Dino Buzzati – “FJALIMI NGA BALLKONI I BURGUT”

0
Dino Buzzati

Dino Buzzati, shkrimtar italian, gazetar dhe piktor, ulur në një tavolinë në studion e tij. Milano, shkurt 1969 (Foto nga Pino Grossetti/Mondadori Portfolio via Getty Images)

Në këtë burg të madh, që ndodhet në rrethinat e qytetit dhe që u është rezervuar të dënuarve të përjetshëm, ka një rregull, human në dukje, por në të vërtetë më tepër se mizor.

Secilit nga ne, të dënuarve përjete, i jepet mundësia të paraqitet një herë në publik dhe të flasë para qytetarëve gjatë një gjysëm ore. Të dënuarin pasi e marrin nga qelia e vet, e nxjerrin mbi ballkonin e një ndërtese, ku ndodhen drejtoria dhe zyrat e burgut. Përpara tij shtrihet sheshi i madh i Trinisë, sheshi që mbledh turmën për ta dëgjuar. Nëse në fund të fjalës së tij turma e duartroket të burgosurin, ai lirohet menjëherë.

Edhe pse kjo mund të duket një privilegj i jashtëzakonshëm, nuk është i tillë.
Së pari, mundësia për të apeluar duke iu drejtuar publikut nuk të jepet veçse një herë, domethënë, një herë të vetme në jetë.
Së dyti, nëse turma përgjigjet “ JO”, siç edhe ngjet pothuaj gjithmonë, dënimi miratohet, në një farë kuptimi, nga vetë populli dhe rëndon akoma më shumë në shpirtin e të burgosurit; paskëtaj ditët e vuajtjes së dënimit bëhen edhe më të zymta e më të rënda.

Por ka edhe një rrethanë tjetër, që e kthen këtë shpresë në torturë. I dënuari në fakt, nuk e di se kur do ti jepet leja për të folur. Vendimi është në dorën e drejtorit të burgut. Mund të ndodhë, që të nxirresh në ballkon vetëm gjysem ore, që sapo të kanë sjellë në burg. Por nuk përjashtohet as pritja me vite të tëra.

Një të dënuar, që ishte futur në burg djalë i ri, e nxorën në ballkonin fatal, kur tashmë ai ishte plak dhe i pamundur, i pafuqishëm për të folur
Pra, si zor të mund të pregatitesh me qetësinë e nevojshme për një provë kaq të vështirë.

Disa mendojnë: ndoshta do më thërrasin nesër, ndoshta sonte, ndoshta pas një ore? Kështu fillon shqetësimi dhe me bashkë me të, përmbysen shpresat, ndërsa mendime nga më të zymtat të ngatërrohen në një lëmsh nevrastenik. Dhe as që ia vlen të hapësh gojën për të folur me të burgosurit e tjerë gjatë asaj ore tepër të shkurtër të shëtitjes sonë të përditshme.

Zakonisht, nuk ka një besim të ndërsjelltë, nuk i hapemi njëri-tjetrit për atë, që do të duhej të ishte tema kryesore në tubimet tona fatkeqe. Secili ushqen iluzionin se e ka zbuluar të fshehtën e madhe, argumentin e papërballueshëm që do ta prekë e hapë, zemrën kurnace të turmës. Dhe ka frikë t’ia thotë këtë të tjerëve, sepse mund ta përdorin përpara tij. Eshtë logjike: një arsyetim qe i ka emocionuar njerëzit një herë, ka shumë të ngjarë që ata të mbeten dyshues e mosbesues po ta dëgjojnë të përsëritet për herë të dytë.

Përvoja e atyre që, tashmë kishin mbajtur fjalimin në ballkon pa ndonjë sukses, do të ishte e dobishme të njihej për ti rregulluar edhe ne fjalimet tona. Të paktën, do të kishim mundur të mënjanonim mënyrat e ligjerimit, që kishin përshtatur ata. Por ata të dështuarit, ngelsit e klasës, nuk flisnin. Kur u luteshim të na tregonin, se çfarë kishin thënë e si kishte reaguar turma, buzëqeshin gjithë ironi, pa nxjerrë gjysmë fjale, dukej sikur bluanin nën zë: “Përderisa mua do të më shkojë jeta në burg, edhe ju këtu brënda me mua! Harrojeni se do t’ju ndihmoj” … Kaq të poshtër janë

Megjithatë, edhe mes kësaj fshehtësie, diç na kapte veshi. Por nuk gjeje dot asgjë të dobishme në ato thashetheme të paqarta. U mor vesh për shembull, se përballë turmës të dënuarit u ktheheshin gjithmonë dy argumenteve: pafajsisë së tyre të kulluar dhe dëshpërimit për familjen. Ja gjithë-gjithë, çfarë mësuam. Po në ç’mënyrë e kanë pregatitur mbrojtjen? Me ç’gjuhë kanë kërkuar shpëtim? Kanë mallkuar? Janë lutur? Kanë zënë të ngashërehen? Askush këtu nuk e di.

