ULESH MBI QEPALLË PËR T’I PËRKUNDUR ENGJËJT

0
204
Kozeta Zylo - Një Fjongo Dielli nga New Yorku

Këze Kozeta Zylo, NJË FJONGO DIELLI NGA NEW YORKU, poezi,
botoi ALBIN – Tiranë 2010, faqe 144. ISBN 978-99943-49-81-4

NJË KETRUSH

Nga dëshira e pritjes së zjarrtë,
Po skuqen gjethet e pemëve,
Në këtë stinë vjeshte!
Një ketrush qëndron në majë,
Për të parë ardhjen tënde! 

Faqe 112.

Këze Kozeta Zylo, ka lindur në Mezhgoran të Tepelenës. Shkollimin fillor dhe të mesëm i mbaroi në vendlindje, kurse u diplomua për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Universitetin ALEKSANDËR XHUVANI në Elbasan. Studimet pasuniversitare i mbaroi në Tiranë. Për një kohë ka punuar mësuese e Letërsisë Shqipe dhe asaj Botërore në gjimnazet e Tiranës.

Ishte aktiviste në proceset për rënien e komunizmit në Shqipëri dhe njëra nga themelueset e Partisë Demokristiane të Shqipërisë. Në vitet 1994-1995, ishte Sekretare e Përgjithshme e kësaj Partie, kurse në të njëjten kohë drejtoi edhe gazetën ORA E SHQIPËRISË, organ i demokristianëve shqiptarë. Në këtë gazetë, gjatë asaj kohe, ka botuar një sërë artikujsh publicistik.

Në shkurt të vitit 1997, pas shpërthimit të trazirave social-politike në Shqipëri, ajo emigroi në ShBA (New York). Fillimisht vazhdoi kualifikimet profesionale, pastaj ka punuar si Këshilltare e studentëve në disa kolegje, e më pas edhe në Bordin për Edukim të qytetit në New York. Dallohet për veprimtarinë e saj në mjaftë fusha, ajo ka bashkëpunuar me gazeta e televizione të shumta, qofshin ato të komunitetit të atjeshëm ose në Shqipëri.

Kozeta e Qemal Zylo, janë pronarë të TV “Alba Life“ New York, si dhe themelues të shkollës shqipe “Alba Life”. Në kuadër të kësaj shkolle Kozeta ka organizuar festivale, manifestime e spektakle të shumta kulturore e artistike si dhe ka organizuar edhe simpoziumin për çështjen e Kosovës.

Karshi këtyre aktivitetetve, Këze Kozeta Zylo ka botuar keto libra: Monumenti i Lotit (poezi) 2005, Pranverë pa Mimoza (poezi) 2006, Mjellmat po të vijnë (poezi) 2008, Një fjongo dielli nga New Yorku (poezi) 2010, Refleksione shpirtërore (kritikë, esse, reportazhe) 2010, Kujtimet si fletëz libri, (poezi) 2015, Diaspora si krah shqiponje (reportazhe, esse, kritikë letrare) 2015, Albatare dhe Abetare (libër me poezi për fëmijë).

Për punën dhe angazhimin e saj ka marrë titullin nga Presidenti i Shiqpërisë “Kalorës i Urdhrit Të Flamurit”, Ambasadorë të Kombit, mirënjohje dhe çertifikata nderimi, qoftë nga komuniteti Shqiptar në Amerikë, por disa sish edhe në Shqipëri.

Këze Kozeta Zylo, bashkë me burrin Qemail Zylo dhe dy vajzat e saj jetojnë në New York / ShBA.

LIBRI…

Libri, NJË FJONGO DIELLI NGA NEW YORKU, i Këze Kozeta Zylos, ndahet në pesë cikle: ATDHEU; NËNËS SIME; LËNDINAT E PRILLIT; HAIKE dhe ELEGJI. Këto cikle kompletojnë tërësinë tematike dhe motivore, kurse mozaiku i përgjithshëm ka dalë mjaft mirë i konceptuar, në të cilën ndërthuren motive e përkushtime të shumta që kompletojnë artistikisht, mjaft mirë mozaikun e përmbledhjes poetike NJË FJONGO DIELLI NGA NEW YORKU.

