Thirrje Brukselit: Vigjilencë ndaj Serbisë – një shtet që ende nuk është shkëputur nga e kaluara e tij e dhunshme dhe gjenocidale

Shkrime të ndryshme

admin
adminhttps://fjala.info
Publikuar nga: Arben Çokaj - Mësues Fizike & Informatike :: Gazetar & Analist i pavarur :: Shkrimtar :: Ueb- & Grafikdizajner

Isuf Bajrami Isuf B. Bajrami

Brukseli duhet ta shohë Serbinë përmes veprimeve të institucioneve të saj, strukturave politike dhe politikave që vazhdojnë të relativizojnë krimet e luftërave të viteve ’90, të glorifikojnë të dënuarit për krime lufte, të kufizojnë të drejtat e pakicave dhe të pengojnë një përballje të vërtetë me të kaluarën.

Varrimi dhe nderimet publike për Ratko Mlladiqin në Beograd janë një dëshmi e rëndë e dështimit për t’u shkëputur nga trashëgimia politike dhe ushtarake e luftërave të viteve ’90. Mlladiqi është dënuar përfundimisht nga drejtësia ndërkombëtare për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte dhe është dënuar me burgim të përjetshëm.¹ Megjithatë, figura e tij vazhdon të shfaqet në hapësirën publike përmes nderimeve dhe narrativave që e paraqesin si hero. Kjo nuk është thjesht çështje e së kaluarës. Është tregues i mënyrës se si një pjesë e establishmentit politik serb vazhdon ta trajtojë atë të kaluar.

Ky realitet nuk mund të trajtohet si episod i izoluar. Komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, anuloi vizitën e planifikuar në Serbi pas zhvillimeve që lidhen me glorifikimin e Mlladiqit.² Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm ka deklaruar se glorifikimi i kriminelëve të luftës, mohimi i gjenocidit dhe revizionizmi bien ndesh me vlerat themelore të Bashkimit Evropian dhe nuk kanë vend në vendet kandidate.³ Këto qëndrime duhet të shndërrohen në politikë konkrete ndaj Beogradit.

Serbia nuk mund të vazhdojë të trajtohet si një kandidat evropian që përmbush gradualisht kriteret e integrimit, ndërsa institucionet dhe aktorët e saj politikë tolerojnë një kulturë publike ku krimet e luftës relativizohen dhe autorët e tyre rehabilitohen. Vetë Komisioni Evropian e ka vlerësuar në vitin 2025 situatën në Serbi si të rënduar nga polarizimi, presioni mbi shoqërinë civile, përdorimi i tepruar i forcës ndaj protestuesve dhe ngecja e reformave; Komisioni ka kërkuar kthimin urgjent të vendit në rrugën e reformave në drejtësi, të drejtat themelore dhe lirinë e shprehjes.⁴

Përgjegjësia ndërkombëtare e Serbisë në çështjen e Srebrenicës është gjithashtu pjesë e një vendimi juridik të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Në aktgjykimin e vitit 2007, Gjykata konstatoi se Serbia kishte shkelur detyrimin për të parandaluar gjenocidin në Srebrenicë dhe kishte shkelur detyrimet e saj duke mos transferuar Ratko Mlladiqin dhe duke mos bashkëpunuar plotësisht me Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.⁵

Ky realitet juridik nuk mund të ndahet nga mënyra se si shteti dhe establishmenti politik serb trajtojnë sot figurat e luftërave të viteve ’90. Një shtet që synon anëtarësimin në BE duhet të tregojë me veprime se ka kaluar nga politika e rehabilitimit të së kaluarës në politikën e përgjegjësisë ndaj saj.

Por problemi nuk kufizohet te krimet e luftës. Ai shfaqet edhe në trajtimin e komuniteteve kombëtare dhe në funksionimin e demokracisë territoriale brenda Serbisë.

Shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë vazhdojnë të përballen me probleme serioze në ushtrimin efektiv të të drejtave të tyre. Komiteti Këshillimor i Këshillit të Evropës për Konventën Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare ka dokumentuar shqetësimet e përfaqësuesve shqiptarë lidhur me të ashtuquajturin “pasivizim të adresave”. Sipas vlerësimit të Këshillit të Evropës, pasivizimi mund të çojë në largimin e personave nga regjistri i banorëve dhe t’i pengojë ata të pajisen me dokumente identifikimi dhe, si pasojë, të marrin pjesë në zgjedhje të përgjithshme apo në zgjedhjet e këshillave kombëtare të pakicave. Komiteti ka shprehur shqetësim të drejtpërdrejtë dhe u ka kërkuar autoriteteve serbe të shmangin praktikat administrative që mund të kufizojnë ushtrimin e të drejtave të pakicave.⁶

Kjo çështje merr një peshë të veçantë në zonat ku shqiptarët përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të popullsisë. Një procedurë administrative që prek regjistrimin e banorëve, dokumentet personale dhe pjesëmarrjen politike nuk mund të trajtohet si çështje teknike. Ajo lidhet drejtpërdrejt me ushtrimin e të drejtave qytetare dhe politike.

Problemet me zbatimin e të drejtave gjuhësore dhe kulturore prekin edhe komunitete të tjera në Serbi. Këshilli i Evropës vazhdon të kërkojë zbatim më efektiv të standardeve për gjuhët rajonale dhe minoritare, përfshirë përdorimin e shqipes dhe hungarishtes në administratë, arsimin dhe shërbimet publike.⁷ Vetë fakti se në vitin 2025 Këshilli i Evropës organizoi në Beograd një tryezë të posaçme për zbatimin e rekomandimeve mbi gjuhët e pakicave, përfshirë shqipen, tregon se problemi nuk është i mbyllur.⁸

Në këtë realitet, Serbia nuk mund të paraqitet para Brukselit vetëm si një partner strategjik për stabilitetin rajonal. Një shtet kandidat duhet të dëshmojë se të drejtat e pakicave zbatohen në praktikë, se institucionet nuk përdoren për të kufizuar pjesëmarrjen politike dhe se identiteti gjuhësor e kulturor i komuniteteve mbrohet realisht.

E njëjta çështje shfaqet në raport me Vojvodinën. Kushtetuta e Serbisë njeh autonominë territoriale të Vojvodinës, ndërsa Këshilli i Evropës ka ngritur prej vitesh shqetësime lidhur me zbatimin real të kompetencave dhe financimit të saj. Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës ka kritikuar moszbatimin e dispozitave kushtetuese lidhur me buxhetin e Provincës Autonome të Vojvodinës dhe ka kërkuar përparim në decentralizimin dhe demokracinë lokale.⁹

Kjo nuk është një çështje administrative e parëndësishme. Autonomia territoriale, decentralizimi, pjesëmarrja lokale dhe mbrojtja e diversitetit kulturor janë pjesë e standardeve evropiane të qeverisjes demokratike. Serbia nuk mund të kërkojë standarde të larta për veten në marrëdhëniet me BE-në dhe të zbatojë standarde të ulëta brenda territorit të saj.

Nëse Brukseli kërkon të vlerësojë realisht shkallën e demokratizimit të Serbisë, duhet të shikojë edhe Preshevën, Bujanocin, Medvegjën dhe Vojvodinën. Duhet të shikojë se si trajtohen shqiptarët, hungarezët, boshnjakët, romët, kroatët, rumunët, bullgarët, sllovakët, romët dhe komunitetet e tjera. Duhet të shikojë se sa të drejta ekzistojnë vetëm në ligj dhe sa prej tyre ushtrohen realisht në jetën e përditshme.

Kjo e bën edhe më të rëndësishme politikën e Bashkimit Evropian ndaj Beogradit. Serbia nuk duhet të vlerësohet vetëm nga deklaratat e saj në negociatat për anëtarësim, por nga mënyra se si institucionet e saj funksionojnë brenda vendit. Sundimi i ligjit, të drejtat themelore, mbrojtja e pakicave, decentralizimi dhe përballja me të kaluarën janë pjesë e të njëjtit standard evropian. Komisioni Evropian vetë e përcakton procesin e zgjerimit si merit-based dhe e lidh shpejtësinë e anëtarësimit drejtpërdrejt me përparimin në demokraci, sundim të ligjit dhe të drejta themelore.¹⁰

