Beteja e partive për pushtimin e mërgatës!

0
Florim Zeqa - Donika Gërvalla

Shkruan: Florim Zeqa, 06.06.2024

Sigurisht që mërgata do të jetë në vemendje dhe në epiqendër të partive politike, jo për shkak të respektit dhe kujdesit, por për shkak të votes. Pasi do të jetë vota e mërgatës ajo që do ta përcaktojë fituesin e zgjedhjeve të ardhshme, qofshin ato të rregullta apo të jashtëzakonshme.

Kosova po varfërohet, po pasurohen shtetet evropiane nga të rinjët tonë

Zbrazja e Kosovës nga të rinjët është dukuria më e dhimbshme dhe më e trishtë e cila po ndodhë para syve tanë. Rritja enorme e numrit të të rinjëve që janë duke e braktisur Kosovën është kthyer në plagën më të rëndë në Kosovën e pasluftës.

Përderisa Kosova po zbrazet çdo ditë e më shumë, vendet evro-perëndimore po pasurohen me fuqinë punëtore, kurse ne po varfërohemi çdo ditë nga mungesa e të rinjëve tanë!

Të gjithë njerëzit e veshur me petkun e politikanëve duhet të mendojnë seriozisht për situatën në të cilën ndodhet Kosova.

Largimi i të rinjëve nga Kosova është kthyer në ndjenjë trishtimi! Ndjenjë trishtimi, për faktin se këta të rinjë nuk do të kthehen më në Kosovë, por do të mbeten përjetësisht në perëndim si fuqi krahu, siq mbetem ne gjeneratat e viteve të ’70-90-ta, të ikur nga dhuna dhe represioni serbosllav.

Por, akoma më e dhimbshme bëhet situata, kur këta të rinj nuk janë duke ikur nga dhuna dhe represioni serb, por nga mungesa e përspektivës zhvillimore dhe e pasigurisë për jetë në vendin e tyre.

Ikja e të rinjëve nga vendi, plagë që kullon gjak

Fajtore për ketë situatë më nuk është Serbia, por klasa e jonë politike e pasluftës, e cila nuk mendoj fare për të ardhmen e vendit, por vetëm për interesat e tyre personale, grupore dhe partiake.

Njerëzit e politik-bërjes, gjegjësisht ata që merren me zanatin e politikës, nëse nuk merren me problemet e të rinjëve, përkatësisht, për krijimin e kushteve për punë dhe jetë dinjitoze në Kosovë, nuk e di çka tjetër duhet të jetë prioritet primarë për ta!

Shpërngulje të popullatës shqiptare nga Kosova kemi pasur edhe në periudha të mëhershme historike dhe përgjatë okupimit klasik të Serbisë, por emigrimet e fundit masive e të rinjëve shqiptarë janë më shqetësuese dhe më të dhimbshme se asnjëherë më parë gjatë historisë.

Lutem që ky shqetësim imi personal të trokas në ndërgjegjën e pushtetarëve dhe të secilit politikan në Kosovë, në mënyrë që të gjejnë forma dhe mundësi, të bëjnë fushata parandaluese për pengimin e zbrazjes së Kosovës nga të rinjët e jo të vrapojnë pas të rinjëve në emigrim!

Vetëdijësimi i mërgimtarëve imperativ i ngutshëm kohor

Partitë politike, gjegjësisht politikanët milionerë jo vetëm që nuk po bëjn fushata parandaluese, po vrapojnë pas të rinjëve në emigrim duke e bërë një betejë të paparë politike për pushtimin e zemrave të mërgimtarëve.

Ndodh që brenda javës në një qytet perendimor të shkojnë nga katër-pesë ekespedita partiake në kërkim të gjahut politik për të joshur mërgimtarët.

Politikanët nga frika e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme, pikërisht në prag të pushimeve verore i kanë shpeshtuar vizitat e tyre në shtetet evro-perëndimore. “Dashurinë” ndaj mërgimtarëve po e shfaqin në forma të ndryshme, duke ju sjellur; pankarta gjigante dhe flamuj partiak dhe suvenire prej letre sikurse dikur në Kosovë kur i zhvillonin fushatat zgjedhore para dhjetramijëra simpatizantëve partiakë.

Meqenëse tani në Kosovë tubimet i mbajnë vetëm me dhjetra e qindra simpatizant shkaku i zbrazjes, partitë politike ju kanë kthyer mërgatës në kërkim të votes në trajtën më qesharake të mundshme “Vrapon dhia pas k… të dashit”.

Kaq të rëndësishëm janë bërë mërgimtarët për politikanët karrierist!

Sa më parë duhet të ndodhë vetëdijësimi dhe ndërgjegjësimi i mërgimtarëve për t’i bojkotuar vizitat e ekspeditave e partive politike në Diasporë, të atyre që e sollën në këtë gjendje të mjerë dhe të pashpresë Kosovën e bekuar nga Zoti me resurse natyrore dhe pasuri të arta nëntokësore.

Të dashur vëllezër dhe mota mërgimtar, thirrni mendjes dhe gjykoni me mendjen tuaj. Secili nga ju t’i parashtroni pyetjen vetes logjike, pse nuk jeni në vendin tuaj dhe pse jeni në emgigrim?! Përgjigjen do ta gjeni menjëherë-shkaku i kësaj klase politike e cila po vrapon pas jush në emigrim, jo për t’iu krijuar kushte për kthim në atdhe, por për t’ju rrëmbyer voten nën mashtrim!

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.