KOSOVA…

Jo rastësisht poetesha me origjinë nga Labëria e hap librin me poezinë “Prishtina, filz shpirti”, në të cilën shprehet se “Kur të putha sytë e shpirtit/ Nga qielli i kaltërt i Nju Jorkut/ Një filiz në zemër mbiu/ E vaditëm, bashkë së toku“. Emocioni lirik zhvillohet edhe më tej në vargjet vijuese: “Kur të erdha pranë Prishtinë/ Trëndafila kudo çova/ Lulet bozhur në gji i ruajta/ Amerikës ia dhurova“. Përmes këtij përkushtimi lirik, poetesha i shpreh mirënjohje Amerikës për çlirimin e Kosovës, dhe për emancipimin demokratik të saj, prandaj: “Je bërë folezë thellë gjoksit/ Cicëron në gjuhën shqipe/ Folmë Nënë Loke, të tund dheun/ Se Kosova është toka ime“; (faqe 8.) Në vijim, tërë epika e lavdisë zhvillohet, NË KËSHTJELLËN ADEM JASHARI, siç shprehet veta ajo, kur “Nga frëngjitë mijëra dritëza/ Flakë po skuqnin si bozhurë“ ndërsa “baladat si vetëtima“, përmbyllin epikën e lavdisë me vargjet: “Kudo ku rriten trima gjithë nur/ Jan prej Kosove, nuk tremben kurrë“, (poezia NË KËSHTJELLËN ADEM JASHARI, faqe 11-12.)

Motivin e epikës legjendare, poetesha e ka bartur edhe në pozi të tjera, më e veçantë është poezia BAC U KRY!, në të cilën poetesha shkruan: “Herë u bëra Zanë e Malit,/ herë nënë Loke me xhubletë/…/ Për Kombin tim të ngre flamurin,/ Me Kosovë mish e thua“, (poezia BAC U KRY!, faqe 22-23.)

PËRMBI VARG

Mbeta, mbeta përmbi varg,
Si metaforë e blertë pranvere,
Po të mos kisha farë poeti,
Çdo gërmë do fshihej midis reve…!

Faqe 44.

Jo vetëm poezia PËRMBI VARG, të cilën e solla këtu, por brenda ciklit të poezive me përkushtime për Atdheun, përkatësisht figurave të ndritura që bënë shumë ose u sakrifikuan nëpër kohëra, poezi tejet krakteristike është ajo me titull “VALBONA…”, me nëntekst të bijes, d.m.th. e pagëzuar me këtë emër, toponim i Lumit dhe Krahinës, me të njëjtin emër, duke e ndërlidhur ndjenjën dhe përkushtimin artistik me zonën në fjalë, e cila është e virgjër dhe perlë etnike e Alpeve shqiptare, ku bashkë me epikën legjendare mjaft të bujshme përbëjnë historiografinë e tërë krahinës, madje edhe të Atdheut etnik të poeteshës.

Për të pasur simbolikën edhe më të fuqishme, poezisë parë nga prizmi metaforik, disa epitete ia atribuon vajzës së vet. E kur jemi te shqyrtimi kritik i kësaj poezie, ajo që bie në sy është shënimi sqarues i vënë në fund të poezisë në të cilin thuhet: “Këtë poezi ja kushtoj bijes time Valbona, me emër aq të bukur, të Lumit VALBONA në Tropojë, i cili më frymëzoi për ta pagëzuar fëmijën time të parë.” Pastaj ajo shton: “Ne e vizituam Lumin Valbona deri në burimin e saj, në Grykën e Dragobisë, në gusht të vitit 1985. Për ne do të ngelet një kujtim i paharruar, mikpritja e njerëzve dhe bukuria magjepsëse e Alpeve dhe Lumit Valbona në Tropojë”, (faqe 36.)

