Isak AHMETI
“Lista e zezë”, roman i Pal Ndrecajt
Pal Ndrecaj (1960), autor i tre librave me poezi “Lule mbi plagë” (1993), “Akti i krijimit” (1998), dhe “Gdhendja e përmasave” (2015), që jeton në SHBA, tash në letrat shqipe vjen me romanin e ripunuar “Lista e zezë“, të cilin pata fatin ta lexoj në dsh.
Romanin në fjalë, me një titull që provokon jo vetëm kërshërinë e lexuesit të rendomtë, autori e ka strukturuar në XXXI kaputuj dhe fillon me një pasus që domëthënë shumë e të cilin po e sjellim këtu:
“Plani për vrasjen ishte i koduar me shufrën U dhe përmbante të gjitha detajet e nevojshme. Kishin ngelur fare pak çështje para se të caktohej data e ekzekutimit. Vetë akti i vrasjes ishte koduar me shifrën Dekorimi. U quajt kështu ngase shumica e personave që ndodheshin në listën e zezë, pas ekzekutimit të tyre, shpalleshin atdhetarë, patriotë, politikanë vizionarë, intelektualë që i duheshin kombit më shumë se kurrë, liridashës e demokratë…“.
Në fakt, në këtë roman të një fryme policeske, me një tematikë sa interesante aq edhe aktuale, gjithsesi edhe rrënqethëse, autori Pal Ndrecaj, autor tashmë i njohur në letrat shqipe, me një mekanizëm narrativ, të realizuar mjaft bukur dhe artistikisht, me një stl të bukur dhe me elegancë gjuhe, sjell para lexuesit tema dhe ide përmes një galerie personazhezh që ndërlidhen, jo rrallë, me listën e zezë të ekzekutimit, me kohën e pasluftës në Kosovë, me vrasjet enigmatike, me vrasjet e bëra sipas skenarit të përgatitur me profesionalizëm për një kohë të gjatë, me futjen e duarve të politikës në biznese, me aktivitetet e detektivëve në zbulimin e rasteve, edhe të rastit të veçantë të zbulimit të vrasjes së Lirit, burrit të Teutës, që kishte pasur shumë “vizita”, për shkak se ai kishte mbështetur kandidatë të partisë “Kosova jonë”.
Liri, si personazh i realizuar mjaft bukur, kishte emigruar në SHBA, në kohën pas demostratave të vitit 1981 si i pandehur i regjimit serb dhe atje krijon një pasuri të madhe. Dhe pas luftës investon në Kosovë. Vrasja e tij përndryshe do bëhet për t’i frikësuar aktivistët e Partisë “Kosova jonë”. Për më tepër, në këtë roman bëhet fjalë për vrasjet politike në Kosovën e pasluftës që nuk ishin të pakta, bëhet fjalë njëkohësisht edhe për zhdukjen e dosjeve, etj. etj.
Natyrisht, pas leximit të tekstit të romanit:Lista e zezë(në dsh), të mbesin thellë në kujtesë personazhet si: Artur Krutani, avokat nga Gjakova, si rast i veçantë i Gjakovës, Uran Budi, i ngarkuar me një mision “atdhetar”, Besnik Drini, shefi i hetuesisë në policinë e Gjakovës, Priam Hasi, gazetar i “Lajmit ditor” me duar të lidhura, Floriza Gucia, avokate, Teuta Albaniku dhe Liri Albaniku, personazhe interesante dhe të skicuara mjaft bukur, kryeprokurori Agon Forti, Agushja, sekretaresha e Partisë “Kosova jonë” etj.
Rrënqethëse! “Vetë akti i vrasjes ishte koduar me shifrën Dekorimi. U quajt kështu ngase shumica e personave që ndodheshin në listën e zezë, pas ekzekutimit të tyre, shpalleshin atdhetarë, patriotë; politikanë vizionarë, intelektualë që i duheshin kombit më shumë se kurrë, liridashës e demokratë…”! Krejt në fund le të theksojmë se romani “Lista e zezë”, jo vetëm me titullin por edhe me përmbajtjen që ka intrigonn dhe provokon jo vetëm kërshërinë e lexuesit të rendomtë.
Ai përmban vlera shumështresore dhe si i tillë do t’i ketë lexuesit e vet edhe për faktin se është shkruar me një gjuhë të zgjedhur, me një stil pothuaj të përkryer, ka rrëfim interesant, të veçantë, dinamik që reflekton një filozofi krijuese, origjinale, të veçantë. Dhe si i tillë, ky roman, tash i ripunuar me shumë përkushtim, shënon një moment të ri, mjaft me vlerë e të veçantë, në letrat shqipe. Prandaj botimi i tij me siguri do ta pasuronte fondin e romanit modern shqip.