Në këtë kuadër, Kosova nuk mund të trajtohet si një çështje e shkëputur nga sjellja e Serbisë. Bashkimi Evropian e ka lidhur normalizimin e marrëdhënieve Kosovë–Serbi me perspektivën evropiane të të dyja palëve. Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit dhe Aneksi i Zbatimit janë pjesë e këtij kuadri politik evropian, ndërsa detyrimet e Serbisë janë të integruara në procesin e saj të anëtarësimit.¹¹

Kjo do të thotë se standardi i BE-së duhet të jetë i njëjtë në tavolinën e dialogut dhe në territorin e Serbisë. Nuk mjafton që Beogradi të deklarojë gatishmëri për dialog në Bruksel, ndërsa brenda vendit vazhdon me politika që prodhojnë diskriminim, kufizojnë pjesëmarrjen politike të pakicave dhe ruajnë narrativat e glorifikimit të së kaluarës.

Një shtet që kërkon integrim në Bashkimin Evropian nuk mund të ndërtojë njëkohësisht politikë të jashtme evropiane dhe politikë të brendshme të bazuar në relativizimin e krimeve të luftës, diskriminimin e pakicave dhe centralizimin politik. Nuk mund të kërkojë përfitimet ekonomike dhe politike të afrimit me BE-në dhe, në të njëjtën kohë, të tolerojë rehabilitimin publik të figurave të dënuara për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit.

Këtu qëndron testi real për Brukselin. Nëse deklaratat evropiane për krimet e luftës, gjenocidin, të drejtat e pakicave, decentralizimin dhe sundimin e ligjit mbeten vetëm deklarata, atëherë Beogradi do t’i lexojë ato si një kosto të përballueshme. Nëse ato shoqërohen me kushte konkrete dhe pasoja politike, atëherë politika e zgjerimit fiton kredibilitet.

Vizita e Ursula von der Leyen në Ballkanin Perëndimor e vendos këtë çështje në një moment të rëndësishëm politik. Komisioni Evropian ka konfirmuar vizitën rajonale, ndërsa programi përfundimtar dhe ndalesat në secilin vend mbeten pjesë e përgatitjeve.¹² Rëndësia e vizitës nuk qëndron vetëm te itinerari. Ajo që duhet të matet është mesazhi politik i Brukselit ndaj Beogradit.

Mesazhi duhet të jetë i prerë: perspektiva evropiane nuk është licencë për të relativizuar krimet e luftës, për të glorifikuar të dënuarit nga drejtësia ndërkombëtare, për të kufizuar të drejtat e pakicave apo për të dobësuar autonominë dhe decentralizimin demokratik.

Serbia duhet të përballet me të kaluarën e saj jo vetëm në dokumentet që nënshkruan në Bruksel, por në institucionet, në politikën publike, në sistemin arsimor, në hapësirën mediatike dhe në mënyrën se si shteti i trajton krimet e luftës, pakicat dhe institucionet autonome.

Brukseli nuk ka nevojë për më shumë premtime nga Beogradi. Ka nevojë për rezultate të matshme. Ka nevojë për një politikë që e bën të qartë se afrimi me Bashkimin Evropian sjell jo vetëm fonde, tregje dhe përfitime politike, por edhe përgjegjësi të pakthyeshme ndaj drejtësisë, të drejtave të njeriut, demokracisë dhe fqinjësisë evropiane.

Ballkani nuk mund të ndërtojë një paqe të qëndrueshme mbi rehabilitimin e kriminelëve të luftës, diskriminimin e komuniteteve dhe centralizimin politik. As Bashkimi Evropian nuk mund të ndërtojë një politikë të besueshme të zgjerimit duke toleruar një realitet të tillë.

Prandaj, Brukseli duhet të jetë vigjilent ndaj Beogradit. Jo me deklarata të përgjithshme, por me politikë konkrete, kushte të qarta dhe pasoja të matshme. Serbia duhet ta kuptojë se rruga drejt Evropës nuk kalon përmes glorifikimit të së kaluarës, diskriminimit të pakicave dhe forcimit të centralizimit, por përmes reformave të verifikueshme dhe shkëputjes së qartë nga politikat që e kanë mbajtur rajonin peng për dekada.