Të ardhmen, na e bën edhe më shkurajuese vetë turma e bashkëqytetarëve tanë. Ne të hurit e të litarit jemi, këtë as që e diskutojmë, veçse edhe ata, që janë jashtë, gra e burra, njerëz të lirë, nuk janë më pak. Me të marrë vesh, që një i dënuar do të flasë nga lartësia e ballkonit, ata vrapojnë drejt sheshit, vetëm për t’u dëfryer siç shkojnë një një festë, pa i shkuar kurrkujt nëpër mend, se do të duhej të shprehte një gjykim të rëndësishëm, nga i cili varet ekzistenca e një njeriu.

Dhe mos pandehni, se ky farë publiku përbëhet vetëm nga llumi i kazanit; ka aty plot të tjerë, që mbahen me moral shembullor, zyrtarë, punëtorë, njerëz të të gjitha profesioneve … shoqëruar nga e gjithë familja. Sjellja e tyre përjashton përdëlllimin e mëshirën, madje edhe mirëkuptimin e thjeshtë … ata janë aty thjesht për argëtim.

Dhe ne, tashmë me rrobat me vija e me kokat gjysmë të rruara, nuk jemi tjetër veçse gjithçka, që mund të përfytyrohet si më groteskja e më e përbuzura. Fatkeqi, që paraqitet në ballkon, nuk gjen para tij, siç mund të kishte menduar, një heshtje respektuese dhe miqësore, por fërshëllima, shaka të pista, tallje, shpërthime të qeshurash. Atëherë, ç’mund të bëjë një njeri i emocionuar, që dridhet përballë një plateje të tillë? Eshtë një ndërmarrje e dëshpëruar.

Thuhet, çka tingëllon si legjendë, se në të kaluarën ka pasur të dënuar, që ia kanë dalë ta fitojnë këtë provim. Por këto janë zëra lart e poshtë. Një gjë është e sigurt, që prej nëntë vjetësh, domethënë qëkurse unë jam burgosur këtu , askush nuk ia ka dalë mbanë. Afërsisht një herë në muaj, në rrjedhë të këtyre viteve, njëri nga ne është nxjerrë në ballkonin fatndjellës. Por të gjithë pas pak janë rikthyer në qeli. Turma i ka pritur me fërshëllima të egra.

Gardianët sapo kanë njoftuar, se erdhi rradha ime. Është dy e pasdrekës. Për dy orë do të më duhet të paraqitem përpara turmës. Por nuk kam frikë. Unë e di, tashmë, fjalë për fjalë se çfarë është më e volitshme të them. Unë besoj se e kam në xhep çelësin e këtij Quiz-i të tmerrshëm. E kam menduar dhe stërmenduar gjatë këtyre nëntë vjetëve. Dhe ju pandehni … Jo, kurrfarë iluzioni nuk ushqej për publikun, nuk ka për të qenë më mirëdashës, se ai që ka dëgjuar të tjerët para meje.

Porta e qelisë hapet, më duhet të kaloj përmes ambjenteve të burgut, ngjis dy kate, hyj në një sallë hijerëndë, ja ku dal në ballkon. Kanatat mbyllen prapa meje. Jam i vetëm përballë turmës.

Jashtë ka aq shumë dritë, sa mezi arrij t’i mbaj sytë hapur. Pastaj shoh gjykatësit supremë. Janë të paktën, nja tremijë njerëz, që m’i ngulin sytë të babëzitur

Dhe pastaj një fërshëllimë e gjatë, jashtëzakonisht vulgare, hap breshërinë poshtëruese. Duke gjykuar nga hargalisjet, cytjet e talljet, duket se pamja e fytyrës sime kockëdalë e të venitur u ngjall një kënaqësi të parrëfyeshme.

– Ej … ej … kini mendjen, po flet i pafajshmi … Pa hë Zotrote çdo te na thuash!. Do na na bësh për të qeshur ore … hajt na sajo ndonjë histori . Jot ëmë, ajo plakaruqja te pret në shtëpi apo jo?! … edhe kalamaqërit hë, do të kishte qejf t’i shihje prapë kolopuçët e tu?

