EMILY DICKINSON

0
435
Emily Dickinson

/10 dhjetor 1830 – 15 maj 1886/

Lindur në Amherst, Massachusetts, Amerikë, një vend me dimra të gjatë e të ftohtë. Ka bërë një jetë të mbyllur e të zymtë brenda mureve të shtëpisë dhe fare pak ka dalë. Është takuar rastësisht me Witman-in, në New York,i cili nuk e dinte se ajo shkruante poezi. Nuk ka botuar në të gjallë ose shumë pak në një gazetë vendore. Kishte një mik (disa e citojnë të dashur) redaktor letrar gazete që e frenonte, nuk ishte entuziast për poezitë e saj e si rezultat krijimet janë gjetur pas vdekjes.

Në poezitë e Emily Dickinson-it ka më së shumti natyrë, marrëdhënie të përditshme në një mjedis të mbyllur, ka pikëllim dhe ndjesi të thella të vetmisë. Në disa poezi ajo përpiqet të krijojë një balancë relative mes natyrës dhe njeriut, në këtë rast vetes, sepse gjithçka është përjetim personal i drejtpërdrejtë. Witman-i që në të gjallë dhe Emily Dickinson-i pas vdekjes, janë dy nga përfaqësuesit më shquar të poezisë amerikane. Janë shqipëruar e përfshirë në këtë vidio 3 poezi “Një zonjë e kuqe përmbi kodër”, “Vjeshtë”, ”Miku im duhet të jetë zog”.

PANTHEON BOOKS & FILM EDITION
https://youtu.be/5SQx4OnhR5Y

LETËR PËR BOTËN

( Dickinson Vepra f. 5 )

Këtë letër unë ja dërgoj botës,
asaj që mua s’më shkroi asnji, –
vetëm një lajm natyra më solli,
me butësi e madhështi.
Mesazhi i saj m’u përcoll
nga duar që s’i shoh. Të dua
njerëzit që rrojnë në këtë dhé,
gjykomëni me butësi dhe mua.
GUSHËKUQI
(Vepra, Natyrë VI f. 83)
Gushëkuqi është ai
që përshkon tej e tej mëngjesin
shpejt, pakëz, e lajmëron
se marsi është në ikje.
Gushëkuqi është ai
që del nga shtrati i hënës
shoqëruar me plot engjëj,
në prillin që ka nisur.
Gushëkuqi është ai
që me heshtjen në fole
na thotë, se shtëpia e siguria
janë më të çmuarat mbi dhe.
MORA FUQI
LIX (Vepra f.37)
Mora fuqi me dorën time
e botës ju vura përballë;
nuk ishte e fortë si dora e Davidit,
por ish dyfish në kurajë.
Gjuajta me guriçkë, por vetja ime
ishte ajo që do të binte.
Ishte Goliathi shumë i lartë,
a ndoshta unë tepër e vogël?!
SHPIRTI ZGJEDH
Shpirti zgjedh shoqërinë e vet –
Pastaj – mbyll derën –
Tek madhëria e saj hyjnore –
Më nuk hyn njeri…
Pa lëvizur – i jep shenjë koçisë – të ndalet-
Në portën e ulët –
Pa lëvizur – një perandor do të gjunjëzohet
Në shilten e saj –
E kam njohur atë – nga një komb i madh –
Zgjidh një –
Pastaj – largo vëmendjen e interesin për të tjerë-
Si të ishe gur –

1862
Shqipëroi: Kolec P. Traboini
WORLD POETICA 2019

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.