Sipas këtij dedikimi, poezia merr kuptim dhe simbolikë, për të cilat edhe lexuesi bindet se kjo poezi do të ngelte e mangët, (jo mjaftueshëm e kuptueshme), dhe jo aq e vlerësuar pa këtë shënim sqarues, i cili në këto raste është i domosdoshëm, madje shembull si duhet sqaruar, dhe të dëshmohet me veprim konkret, mënyra sa e si duhet dashuruar e vlerësuar një Zonë të Atdheut e cila është e bekuar nga Zoti! Nga vetë poezia shihet se poetesha, paska marrë shpërblimin e pritur, kur e bija me sukses ka mbrojtur në Amerikë gradën akademike doktore e shkencave në fushën e kritikës letrare për letërsinë spanjolle.

NJË FLLAD PRANVERE

Petale lulesh, binin,
Butë-butë, mbi fije bari,
E një fllad pranvere i mbështolli,
Për të veshur fëmijët jetimë!

Faqe 49.

Për bukuritë e Gjirokastrës flet poezia me të njëjtin emër, ndërsa emblemë kulturore e këtij qyteti mbetet “Shekspiri shqiptar, Kadare“, (faqe 37), epitet unikal për shkrimtarin me renome botërore Ismail Kadare. Po aq e realizuar është edhe poezia kushtuar Korçës, nga e cila po i shkëputim vargjet: “Dhe ndalem unë nën muzgun blu/ Tek Korça lule, pa vyshkur kurrë/ Ç’xixëllonja shpirti derdhen këtu/ Një gërshetë hëne gjoksit jua thur“, (poezia KORÇËS, faqe 38.) Janë emocionuese edhe vargjet: “Do të marr një fjongo qielli/ Që t’ja lidhë foshnjës në djep/ Dritë t’i bej botës ku jemi/ Det dhe Vlorë cep më cep“, (poezia VLORËS, PRINCESHË ME KURORË ULLIRI, faqe 39-40.) Të këtij niveli janë edhe poezitë: “Hej Çamëri“; “Për ty Kosovë, për ty Rugovë”; e ndonjë tjetër.

VENDLINDJA

Mezhgorani i Tepelenës, është vendlindja e Kozeta Zylos, dhe kjo kuptohet nga gjithë ato poezi që ia kushton vendlindjes, bëmave të asaj zone dhe përjetësimi që ua bënë personalitetetve të shquara, të artit e kulturës, arsimit dhe arritjeve të shumta të qytetarëve nga vendlindja e saj. Ndonjërin nga personalitetet që i hasim në këtë përmbledhje poetike, e ka lidhur puna ose shërbimi në Mezhgoran të Tepelenës, e ndonjërin edhe aspekt gjenetik siç është rasti i Sejfulla Malëshova, i cili një pjesë të fëmijërisë e kaloi në këtë fshat, pasi nëna e tij ishte me origjinë nga Mezhgorani i Tepelenës.

Po ashtu në këto anë rritet edhe lulja me emrin “Lule mëllaga”, dhe sipas poeteshës, “Ato çelin nga dashuria e nënës sime/ Dhe shpirtëzojnë sendet që s’preken më“, (poezia LULE MËLLAGAT, faqe 55.) Pa dyshim, elementi idilik për vendlindjen përbën një simbiozë karakteristike e cila përjetohet në këtë poezi të shkurtër të cilën po e sjellim të plotë:

KARAFIL MEZHGORANI

Karafil mezhgorani,
Aromë sjell kudo që mbin,
Vals gjethesh gjer te retë,
Muzikë e ëmbël, më përpin!

Faqe 31.