Evropa nuk duhet ta shpërblejë mohimin me integrim, revizionizmin me tolerim dhe diskriminimin me heshtje. Nëse Serbia kërkon të jetë pjesë e Evropës, duhet të përmbushë standardet e Evropës.

Fusnotat,
1. International Residual Mechanism for Criminal Tribunals, Prosecutor v. Ratko Mladić, Appeals Judgement, 8 June 2021. Mekanizmi konfirmoi dënimet për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve dhe zakoneve të luftës, si dhe dënimin me burgim të përjetshëm.

2. Raportimi mbi anulimin e vizitës së komisioneres Marta Kos në Beograd dhe reagimin e saj ndaj glorifikimit të Ratko Mlladiqit.

3. European External Action Service, deklarata e zëdhënësit për Ratko Mlladiqin dhe qëndrimin e BE-së ndaj glorifikimit të kriminelëve të luftës, mohimit të gjenocidit dhe revizionizmit.

4. European Commission, 2025 Enlargement Package, Serbia. Komisioni evidentoi polarizimin e thelluar, presionin ndaj shoqërisë civile, përdorimin e tepruar të forcës ndaj protestuesve, ngecjen e reformave dhe nevojën urgjente për përparim në drejtësi, të drejta themelore dhe lirinë e shprehjes.

5. International Court of Justice, Application of the Convention on the Prevention and Punishment of the Crime of Genocide (Bosnia and Herzegovina v. Serbia and Montenegro), Judgment, 26 February 2007. Gjykata konstatoi se Serbia kishte shkelur detyrimin për të parandaluar gjenocidin në Srebrenicë dhe kishte shkelur detyrimet e saj për bashkëpunim me Tribunalin, përfshirë mosdorëzimin e Ratko Mlladiqit.

6. Council of Europe, Advisory Committee on the Framework Convention for the Protection of National Minorities, Fifth Opinion on Serbia. Dokumenti evidenton shqetësimet e përfaqësuesve shqiptarë për “passivisation” të adresave në Bujanoc, Medvegjë dhe Preshevë dhe vëren se pasivizimi mund të çojë në humbjen e regjistrimit të banimit, vështirësi në pajisjen me dokumente identifikimi dhe pengim të pjesëmarrjes në zgjedhje. Komiteti shprehu shqetësim dhe kërkoi që praktika të mos kufizojë ushtrimin e të drejtave të pakicave.

7. Council of Europe, European Charter for Regional or Minority Languages, dokumentacioni i monitorimit për Serbinë dhe rekomandimet lidhur me zbatimin e të drejtave gjuhësore të komuniteteve kombëtare.

8. Council of Europe, Implementation Roundtable on the fifth evaluation report of the Committee of Experts of the European Charter for Regional or Minority Languages in Belgrade, 5 February 2025. Diskutimet përfshinë përdorimin e shqipes dhe hungarishtes nga autoritetet administrative dhe zbatimin e të drejtave gjuhësore të komuniteteve të tjera.

9. Council of Europe, Congress of Local and Regional Authorities, dokumentacioni mbi demokracinë lokale dhe rajonale në Serbi. Kongresi ka ngritur shqetësime për zbatimin e dispozitave kushtetuese lidhur me buxhetin e Provincës Autonome të Vojvodinës dhe ka kërkuar përparim në decentralizimin dhe demokracinë lokale.

10. European Commission, 2025 Enlargement Package. Komisioni përcakton se procesi i anëtarësimit është merit-based dhe se ritmi i anëtarësimit lidhet drejtpërdrejt me përparimin në demokraci, sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore.

11. European External Action Service, Belgrade-Pristina Dialogue: Implementation of the Agreement on the Path to Normalisation and its Implementation Annex.

12. European Commission, konferenca e përditshme e 7 shtatorit 2026 lidhur me vizitën e Ursula von der Leyen në Ballkanin Perëndimor dhe përgatitjen e programit të vizitës.

Prishtinë, 08.09.2026

Artikulli përpara

Më shumë shkrime

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shkrimet e fundit