Unë qëndroja gjakftohtë, me duart e mbështetura në parmak. Sodisja një bukuroshe që e kisha mu poshtë ballkonit; për të më dhënë mundësi që t’I kullosja sytë më mirë, ajo hapi me të dyja duart dekoltenë bujare të fustanit të saj.
– E jaran, të pëlqej? S’jam e keqe, ë? – u zgërdhi.

Por unë kisha planin tim në kokë, i vetmi, që ende mund të më shpëtonte. Nuk e lëshova veten, nuk i ftova te mbanin qetesi, nuk mora mundimin as tu bëja ndonjë shenjë
Më pushtoi një lehtësim, që s’e shpreh dot, sepse fillova të bindesha, që sjellja ime po i çudiste. Me ç’dukej, shokët e mi, që kishin folur kohë më parë, në ballkon, kishin përdorur një taktikë tjetër, ndoshta me kundërpërgjigje, me ngritje zëri, me përgjërime për t’i dëgjuar dhe, kështu, kishin humbur të vetmin shans.

Tek rrija palëvizur dhe i heshtur si një statujë, zhurmat marramendëse u qetësuan pak e nga pak. Aty – këtu, u dëgjua edhe ndonjë vërshëllimë, po pastaj u bë heshtje e plotë.
Unë, përsëri hiç. Me një përpjekje të mbivullnetshme, vazhdoja të heshtja. Më në fund, thuajse me mirësjellje e sinqeritet, më ftoi një zë:
– Folë, folë pra … Ne po të të dëgjojmë!

Atëherë fillova:
– Përse u dashka të flas? Nëse dola në këtë ballkon, dola thjesht se është rradha ime. Vetëm për këtë. As që kam ndonjë qëllim të prek sadopak zemrën tuaj. Unë nuk jam i pafajshëm. Dhe as lakmoj të kthehem pranë familjes. Unë nuk kam asnjë dëshirë të largohem prej këtu. Unë jam i lumtur në burg.

Një mërmërimë e zgjatur përshkoi turmën. Pastaj një britmë diku:
– Mos fol marrëzira!
– E pra, unë jam më i lumtur nga ju, – vazhdova. – E kam të pamundur t’ju zbuloj plotësisht, po sa herë dua, nëpërmjet një kalim të fshehtë që askush nuk e di, që nga qelia ime dal në kopshtin e një vile të mrekullueshme. Sigurisht, nuk ia lejoj vetes të më shpëtojë goja më tepër për këtë mrekulli. Por atje më njohin, më presin krahëhapur…

Bëra një pushim të shkurtër, duke vështruar turmën. Të gjithë ata njerëz sikur po e humbin fillin dhe po zhgënjehen. Tamam sikur të shihnin gjahun e tyre, që u shpëtonte nga dora.

– Atje – shtova unë, – më pret edhe një grua, e re që fort më dashuron.
– Mjaft, mjaft, – klithi dikush i pezmatuar.
Lajmi se isha i lumtur, me sa dukej, atij i shkaktonte një dhimbje gërryese.
– O njerëz të ndershëm, – thirra, – po ju lutem, lermëni në qetësinë time! Kini mëshirë për mua. Mos më hiqni prej këtu. Fërshëlleni, ju lutem shumë, fërshëlleni pra!

Ndjeva qartë dridhmën që përshkoi turmën dhe duhmën e urrejtjes kundër meje. Isha i bindur se, për t’i lodhur, u mjaftonte dyshimi, se kisha thënë të vërtetën dhe se, ku ta dish, mbase isha vërtet i kënaqur me fatin tim. Megjithatë, akoma mëdysheshin.
Atëherë u përkula mbi parmak dhe, duke i dhënë zërit një dridhje patetike, thirra:

– Mos më thoni “Jo” ju, që keni një zemër kaq të mirë! E ç’ju kushton? Aman, filloni zotërinj, fërshëllejeni këtë të burgosur të shkretë, por të lumtur.
Një zë plot ligësi s’duroi mes turmës:
– Dashke, ë? Jo. Kjo do ishte e tepërt.

Dhe pastaj një duartrokitje, një tjetër, dhjetë, njëqind. Duartrokitjet erdhën duke u shtuar. Edhe unë këtë kisha pritur! Më në fund ua kisha kisha hedhur maskarenjve
Dëgjova si u hapën prapa meje kanatet e ballkonit dhe dikush më foli:
– Hajt mbathja, je i lirë!

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.