Ndër poezitë e realizuara që kanë për motiv vendlindjen janë poezitë: “Feim bej Mezhgorani; Shkollës së parë shqipe në Mezhgoran“; “Tepelenë“; “Normailistëve të Mezhgoranit“; “Vatranëve të Mezhgoranit“; “Prof. Sejfulla Malëshovës“; “Doktor Përparim (Mezhgoran) Tepelenës“; “Trëndafila Mezhgorani“; “Tepelenës sime“; “Arrëz e madhe, palcë burimi“; “Karafil Mezhgorani“; “Një mësuesi…!“; “Senatore e diasporës“, etj.

I tërë ky opus, përbënë spektër të rrallë poetik dhe të pa përsëritshëm nga aspekti i ndjenjës dhe përjetimit për vendlindjen e saj. Këtij cikli do t’ia shtoja edhe një tufë emrash të cilët poetesha i ka sjellë nga një botim i gazetës DIELLI 1912, gazetë të cilën e kanë udhëhequr korifejtë e letrave shqipe Noli dhe Konica, (faqe 17.)

Karshi poezive kushtuar Mezhgoranit, shkëlqen edhe cikli NËNËS SIME, që përbëhet me vetëm katër poezi emblematike kushtuar nënës së vetë e cila: “Në të ndarë një fjalë s’më the,/ më le peng, fijëzat e shpirtit,/ me to thura një folezë,/ strehën më hyjnore të vitit…“, (poezia STREHA HYJNORE, faqe 53.)

LIRIKAT

Me një stil të vetin që në brendësi ka brishtësi, me shprehje të thjeshta, sidomos qasja dhe preokupimi janë vlerë e realizuar mirë. Një përpjekje gjer në sakrifikim duket të jetë hapësira gjeokgrafike, kurse Kosova, për poeteshën është preokupim parësor.

Poezia e Këze Kozeta Zylo, është një poezi që të tërheq, kudo shpreh shqetësim lirik që ka të bëjë me motivin që trajton, veçmas përballë subjektit që i kushton poezinë. Përveç hapësirës etnike, si rrallë tjetër, në poezinë e saj gjejmë shënime sqaruese për subjektin duke i dhënë kuptim e saktësim përkushtimit poetik, pasi janë disa personalitete të cilët për gjithësecilin lexues nuk janë të njohur, prandaj këto sqarime plotësuese bëjnë për t’u kuptuar si duhet motivi pse poetesha me kaq dashuri ka shkruar poezinë përkatëse, që i kushtohen personit ose heroit të saj epik ose lirik.

Nga i gjithë libri, cikli me lirika përfaqëson denjësisht, intelektualisht dhe poetikisht unin e saj krijues, vë në pah më mirë e më dukshëm prirjen për të shkruar poezi duke e bërë poeteshen më të afërt, më të dashur dhe më të admiruar nga lexuesi dhe ndjekësit e saj. Andaj i tërë fokusi i vlerës poetike përqëndrohet pikërisht te poezia lirike, ndërsa ciklet e tjera kompletojnë mozaikun e motive dhe dëshmojnë edhe për opusin e saj lirik, duke i dhënë sharm estetik poezisë e cila si lirikë dhe tematikë qëndron mirë, dhe mirë është kompletuar në ligjerimet lirike, pa lënduar motivet epike dhe motivin elegjiak të ndërthurur në brendësinë e këtij libri.

NJË CEP TË BUZËS

Sa herë vdes e ngjallesh prapë,
Ti e ëmbla dashuri,
Çuditërisht ti helm kurrë s’ke,
Veç me afsh më ndjell në gji!

Herë butë-butë, herë trazuar,
Në puthjet tona, çmenduri,
Një cep të buzës ke kafshuar,
Marrosem unë, marrosesh ti!

Faqe 59.

