pse: e ndjeva veten dëshmor
E, Ti një Kleopatër, që pa Mua
Nuse, të mbante kurorë froni?!…

(Përshpëritje në vesh)

E çmendur më thua nëpër terr
më pëshpërit në vesh:
Edhe pak, edhe pak – më fortë!

E gris natën lahem në djersë
pushtoj kryeqytete, nënshtroj shtete.
Unë, pasardhësi i Skënderbeut
që shkaku Yt bëj luftë edhe me Veten…

(Brymë në shtrat)

E përfundoj betejën, në Liqe
palohesh si robëreshë në shtrat.
Vetëm, sytë e duart
nuk dorëzohen për një natë.

Ja, pse gjithë luftërat
i kanë nisur gratë.
Dihet, flakë më flakë.

Brymë në shtrat…

Nga Libri me poezi të përzgjedhura: ATDHEU burrë pa Grua (2023).

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.