Nga kjo ndjenjë qoftë vetëm hipotetike, mesazhin e dashurisë e bëjnë të sinqertë vargjet: “Më varej Hëna mbi qerpik,/ lot të florinjtë seç pikonte“. Ky indikacioni lirik shpreh përkushtim, sigurisht edhe epshi lirik: “mbi gjoksin tim papushim,/ pranvërë dhe vjeshtë pikturonte“, (poezia TË BLERTAT FJALË, faqe 68.)

Ky motiv që vjen pas këtyre vargjeve e bënë poezinë lirike të saj më artistike, shpesh e liriuar nga paragjykimet por gjithnjë mendimi i saj është artikuluar brenda kodit pedagogjik, profesion të cilin poetesha e ka ushtruar tërë jetën. Shikuar nga ky prizëm edhe poezitë e Kozetës kanë mesazhin e dashurisë e të atdhedashurisë, duke përfshirë brenda opusit të saj tërë hapësirën etnike të saj.

REGËTIN PA FAJ

M’i rrëmbyen yjet e qiellit,
Ëndrrat e zjarrta,
Dhe stolisën gushën e hënës,
Me një zinxhir të artë!
Dashuria ime,
Me petale të purpurta,
U çmend pas puthjeve,
Puthjeve të gjakta,
Dhe zemrës, që regëtin pa faj!

Faqe 73.

Poezia është e shkruar me shprehje të bukura, sepse ajo “Zogut ia mori këngën, e atij shpirtin e zjarrtë“, (e modifikuar), andaj kanë edhe mesazh të caktuar sa lirik po aq patriotik, ndërsa në esencën e saj ka një lirizëm të stërholluar: “Provova të të flas, dhe pse asnjë lajm,/ zogut i mora këngën, ty shpirtin e zjarrtë! /…/ Mendova çfarë s’mendova, gjithçka në shpirtin tim,/ S’mjafton të mendosh, se çmendesh Princi im!”, (poezia S’MJAFTON TË MENDOSH…, faqe 76.) ose në disa vargje ka një idilikë, si figurë estetike mirë e realizuar: “Me këto vargje mblodha ditët,/ Dy prej tyre i struka thellë,/ Se zjarri i shpirtit kur përflakët,/ Bashkë me yjet ndrin në qiell“, (poezia DY PREJ TYRE, faqe 81.)

Brenda këtij cikli ka poezi e strofa poezish lirike, po ashtu ka mendim lirik që e arsyetojnë angazhimin e poeteshës edhe në këtë fushë. Për shijen time do t‘i kisha cekur edhe poezitë: “Si shkumë qumështi“; “Hëna varej mbi qerpik“; “Pshërtimat“; “Shpirt, sa më dukesh i bukur“; “Puthjen që më dhe mbrëmë“; “Cipa e shpirtit“; “Në gjirin e hënës“; “Cigani i zeshkët“; “Loto shpirti im loto“; “Si mjellmë“; “Sërish“, e ndonjë tjetër.

HAIKE

Cikli HAIKE, përbëhet nga 6 poezi të shkurtra; “Çmendje hyjnore“; “U bëfsha hi“; “U kthefsha zog“; “Dashuri e çmendur“; “Sytë e tu” dhe “Hëna djersiu“. Cikli Haike, vërtetë është një tip poezie ndryshe, mjaftë karakteristik, kurse poezitë janë të veçanta. Poezitë e këtij cikli përbëhen nga tre vargje dhe të gjitha kanë mesazh të fuqishëm dhe me porosi të çartë. P.sh.: “Vdeksha, që t’i them varrit sa të dua!”, (poezia DASHURI E ÇMENDUR…, faqe 117.) Jo vetëm si lirikë me simbolikë meditative por poezia dhe vargu në brendësi të vet përmbajnë mesazhe të forta filozofike. Po aq të përjetuara janë edhe shtatë elegjitë që përmbyllin librin NJË FJONGO DIELLI NGA NEW YORKU, të Këze Kozeta Zylos.

St Gallen, Dhjetor 2010. (E përpunuar, më 2023.)

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.